Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

“Udha e Shkronjave”, udha që shtrohet për gazetarinë e vërtetë

$
0
0

blerjana bino- kryesoreQendra UET dhe Fondacioni MAPO në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës kanë iniciuar një projekt të ri me fokus gazetarinë analitike dhe interpretuese

“Gazetat duhet të analizojnë faqet e internetit duke treguar cilat janë ato virtuozet dhe duke treguar me gisht ato që përcjellin gjepura. Do të ishte një shërbim publik”, – do të thoshte Umberto Eco, duke e cilësuar median sociale si “pushtimi i budallenjve”. Deklarata e shkrimtarit dhe profesorit me famë botërore shkaktoi bujë pikërisht pse vinte gishtin në plagë, prekte shqetësimin real të paktën prej një dekade që ka përfshirë median, mbijetesën e gazetarisë serioze përballë medias sociale. Gazetat më prestigjioze në botë e pranuan se interneti ka shkaktuar humbje të mëdha, versioni print po lufton për mbijetesë në një epokë ku informacioni, puna bazë e gazetarisë, përhapet me shpejtësi marramendëse nga njëri cep i botës në tjetrin si meritë e internetit. Kjo dilemë sigurisht ndihet dhe në median shqiptare të shkruar dhe në përpjekjet për të ruajtur lexuesit e saj, duke mos u bërë thjesht përçuese e informacionit, por një gazetari analitike, serioze, e thelluar që i ofron akoma një ushqim cilësor lexuesit. Në këtë kuadër gazeta Mapo ka nisur zbatimin e një projekti që nxit këtë gazetari. Projekti i mbështetur nga Qendra UET dhe Universiteti Europian i Tiranës synon të nxisë gazetarët që të ringjallin gazetarinë e mirë duke sjellë profile, reportazhe dhe histori njerëzore për të vendosur një tjetër marrëdhënie me lexuesin, jo thjesht si një përcjellëse e informacionit.

Bino: Çfarë është projekti “Udha e shkronjave”

Drejtuesja e Qendrës UET, Blerjana Bino tregon se çfarë është projekti “Udha e Shkronjave”, një bashkëpunim mes kësaj qendre dhe gazetës Mapo. “Përhapja e gjerë e teknologjive të informacionit dhe komunikimit ka transformuar rrënjësisht edhe gazetarinë dhe sidomos shtypin, sfida më e madhe e të cilit është të përballet me dixhitalizimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për përdorimin e kompjuterave si një mënyrë tjetër e procesimit të fjalëve dhe e botimit, por bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor në kulturën e punës së gazetarisë, të marrëdhënies me audiencën, mënyrat e bërjes së lajmit, pra një ndryshim konceptual dhe shoqëror. Kështu duket sikur masivizimi, komercializimi dhe dixhitalizimi promovojnë gazetarinë e thjeshtë, të shpejtë dhe të sensacionit në kurriz të asaj analitike, të thelluar dhe interpretuese. Në fakt, sot individi përballet me një bum informacioni nga burime të shumëllojshme dhe e ka thuajse të pamundur të orientohet dhe të filtrojë informacionin cilësor dhe të besueshëm. Andaj, pikërisht në kohën e medias dixhitale dhe të internetit të kudogjendur, është më shumë se kurrë e nevojshme që gazetaria të ofrojë përmbajtje cilësore, pra analizë dhe interpretim të botës që na rrethon. Sipas Umberto Eco-s, një prej shkrimtarëve dhe mendimtarëve më në zë bashkëkohorë, ‘drama e epokës së internetit është që promovon budallain e fshatit në kurriz të mbartësit të së vërtetës’. Kjo pasi në mediat dhe rrjetet sociale online gjithkush mund të thotë gjithçka”, – shprehet Bino duke komentuar këtë bashkëpunim.

Sipas saj, interneti ka ndryshuar mënyrat e organizimit të informacionit, nga formate të ngurta si librat dhe gazetat, te një informacion pa kufij, me rrjedhje të lirë e të shumëkahshme, pra diçka që ofron mundësi të panumërta. “Pikërisht, gazetarët duhet pra të jenë ‘mbartësit e së vërtetës’ ose së paku të analizës së thelluar e të peshuar të argumenteve dhe kundërargumenteve, të fakteve dhe verifikimit të burimeve dhe respektimit të etikës. Në këtë kuadër, Qendra UET dhe Fondacioni MAPO në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës kanë iniciuar një projekt të ri me fokus gazetarinë analitike dhe interpretuese në shtyp, me synimin e ruajtjes së traditës së shtypit (gazeta e revista në print) si edhe nxitjen e botimit të artikujve që informojnë cilësisht lexuesin. Projekti i përbashkët bazohet në parimin se për një gazetari të mirë, sot gjithmonë e më tepër ka nevojë për një gazetar që të jetë ‘mbartës i së vërtetës, shpjegues dhe me kuptim’, i cili njëkohësisht është i vetëdijshëm që audienca e tij nuk është thjesht lexuesi pasiv, por një lexues interaktiv, që mund të ketë edhe më shumë njohuri sesa vetë gazetari. Andaj, transparenca e internetit kërkon edhe më shumë llogaridhënie nga ana e gazetarëve”, bën të ditur Bino.

 

 

Arion Sulo: Fokusi i Mapos do të jetë te historitë e dedikuara

Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës Mapo, e sheh projektin “Udha e Shkronjave” si një mundësi për të mbështetur dhe nxitur gazetarinë e dedikuar, duke pranuar problemet që kjo gazetari has në epokën e dixhitalizimit. Fillimisht, Sulo bën një tablo të situatës ku ndodhet media e shkruar sot. “Shtypi i shkruar prej vitesh është në konkurrencën preferenciale të televizionit dhe së fundi të medias online. Kush e vë këtë në dyshim, sigurisht nuk ka lidhje me këtë profesion. Debati dhe çështja ka evoluar në situatën se çfarë duhet të bëjë, si duhet të transformohet shtypi i shkruar për të mbijetuar. Opinionet janë nga më të ndryshmet edhe në Perëndim dhe në Shqipëri; disa e quajnë madje atë një fakt që ne jemi duke asistuar në‘epokën e funeralit’ të shtypit të shkruar, gjë për të cilën unë nuk ndaj këtë mendim. Pse nuk e ndaj? Duke mos hequr asnjë presje nga presioni i egër i televizioneve dhe dixhitalizimit të mediave, i futjes së medias online, sërish mbetet një kanon në gazetari, kanoni i gazetarit. Kjo do të thotë se çdo informacion, çdo histori, çdo raport, nga ai më i thjeshti për zjarrin e një lagjeje deri tek luftërat botërore apo eksodi që po ndodh, kanë nevojë për profesionalizmin e gazetarëve të vërtetë dhe jo për “skupe” të pavërtetë me jetëgjatësi disaorëshe. Mediat online janë shpërndarëset më të shpejta të informacionit, por nuk duhet të ngatërrojmë shpejtësinë e përhapjes së tyre me produktin e vërtetë që del nga puna e gazetarëve. Në këtë kontekst, vlera reale e platformës së medias, cilado qoftë ajo, relativizohet, mjaft që të jetë e besueshme dhe profesionale. Thënë këtë, nuk duhet të bëjmë asgjë më tepër sesa të kopjojmë atë që po bën Perëndimi, të heqim dorë nga përsëritja e mërzitshme e lajmeve që i nxjerrin një ditë më parë televizionet dhe portalet. Gazetat kryesore në botë kanë pësuar një ulje me disa qindra-mijëra, por efektivitetin si biznes kanë arritur ta mbajnë edhe më mirë, sepse kanë ndërthurur platformën online me gazetën print”, – shprehet ai. Në këtë kuadër, ai vlerëson se përpjekja e Mapos për të implementuar projektin “Udha e Shkronjave” nuk është gjë tjetër veçse përshtatja e profilit të saj në situatën mediatike që po jetojmë. “Gazetarët, fokusin dhe përditshmërinë e tyre më së shumti do ta drejtojnë te historitë dhe temat e dedikuara që lindin e kapen nga aktualiteti, por që vijimi i tyre një ditë më pas mbulohet nga rrjedha e përditshmërisë, tek intervistat me personalitete qe kanë lënë gjurmë në këtë vend apo dhe tek çështjet e mëdha të drejtësisë dhe rendit”, shprehet Sulo.

Eco: Gazetat duhet t’i analizojnë dhe kategorizojnë web-et

Shkrimtari dhe filozofi Umberto Eco, duke pranuar problemet e mëdha që ka media sociale, ka hedhur idenë e një kontrolli dhe kritike të saj nga ana e gazetave tradicionale. Në një fjalim në qershor të këtij viti, i cili bëri bujë, Eco hidhte idenë që gazetat duhet të analizonin në faqen e tyre faqet informative të internetit, në mënyrë që të tregonin ato website të besueshme dhe ato që janë përcjellëse “gjepurash”. “Do të ishte një shërbim publik i pafund e ndoshta edhe motiv për të cilin shumë lundërtarë në rrjet, që kanë filluar t’i snobojnë gazetat, të kthehen për t’i lexuar çdo ditë. Një nismë sigurisht e kushtueshme, por e çmueshme nga ana kulturore dhe që do të shënonte fillimin e një funksionimi të ri të shtypit”, – u shpreh Eco. Duke komentuar për marrëdhënien gazeta-internet, ai vëren se gazetat janë shpesh të nënshtruara ndaj rrjetit, sepse mbledhin në internet lajme e ndonjëherë legjenda, duke gabuar dyfish, sepse nga njëra anë i japin hapësirë konkurruesit më të madh të tyre, nga tjetra e japin informacionin gjithmonë me vonesë në krahasim me Internetin. Më tej profesori i shquar i cilësoi mediat sociale si një hapësirë ku kanë të drejtë fjale edhe budallenjtë. “Mediat sociale u japin të drejtën për të folur idiotëve, të cilët më parë mund të flisnin vetëm bareve pasi të kishin kthyer një gotë vere, pa dëmtuar askënd në komunitet. Atëherë iu mbyllej goja, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë për të folur ashtu sikurse një fitues i çmimit ‘Nobel’. Ky është pushtimi i budallenjve”, tha ndër të tjera Eco pasi mori ‘Honoris Causa’ në Komunikim dhe Kulturë Mediash në Universitetin e Torinos.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180