Punimet e studentes së UET përzgjidhen për botimin me storyboard-et më të mira. Sofia Thano është një artiste e kohës moderne, një artiste që arrin të rrëfejë ngjarjet nëpërmjet imazheve grafike
Sofia Thano është studente e sapodiplomuar në UET. Me pasionin për grafikën dhe dizajnin, ajo po eksploron mënyra të reja të punimit të historive grafike. Nëse shumë prej nesh e përdorin celularin për të komunikuar apo për të qenë aktivë në rrjetet sociale, Sofia e përdor për të krijuar grafikat e saj. Tashmë “storyboard-et” e Sofias kanë nisur të botohen në libra, duke synuar që kjo gjini e artit shumë pak e njohur për ne, të zhvillohet duke tërhequr sa më shumë fansa. Ajo e sheh artin në një perspektivë shumë të gjerë, duke parashikuar se në të ardhmen pikturat dixhitale do të marrin vlerësimin e merituar dhe do të jenë njëlloj të rëndësishme si pikturat në penelatë.
Sofia, si lindi pasioni për dizajnin?
Gjithmonë kam dashur të merrem me pikturë dhe më ka pëlqyer grafika. Të studioja në Liceun e Arteve ka qenë një dëshirë e hershme, por tashmë jam e diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës. Dega e Komunikim-Dizajnit më tërhoqi menjëherë vëmendjen, pasi mendoj se i përshtatet së ardhmes teknologjike dhe besoj se do të revolucionarizojë artin në gjithë botën.
Si kanë qenë tri vitet e studimit në UET?
Në fillim nuk kam pasur një imazh të qartë për këtë degë, duke ditur se edhe në UET ishte viti i parë që u aplikua. Por tashmë jam shumë e kënaqur dhe ndihem e plotësuar. Pedagogët janë pika më e fortë e këtij programi studimi dhe kam marrë më të mirën e mundshme prej tyre. Ata të përkrahin dhe të mësojnë konceptet bazë të grafikës, më pas mbetet në dëshirën e gjithsecilit të zgjedhë teknikën e punimit. Duhet thënë se dega jonë po përmirësohet nga viti në vit dhe ofron çdo gjë që i nevojitet përgatitjes dhe zhvillimit profesional të një dizajneri.
Cilat kanë qenë konkurset që keni marrë pjesë?
Në muajin nëntor u zhvillua konkursi “Novelat grafike shqiptare”. Ky konkurs kishte të bënte me paraqitjen e legjendave shqiptare me anë të një storyboard dhe ishte hera e parë që u zhvillua në Shqipëri. Juria ishte ndërkombëtare dhe përbëhej nga Toon Horsten nga Belgjika, Igor Prassel nga Sllovenia dhe Tome Trajkov nga Maqedonia. Unë mora pjesë me “Legjendën e qyqes”, të cilën e paraqita me anë të 21 grafikave në 3 faqe. E veçanta ishte se këtë punim e realizova nëpërmjet celularit.
Doni të thoni që keni vizatuar në celular?
Pikërisht. Përdora programin “Fantasia Painter” për të realizuar storyboard-in tim. Sigurisht që ishte diçka e lodhshme, por edhe shumë e bukur. Juria e konkursit u habit tej mase kur e mori vesh një fakt të tillë, sepse asnjë tjetër nuk kishte bërë diçka të ngjashme. Unë nuk kam ndjekur një lice arti dhe duke mos pasur shprehitë e duhura për të pikturuar, vendosa të eksploroja mundësi alternative për të marrë pjesë në këtë konkurs. Programi në celular më erdhi në ndihmë dhe unë nxora më të mirën nga ai. Punimi im u zgjodh nga juria për të qenë pjesë e librit final me storyboard-et më të mirë të konkursit.
Mund të sqarojmë për ata që nuk e dinë se çfarë nënkuptohet me “storyboard”?
Është e vërtetë që në vendin tonë, kjo nuk është shumë e njohur, ndërsa në vende të tjera kjo teknikë ka shumë vite që lëvrohet. Ndryshe quhet comics dhe është komunikimi i një ngjarjeje reale ose imagjinare me anë të pikturave grafike. Me shumë përkushtim synohet që ky konkurs të shndërrohet në traditë dhe t’i japë një tjetër zhvillim kësaj gjinie të artit.
Cilat janë projektet e tjera?
Aktualisht po punoj për një tjetër konkurs ndërkombëtar që do të zhvillohet në Maqedoni dhe afati i fundit i dorëzimit të punimeve është data 15 shtator. Punimet duhet të jenë nga një deri në gjashtë faqe dhe duke qenë se tematika ishte e lirë, kam zgjedhur të paraqes një seancë meditimi.
Tashmë që keni përfunduar studimet, a do të vazhdojë dizajni të jetë pjesë e jetës suaj?
Për momentin, e shoh si pjesë të pandarë të jetës sime. Është pasioni im. Gjithashtu jam e dashuruar pas filmit të animuar dhe do të dëshiroja që studimet Master t’i zhvilloja në këtë fushë. Ëndrra ime është që të bëj një film që të mbajë autorësinë time, por fatkeqësisht, në Shqipëri nuk ekziston një degë e tillë studimi. Gjithsesi ndihem mjaft mirë duke punuar mbi storyboard-et.
Si e shihni të ardhmen e këtij zhanri në Shqipëri?
Shumë pak njerëz janë në dijeni mbi këtë rrymë të artit. Në vende të tjera të botës prej shumë vitesh botohet një numër i madh librash me histori grafike. Unë mund ta kuptoj që shumë njerëz çuditen nga kjo formë e artit. Por besoj se nuk do të jetë e largët dita kur një pikturë me celular të vlerësohet aq sa një pikturë në penelatë. Teknologjia është pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë, ndaj besoj se e ardhmja është “piktura e celularit”. Arti nuk mund të përfaqësohet vetëm nga format klasike të tij dhe jo vetëm një piktor që punon me bojëra vaji mund të quhet artist. Sot ka shumë forma të reja të artit dhe unë ndihem artiste.
Intervistoi: Erjon Uka