Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Studentët krijojnë imazhin e universitetit të tyre

$
0
0

studente dizajniNën udhëheqjen e profesor Shpend Bengut, studentët e Komunikim-Dizajnit do të bëhen pjesë në brandimin e logos së universitetit duke çelur edhe një ekspozitë me punimet e tyre.

Nga Erion Uka, Egon Loli

Të bëhesh pjesë e brandimit të universitetit tënd është kënaqësi dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Për studentët e Komunikim-Dizajnit në Universitetin Europian të Tiranës tashmë diçka e tillë është shndërruar në realitet. Prej një viti ata po punojnë me logon e universitetit në kuadër të 10-vjetorit të themelimit të tij. Një vit më parë, UET-Desing Club mori përsipër realizimin e projektit “Unë jam UET”, sipas të cilit studentët e UET-it do të krijonin imazhin e universitetit të tyre duke shënuar kështu një risi, i pari universitet që u beson studentëve të tij brandimin e imazhit të universitetit të tyre. Ky besim u dha atyre përgjegjësi, u krijon mundësinë që shkollën ta kthejnë në një praktikë të vërtetë dhe mbi të gjitha u jep besimin në talentin dhe aftësitë e tyre. Në fund të fundit, më mirë se ata kush tjetër mund ta krijojë imazhin e universitetit! Pas një viti pune produktet e tyre do të paraqiten nesër në një aktivitet të posaçëm. Lideri i tyre artistik, shpirtëror, udhëheqësi i këtij projekti unik është artisti i njohur i arteve grafike pamore, profesor Shpend Bengu. Së bashku me punët mbi imazhin e UET-it, studentët do të hapin dhe ekspozitën me punimet e tyre, një traditë e përvitshme që hapet në çdo fillimviti akademik.

Profesor Shpend Bengu ka qenë pranë studentëve duke ndjekur ecurinë e punimeve të tyre dhe kuruar edhe çeljen e një ekspozite. Ai thotë për Mapo-n se “ky është një aktivitet normal për UET-in, sepse është prezantimi i punimeve të studentëve. Në fund të çdo viti akademik zgjidhen punimet më të mira dhe bëhen publike në një ekspozitë. Por ky vit ka një veçanti sepse përkon me 10-vjetorin e universitetit. Duke ditur se lënda është e re, jam shumë i kënaqur nga studentët. Ka punë të mrekullueshme dhe kam mbetur i befasuar nga ideimi dhe realizimi i tyre”.

Por çfarë është dizajni? Gjithsecili e gjen dizajnin në përditshmërinë e tij, sepse është i lidhur ngushtësisht me industrinë, si atë ushqimore, të veshjeve etj. Në këtë aspekt, Shqipëria duke mos pasur një të shkuar kapitaliste të zhvillimit ekonomik, edhe dizajni nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë. Vitet e fundit ka përpjekje serioze për t’i dhënë vendin e merituar kësaj dege studimi. Profesor Shpendi thotë se “më mirë se mund të ndihmojë një universitet privat në zhvillimin e dizajnit, nuk mund ta bëjë asnjë tjetër. Kjo sepse në institucionet shtetërore të arsimit ka disa procedura, të cilat pengojnë financimet e nevojshme për këtë program studimi. Mungesa e traditës ka problemet e veta pasi në vendet ku dizajni është i zhvilluar, konceptet fillestare të tij fëmijët i marrin që në kopsht, ndërsa në Shqipëri studentët që zgjedhin të studiojnë këtë degë, njohuritë i marrin vetëm në auditorët e universitetit”.

Studentëve të Komunikim-Dizajnit iu është besuar brandimi i logos së UET. Do të jenë ata që me punën e tyre do të mendojnë se si të inkorporojnë logon në objekte apo vende të ndryshme. “Do të merret logoja e universitetit dhe do të interpretohet nga studentët, për shembull si kjo logo do të vendoset në një bluzë apo kapele dhe në këtë mënyrë bëhet edhe publiciteti i universitetit. Gjithsesi duhet pasur parasysh që kjo është hera e parë që tentohet të bëhet diçka e tillë dhe natyrisht presim edhe reagimin e studentëve ndaj kësaj gjëje. Qëllimi i dizajnit është që nëpërmjet imazhit të japë një mesazh ose thjesht të krijojë bukuri estetike”.

Në fund profesor Shpend Bengu falenderon edhe Bujar Kapexhiun, i cili është njeriu që bëri të mundur çeljen e këtij programi studimi në Universitetin Europian të Tiranës, duke kthyer në traditë ekspozitat e studentëve në ambientet e universitetit dhe duke hapur një dritare të re për të gjithë artistët e rinj.

 

Flasin studentët e Dizajn Klub: Si e konceptuam imazhin e universitetit tonë

 

Eva Drita, studente e vitit të tretë, dega Marrëdhënie me Publikun-Komunikim

Çfarë përfaqëson ky projekt për ty si studente e UET?

Ky projekt zhvillohet në kuadër të 10-vjetorit të UET. Duke e ditur rëndësinë e tij, natyrisht që ndihem mjaft e nderuar që jam edhe unë pjesë e këtij projekti. Unë jam studente e këtij Universiteti prej dy vitesh dhe tashmë UET zë një vend të veçantë në zemrën time. Vetë projekti përfaqëson të ardhmen, atë që pritet të sjellë UET dhe demonstrimin e asaj që ka kaluar gjatë kësaj rruge të gjatë 10-vjeçare.

Cila është përgjegjësia jote në të gjithë strukturën e projektit? Sa frymë grupi ekziston mes jush në kryerjen dhe zbatimin e detyrave?

Ne jemi një grup studentësh dhe pedagogësh, të cilët kultivojmë mirëkuptimin e vazhdueshëm në komunikimin mes nesh. Na rrethon një ndjenjë e lartë pozitiviteti dhe kjo gjë është demonstruar më së miri nëpër takimet e shpeshta që kemi pasur në kuadër të projektit. Bashkë me kolegen, Inva Hasanaliaj, kemi bërë realizimin e një videoje që rrëfen diçka më tepër rreth Universitetit Europian të Tiranës, pasi duke qenë studentë të Komunikimit ne kemi armën më të fortë tonën: fjalën! Tashmë kemi shumë projekte të sjella nga studentë të ndryshëm të Komunikim-Dizajnit dhe po i shqyrtojmë të gjitha dhe do të vendosim se cilat janë idetë dhe realizimet më të mira. Secili nga ne ka një përgjegjësi të madhe mbi vete, pasi nuk është aspak e lehtë të realizosh një projekt të tillë.

Ndonjë sekret apo të fshehtë interesante të projektit, që ia vlen ta zbulosh përpara kohe?

Projekti në fjalë është i një rëndësie të madhe dhe tepër të veçantë, ndaj po bëjmë të pamundurën për ta kuruar deri në detajin më të vogël. Po punohet shumë për të arritur një rezultat të kënaqshëm për të gjithë. Nuk mund të flas shumë, pasi çdo gjë mbetet për t‘u parë nga të gjithë ju dhe më besoni, do të mbeteni të mrekulluar nga ajo që do të prezantohet.

 

2.

Inva Hasanaliaj, studente e vitit të tretë, dega Marrëdhënie me Publikun- Komunikim

Çfarë është shpirti i Klubit të Dizajnit në këndvështrimin tënd?

Atë çfarë unë do ta konsideroja si shpirtin e Klubit të Dizajnit është kreativiteti. Kjo do të ishte fjala e duhur për ta përshkruar më së miri, pasi edhe vetë themelimi i këtij klubi erdhi fillimisht si një pasqyrim i punëve më të mira, të cilat u sollën nga studentët e dizajnit dhe komunikimit. Çdo punim i studentëve ka spikatur jo vetëm për inovacionin dhe këndvështrimin e ri të cilin ato kanë pasur, por mbi të gjitha, për kreativitetin. Kreativiteti është ajo pjesë, e cila ka bërë realisht diferencën.

Si u ideua ky projekt? Si filloi puna për realizimin dhe në cilën pjesë të kryerjes së projektit je angazhuar?

Ky projekt fillimisht nisi si një konkurs, i cili ftonte studentët të sillnin një mënyrë të re të asaj se çfarë do të thoshte të ishe një student i UET. Praktikisht, konkursi “Unë jam UET” ishte ai i cili mblodhi rreth vetes këta studentë, të cilët sot jo vetëm janë pjesë e një projekti shumë të rëndësishëm, por u bënë themeluesit e parë të Klubit të Dizajnit. Vetë programi im i studimeve Marrëdhënie Publike- Komunikim, ishte një shtysë ose një tregues mjaft i rëndësishëm, i cili solli pjesëmarrjen time në projekt. Sot që flasim PR përbën një nga pjesët më thelbësore të shumë prej kompanive më të fuqishme të tregut ndërkombëtar, prandaj dhe një projekt i tillë, i cili ka në qendër imazhin e universitetit ku unë studioj, më angazhon dyfish më tepër e po ashtu më jep po të njëjtat përgjegjësi. Pjesa ime në këtë projekt konsiston në imazhin mediatik, ose për të qenë më e saktë, në reklamën mediatike që do t‘i bëhet shkollës në kuadrin e 10-vjetorit të saj.

Nëse ti e sheh të tillë, a është ky projekt një demonstrim i dëshirës tënde për një të ardhme më skrupuloze të shkencës së komunikimit, si në rrafshin mediatik dhe në atë akademik?

Në një pikë të tillë nuk mund t‘i ndaj nga njëra-tjetra, sepse një projekt i tillë tashmë mendoj se filloi si një dëshirë për të bërë diçka për universitetin tim, por me kalimin e kohës, ashtu sikurse përmasat e tij ndryshuan, evoluuan, edhe puna ime i kaloi përmasat e demonstrimit të dëshirës sime si studente për përmirësimin e shkencës së komunikimit në rrafshin akademik. Kjo dëshirë u kthye në një vizion të ri të asaj se çfarë mund të bëj unë dhe shumë studentë të tjerë, të cilët zotërojnë një potencial shumë herë më të madh nga ç‘kishim imagjinuar. Një projekt i tillë jo vetëm na bëri të japim më të mirën nga vetja, por të zbulojmë ide dhe të zgjojmë potenciale të reja, të cilat ndoshta në një moment tjetër nuk do të mendonim se i zotëronim.

 

3.

Jetmir Duraku, student i sapodiplomuar, dega Komunikim Dizajn

Çfarë është Klubi i Dizajnit për ty? Detyrim profesional? Art?

Klubi i Dizajnit për mua është “detyrimi” i profesionistëve të UET. Marrim pjesë aty për të nxjerrë në pah aftësitë tona për artin dhe pasurimin e tij. Pra, skena ku bëhet punë për artin është pikërisht ky klub, me frymëzimin e profesionistëve të këtij fakulteti që vërtet e duan artin dhe bëjnë shumë për të.

Si është organizuar puna mes jush si grup për projektin e 10-vjetorit të UET? Sa veta jeni te grupi i punës dhe kur ka nisur puna? Si e keni ndare atë mes jush? Keni pasur sfida?

Si fillim, na është treguar puna e bërë dhe sfidat që ka kaluar shkolla këto 10 vite. Pra, një ëndërr e madhe e njerëzve që kanë punuar shumë, për vite me radhë, duke formuar gjenerata të tëra me mendësi europiane, padyshim me moton për të mos u ndalur kurrë. Në grupin e punës bëjmë pjesë 10 veta, duke ndarë secili punën sipas aftësive individuale, në pjesët në të cilat mendonim që jemi të mirë dhe mund t‘i bëjmë mirë. Sfida patjetër që ka pasur, si në çdo punë tjetër. Por privilegji që na u dha neve si grup, ka ndikuar që çdo sfidë ta ketë lezetin e vet. Pastaj është ndjenjë e këndshme të punosh me një staf njerëzish si stafi i UET. Është kënaqësi të punosh me studentë që e shohin Europën në perspektivën shqiptare dhe në mendësinë e tyre qysh tani, ende pa hyrë në BE.

Ky projekt, për ty ishte më tepër një detyrim ndaj institucionit ku je arsimuar, apo edhe një punë që e ke bërë me pasion pavarësisht arsyeve plotësisht relevante të jashtme?

Detyrim i madh. Kisha diplomën o njerëz të mirë (qesh me dashamirësi). Duke marrë parasysh që bëra 3 vjet universitet në UET, mësova shumë gjëra profesionalisht, por dhe u formova si qenie njerëzore me përgjegjësi qytetare, besoj që do më duhet të bëj diçka të vogël për këtë institucion të madh (UET). Te pyetja do të largoja fjalën ”detyrim” sepse është fjalë që nuk e kam dëgjuar asnjëherë për 3 vite dhe nuk e besoj që do dëgjohet në një vend ku pasioni mbart frymën kryesore. Mund të duket shaka, por me të vërtetë studentët e UET-it dallojnë nga shkollat e tjera. Ne artin e bëjmë si kënaqësi, e jo si detyrim.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180