Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Studentët e Dizajnit me ekspozitë arti

$
0
0

dizajnNë Universitetin Europian të Tiranës hapet ekspozita e parë e studentëve të Dizajnit me kurator Shpend Bengun

Hapja e ekspozitës së parë është hap i rëndësishëm dhe vendimtar në karrierën e artistëve. Studentët e degës Komunikim-Design në UET, me guxim e hodhën këtë hap herët dhe të gjithë së bashku. Ekspozita e tyre e parë, e hapur dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, ka nxjerrë nga laboratorët e shkollës punët e tyre duke ia ofruar publikut. Ata ndiheshin të sigurt në këtë hap, pasi nxitja për hapjen e ekspozitës erdhi prej pedagogëve të tyre, prej atyre që punën e tyre e shohin dhe e vlerësojnë nga afër çdo ditë. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës arti mori dimensione të tjera edhe më të bukura me performancën e trupës së baletit “Mvula Sungani Physical Dance”, të cilët ishin në Tiranë për shfaqje artistike.

Përgjegjësja e Departamentit të Komunikim-Design në UET, Dr. Belina Budini shfrytëzoi një moment të tillë për të shpallur ambicien e UET-it për zgjerimin e degës së Design dhe krijimin e një shkolle të vërtetë arti brenda UET. “E nisëm këtë mbrëmje në një mënyrë jokonvencionale, me një performancë arti. Besojmë që nuk do të jetë e fundit, por do të hapë siparin e një sërë aktivitetesh të tilla interesante, surprizuese, të cilat lidhen me një objektiv mjaft serioz që kemi në Universitetin Europian të Tiranës. Ne, përkohësisht, ende e strehojmë disiplinën e Komunikim-Dizajnit në departamentin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit, por së shpejti mendojmë të zgjerohemi në drejtim të arteve; arteve figurative por jo vetëm, edhe baletit dhe muzikës”, – tha Budini.

Më tej pedagogia Budini sqaroi se ekspozita nuk ishte një qëllim në vetvete, por një fryt i punës së studentëve ndër vite. “Duhet të bëj me dije që këto punë nuk janë ideuar enkas për këtë ekspozitë, por kanë ardhur nëpërmjet detyrave të studentëve në orët e tyre mësimore”, – sqaroi ajo.

Kuratorë të ekspozitës ishin pedagogu i këtij departamenti, artisti Shpend Bengu dhe pedagogu Kled Kapexhiu. Profesor Bengu u shfaq shumë entuziast për talentin dhe punën e studentëve të tij duke i cilësuar të jashtëzakonshëm. “Do më lejoni të përmend një emër, rasti i fundit ishte diploma e studentes Sofia Thano, e cila ka mahnitur jo vetëm artistët, por dhe specialistë të IT. Ajo ka sjellë një diplomë, që unë rrallë e kam ndeshur në të gjithë përvojën time si pedagog prej shumë vitesh. Por nuk është vetëm Sofia, janë shumë e shumë të tjerë. Të mos harrojmë Agin e famshëm, i cili si një student i UET-it, me performancën e tij po merr pjesë në konkurset ndërkombëtare për firmat më të fuqishme të botës. Mund të përmend edhe shumë të tjerë: Jetmiri, Olgerti etj.”, – tha profesor Bengu duke folur gjatë ceremonisë.

Ndërsa profesor Kled Kapexhiu bëri të ditur se disa nga punët e paraqitura u përkisnin studentëve që kanë mbaruar. Ai e sheh këtë gjë si një gjurmë që ata kanë lënë gjithmonë në UET me talentin e punën e tyre.Këto që shihni janë punët e dy grupeve të të diplomuarve në vitet 2013 dhe 2014. Sot pashë disa prej tyre, që nuk i kisha parë prej një viti, dhe punët e disa prej atyre që nuk ndodhen në sallë. U kujtoj atyre që kanë mbaruar, që këtu në UET kanë lënë një gjurmë. I ftoj të kthehen sa herë të munden sepse gjurmët e tyre do të gjenden këtu”, – u shpreh Kapexhiu.

Dhe për të treguar se ata që ikin janë në fakt gjithmonë aty, i pranishëm në ekspozitë ishte një prej studentëve më të suksesshëm të kësaj dege, Agi Haxhimurati. Haxhimurati është autor i BUNK-art dhe shumë evenimenteve dhe logove të njohura dhe ndërkombëtare. Ai tha se ëndrra e tij lindi pikërisht në UET dhe që nga bankat e universitetit nisi “loja” që po i jep frytet e veta tashmë në karrierën profesionale.

 

 

Shpallen tre fituesit e projektit “Unë jam UET”

Tre studentë të degës Komunikim-Design në Universitetin Europian të Tiranës u shpallën dje publikisht fitues të projektit “Unë jam UET”, një projekt që u beson atyre brandimin e imazhit të universitetit të tyre. Gjatë ekspozitës me punime artistike nga studentë të kësaj dege, përgjegjësja e Departamentit, Dr. Belina Budini shpalli emrat e fituesve, të cilët do të marrin përsipër të bëjnë logo, suvenire dhe video për promovimin e universitetit të tyre. Studentët Olgert Rakipllari, Jetmir Duraku dhe Etleva Hamedani janë evidentuar nga juria, ku kryetare e saj ishte gazetarja Rudina Xhunga, edhe për shkak të profileve të tyre krejt të veçanta nga njëri-tjetri. Tre fituesit u zgjodhën nga profile të ndryshme; Hamedani për dizenjimin e suvenireve, Rakipllari për dizenjimin e logove, dhe Duraku për realizimin e videoturit të prezantimit të universitetit. Studentja Hamedani, e cila ka fituar dhe disa konkurse të tjera për dizenjimin e suvenireve, tha se puna e tyre kishte një shtysë të fortë dhe kjo ishte “besimi i profesorëve”.

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180