Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

UET: 7 propozime për strategjinë e Arsimit Parauniversitar

$
0
0

kopertinaBotimi i UET-Press sjell librin “Arsimi Parauniversitar 2015+” me refleksione rreth dokumentit “Strategjia e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, 2014 – 2020” 

Strategjia e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për arsimin parauniversitar, e bërë publike disa muaj më parë, ka nxitur një grup ekspertësh, pedagogë në UET që ta studiojnë dhe të hartojnë një draft me rekomandime dhe propozime konkrete për ministrinë. Drafti i punës së pesë pedagogëve të UET-it, pjesë e Departamentit të Edukimit, është botuar së fundmi në formën e një libri nga UET-Press dhe u prezantua dje për publikun dhe për ministrinë, ku e pranishme ishte zv/ministrja Nora Malaj. Pedagogët Tomi Treska, Ylljet Aliçka, Edi Puka, Valbona Nathanaili dhe Mateo Spaho kanë argumentuar vlerësimet dhe kritikat e tyre mbi këtë strategji, vlerësime dhe kritika që u mirëpritën nga zonja Malaj, e cila e konsideroi të rëndësishëm bashkëpunimin dhe diskutimin e vazhdueshëm të ministrisë me institucionet e arsimit. Në vazhdën e këtyre propozimeve, një ide e re për debat u hodh gjatë takimit dhe nga rektori i UET-it, Prof.Dr. Tonin Gjuraj, ide që presupozon një ndryshim të rëndësishëm të sistemit parauniversitar, duke i dhënë atij një formë të detyrueshme dhe universale dhe duke e shtyrë formimin profesional për një shkallë tjetër arsimimi pas kryerjes së gjimnazit. “Grupi që ka punuar është divers dhe duke qenë divers në shumë pikëpamje jep dhe garanci që reforma të ketë një konsensus mjaft të gjerë. Nga diskutimet e këtij grupi ekspertësh vijnë dhe dy propozime që mund të hapin debat të arsyeshëm, e para që gjimnazi të jetë universal dhe i detyrueshëm dhe arsimi profesional të kryhet pas gjimnazit”, – tha Gjuraj. Ai argumentoi dhe punën e grupit të pedagogëve dhe interesimin e UET-it për këtë strategji. “Në debatin që përfshiu ligjin e ri për arsimin e lartë isha i ftuar në Kuvend dhe një deputet më pyeti hapur nëse kishim influencuar ne, pra universitetet private, në hartimin e këtij ligji. Nuk ka pse të ketë asnjë kompleks për formimin e influencës së drejtë e të ligjshme nga grupet e interesit, të organizuara si në rastin e institucioneve arsimore etj. Shoqëritë perëndimore e kanë kaluar këtë fazë. Ndaj dhe në rastin e strategjisë për arsimin parauniversitar më pyetën çfarë interesi ka UET. Sigurisht është normale që të lobosh dhe të influencosh për të pasur një reformë që i shërben së pari shoqërisë”, – tha Gjuraj gjatë fjalës së tij.

Zv/ministrja Nora Malaj vlerësoi së pari bashkëpunimin me institucionet e arsimit dhe konkretisht të UET-it, duke vlerësuar iniciativën e tij për të dhënë këto rekomandime mbi strategjinë e re për arsimin parauniversitar. Ajo vlerësoi dhënien e ideve si një kontribut të rëndësishëm kur bëhet fjalë për strategji të tillë, ku përfitues është “fëmija-nxënës”. “Nisma e UET-it merr rëndësi të madhe sot kur kemi një strategji, e cila na vë përballë detyrave të caktuara, në kohën kur pushteti lokal do të nisë të marrë përgjegjësi në lidhje me arsimin dhe në një kohë kur sipas studimeve deri në 2020 të rinjtë duhet të jenë me arsim të mesëm, në masën 80 për qind dhe me arsim të lartë 60 % të tyre për t’u përballur me tregun e punës”, – tha Malaj.

 

Refleksionet dhe rekomandimet mbi strategjinë e MAS

Dokumenti Arsimi Parauniversitar 2015+. Refleksione rreth dokumentit “Strategjia e zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, 2014–2020” është një përmbledhje e mendimeve, sugjerimeve dhe rekomandimeve të ekspertëve të Universitetit Europian të Tiranës, kryesisht anëtarë të Departamentit të Edukimit të këtij universiteti dhe njëkohësisht, e opinioneve të shkëmbyera me përfaqësues të DAR/ZA-ve dhe drejtuesve të gjimnazeve më të rëndësishëm të vendit. Ky dokument thekson rëndësinë e hartimit të Strategjisë së zhvillimit të Arsimit Parauniversitar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dhe qasjen e kësaj ministrie për ta diskutuar draftin e strategjisë me aktorë të rëndësishëm të fushës së arsimit dhe shkencës, siç janë edhe universitetet dhe stafet akademike të tyre,

por jo vetëm. Dokumenti që prezantojmë bazohet në parimin e partneritetit Ministri – Universitet dhe ndërtohet në frymën e konstruktivitetit dhe të bashkëpunimit mes tyre. Në rekomandimet e dhëna pasqyrohet mendimi bashkëkohor në fushën e arsimit, nevojat e vendit për një arsim më cilësor dhe njëkohësisht trendi i integrimit të Shqipërisë në BE edhe në fushën e arsimit parauniversitar. Mendimet e dhëna në këtë dokument respektojnë thelbin e përmbajtjes së Strategjisë, si dhe strukturën mbi të cilën është ndërtuar ajo. Ekipi që e ka formuluar këtë dokument shquhet për ekspertizë të lartë në fushën e arsimit në përgjithësi dhe të atij parauniversitar në veçanti, si dhe karakterizohet nga fryma e lartë e përgjegjësisë dhe e përgjegjshmërisë për të hartuar një Policy – Paper ku prevalojnë interesi kombëtar,qytetaria dhe mirëkuptimi.

Ne besojmë se ky dokument është një vlerë e shtuar e punës disavjeçare cilësore të Universitetit Europian të Tiranës në fushën e arsimit dhe një kontribut konstruktiv e njëherësh edhe cilësor, që ky universitet ofron në këtë drejtim. Shpresojmë që Ministria e Arsimit dhe Sporteve ta marrë në konsideratë këtë dokument, si dhe të gjitha rekomandimet e pasqyruara në të.

 

Rekomandimet nga grupi i ekspertëve të UET

  1. Duhet riformuluar vizioni, në vend të “sistemi arsimor” të jetë nxënësi-fëmija në qendër.
  2. Struktura akademike. Brenda vitit 2020 arsimi i lartë të bëhet i detyrueshëm me ndarje të qartë, i përgjithshëm, profesional.
  3. Të shprehet qartazi lejimi, i jo më shumë se dy tekste referuese për çdo disiplinë/lëndë.
  4. Struktura drejtuese. Të vihet theksi te pjesëmarrja e prindërve në drejtimin konkret dhe real të shkollës.
  5. Burimet Njerëzore. Transparencë në punësime në të gjitha nivelet. Programet akademike që përgatisin mësues të rinj të jenë të unifikuar në rang kombëtar.
  6. Strategji rrezikon të jetë e kompromentuar në realizimin e saj, pasi ka hendek midis fondeve të programuara dhe atyre të nevojshme.
  7. Monitorimi i zbatimit të strategjisë të kryhet nga agjenci kombëtare apo ndërkombëtare të specializuara dhe të pavarura nga MAS.

 

Treska: Rekomandimet, përgjegjësi qytetare për një arsim cilësor

Përgjegjës i Departamentit të Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës. Prof. Asoc.Dr. Tomi Treska, i cili është dhe një nga autorët e draftit me rekomandimet për strategjinë e re për arsimin parauniversitar e cilëson këtë libër si një përgjegjësi qytetare për rritjen e cilësisë në arsim. Sipas tij “refleksionet rreth dokumentit të MAS shprehin vullnetin e mirë të Universitetit Europian të Tiranës dhe specifikisht të Departamentit të Edukimit të këtij universiteti, për të kontribuar aktivisht në kuadër të diskutimit të reformave dhe iniciativave që MAS ka ndërmarrë me synim rritjen e cilësisë së edukimit të brezit të ri. Dokumenti është konkretizim i partneritetit MAS – institucione të arsimit të lartë dhe është konceptuar brenda frymës konstruktive dhe bashkëpunuese mes MAS dhe UET. Rekomandimet e ofruara pasqyrojnë jo vetëm vullnetin e mirë të autorëve, por edhe mendimin bashkëkohor në fushën e arsimit, duke përcjellë shqetësimin dhe përgjegjësinë qytetare për një arsimim më cilësor të fëmijëve tanë”.  Profesor Treska vlerëson qasjen e MAS për t’i hapur rrugë diskutimit të këtij dokumenti të rëndësishëm për arsimin parauniversitar shqiptar, me aktorë të rëndësishëm të fushës së arsimit dhe shkencës jo vetëm në nivel parauniversitar, por edhe me aktorë të tillë të rëndësishëm si universitetet dhe stafet e tyre akademike. “Ne besojmë se refleksionet mbi Strategjinë afatmesme të MAS për arsimin parauniversitar janë një vlerë e shtuar e UET në fushën e arsimit dhe shpresojmë të shihen me të njëjtin këndvështrim edhe nga përfaqësuesit e MAS”, shprehet ai.

Nathanaili: Drejtorët e DAR, pjesë e diskutimit dhe analizës

Valbona Nathanaili, Drejtoresha e Botimeve UET Press dhe një nga autoret e librit, e cilëson librin si një përmbyllje e bashkëpunimit, diskutimit dhe analizës së gjatë me ministrinë dhe drejtoritë arsimore në të gjithë vendin. “Ky libër është një policy-paper, në përgjigje të procesit të iniciuar nga Ministria e Arsimit për të diskutuar me grupet e interesit draftin e kësaj strategjie. Secili nga kapitujt e draftit, sipas fushës së ekspertizës, u nda ndërmjet pedagogëve të shkencave të edukimit në UET dhe iu nënshtrua një analize të hollësishme. Tezat, sugjerimet dhe vërejtjet e autorëve u paraqitën më 11 prill 2015, në mjediset e UET-it, në kuadër të forumit UET-gjimnaz, në prani të afro 150 drejtorëve të drejtorive arsimore dhe të shkollave nga të gjitha rrethet e Shqipërisë. Produkti ishte një policy-paper që iu dërgua Ministrisë së Arsimit dhe, për të vazhduar komunikimin me një rreth sa më të gjerë profesionistësh, veçanërisht te mësuesit e studiuesit, menduam që këtë produkt ta paraqesim edhe si libër. Falenderoj drejtorët e shkollave dhe të drejtorive arsimore që afro 6 muaj më parë u bënë pjesë e këtij diskutimi, në kuadër të forumit UET-Gjimnaz”, – shprehet Nathanaili.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles