Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all 1180 articles
Browse latest View live

UET, vizitë në kompaninë e sigurimeve Atlantik

$
0
0

Në vazhdën e takimeve të programit 250+ që ka ndërmarrë Universiteti Europian i Tiranës, drejtues të UET zhvilluan javën që shkoi një takim me përfaqësues të Kompanisë së Sigurimeve Atlantik. Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, Drejtoresha e programeve master dr. Orkida Ilollari, zëvendës/rektori për Kërkimin Shkencor dr. Elvin Meka u takuan me drejtorin e kompanisë Atlantik Dritan Çelaj dhe drejtues të tjerë të kësaj kompanie. Në këtë takim u diskutua mbi atë çfarë kërkon tregu i sigurimeve te studentët e sotëm, në mënyrë që UET të marrë masat paraprake për t’i përgatitur ata. Partneriteti mes UET dhe Atlantik synon në përfshirjen e studentëve të cilët duan të bëjnë një kërkim shkencor apo dhe një ndihmë e madhe për studentët master që të ndjekin praktikën e tyre në këtë institucion.

Mbi rëndësinë e praktikave për studentët master, dr. Orkida Ilollari tha: “Ne duam që studentët tanë, të cilët nuk kanë mundësi ku të bëjnë praktikat, t’i akomodojmë pranë kompanisë tuaj. Duke qenë se sot tregu i sigurimeve ka marrë një tjetër hov këto vitet e fundit”. Po ashtu dhe presidenti Adrian Civici i kushtoi një rëndësi të madhe programeve master mbi sigurimet. “Ne vazhdimisht jemi në kërkim se cilat janë programet më të mira për një master sigurimesh. Pasi është një sektor me goxha potencial, i cili ka rreth 4000 të punësuar”, u shpreh ai.

Zoti Dritan Çelaj u tregua më se i hapur për të mirëpritur studentë nga UET në mënyrë që ata ta shohin nga afër se si funksionon një kompani sigurimesh, por dhe për t’iu ofruar atyre një praktikë. Dritan Çelaj u shpreh se tregu ka nevojë për master të mirëfilltë sigurimesh, që të trajtojë çështjet specifike me të cilat merret një kompani sigurimesh. “Duke qenë një punë njerëzish dhe emancipimi roli i universitetit është i jashtëzakonshëm në depërtimin në të gjithë shoqërinë tonë. Ne iu mirëpresim dhe jemi të gatshëm për çdo lloj bashkëpunimi në dobi të ecurive”, u shpreh ai me besimin që Kompania e tij do të jetë një partner afatgjatë i Universitetit Europian të Tiranës. Drejtori i drejtorisë së Marrjes në Sigurim, zoti Valer Lula, u shpreh se studentët duhet fillimisht të mësojnë standardet e nevojshme pasi ka shumë sfera brenda një sektori. “Klientët kërkojnë risi por jemi dhe ne vetë që iu paraprijmë disi këtyre risive. Mendoj se defekti i specialistëve të rinj është se ata nuk e kanë të qartë atë çfarë kërkon klienti dhe këtu duhet të punojnë disi më shumë për ta rregulluar këtë gjë”.


Greiss Petrović, kroatja e komunikimit të së bukurës

$
0
0

Profil/ Studentja e komunikimit në UET që drejton agjencinë e modës “Grace Models”: Shkolla që më ndihmon në punën time 

Greiss Petrović, drejtuesja e agjencisë së modës “Grace Models” në Shqipëri, krahas punës me kohë të plotë në biznesin e saj, ka zgjedhur të studiojë në UET për Marrëdhënie me Publikun-Komunikim. Këto janë studimet e dyta për të dhe shtysa për një shkollë të lidhur me komunikimin ka ardhur nga dëshira për të qenë më e plotësuar në artin e së bukurës, ku pasioni i saj u kthye në profesion. Përse vajza 27-vjeçarja me origjinë kroate ka zgjedhur Komunikimin dhe si ia del që të menaxhojë studimet krahas punës…

Greiss, ju keni pasur një karriere të suksesshme në fushën e modelingut. Si ka lindur ideja për të hapur një agjenci mode dhe cila është arsyeja që po provoni diçka të re në jetën tuaj, duke tentuar një njohje më të thellë të komunikimit?

Fillimisht ju falënderoj për intervistën. Ideja për të hapur një agjenci mode dhe një qendër kursesh profesionale, ku për qëllim kryesor kanë kurimin e imazhit, nuk ishte diçka rastësore, unë jam marrë me modeling, kam bashkëpunuar me televizione shumë të rëndësishme dhe mbart me vete një eksperience 10-vjeçare. Prej 5 vitesh drejtoj Grace Models. Përveç eksperiencës dhe trajnimit është dëshira dhe pasioni për modelingun, televizionin, pra për më shumë njohuri mbi Kulturën dhe Artin e Modelingut.

Komunikimi është një art më vete, mendoj. Edhe pse jo gjithmonë komunikimi mësohet, fitohet apo është i lindur, mendoj që gjithmonë ne gjatë gjithë jetës kemi nevojë për të njohur dhe mësuar. Marrëdhënia me publikun dhe komunikimi janë një nga artet që i kam dashuruar. Kam zgjedhur gjithmonë punë që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun, ku komunikimi është fjala kyçe.

A ju ndihmon dega që keni zgjedhur te puna juaj?

Patjetër që po. Puna ime është e lidhur shumë me publikun dhe komunikimi është kryesor, mënyra se si ti zgjedh të komunikosh është një element shumë i rëndësishëm dhe potencial për statusin tënd.

Sa i rëndësishëm është komunikimi në një marrëdhënie njerëzore?

Për mua personalisht është baza, qoftë në marrëdhëniet familjare, bashkëshortore, miqësore dhe në punë. Si natyrë mund të them që kemi qenë një popull i ndrojtur por ajo që unë sot shoh është që njerëzit përpiqen të flasin më tepër, t’i thonë mendimet e tyre hapur, pozitive apo negative qofshin ato. Kjo do të thotë që tashmë komunikojnë më tepër, po ashtu edhe teknologjia dhe rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në këtë proces.

Si po e përjetoni rikthimin në auditorët e një universiteti? Universiteti si një pikë reference besoni se mund t’iu zgjerojë rrugën për një karrierë në fushën për të cilën po studioni?

Tepër e kënaqur. Është një rikthim për mua, por jam e lumtur që ndodhem në një ambient të rrethuar me dije dhe dëshirë për të mësuar e për të hedhur hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të dijes. Karrierën e kam ngritur me punë e përkushtim, por mendoj që studimet do të më plotësojnë për ta thelluar më tej atë. UET është një emër i madh, gjithmonë e kam rekomanduar dhe shumë kursante të Grace Models sot ndjekin studimet e tyre në UET. Tashmë duke qenë pjesë e UET jam plotësisht e bindur për rekomandimet që kam dhënë e vazhdoj të jap për UET. Plotësisht e bindur për saktësinë, profesionalizmin dhe mundësitë që të jep UET.

Intervistoi: Erlinda Kasaj, studente në UET

Kurrikula finlandeze, një model referimi

$
0
0

Analiza/ Pse sistemi i edukimit finlandez shihet si model nga gjithë bota, ku bazohet suksesi i “nxënësve më të mirë” që bëjnë më pak “orë mësimi”

Nga Dr. Nazmi Xhomara, prof. asoc. dr. Tomi Treska*

Sistemi i edukimit finlandez

Finlanda me një popullsi prej 5.5 milionë banorë, shtet në të cilin fliten dy gjuhë zyrtare- finlandisht dhe suedisht, përbën një model referimi për çdo sistem edukimi, e në mënyrë të posaçme për kurrikulat që zbatohen në sistemin arsimor parauniversitar, por jo vetëm.  Edukimi në Finlandë zhvillohet në partneritet ndërmjet autoriteteve kombëtare, autoriteteve lokale, unionit të mësuesve, prindërve, nxënësve dhe studentëve, institucioneve kërkimore, partnerëve socialë, si edhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm (FNAE, 2017). Si karakteristikat më kryesore të sistemit të edukimit finlandez mund të përmendim: 1. Mësuesit janë shumë të përgatitur dhe të trajnuar; 2. mësimdhënia përbën një profesion tërheqës; 3. koha vjetore e mësimdhënies është e ulët; 4. fokusi i mësimdhënies është në të nxënit dhe jo në testimin e nxënësve; 5. nxënësit nisin arsimin bazë në moshën 7-vjeçare. Një nga pikat e forta të sistemit të edukimit finlandez është mbështetja financiare për nxënës apo për studentë. Në vitin 2015 shpenzimet operative për nxënës përfshinin: (1) 5859 euro për nxënës në arsimin parashkollor; (2)  8955 euro për nxënës në arsimin bazë; (3) 7747 euro për nxënës në arsimin e mesëm të përgjithshëm; dhe (4) 11503 euro për nxënës në arsimin e mesëm profesional. Një tjetër aspekt i rëndësishëm, të cilit i kushtohet vëmendje është mirëqenia e nxënësve dhe e studentëve, e cila përfshin: 1. Një qasje kolektive dhe individuale; 2. ushqim për nxënësit në shkollë; 3. kujdes shëndetësor; 4. siguri; 5. udhëheqje dhe këshillim për nxënësit.  Një nga pikat e forta të sistemit të edukimit finlandez është pa diskutim formimi fillestar dhe zhvillimi profesional i vazhdueshëm i mësuesve. Kandidatët për mësues përzgjidhen nga banda prej 10% e nxënësve më të mirë që përfundojnë maturën. Shumica e mësuesve në Finlandë, përveç atyre të arsimit parashkollor zotërojnë një diplomë master. Sipas OECD (2013), 90% e mësuesve finlandezë janë të kënaqur në profesionin e tyre, 70% e tyre do të zgjidhnin përsëri profesionin e mësuesit, 60% e tyre mendojnë se puna e tyre vlerësohet në shoqëri. Mësuesit finlandezë besojnë në: 1. barazinë dhe inkurajimin e nxënësve; 2. mbështetjen individuale; 3. fuqizimin e aftësive të të menduarit; 4. zhvillimin e vetëbesimit dhe tolerancës te nxënësit.

Kurrikula finlandeze

Megjithëse një nga sistemet e edukimit më të suksesshme dhe më konkurruese në botë, në vitin 2012 bazuar në një dekret të qeverisë finlandeze nisi procesi i reformimit të kurrikulës kombëtare në arsimin parauniversitar. Kurrikula e reformuar ka nisur të zbatohet në vitin akademik 2016- 2017. Reformimi i kurrikulës përfshin tri nivelet: 1. nivelin shkollor; 2. nivelin lokal; dhe 3. nivelin kombëtar. Në nivelin e shkollës parashikohej: 1. lidership pedagogjik; 2. qëllimet udhëhiqnin zhvillimin e kulturës shkollore; 3. hartimi i kurrikulës me bazë shkollën. Në nivelin lokal parashikohej: 1. menaxhim dhe lidership strategjik; 2. vendimmarrje mbi kurrikulën lokale; 3. organizimi, gjetja e burimeve njerëzore, monitorimi dhe zhvillimi i përpjekjeve lokale. Në nivelin kombëtar përgjegjësitë përfshinin: 1. hartimin e kurrikulës bërthamë kombëtare; 2. hartimi i akteve dhe dekreteve qeveritare mbi edukimin; 3. hartimi i udhërrëfyesve mbi politikat e edukimit, dhe 4. hartimi i planit për edukimin dhe kërkimin shkencor.

Çështjet kyçe në reformimin e kurrikulës finlandeze mund të përmblidhen në trajtën e katër termave (FNBE,2017). Vizioni, në të cilin do të merrnin përgjigje pyetjet: 1. Çfarë do të nënkuptojë edukim në të ardhmen? 2. Çfarë lloje kompetencash do të nevojiten? 3. Cilat praktika do të ofronin edukimin e dëshiruar dhe të nxënit? Plani i veprimit, në të cilin do të merrnin përgjigje pyetjet: 1. Si do të realizohej ndryshimi në kulturën e shkollave në nivel lokal dhe në çdo orë mësimi? 2. Si do të materializohej në praktikë vizioni dhe vullneti? Formimi i mësuesve, në të cilin do të merrte përgjigje pyetja: Cilat aftësi janë të nevojshme për mësuesit në mënyrë që të mbështesin edukimin dhe të nxënit për të ardhmen? Standardet kurrikulare, në të cilat do të merrte përgjigje pyetja: Si do të udhëhiqnin dhe mbështesnin punën e mësuesve dhe të komunitetit shkollor kurrikula bërthamë kombëtare dhe kurrikula lokale? Premisat mbi të cilat u mbështet reformimi i kurrikulës finlandeze përfshinin: 1) vlerësimi i ndryshimeve në mjedisin e edukimit, 2) analizimi i gjendjes aktuale, 3) mbështetja në gjetjet e kërkimeve, vlerësimeve dhe projekteve zhvilluese, 3) mbështetja në arritje ndërkombëtare.

Një nga premisat bërthamë të reformës kurrikulare përfshin zhvillimin e shkollës si një komunitet në rritje, ashtu edhe si një mjedis të nxëni, duke pasur në fokus pyetjet Pse? Çfarë? Si?

  • Nëse duam të rrisim kuriozitetin, duhet të lejojmë të pyeturit.
  • Nëse duam të zhvillojmë aftësitë e problem-zgjidhjes duhet të krijohen lidhje ndërmjet njohurive shkollore me problemet e jetës reale dhe të inkurajohen nxënësit të punojnë së bashku dhe të gjejnë zgjidhje.
  • Nëse duam të rrisim të kuptuarit, duhen kombinuar njohuritë dhe aftësitë nga lëndë të ndryshme.
  • Nëse duam të formojmë qytetarë që do të zhvillojnë shoqërinë, duhet promovuar gjithëpërfshirja dhe pjesëmarrja, duke iu dhënë mundësi nxënësve të bëjnë diferencën dhe të mbështete të menduarit kritik pozitiv.
  • Nëse duam të fuqizojmë vetëbesimin e nxënësve dhe motivimin për të nxënë, duhet zbatuar një vlerësim konstruktiv dhe i ndershëm.

Parimet e hartimit të kurrikulës finlandeze përfshijnë: 1) bazueshmëria në pikat e forta, 2) zhvillimi i qëndrueshëm, 3) barazi në të gjitha aspektet e edukimit, 4) plotësimi i nevojave të fëmijëve dhe mbështetja e mirëqenies së tyre, si edhe kushteve për të nxënë, 5) koherencë dhe konsistencë në arsimin bazë dhe në përmbajtjen e të nxënit, 6) ndërgjegjësimi për gjuhët dhe kulturat duke i konsideruar ato si pasuri, dhe 7) inovacioni teknologjik. Në kurrikulën e re finlandeze përshkruhet koncepti i ri i të nxënit, i cili merr në konsideratë kërkimet shkencore të fundit dhe në mënyrë specifike: 1) integrimin e mjedisit të të nxënit, praktikave, mësimdhënies dhe përcaktimi i mbështetjes për të nxënit dhe për vlerësimin e arritjeve akademike të nxënësve, 2) përcaktimi i qëllimeve dhe përmbajtjes kurrikulare sipas fushave dhe sipas lëndëve, 3) përcaktimi i fokusit në dizenjimin e rezultateve të të nxënit dhe të kompetencave me bazë të gjerë ndërmjet grup lëndëve. 4) hartimi i objektivave për mbështetjen e  mësimdhënies së integruar nga kompetencat me bazë të gjerë.

Kompetenca përshkruhet si sfidat që përbëjnë punën e shkollës dhe mësimdhënien dhe jo drejtpërdrejtë si objektiv i të nxënit për nxënësit. Kompetencë me bazë të gjerë iu referohet njohurive, aftësive, vlerave, qëndrimeve, kapacitetit dhe vullnetit. Kompetenca mbështet formimin e identitetit të nxënësve dhe i formon ata me aftësi për një jetë më të qëndrueshme. Zhvillimi i kompetencës kërkon bashkëpunim ndërmjet lëndëve shkollore. Dimensionet e kompetencës me bazë të gjerë përfshijnë: (1) të menduarit dhe të nxënit, (2) kompetencën kulturore, ndërveprimin dhe të shprehurit, (3) kujdesin për vetveten, menaxhimin e veprimtarive ditore dhe sigurinë, (4) shumëgjuhësinë, (5) kompetencën e TIK, (6) aftësia sipërmarrëse, (7) pjesëmarrja, fuqizimi dhe përgjegjshmëria.

Disa nga arritjet e prekshme të reformës kurrikulare finlandeze përfshijnë: (1) Numrin minimal të orëve mësimore vjetore, i cili duhet të jetë jo më i vogël se 222 në klasat 1- 9, (2) kurrikula tematike, e cila nënkupton zhvillimin e integruar në formë tematike të njohurive dhe aftësive të lëndëve fizikë, kimi, biologji, gjeografi, edukim shëndetësor në klasat 1- 6, (3) rritjen e peshës specifike të orëve në fushat kurrikulare shkencat sociale, edukim fizik, muzikë dhe arte vizuale, (4) zhvillimin e programeve gjuhësore më të larmishme.

Përfundime të vlefshme

Arritjet e sistemit të edukimit në Finlandë nuk mund të mos tundojnë të gjitha sistemet e edukimit në mbarë botën. Në testimet PISA Finlanda renditet në vendet e para në botë për aftësi në gjuhë amtare dhe letërsi, matematikë dhe shkencë (OECD, 2017). Këto rezultate megjithëse në Finlandë ka më pak ditë vjetore mësimdhënieje se në shumë vende të tjera, megjithëse nxënësit zhvillojnë më pak orë mësimi në dit krahasuar me shumë vende të tjera, megjithëse zhvillojnë pushime më të gjata ndërmjet orëve (15-minutëshe) se në shumë vende të tjera, megjithëse zhvillojnë shumë më pak detyra shtëpie se nxënësit në shumë vende të tjera. Në shkollat finlandeze nuk praktikohen rankime, krahasime apo garë ndërmjet nxënësve, shkollave apo rajoneve. Vlerësimi i arritjeve akademike të nxënësve fillon në klasën e pestë.

Në mënyrë të përmbledhur cilat janë tri leksione që të tjerët mund të marrin nga sistemi i edukimit vs kurrikula finlandeze?

  • Lërini fëmijët të luajnë
  • Jepuni mësuesve respektin që meritojnë
  • Ofroni sa më shumë të jetë e mundur mbështetje individuale për nxënësit

*Pedagogë në Departamentin e Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës

Gjimnaz Tour UET: Universiteti shkon te maturantët

$
0
0

Maturantët në gjithë gjimnazet e Shqipërisë do të njihen nga afër me degët që ofron Universiteti Europian i Tiranës dhe do të marrin këshill karriere për profesionet që duan të zgjedhin nga pedagogët më të mirë. UET ka nisur turin nëpër gjimnaze për këtë qëllim. Gjimnaz tour 2017 do të shtrihet këtë vit edhe në gjimnazet e Kosovës. 

Dilema më e madhe e një 18-vjeçari sot është zgjedhja e universitetit dhe degës që do të studiojnë. Është ky vendim që do të ndikojë për gjithë jetën e tyre të mëvonshme. Në këtë vendim të rëndësishëm një rol të madh kanë prindërit, por dhe tregu i punës, pasi të rinjtë synojnë ato degë ku besojnë se do të kenë më të sigurt një vend pune nesër.

Studimet universitare janë rruga që do t’u sigurojë të ardhmen, ndaj këshilli i karrierës për ta është i rëndësishëm pikërisht në këtë moment.

Duke e kthyer tashmë në një traditë Universiteti Europian i Tiranës ka nisur dhe këtë vit Gjimnaz Tour 2017, një udhëtim i pedagogëve në gjitha maturat e vendit.

Gjimnaz Tour është një prej mënyrave që lidh drejtpërdrejt universitetin me Maturën. Përveç kësaj, prej vitesh në UET organizohet Forumi Universitet, i cili do të mbahet për këtë vit më datë 8 prill 2017. Në këtë forum marrin pjesë qindra mësues, drejtues dhe specialistë të arsimit parauniversitar, të cilët debatojnë për këshillimin e karrierës, për kërkesat specifike të maturantëve, elementë që lidhen me brezin e ri, qëllimet dhe synimet e tyre.

Kontakt i drejtpërdrejtë i profesorëve me maturantët për t’ua bërë më të lehtë zgjedhjen e nesërme. Dekania e studentëve në UET, dr. Anisa Subashi, e cila organizon këtë tur tregon për MAPO-n se pse bëhet ky tur, çfarë kërkojnë maturantët e sotëm nga universiteti, cila janë degët që ata preferojnë, si e marrin vendimin dhe sa njohuri kanë për lidhjen e studimeve me tregun e punës.

Çfarë është Gjimnaz Tour dhe pse UET e bën këtë udhëtim nëpër gjimnaze?

Universiteti Europian i Tiranës në kuadër të këshillimit dhe orientimit të karrierës për të gjithë maturantët në prag të zgjedhjes së programit të tyre të studimit zhvillon aktivitete të ndryshme. Njëri prej tyre është Gjimnaz Tour, i cili është një proces shumë i rëndësishëm, pasi përfshin takime dhe diskutime midis aktorëve kryesorë që ndikojnë në marrjen e vendimit mbi atë se për çfarë maturantët do të studiojnë. Intensiteti dhe domosdoshmëria e zgjedhjes në këtë periudhë është shumë e lartë, pasi i duhet të vendosë për të ardhmen e tij. Kjo është periudha kur përmes vendimeve dhe ndryshimeve mësohet shumë dhe është e domosdoshme që të krijohen kushte që ky i ri të bëhet i fortë dhe të marrë vendimet më të mira për veten. Zgjedhja e universitetit është njëra ndër vendimet më të rëndësishme në jetë, e cila ndikon edhe në cilësinë e mëtejshme të punës dhe jetës. UET Gjimnaz Tour iu mundëson maturantëve të zhvillojnë takime me pedagogë të fushave të ndryshme dhe ish-nxënës të gjimnazeve, të cilat ndajnë eksperiencën e tyre tashmë si studentë.

Çfarë të reja sjell turi i sivjetshëm? Cila është shtrirja gjeografike e këtij udhëtimi?

Këshillimi i karrierës është një koncept shumë i gjerë, duke filluar që nga informimi dhe orientimi në lidhje me një program të caktuar studimi, e deri tek eksplorimi i mundësisë së punësimit apo rritjes në karrierë brenda një institucioni. Në rastin konkret, gjimnaz touri nënkupton informimin e të rinjve në lidhje me mundësitë e ndryshme të studimit që ata kanë, nënkupton parashtrimin apo eksplorimin e secilës alternative studimi, nënkupton dhënien e përgjigjeve mbi shqetësime apo pyetje që ata kanë. Tashmë maturantët janë mësuar me takimet në kuadër të këshillimit të karrierës, pasi ky nuk është viti i parë që Universiteti Europian i Tiranës ndërmerr një nismë të tillë. Maturantët jo vetëm që janë të vëmendshëm dhe të interesuar të dëgjojnë, por parashtrojnë pyetje të ndryshme mbi programet, sistemin e bursave, klubet studentore dhe mundësitë që ofrohen pas përfundimit të studimeve etj. Universiteti Europian i Tiranës këtë vit akademik pati një sistem më të qartë të kuotave të pranimit, gjë e cila është konform ndryshimeve të ndërmarra nga Ministria e Arsimit. Në fakt, duke qenë se diskutimet mbi Arsimin e Lartë kanë qenë të pranishme si midis maturantëve ashtu edhe midis mësuesve e prindërve të të rinjve, aplikimi i kuotave është pritur mirë. Madje një pjesë e pyetjeve që ato kanë, lidhen pikërisht me kuotat dhe mënyrën e përzgjedhjes.

Shtrija gjeografike përfshin 95% e të gjitha gjimnazeve dhe shkollave profesionale në të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug. Konkretisht qytetet e përfshira në këtë proces të këshillimit të karrierës janë: Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë, Librazhd, Përrenjas, Korçë, Pogradec, Bilisht, Laç, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Lushnjë, Berat, Skrapar, Burrel, Bulqizë, Peshkopi, Memaliaj, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Himarë, Sarandë etj. Gjithashtu përmendim trojet jashtë Shqipërise, Malin e Zi dhe Kosovën.

Në cilat gjimnaze keni qenë deri më tani dhe si është pritur prej tyre këshilli i karrierës? 

Këshillimi i karrierës nga UET për këtë vit ka filluar në mes të muajit mars dhe fillimisht janë organizuar takime me gjimnazistë nga shkolla të mesme jopublike. Deri më tani janë vizituar mbi 20 shkolla, ndërkohë që janë planifikuar gjatë kësaj jave gjimnazet me numrin më të madh të maturantëve dhe përgjatë muajit Prill do të udhëtojmë në çdo qytet të Shqipërisë. 

Pas disa vitesh që i organizoni këto takime të drejtpërdrejta me maturantët, sipas jush çfarë ndikon te zgjedhjet e tyre për universitetin: familja, pasioni apo synimi për të pasur një profesion që iu sjell një punë të sigurt? 

Vitet e fundit vihet re një pavarësi disi më e madhe në zgjedhjen e Universitetit nga ana e maturantëve, në raport me ndikimin e familjes. Më së shumti të rinjtë janë të prirur të zgjedhin karrierën e tyre nisur mbi pasionet apo prirjet në një fushë të caktuar akademike, duke parë gjithmonë mundësinë e punësimit në të ardhmen. Gjithashtu ka të rinj që vazhdojnë të kenë një influencë të madhe nga prindërit dhe familjarët e tyre në lidhje me programet e studimit. Ka mjaft raste që zgjedhja e programit të studimit është e ‘trashëguar’ nga formimi dhe edukimi që vetë prindërit e tyre kanë.

Kurrikulat, stafi akademik, kushtet dhe lehtësirat financiare janë ndër kriteret kryesore në përzgjedhje, kritere që UET, ndër vite ka ditur t’i ndërthurë dhe ofrojë më së miri. 

Si e njohin maturantët UET-in? Çfarë kategorie nxënësish synon të rekrutojë universiteti?

Me kënaqësi do të thosha që UET-i, vit pas viti po përzgjidhet nga maturantë ekselence, dhe kjo falë dhe politikave favorizuese të UET si akordimi i bursave të ekselencës. Ndërkohë që nuk mbeten më pas dhe maturantë me prirje dhe talente në fusha nga më të ndryshme, si: sporti, arti etj. Në këto 10 vite eksperiencë UET është kthyer në një emër që garanton cilësi në fushën e arsimit të lartë dhe si i tillë njihet gjerësisht nga maturantët. Media vizive dhe mbi të gjitha ato sociale janë dy mënyrat kryesore me anë të të cilave maturantët e njohin UET më së shumti, por gjithashtu aktivitete si shkolla dimërore dhe ajo verore e organizuar nga UET me maturantë, është një tjetër mënyrë njohjeje dhe kontakti.

A ka politika UET për thithjen e studentëve ekselentë?

 Universiteti Europian i Tiranës është gjithmonë në mbështetje të ekselentëve, talentit, liderëve të së ardhmes apo edhe të të rinjve, të cilët ndodhen në kushte të vështira sociale ekonomike. UET-i ka politika të ndryshme për të tërhequr rreth vetes maturantët më të mirë. Konkretisht, një nga këto politika për të afruar pranë vetes maturantët më të mirë të të gjitha gjimnazeve në Shqipëri është edhe sistemi i bursave të ekselencës. Në vitin e kaluar akademik, UET-i ndërmori një nismë për të ofruar mundësinë e studimit me bursë të plotë në UET për 100 nga 1000 maturantët më të mirë në të gjithë Shqipërinë. Kjo nismë ishte shumë e suksesshme dhe shumë maturantë e përqafuan këtë nismë. Ofrimi i bursave të plota të studimit për më të mirët nga njëra anë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve më të lartë të UET-it në ceremonitë e diplomimit në disa shkolla të mesme në Shqipëri, duke krijuar kështu mundësinë e identifikimit të studentëve më të mirë, do të vazhdojnë të jenë pjesë e politikave të UET-it për më të mirët.

Po për nxënësit që duan të përfitojnë nga bursat cilat janë politikat e UET-it në akordimin e bursave? Kush përfiton?

Projekti më i ri i bursave në Universitetin Europian të Tiranës është Bursa “Pashko”. Bursa mban emrin e një prej simboleve të liberalizmit shqiptar, ekonomistit dhe profesorit Gramoz Pashko, e cila synon të mbështesë maturantët më të mirë në rezultatet akademike, por që nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë shkollimin e lartë universitar. Bursa “Pashko” është bashkimi mes bursës së ekselencës dhe bursës sociale. Këtyre 10 nxënësve do t’iu garantohet, jo vetëm shkollimi falas, por edhe një pagesë mujore prej 25 mijë lekësh të rinj, që të mbështesin studimet e tyre në Tiranë. Fituesit e kësaj burse do të jenë nxënës ekselentë në mësime, por që nuk kanë mundësi ekonomike për të vazhduar studimet e larta. Kjo bursë i akordohet maturantit i cili në përfundim të ciklit të studimeve parauniversitare ka arritur një mesatare të lartë, por has vështirësi ekonomike dhe e ka të pamundur për arsye të ndryshme familjare realizimin e studimeve universitare. Ftoj të gjithë maturantët nga e gjithë Shqipëria të aplikojnë për të fituar këtë bursë.

Gjithashtu UET ka pasur një politikë bursash shumë të gjerë gjatë këtyre 10 viteve dhe kjo politikë e bursave do të vazhdojë edhe këtë vit me ndryshimin e vetëm të bursave sociale për t’i dhënë një dimension të ri Bursës “Pashko”

 

Llojet e bursave të tjera janë:

Bursat e Ekselencës Kjo bursë i akordohet maturantit/ studentit, i cili në përfundim të ciklit të studimeve paraardhëse ka arritur një mesatare të lartë (9.9 – 10 – bursë e plotë). Bursa e ekselencës jo vetëm vlerëson arritjet e studentëve, por edhe nxit të mësuarin sistematik dhe konkurrencën në dobi të rritjes së nivelit e përgatitjes. 

Bursat e Talentit Kjo bursë i akordohet maturantit i cili ka disa prirje dhe spikat në fusha të ndryshme të artit, sportit, kulturës dhe të shkencës.

Bursat e Lidershipit Promovimi i liderëve të rinj aktivë që angazhohen, por dinë të angazhojnë edhe të tjerët është në fokus të bursës së lidershipit. Të rinjtë, pjesë e forumeve të ndryshme të partive politike në vend apo liderë të grupeve të ndryshme rinore janë potencial për përfitimin e bursës së lidershipit. 

Bursat e Promovimit Social Me anë të bursave të promovimit social, UET-i iu vjen në ndihmë edhe grupeve të caktuara të shoqërisë, të cilat hasin vështirësi në realizimin e studimeve universitare. Këtu përfshihen fëmijët e policëve të rënë në detyrë, anëtarë të komunitetit Rom edhe Egjiptianë, si edhe shtresa të tjera në nevojë.

Hungari/ E themeloi Soros me ide liberale, shteti do të mbyllë CEU-n

$
0
0
Mijëra studentë kanë dalë në protestë në rrugët e Budapestit pas disa ndryshimeve ligjore të parlamentit që synojnë të bllokojnë aktivitetin e një prej universiteteteve më të njohura në Europë, Central European University. Ish-studentja e Universitetit Europian të Tiranës, Adela Danaj, që po bën kryen masterin pranë CEU shkruan posaçërisht për Mapo-n se çfarë po ndodh atje dhe si po e përjetojnë studentët këtë presion të shtetit ndaj një institucioni arsimor.
 
Nga Buadapesti Adela Danaj, UET Alumni
 
Si një prej studenteve pranë Central European University, e kam gjetur veten të përfshirë në një klimë shqetësuese. CEU, është një universitet i cili operon në Hungari prej rreth 20 vitesh. I njohur për standardet e tij, i vlerësuar për performancën e tij, i rankuar në 50 Universitetet lider në Europë që prej themelimit të tij, gjendet sot nën kërcënimin populist të qeverisë Hungareze. Prej disa kohësh politikat e qeverisë në fjalë kanë dhënë sinjalet e para për një sistem politik që dominohet çdo ditë e më shumë nga mungesa e demokracisë, duke filluar me kontrollin e medias dhe shtypjen e fjalës së lirë e duke përfunduar tek sulmet kundrejt arsimit të lartë.
 
Më datë 28 Mars 2017, në Parlamentin Hungarez u propozua një ndryshim ligjor në lidhje me arsimin e lartë. Sipas propozimit në fjalë, Central European University duhet të mbyll aktivitetin e tij edukues duke qenë se ai përbën një “kërcënim” për shoqërinë hungareze si rezultat i promovimit të frymës liberale dhe parimeve demokratike. CEU është një institucion i arsimit të lartë, i vendosur në zemër të Budapestit për të promovuar shoqërinë e hapur dhe demokracinë, veçanërisht për shtetet që i përkasin ish Bllokut Sovjetik. Ai u themelua nga një grup intelektualësh të mbështetur financiarisht nga filantropisti George Soros dhe promovon ndër vite frymën ndërkombëtare dhe multi-kulturore midis 100 shtetve dhe 5 kontinenteve.
 
Sipas propozimeve të reja ligjore, CEU duhet të ndalojë së dhëni diploma të akredituara si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në Hungari për sa kohë ai nuk ka një kampus universitar në SHBA. Ndaj, ligji propozon se CEU, duhet të ndryshojë emrin e tij, duhet të operojë me një kampus universitar në SHBA dhe duhet të mbyllë të gjitha kontratat që ka me punonjësit që vijnë nga jashtë Bashkimit Europian.
Në këtë kontekts, qeverisë Hungareze nuk do t’i duhet të pajisë me leje qëndrimi, punonjës në CEU. Aq sa duket qesharake, po aq është edhe shqetësues fenomeni në fjalë. Sulmi ndaj CEU-t, nuk konsiderohet më si një luftë personale midis kryeministrit Hungarez dhe financuesit filantropist Soros, por si një lëvizje drejt promovimit të politikave liberale. Ky është shqetësimi që ndajnë, jo vetëm akademikë e student, por dhe qytetarët hungarez, të cilët treguan solidaritetin e tyre në protesën e mbajtur më datë 2 Prill. Ndaj, ky ligj nuk ka si qëllim vetëm mbylljen e CEU-t, por mbylljen e të gjitha rrugëve për të patur një shoqëri demokratike.
 
Për këtë arësye, CEU sot gëzon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtarë, mbështetje e cila u manifestua me akte solidariteti si: firmosjen e një peticioni ku morrën pjesë akademikët më të shqyar botëror, fitues të cmimit Nobel, studenë, qytetarë, përfaqësues diplomatikë, etj. Hashtag-u #istandëithceu, u shndërrua kryefjala e komunitetit ndërkombëtarë në një kohë shumë të shkurtër. Protesta masive e datës 2 Prill, mblodhi së bashku mbi 10.000 qytetarë si dhe mbi 50 media ndërkombëtre të cilat ju bashkuan protestës dhe shpërndanë lajmin në shtetet respektive, duke treguar mbështetjen ndaj CEU, ndaj lirisë së të shprehurit, ndaj edukimit të lirë.
 
Unë si studente dhe kërkuese në fushën e shkencave politike pranë CEU, ndjej detyrim moral po aq sa dhe profesional të jem në kundërshtim të plotë me ligjin e propozuar në Parlamentin Hungarez për sa kohë ai kërcenon arsimin e lartë dhe frymëm demokratike.  Tentuativat për të ri- instaluar regjimin e vjetër dhe kërcënues për zhvillimin e shoqërisë janë shqetësimi im si pjesë e CEU dhe mbështetëse e frymës demokratike, por dhe i të gjithë ish-studentëve apo studentëve aktualë Shqiptarë që kanë besuar ndër vite në profesionalizmin e CEU. #istandëithceu

PoSIG, masteri pioner europian edhe për studentët shqiptarë

$
0
0

Studentët shqiptarë mund të përfitojnë një diplomë europiane që ndërthur përvojat më të mira të universiteteve të Bashkimit Europian me ato të Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për Masterin e Përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG) për vitin akademik 2017-2018. Si mund të aplikohet dhe çfarë rëndësie ka ky master, flet Dr. Blerjana Bino, një ndër nismëtarët e PoSIG dhe drejtuese e këtij projekti për UET.

Janë hapur aplikimet për Masterin e Përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG) për vitin akademik 2017-2018.  Çfarë është ky master?

Për herë të parë në Shqipëri dhe një ndër nismat e para edhe në nivel Europian, vjen një master i përbashkët mes universiteteve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor me fokus në shkenca politike. Masteri i përbashkët në Shkenca Politike – Integrimi dhe Qeverisja (#PoSIG), është një program 2 vjeçar pasuniversitar sipas standardeve europiane. Nisur nga zhvillimet sociale, ekonomike, politike e kulturore në Ballkanin Perëndimor, qëllimi i PoSIG nuk është të ofrojë thjesht një tjetër diplomë master në shkenca politike, por të ofrojë për studentët dhe profesionistët e rinj një mundësi për tu arsimuar në dy nga prioritet e rajonit, pra në atë të integrimit dhe të mirëqeverisjes. PoSIG ofron 120 kredite dhe pesë fusha të ndryshme specializimi nga të cilat studentët mund të zgjedhin dy. Fushat e specializimit që mund të zgjedhin studentët janë:  Teori Politike, Politika të Krahasuara, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Integrimi Europian, Administrimi dhe Politikat Publike. Viti i parë i studimeve bëhet në një nga universitetet pjesëmarrëse të Bashkimit Europian dhe viti i dytë i masterit mund të bëhet në Shqipëri ose në një nga universitetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor.

Si mund të përfitojnë studentët shqiptarë nga ky program?  Çfarë avantazhesh ka kjo diplomë?

PoSIG ofron mundësinë studentëve shqiptarë që t’i japin një vlerë të shtuar studimeve të tyre me një master të standardeve europiane, i cili i përgatit për sfidat e ardhshme të tregut të punës dhe të europianizimit të vendit. Të gjithë të interesuarit për të thelluar studimet e tyre me një master që fokusohet jo thjesht në shkenca politike, por edhe në proceset e integrimit dhe mirëqeverisjes që janë thelbësore për Shqipërinë, si edhe që dëshirojnë të kenë një diplomë europiane me vlerë të shtuar në tregun e punës, janë të ftuar të aplikojnë për PoSIG.

Së pari, studentët shqiptarë përfitojnë një diplomë europiane që ndërthur përvojat më të mira të universiteteve të Bashkimit Europian me ato të Ballkanit Perëndimor. Së dyti, diploma dhe i gjithë programi PoSIG është në anglisht dhe realizohet në vende të ndryshme të Europës, çka i krijon mundësi studentëve shqiptare për mobilitet, për zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të tyre, për njohjen e kulturave të reja, për të mësuar nga pedagogë ndërkombëtar e për të krijuar rrjet me student nga e gjithë bota. Së treti, PoSIG ndërthur më së miri kurrikulën akademike me prioritet zhvillimore të Shqipërisë dhe rajonit duke iu përgjigjur edhe kërkesave të tregut të punës për të diplomuarit në shkenca politike. Akoma më tej, PoSIG ofron mundësi praktike pune dhe është i përshtatshëm si për studentët që duan të ndjekin rrugën akademike edhe për ata që synojnë më tepër zbatimin praktik të shkencave politike. P.sh. studentët mund të zgjedhin kurse metodologjie të avancuara, ose kurse të aplikuara të politikës.

A është i akredituar masteri PoSIG?

Akreditimi i masterit të përbashkët PoSIG u realizua me sukses në nivel europian nga Agjencia Austriake e Sigurimit e Cilësisë dhe Akreditimit (AQ Austria). Kjo qasje europiane është një tjetër risi e këtij masteri, i cili ka mbështetjen e Komisionit Europian si një master pioner që po zbaton parimet e vendosura në Konferencën e Ministrave të Arsimit në Yerevan në vitin 2015. Kjo marrëveshje është firmosur edhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri. PoSIG iu nënshtrua një procesi rigoroz të vlerësimit nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të arsimit të lartë, studiuesve dhe pedagogëve të shkencave politike, Komisionit Europian si edhe AQ Austria. Në fund procesi rezultoi me sukses dhe tashmë PoSIG është i akredituar sipas standardeve europiane të studimeve në nivel master.

Çfarë do të thotë për UET pjesëmarrja në këtë projekt?

Në themel të nismës sonë për këtë master ka qenë pikërisht shndërrimi i studimeve në shkenca politike në një diplomë konkurruese në tregun e punës sot në Shqipëri dhe rajon. UET është një ndër nismëtarët e këtij projekti (Erasmus+ EuroPS) dhe më tej i masterit PoSIG. Bashkëpunimi i UET me Universitetin e Salzburgut ka nisur në 2013-n me një vizitë shkëmbimore që kam kryer në atë kohë në departamentin e shkencave politike në Salzburgu nën udhëheqjen e Dr. Franz Kok, i cili është jo vetëm drejtuesi i PoSIG, por edhe një mik dhe adhurues i Shqipërisë.

Që atëherë janë çelur disa mundësi bashkëpunimesh e projektesh për UET. Për më tepër, UET ka bashkëpunime të shumëfishta me të gjithë universitetet e tjera pjesëmarrëse në projekt si psh shkëmbim studentësh dhe stafi, organizime konferencash, themelimi i rrjetit Next Europe, projekte të zhvillimit të arsimit të lartë etj. Kështu për UET ky është më shumë sesa thjesht një ndër projektet ndërkombëtare.

PoSIG shënon diplomën e parë të përbashkët në nivel europian dhe një bashkëpunim të ngushtë e produktiv me Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. Ky projekt ka sjellë mundësi mobiliteti e trajnimi për lektorët e studentët e shkencave politike në UET. Përmes PoSIG, UET është përfaqëson një rast të suksesshëm sesi arrihet qendrueshmëria e projekteve të arsimit të lartë të mbështetura nga Komisioni Europian.  Përmes EuroPS dhe PoSIG, UET ka zgjeruar më tej rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe ka aplikuar në projekte të tjera të zhvillimit të arsimit të lartë. Qëllimi jonë është që tu ofrojmë pedagogëve, kërkuesve dhe studentëve proceset akademike më të mira në fushën e shkencave politike në bashkëpunim me partnerët europian.

Cilët janë universitetet pjesëmarrëse në këtë master të përbashkët?

Masteri i përbashkët është ndërtuar nga një konsortium universitetesh të cilët janë lider në shkenca politike në rajon si Universiteti i Salzburgut, Universiteti i Ljubljanës dhe Universiteti i Pavias. Ndërkohë pjesëmarrëse janë edhe universitetet kryesore në rajonin tonë si: Universiteti i Shkupit, Universiteti i Sarajevës dhe Shkolla britanike e Sarajevës për Shkencë dhe Teknologji (SSST), Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë dhe Kolegji Fama në Kosovë. Në Shqipëri, projekti sjell së bashku për herë të parë dy departamentet kryesore të shkencave politike, atë të Universitetit Europian të Tiranës dhe të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës. PoSIG është result i projektit EuroPS të programit Erasmus+ të Komisionit Europian, projekt për të cilin universitetet e sipërpërmendura kanë punuar prej vitit 2013.

Si mund të aplikojnë studentët shqiptar? Sa afat kanë?

Ky program është i hapur i për të gjithë të interesuarit në studimet master në shkenca politike me fokus integrimin dhe mirëqeverisjen në Ballkanin Perëndimor, me kusht që të kenë një diploma bachelor në shkenca politike ose në fusha të ngjashme si psh në komuniki, sociologji, ekonomi, juridik etj. Natyrisht qe studentët shqiptarë janë targeti kryesor i këtij masteri. Studentët duhet të dorëzojnë CV, listën e notave, dy letra reference, certifikatë të gjuhës angleze dhe zhvillojnë një intervistë me drejtuesit e PoSIG përmes skype. Afati i aplikimit është 21 maj 2017 dhe aplikimi bëhet në anglisht dhe online. Studentët e interesuar mund të aplikojnë online (Apliko këtu për PoSIG).

 

Kurrikula e re e arsimit parauniversitar, ministrja Nikolla e ka një mesazh për skeptikët

$
0
0

28 mijë mësues dhe 19 mijë prindër pohojnë se kurrikula e re e arsimit parauniversitar përmbush nevojat dhe interesat e nxënësve, si dhe ka sjellë lehtësim të ngarkesës mësimore.

Në thelb reforma parashikonte që ngarkesat e lëndëve të shmangen dhe nxënësit të orientohen më tepër drejt praktikës se sa të mësuarit përmendësh.

Ministria e Arsimit prej vitit 2013 e ka kthyer në traditë matjen e perceptimit te punonjësve arsimore nxënësve dhe prindërve ne lidhje me nismat e rëndësishme pjesë e reformës së arsimit parauniversitar.

Ministrja Nikolla e ka një mesazh për skeptikët e këtij raporti me arritje dukshëm pozitive. Sipas saj shkalla e besueshmërisë e pyetësorit është e nivelit shkëlqyeshëm.

Sipas Ministres përvojat më të mira europiane kanë sjellë dhe ndryshimin në reformën e arsimit parauniversitar.

Adi Haxhiymeri, guximi për të qënë i pari

$
0
0
Sipërmarrësi dhe Kryetari i Shoqatës së Industrisë Përpunuese, Adi Haxhiymeri, i ftuar në një leksion të hapur me studentë të Ekonomikut në UET
  
Ishte viti 1991. Shqipëria po kalonte nga një sistem komunist dikatorial me ekonomi të centralizuar në një sistem pluralist me ekonomi të lirë. Shumica e të rinjve po hynin nëpër ambasada për të ikur, por kishte nga ata që e nuhatën aq herët ekonominë e tregut dhe hapën bizneset e para. Adi Haxhiymeri ishte një prej tyre. I diplomuar për ekonomik në vitin 1986 ai ishte krejt i panjohur me ekonominë e tregut, por guximi i dha mundësinë t’i futej rrugës së biznesit duke privatizuar ish-mapon e fëmijëve në Tiranë. Kur shkoi ta regjistronte biznesin e tij tek Tatimet emri i kompanisë së tij mbante numrin 001, pra ishte i pari biznes që regjistrohej.
“Sigurisht unë nuk isha i vetmi, por isha i pari që regjistrohesha që të paguaja taksat, shumë të tjerë si unë në Tiranë e në rrethe morën guximin t’i hynin sipërmarrjes dhe pse me njohuri të pakta, por shumica vijuan biznesin pa u regjistruar një farë kohe. Shteti ishte i paorganizuar, njohuritë tona ishin thuajse zero, por në atë kohë ishin një plejadë biznesmenësh të rinj që kishin veçse guximin dhe logjikën e tyre, mbi të cilën vendosën t’i hynin kësaj rruge”- u shpreh Haxhiymeri në një leksion të hapur me studentë të Universitetit Europian të Tiranës.  Ai ishte ftuar në kuadër të leksioneve “praktika në auditor’ si pjesë e kurrikulave të shkollës Master në UET për të sjellë pranë studentëve CEO të kompanive dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Drejtoresha e programeve Master, Dr.Orkida Ilollari, e cilësoi të rëndësishëm këtë leksion me një nga biznesmenët e parë shqiptarë, i cili vazhdon të operojë në sipërmarrje për 26 vite rrjesht. “Historia e e futjes në biznes e zotit Hashiymeri, shembulli dhe këshillat e tij për aftësitë menaxheriale që u duhen drejtuesve të kompanive janë të dobishme për studentët që presin të dalin së shpejti në tregun e punës dhe pse jo të iniciojnë një biznes apo të drejtojnë një biznes”, tha Ilollari.
 
Aftësitë menaxheriale si çelës suksesi
 
Sipërmarrësi Adi Haxhiymeri aktualisht drejton kompaninë Prima, lider në sektorin e prodhimit të miellit, jo vetëm në vend, por dhe në Ballkan. Por në rrugën e tij të gjatë në fushën e biznesit ai është marrë me shumë sektorë. Duke u bazuar në temën e leksionit “Aftësia menaxheriale në një sipërmarrje të suksesshme”, ai u tha studentëve se një menaxher i mirë vlerëson të paktën tre komponentë në punën e tij; komunikimin me stafin dhe me bashkëpunëtorët, ku duhet shumë durim dhe mirëkuptim; investimin e vazhdueshëm në biznesin e tij dhe përshtatjen me zhvillimin teknologjik.
Duke folur për mundësitë që kanë sot të rinjtë për t’u marrë me biznes, Haxhiymeri tha se teknologjia dhe rregullimi nga ana administrative shtetërore, dy gjëra që mungonin në atë kohë, u japin përparësi bizneseve të reja, por nga ana tjetër ai tha se sot konkurenca është më e fortë dhe duhet më shumë punë.
Sa i përket arsimimit të të rinjve sot, ai ngriti shqetësimin që shteti nuk ka një strategji konkrete se ku do të fokusohet trajnimi i brezit të ri, që t’i shërbejë një fushe të caktuar të ekonomisë ku shteti ka synim zhvillimin e mëtejshëm, siç mund të ishte turizmi apo bujqësia. 

Roli i mësuesit kujdestar, mblidhet Forumi Gjimnaz-Universitet në UET

$
0
0

Roli i mësuesit kujdestar ishte tema që mblodhi sot në një diskutim të gjërë afro 200 drejtues të gjimnazeve publike në vend në Universitetin Europian të Tiranës në kuadër të Forumit të 10-të Gjimnaz-Universitet 

Koha për një revolucion në përgatitjen dhe rolin që ka një mësues kujdestar në arsimin parauniversitar në vend. Ky ishte përfundimi i dhjetra diskutimeve që shoqëruan debatin e Forumit Gjimnaz-Universiet të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës me praninë e afro 200 drejtorëve të gjimnazeve publike në vend të shtunën më 8 Prill 2017. Ky forum do të pasohet nga një tjetër më datë 15 prill me drejtues të gjimnazeve private në vend, ku do të diskutohet sërish për rolin e mësuesit kujdestar në përgatitjen e nxënësve në shkollat e mesmve të vendit.

Revolucioni në rolin e mësuesit kujdestar

Referuesit nga universiteti dhe nga gjimnazet ranë dakord në një pikë; që ka ardhur koha që roli i mësuesit kujdestar në gjimnaze të forcohet, t’i jepet më shumë rëndësi në marrëdhënien e drejtpërdrejtë me nxënësin dhe të shihet si mentor i tyre jo vetëm në mësimdhënie por dhe në fushën psikologjike, emocionale dhe gjithë faktorët e tjerë që kanë të bëjnë me nxënësin.

Trajnimi i mëtejshëm i tij, trajtimi financiar, dhe këmbëngulja më shumë tek metoda e mësimdhënies se sa tek informacioni, ishin disa nga propozimet që u hodhën në këtë forum.

Drejtorët e gjimnazeve mbrojtën idenë se roli i mësuesit kujdestar duhet t’u lihet mësuesve më me shumë eksperiencë dhe të ketë trajnime të posaçme për këta mësues dhe rolin e tyre kyç në marrëdhënie me nxënësit që kanë nën mentorship.

Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET, Prof.asoc.Dr. Tomi Treska foli për një strategji zhvillimi konkrete dhe afatgjatë në këtë drejtim, duke nisur sipas tij, që nga diskutimi se çfarë modeli arsimi do të kemi.

Në fjalën e tij përshëndetëse për forumin administratori i UET, Henri Çili, foli për paradoksin që shoqëron arsimin, ku mësues të përgatitur në të kaluarën duhet të përgatisin në të tashmen fëmijë për të ardhmen. Ai foli mbi rëndësinë e mentorshipit të mësuesve në këtë drejtim. Sipas tij nw kwtw situatw “ne nuk mund t’i përballojmë zhvillimet e reja me më shumë informacion, por mund t’i përballojmë vetëm me metodë”.

“Mund të mos kemi të gjithë në çdo cep të Shqipërisë kabinetet e duhura, mjetet e duhura, mësuesit më të mirë, por metodë më të mirë ne mund ta kemi. Pra dijen më të mirë ose metodën më të mirë për të vajtur tek informacioni më i mirë, karriera më e mirë, projekti më i mirë jetësor ne këtë mund ta kemi. Unë them që është koha për revolucion në këtë drejtim dhe universitetet mund të jenë lider në këtë fushë. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një lloj laboratori imagjinar për kërkimet ose sfidat e reja të edukimit”– theksoi Çili.

Presidenti i UET-it, Prof.Dr.Adrian Civici, duke përshëndetur forumin Gjimnaz-Universitet theksoi rëndësinë që arsimimi i mirë i nxënësve dhe studentëve në zhvillimin e një vendi. Ai u ndal tek çështja e metodave të mira në mësimdhënie, tek nxitja e mendimit kritik tek nxënësit si më e rëndësishme se sa thjesht mbushja me informacion e tyre.

Rektori i UET-it, Prof.Dr. Tonin Gjuraj gjatë fjalës së tij në forumin Gjimnaz-Universitet këmbënguli tek rëndësia e bashkëpunimit mes sistemit parauniversitar dhe atij të lartë në arsim. Ndër të tjera ai tha se UET tashmë ka marrë akreditimin britanik me vlerësim të shkëlqyer dhe me standarde të plotësuara dhe është gati të hapet më tej si një universitet universal duke hapur të gjitha degët e studimit.

Forumi i kthyer tashmë në një traditë disa-vjeçare ka diskutuar më parë tema si; vlerësimi i brendshëm i gjimnazeve, urdhërin e mësuesit dhe kodin e etikës në shkollë, këshillimin e karrierës nëpër gjimnaze, lidershipin e ri në arsim, strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, arsimi parauniversitar shqipatr mes pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, maturën shtetërore, etj.. Ky forum do të finalizohet me një Policy-Paper për Ministrinë e Arsimit ku do të bëhen propozime konkrete për rolin e mësuesit kujdestar në sistemin arsimor shqiptar.

Juana Agaj, ta nisësh karrierën me një punë në TAP

$
0
0

Studentja e IT-së në UET që po kryen intershipin, praktikën profesionale pranë TAP 

Gazsjellësi TransAdriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, detit Adriatik dhe Italisë. TransAdriatic Pipeline (TAP) AG është kompania përgjegjëse për ndërtimin e gazsjellësit mes për mes Europës, i cili do të kalojë dhe në Shqipëri destinuar për tregun europian.

Në nëntor të vitit 2016 TAP prezantoi programin e praktikave profesionale për studentët e sapodiplomuar apo që ndjekin ciklin master dhe janë të interesuar për të përfituar përvojë nga një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në Evropë.

Një ndër studentet e përzgjedhura në thirrjen e parë të aplikimeve është edhe studentia e Universitetit Europian të Tiranës, Juana Agaj, e cila ka disa muaj që po kryen praktikën profesionale në TAP. Ajo ishte e vetmja studente nga një universitet privat që u përzgjodh në thirrjen e parë për praktika profesionale në TAP. Juana, ashtu si edhe vajzat e tjera, u përzgjodhën midis më shumë se 600 aplikimeve nga studentë nga thuajse të gjitha universitetet e Shqipërisë. Si eksperiencë e parë pune për një të ri që akoma s’ka përfunduar studimet kjo është një mundësi e artë për nisjen e karrierës. Vendosja e zyrave të TAP në Shqipëri ka krijuar mundësinë për punësim të një stafi të kualifikuar, pjesë e të cilit është bërë prej disa muajsh dhe Juana Agaj, studente në UET. Juana ka fituar të drejtën e një intershipi pranë kësaj kompanie me mundësinë për t’u punësuar aty pas mbarimit të intershipit. Si eksperiencë e parë pune për një të ri që akoma s’ka përfunduar studimet kjo është një mundësi e artë për nisjen e karrierës.

Juana ndjek studimet master në UET, në degën Informatikë Ekonomike dhe për mundësinë e ofruar nga TAP për praktikë profesionale e fitoi dhe u njoftua nga zyra e Karrierës në UET, e ngritur si urë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës.

“Emocionet dhe pasiguria ishin të larta kur aplikova” – tregon ajo pasi kishte dhjetëra-qindra aplikime, por vetëm 6 vende të lira. “Vetëm 1 vend përshtatej me degën time, pra konkurrenca ishte mjaft e lartë”, shprehet Juana. Për sa iu përket dijeve të marra në shkollë gjatë studimeve, ajo shprehet se e kanë ndihmuar shumë. “Kanë patur një ndikim shumë pozitiv në punën time dhe më kanë ndihmuar, por kuptova se kisha njohuritë bazë në anën teorike, por praktika ndryshon shumë prej teorisë. Aty nuk ka teori, por vetëm praktikë dhe fiton një shkathtësi që s‘mund ta marrësh nga shkolla,″- tregon ajo.  Ky intership jo praktikë profesionale i ka dhënë mundësinë të mësojë gjëra të reja që kanë lidhje me profesionin e saj. “Vazhdimisht ka gjëra të  reja për të mësuar lidhur me detyrat që unë kryej apo me procese të reja pune”. Për më tepër, Juana, e cilëson shumë interesant faktin që po ndjek nga shumë pranë ndërtimin e një prej projekteve më të mëdha energjetike në Evropë, duke qenë pjesë e ekipit të profesionistëve që po punojnë për këtë projekt, se si bëhet ndërtimi i një tubacioni dhe thekson se askund tjetër përveç se në TAP, nuk do të mund ta mësonte këtë gjë.

Tashmë intershipit të saj po i vjen fundi dhe ka mbetur vetëm një muaj atje. “Për mua kjo ishte një eksperiencë mjaft e vlefshme pasi nga praktika kam fituar një shkathtësi që është përtej asaj që mund të mësohet në shkollë dhe mundësia e punësimit nga TAP është mjaft e lartë. Megjithatë duhet të presim ende sa të mbarojë praktika mësimore”. Juana pret me padurim atë që do të vijë pas këtij intershipi. “Këtë eksperiencë e shoh si një fillim mjaft të mbarë të karrierës sime, dhe një plus në CV për aplikime të ardhshme”- përfundon ajo.

Agim Fjolla, Këshilltar i TAP në Shqipëri për Komunikimet thotë se “Ndërtimi i gazsjellësit TAP e bën Shqipërinë pjesë të hartës evropianë të transmetimit të gazit dhe i jep një rol strategjik në rajon. Gjithashtu, TAP paraqet një mundësi shumë të mirë për kompanitë shqiptare dhe punonjësit e tyre për t’u njohur me përvojën dhe standardet më të larta ndërkombëtare që po zbatohen në ndërtimin e gazsjellësit. Një mundësi e tillë u mendua që t’iu ofrohej edhe studentëve. Për këtë arsye u krijua Programi i Praktikave Profesionale ku studentët mund të bëhen pjesë e ekipit ndërkombëtar që po punon për ndërtimin e gazsjellësit”.

Sipas Fjollës, studentët e përzgjedhur përfshihen në një sërë procesesh të hartuara dhe përshtatura veçanërisht për interesat dhe aftësitë e tyre. Qëllimi i programit është identifikimi, afrimi dhe zhvillimi i studentëve për të formuar një karrierë të suksesshme. Çdo praktikant udhëzohet dhe ndiqet gjatë gjithë periudhës së praktikës profesionale nga një udhëheqës me përvojë. Praktika profesionale katërmujore iu mundëson të përzgjedhurve njohjen me departamentet kryesore të projektit dhe të punojnë përkrah ekspertë ndërkombëtarë.

Mësuesi kujdestar, koha për revolucion

$
0
0

Roli i mësuesit kujdestar ishte tema që mblodhi në një diskutim të gjerë afro 200 drejtues të gjimnazeve publike në vend në Universitetin Europian të Tiranës, në kuadër të Forumit të 10-të Gjimnaz-Universitet, i pari për vitin 2017, i organizuar ditën e shtunë, më 8 prill 

Koha për një revolucion në përgatitjen dhe rolin që ka një mësues kujdestar në arsimin parauniversitar në vend. Ky ishte përfundimi i dhjetëra diskutimeve që shoqëruan debatin e Forumit Gjimnaz-Universitet, të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës me praninë e afro 200 drejtorëve të gjimnazeve publike në vend, të shtunën më 8 Prill 2017. Ky forum do të pasohet nga një tjetër më datë 15 prill me drejtues të gjimnazeve private në vend, ku do të diskutohet sërish për rolin e mësuesit kujdestar në përgatitjen e nxënësve në shkollat e mesme të vendit. Forumi i kthyer tashmë në një traditë disavjeçare ka diskutuar më parë tema si: vlerësimi i brendshëm i gjimnazeve, urdhrin e mësuesit dhe Kodin e Etikës në shkollë, këshillimin e karrierës nëpër gjimnaze, lidershipin e ri në arsim, strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, arsimi parauniversitar shqiptar mes pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, maturën shtetërore etj. Ky forum do të finalizohet me një Policy-Paper për Ministrinë e Arsimit, ku do të bëhen propozime konkrete për rolin e mësuesit kujdestar në sistemin arsimor shqiptar.

Revolucioni në rolin e mësuesit kujdestar

Referuesit nga universiteti dhe nga gjimnazet ranë dakord në një pikë; që ka ardhur koha që roli i mësuesit kujdestar në gjimnaze të forcohet, t’i jepet më shumë rëndësi në marrëdhënien e drejtpërdrejtë me nxënësin dhe të shihet si mentor i tyre jo vetëm në mësimdhënie, por dhe në fushën psikologjike, emocionale dhe gjithë faktorët e tjerë që kanë të bëjnë me nxënësin.

Trajnimi i mëtejshëm i tij, trajtimi financiar, dhe këmbëngulja më shumë te metoda e mësimdhënies se sa tek informacioni, ishin disa nga propozimet që u hodhën në këtë forum.

Drejtorët e gjimnazeve mbrojtën idenë se roli i mësuesit kujdestar duhet t’u lihet mësuesve me më shumë eksperiencë dhe të ketë trajnime të posaçme për këta mësues dhe rolin e tyre kyç në marrëdhënie me nxënësit që kanë nën mentorship.

Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në UET, prof. asoc. dr. Tomi Treska foli për një strategji zhvillimi konkret dhe afatgjatë në këtë drejtim, duke nisur sipas tij, që nga diskutimi se çfarë modeli arsimi do të kemi.

Në fjalën e tij përshëndetëse për forumin, administratori i UET, Henri Çili, foli për paradoksin që shoqëron arsimin, ku mësues të përgatitur në të kaluarën duhet të përgatisin në të tashmen fëmijë për të ardhmen. Ai foli mbi rëndësinë e mentorshipit të mësuesve në këtë drejtim. Sipas tij në këtë situatë “ne nuk mund t’i përballojmë zhvillimet e reja me më shumë informacion, por mund t’i përballojmë vetëm me metodë”. “Mund të mos kemi të gjithë në çdo cep të Shqipërisë kabinetet e duhura, mjetet e duhura, mësuesit më të mirë, por metodë më të mirë ne mund ta kemi. Pra, dijen më të mirë ose metodën më të mirë për të vajtur tek informacioni më i mirë, karriera më e mirë, projekti më i mirë jetësor, ne këtë mund ta kemi. Unë them që është koha për revolucion në këtë drejtim dhe universitetet mund të jenë liderë në këtë fushë. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një lloj laboratori imagjinar për kërkimet ose sfidat e reja të edukimit” – theksoi Çili.

Civici: Edukimi i mirë, faktor zhvillimi

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, duke përshëndetur forumin Gjimnaz-Universitet theksoi rëndësinë që ka arsimimi i mirë i nxënësve dhe studentëve në zhvillimin e një vendi. Ai u ndal te çështja e metodave të mira në mësimdhënie, te nxitja e mendimit kritik te nxënësit, si më e rëndësishme se sa thjesht mbushja me informacion e tyre. “Në këtë botë kemi një kontingjent prej 700 e 10 milionësh që janë ose nxënës ose studentë dhe kuptohet që me këto përmasa edhe preokupimi parësor që ka sot bota dhe vendet në zhvillim e progres, siç është dhe Shqipëria, është pikërisht cilësia, standardet dhe pyetja se çfarë lloj nxënësi, studenti duhet të përgatisim. Duke qenë ekonomist po e shikoj pak në një këndvështrim ekonomik. Sot në të gjitha vlerësimet që bëhen pse një vend zhvillohet ose jo, në mënyrë të padiskutueshme për dy ose tri dekada në vend të parë del cilësia e kapitali njerëzor, pra cilësia dhe standardet e të diplomuarve qoftë në shkollë të mesme apo universitet si faktori kryesor i zhvillimit. Të paktën brezi ynë i formuar në një sistem arsimor ndryshe e ka pak vështirë ta kuptojë se ç’do të thotë cilësi. Nëse themi cilësi ajo që ne prodhojmë, ju si gjimnaz dhe ne si universitet, është një produkt, një mall që duhet të jetë sa më cilësor për t’i shërbyer Shqipërisë në mënyrë cilësore dhe mendoj që me gjithë debatet e mëdha ndërkombëtare se çfarë duhet të jetë një shkollë e mesme apo gjimnaz, një universitet, çfarë duhet të formohet dhe si duhet të formohet një nxënës apo student gjithmonë zbërthehet fjala cilësi dhe fjala standard. Nëse ka një pikë që ne edhe në kuadrin e ligjit të ri të Arsimit të Lartë dhe përpjekjeve që po bëhen është pikërisht kalimi nga një student i formuar në mënyrë të përgjithshme në një student shumë të orientuar, logjik, kreativ kritik që është i aftë të mendojë, të veprojë dhe të bëhet faktor zhvillimi” -tha ndër të tjera profesor Civici.

Gjuraj: UET, tashmë një universitet universal

Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj gjatë fjalës së tij në forumin Gjimnaz-Universitet këmbënguli te rëndësia e bashkëpunimit mes sistemit parauniversitar dhe atij të lartë në arsim. Ndër të tjera ai tha se UET tashmë ka marrë akreditimin britanik me vlerësim të shkëlqyer dhe me standarde të plotësuara dhe është gati të hapet më tej si një universitet universal, duke hapur të gjitha degët e studimit.

“Ne kemi qenë të përqendruar vetëm në tri fakultete dhe pas një bilanci 10-vjeçar dhe pas riakreditimit britanik, vendosëm që të zgjeroheshim. Duke nisur nga tetori ne do të vendosim një sërë programesh të reja si institucion. Nga një universitet i fokusuar ne kalojmë në një universitet universal. Ky forum adreson problematika dhe tematika që synojnë të kenë gjimnazin në qendër të vëmendjes dhe kjo është arsyeja që ne e kemi kthyer në traditë, ku të paktën dy herë në vit mblidhemi së bashku sepse çështjet që lidhen me reformat në arsim, si në atë parauniversitar apo dhe atë universitar, çështjet që lidhen me cilësinë dhe administrimin e arsimit janë ato që na preokupojnë të dyja palëve” -tha ndër të tjera Gjuraj.

Duke folur mbi temën e zgjedhur për forumin e fundit; “Një mësues kujdestar ndryshe?”, profesor Gjuraj tha se “kjo ide erdhi sepse një doktorante kishte realizuar një punim të shkëlqyer mbi rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit kujdestar sot në sistemin arsimor shqiptar dhe sipas studimit kishte ardhur koha që roli, detyrat dhe përgjegjësitë e mësuesit kujdestar të rimontohen me një konceptim të ri bashkëkohor. Duhet të diskutojmë për këtë temë sepse ne të gjithë sado lart të jemi në hierarki jemi nga pak mësues kujdestarë dhe shpeshherë rolet janë komplementare”.

 

Propozimet e Forumit të 10-të Gjimnaz-Universitet

-Të ketë një strategji kombëtare për arsimin parauniversitar, ku të përcaktohet roli dhe rëndësia e mësuesit kujdestar.

-Të ketë trajnime periodike për mësuesit kujdestarë.

-Të zgjidhen mësuesit me më shumë eksperiencë.

-Të kenë trajtim të posaçëm financiar.

-Nga universitetet të ketë module të veçanta për përgatitjen e mësuesve kujdestarë.

-Të ketë një anketim me nxënësit për cilësitë e mësuesit kujdestar, si e duan ata.

-Të merret parasysh roli i mësuesit kujdestar në klasat kolektive.

-Mësuesi kujdestar të ketë pavarësi nga orët mësimore.

 

Forumi Gjimnaz-Universitet, dita për të dëgjuar mësuesit

Dy herë në vit UET iu dedikohet mësuesve të gjimnazeve, drejtuesve të gjimnazeve apo specialistëve të sistemit parauniversitar. Forumi Gjimnaz-Universitet mbledh në UET qindra mësues, drejtues dhe specialistë të arsimit parauniversitar, të cilët vijnë dhe debatojnë në mënyrë periodike, në prill dhe shtator, me drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës për këshillimin e karrierës, për kërkesat specifike të maturantëve, elementë që lidhen me brezin e ri, qëllimet dhe synimet e tyre. Ky Forum, në të cilin kanë kaluar tashmë mbi 1 mijë mësues e drejtues të Shkollave të Mesme gjatë këtyre viteve, ka sjellë një risi të madhe: instalimin e një dialogu në dukje të ndërprerë ndërmjet cikleve të studimit, studimeve parauniversitare dhe atyre universitare. Nevoja e këtij forumi është shumë e madhe, sepse brezat ndryshojnë shumë shpejt, teknologjia, statusi i tyre psiko-emocional dhe gjithçka tjetër është në diskutim në këtë fazë të jetës që maturanti kalon.

 

Gjeniu 5 vjeçar shqiptar që ka lexuar 700 libra

$
0
0

Dionis Senjo është djali i një çifti onkologësh nga Tirana. Është vetëm 5 vjeç dhe ka plot 2222 ndjekës në faqen e tij në Facebook. Ai nuk promovon modë apo llastime luksoze, por dije deri në kufinjtë e gjenialitetit. Një djalë i zakonshëm me njohuri të jashtëzakonshme.

Kur ishte vetëm një vjeç Dionisi ka treguar interes mbi të mësuarit e shkronjave, numrave, formave gjeometrike. Po në këtë moshë ai ka mësuar emrat e të gjitha kafshëve në shqip dhe në anglisht si edhe ka mundur të formojë ‘puzzles’ të moshës 4 vjeç. Brenda pak muajsh Dionisi ka mësuar të lexojë dhe të shkruajë numrat dhe shkronjat në shqip dhe në anglisht.

Ka shkruar diktim që në moshën 2 vjeç!

Talenti i djaloshit, ka qënë gjithmonë një hap para pritshmërive të prindërve, duke i lënë këta të fundit përherë e më të habitur. Prindërit zbuluan që Dionisi brenda pak muajsh ka mësuar alfabetin rus në formë të shkruar.

-“Ne ia ndaluam sepse kemi menduar se nuk do të jetë e dobishme për të në të ardhmen dhe kështu e orientuam në alfabetin grek që ai e ka mësuar në një pasdite, në të shkruar dhe në të folur.”

-“3 vjeç mund të kryente mbedhje, zbritje me shifra pa fund, kryente veprime matematikore me numrat negativë, ndërsa shumëzimin dhe pjestimin jemi munduar ta ndalim t’i mësojë pasi kemi menduar se mund të humbasë interesin në shkollë por ai arrin t’i llogarisë edhe pse e kemi penguar. Në tabelën e Mendelejevit që shitet në libraritë shqiptare gjeti dy gabime” -shprehen prindërit.

Por a mund të ndalet një gjeni? Brenda një jave Dionisi mësoi numrat greke deri në një milliard. Në të njëjtën kohë ai mund të thotë alfabetin anglisht nga A në Z dhe nga Z në A me të njëjtën shpejtësi. Kur ishte tre vjeç filloi të lexojë gjithçka shpejt në gjuhën shqipe. Si edhe mund të lexonte numra shumë të gjatë, me 40 shifra, në shqip dhe në anglisht, gjithashtu. Në këtë moshë i njihte të gjithë planetet, shumë yje dhe galaktika, njeh shumë mirë gjeografinë e botës në hartën memece. Njeh çdo kryeqytet, flamuj, lumenj, male, dete, monedha, të gjitha elementet periodike, anatominë njerëzore, të gjitha llojet e dinosaurëve. Ai mund të shkruajë çdo gjë në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në anglisht dhe greqisht.

E dini çfarë? Në moshën 3 vjeç i vizatoi një trup gjeometrik një arkitekteje e cila nuk e njihte as si emër!

Mbani frymën! Kur ishte katër vjeç, në shërbimin e pediatrisë, gjeti një Xray dhe filloi ta interpretojë!

Nuk i mëson gjërat mekanikisht, por logjikisht. Ai është shumë i dhënë pas librave dhe çdo gjë të re. Mëson çdo gjë vetë. Në tre muaj në Kolegjin Shqiptar Tiranë ai filloi të lexojë rrjedhshëm anglisht! Ka lexuar 700 libra shqip, 135 në anglisht midis tyre dhjetra enciklopedi.

Dule në UET: Ja tre alternativat e opozitës

$
0
0

UET në konferencën shkencore të London School of Economics

$
0
0
 Universiteti Europian i Tiranës ishte prezent dhe me dy pedagogë të Fakultetit Ekonomik, Prof.Asoc. Ermira Qosja dhe Msc. Ertila Druga, si dhe doktorandja Dorina Ndoji dhe studentja e masterit shkencor informatikë -ekonomike Anxhela Ferhataj.
 
Në datë  6 dhe 7 Prill 2017 u zhvillua në Shkup të Maqedonisë konferenca e tretë e London School of Economics, Research Network on South Eastern Europe mbi Kohezionin Social dhe Qeverisjen Ekonomike në Europën juglindore.
Konferenca e drejtuar nga profesori i ekonomisë politike në LSEE, Vassilis Monastiriotis – drejtor i LSEE Research on South Eastern Europe, e mbështetur nga Banka Kombëtarë e Maqedonisë, Universiteti Amerikan i Shkupit dhe Universiteti Europian i Tiranës, bashkoi personalitete si Will  Bartlett (LSEE), Cesar Cancho (Banka Botërore) me studjues nga disa universitete të Maqedonisë, Serbisë, Rumanisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe disa kërkues të pavaruar, e qendra studimi në Ballkan.
Më 6 Prill në dy sesione plenare u sollën studime mbi temën e “Rritjes dhe Papunësisë” dhe tematikën e “Decentralizimin”. Ditën e dytë të konferencës më 7 Prill u zhvilluan disa seksione paralele dhe temat fokusoheshin në çështje me interes rajonal dhe europian si: tregu i punës dhe aftësitë; politikat sociale dhe përfshirja, ekonomia dhe qeverisja; migrimi dhe remitancat, mirëqenia dhe rritja, tregu i punës për të rinjtë, çështje gjinore dhe sektori public e privat.
Konferenca ishte konceptuar jo vetëm si ballafaqim i arritjeve të studjuesve, por më shumë si një diskutim e debat, rajonal e europian mbi çështje që shqetësojnë rajonin, tregun, qeverisjen dhe shoqërinë ku jetojmë dhe çelje e drejtimeve të reja të studimit, punës në projekte në përgjigje dhe të shqetësimeve e strategjive të Komisionit Europian.
Universiteti Europian i Tiranës ishte prezent dhe me dy pedagogë të Fakultetit Ekonomik, Prof.Asoc. Ermira Qosja dhe Msc. Ertila Druga, si dhe doktorandja Dorina Ndoji dhe studentja e masterit shkencor informatikë -ekonomike Anxhela Ferhataj.
Prof. Qosja u paraqit me punimin “Impakti i aftësive menaxheriale në efektivitetin dhe eficencën e organizatave”, një rast studimi mbi organizatat shqiptare të biznesit; ndërsa pedagogia Ertila Druga fokusonte studimin e saj  në një çështje shumë të mprehtë , emigrimin e mjekëve dhe infermierëve.
Konferenca ishte një event i rëndësishëm për studjuesit në rajon, ndërkohë që për pedagogët e UET-së ishte vijim i një bashkëpunimi që në ditët në vazhdim pritet të formëzohet më tej.

Profilizimi i studentëve sipas kërkesave të tregut, UET takim me Plus-Comunication

$
0
0

Në kuadër të projektit 250+, bashkëpunimi i UET me biznesin, drejtues të UET-it zhvilluan sot një vizitë në kompaninë Plus

Bashkëpunimi universitet- tregu i punës është kthyer në një kryefjalë të Universitetit Europian të Tiranës që nga lançimi i nismës “UET-Universiteti i biznesit” dhe në vijim me programin 250+, ku parashikohet një bashkëpunim konkret mes universitetit dhe 250 kompanive më të mëdha në vend.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, një përfaqësi nga Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi një takim pranë kompanisë së telefonisë celulare Plus-Comunication.

Presidenti, prof. dr. Adrian Civici, Prof.as.Dr. Selami Xhepa, zëvendës/rektor për Shkencën dhe Metodologjinë dhe drejtoresha e programeve Master, Prof. Asoc.Dr. Elvin Meka dhe Dr. Orkida Ilollari u takuan me drejtues të kësaj kompanie, Matilda Shehu dhe Arben Margilaj.

Në takim drejtuesit e UET prezantuan projektin 250+, si një projekt që e vendos UET në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, për të marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth çfarë ata kërkojnë sot nga akademia dhe për të diskutuar për mënyrat se si bizneset mund të bashkëpunojnë me universitetet.

“Ne si universitet nën shembullin e disa universiteteve në botë kemi vendosur një lloj strategjie apo filozofie në të ardhmen për të qenë universiteti i biznesit, në sensin që programet kryesore, njohuritë kryesore që merr studenti, aftësitë kryesore të jenë në funksion të nevojave që ka ekonomia, financa dhe veçanërisht biznesi shqiptar.

Universiteti të kalojë nga një universitet me dije të përgjithshme në një universitet të specializuar në funksion të nevojave të biznesit. Për këtë na nevojitet interaksioni me ju. Nga njëra ne të parashtrojmë se çfarë studentësh përgatisim, kryesisht masteri që është dhe profesioni më afër specialitetit kur ai gjen.

Por dhe nga ana tjetër duke marrë përshtypjet tuaja se çfarë janë këta studentë, sa të mirë janë, sa lekë do të duhen më mbrapa për t’i rikualifikuar ata, sa kohë duan të futen në sistem dhe njëkohësisht strategjitë që ka një kompani, siç është rasti i Plus-it, ku shkojnë në 5 apo 10 vitet e ardhshme që ne t’i përkthejmë këto nevoja ne sillabuse, programe, aftësim për studentët.

Ky është kuptimi i përgjithshëm që ai që vjen në UET dhe del nga Uet-i të jetë sa më i gatshëm për tregun e punës”- u shpreh Presidenti i UET-it, Prof.dr.Adrian Civici.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e kompanisë Plus vlerësuan interesin e UET-it për këtë bashkëpunim, duke e cilësuar pioner në këtë rrugë.

Drejtuesit e Plus-it shfaqën shqetësimin e tyre se studentët që kërkonin punë kishin vetëm dije teorike dhe u mungon aftësimi praktik. Ata kërkuan nga universiteti që studentët të përgatiten më shumë me aftësi praktike në fusha të caktuara që të adaptohen më shpejt me një vend pune ku aplikojnë.

Drejtoresha e programeve Master, Dr. Orkida Ilollari tha se universiteti pjesën e praktikës tek studenti e ka në kurrikulat e tij dhe për këtë arsye është futur si risi edhe ftesa për CEO-t dhe ekspertët e kompanive të ndryshme që të japin leksione në auditor, në mënyrë që studenti të njihet nga afër me mënyrën si funksionojnë këto kompani dhe çfarë aftësish kërkojnë ato për të diplomuarit e rinj. Në këtë kuadër ajo ftoi drejtuesit e Plus-it që të jenë pjesë e leksioneve në degën master në UET.


Olgert Rakipllari, studenti që fitoi brandimin e zyrave të BE-së

$
0
0

Profil/ Studenti i Marrëdhënieve me Publikun-Komunikim në UET: Konkurset e dizajnit, një motivim për punën time 

Olgert Rakipllari është një ndër studentët më aktivë që ka Universiteti Europian i Tiranës. Studenti i Komunikim-Dizajnit është gjithmonë i pranishëm në konkurset e shumta që zhvillohen në lidhje me degën e tij të studimit. Pjesëmarrja e tij ka qenë e lartë si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.

Më herët ai u shpall fitues i konkursit “Unë jam UET” për brandimin e produkteve të universitetit me rastin e 10-vjetorit të UET. Tashmë ai vjen sërish si fitues, por në konkursin për brandimin e zyrave të Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë (EU Info Network).

Vendimin për të konkurruar Olgerti e mori pa hezituar dhe vetëm brenda 1 jave arriti të paraqitej përpara jurisë me punimet e tij të brandimeve.

Kësaj here konkursi për të ishte ndryshe pasi ndodhej para një jurie ndërkombëtare dhe padyshim që emocionet dhe frika ishin akoma dhe më të mëdha. Natyrisht që një projekt i tillë ka nevojë dhe për mbulimin e pjesës së arkitekturës, të cilën e bëri Inesa Gishto.

Olgerti rrëfen për MAPO, punët konkrete të cilat janë tashmë brandimi i kësaj zyre të Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë.

“Është bërë brandimi dhe krijimi i një instalacioni. Dizenjimi i ambienteve të reja të kësaj qendre, ku përfshihet holli, 2 sallat e të rinjve, të fëmijëve dhe sallën e konferencave”, tregon ai.

Me një punim të realizuar në një kohë rekord, për vetëm një javë dhe me një konkurrencë të fortë fitorja dukej si një mision i pamundur. Por pavarësisht kësaj,  pjesëmarrja vlente shumë në një konkurs të tillë.

“Nuk e prisja ta fitoja çmimin, ishte me të vërtetë surprizë. Na kontaktuan për të na thënë që duhet të flasim rreth punës, dhe aty na deklaruan që kishim fituar”, rrëfen Olgerti.

Planet për të ardhmen ai i ka shumë të qarta, ku karriera është në fokus. Natyrisht që studimet e kanë ndihmuar shumë dhe universiteti ka vend primar në planet e tij.

Ai merr pjesë në shumë aktivitete, dhe natyrisht që do ta vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.

“Motivimi im është pjesëmarrja nëpër konkurse”, shprehet ai.

Për të pjesëmarrja në konkurse rrit aftësitë profesionale pasi nuk mjaftojnë vetëm njohuritë akademike.

“Ne tashmë po dalim në jetë, po ballafaqohemi me çfarë kërkon tregu. Kam qenë dhe do të jem  akoma i dhënë pas konkurseve”, kështu e mbyll rrëfimin e tij për MAPO.

Forumi: Arsimi parauniversitar privat, nxitës i cilësisë

$
0
0

Forumi Gjimnaz-Universitet me temë “Roli i mësuesit kujdestar”, organizoi të shtunën në UET takimin me drejtues të gjimnazeve private

Arsimi privat është një faktor i rëndësishëm në nxitjen e rritjes së cilësisë edhe për arsimin shtetëror. Duke investuar te cilësia shkollat private të arsimit parauniversitar në vend janë kthyer në një faktor të rëndësishëm të sistemit arsimor në tërësi. Drejtues të gjimnazeve private në vend u mblodhën këtë të shtunë në forumin e 10-të Universitet-Gjimnaz, që organizohet nga Universiteti Europian i Tiranës. Të shtunën ishte takimi i dytë i këtij forumi me gjimnazet private pas takimit me afro 200 drejtues të gjimnazeve publike në vend javën e shkuar, më 8 Prill 2017.  Gjatë diskutimeve u vu theksi te roli i rëndësishëm i arsimit privat në Shqipëri në nxitjen e rritjes së cilësisë dhe në sistemin shtetëror, ndërsa më tej u vu theksi te kualifikimi i mësuesve dhe roli i pazëvendësueshëm i mësuesit kujdestar, jo vetëm si mësues, por si mentor, si udhëheqës i nxënësit.

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici vlerësoi shumë cilësinë e prurjeve nga gjimnazet private në UET. “Universiteti varet shumë nga çfarë prodhoni dhe çfarë cilësie nxënësi apo maturanti del nga gjimnazet tuaja. Kështu që ne jemi të interesuar, jo vetëm për të trajtuar sot një temë si roli dhe e veçanta, apo çfarë pritet nga mësuesi kujdestar, por dhe një vijimësi dhe një bashkëpunim për tu ndjerë të dyja palët si pjesë e një trupi  të vetëm në rezultatin final të studentit” -tha ai.

Profesor Civici theksoi se mësuesi nuk është thjesht një dhënës i dijeve, por një orientues për nxënësin, ashtu si dhe pedagogu për studentin.  “Sot dija është bërë aq e shpejtë dhe aq e madhe sa askush nuk pretendon që mund ta zotërojë, aq më tepër që me këto zhvillime që ka bota, pritet që në vitet e ardhshme çdo 2 javë dija e botës dyfishohet. Kështu që sado biblioteka dhe libra të kesh mbrapa, është e pamundur që të pretendosh që di diçka ose di shumë. Kjo tendencë po zëvendësohet me tendencën e arsyetimit, kreativitetit, të dish të mendosh dhe të arsyetosh dhe pastaj të dish të veprosh në kushtet e kësaj dinamike kaq të shpejtë. Nëse ne e zbresim këtë koncept dhe logjikë sot edhe te mësuesi kujdestar, në fakt ajo që po kërkohet është pikërisht kjo, që mësuesi kujdestar të mos kujdeset thjesht si shkon nxënësi, por ta orientojë dhe formojë këtë nxënës, që më vonë do të bëhet student, se si të sillet dhe si të orientohet në këtë botë kaq dinamike, ku dijet evoluojnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme”, – u shpreh Civici.

Ai vuri theksin te roli që mësuesi dhe pedagogu ka që ta ndihmojë studentin të mësojë të orientohet, të arsyetojë dhe të mësojë të veprojë me koncepte moderne, në këtë det të madh dijesh, duke ditur të dallojë informacionin nga njohja dhe dija.  “Përtej anës formale të orëve të punës, marrëdhënies me nxënësit, ndoshta duhet diskutuar figura që duhet të ketë mësuesi kujdestar. Çfarë përfaqëson ai për një nxënës, çfarë e orienton dhe si e mëson që të arsyetojë në mënyrë kreative dhe jo shabllon. Nëse ne e formojmë me metodë nxënësin dhe studentin ajo do të jetë ndryshe dhe shumë më cilësor në raport me dijen, profesionin, karrierën e tij se sa thjesht një nxënës që lexon shumë” – përfundoi profesor Civici.

 

 

Mustafa Myrto, mësuesi i dy sistemeve

Profil/ Mësuesi 16-vjeçar që luftonte kundër analfabetizmit vijon të japë mësim edhe pse në pension. Kush është mësuesi që ka debatuar me Ramën e Pollon për strategjinë e arsimit 

Ishte viti 1962, kur analfabetizmi në Shqipëri ishte prezent në një shkallë të madhe. Mustafa Myrto ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë. Sapo kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare dhe kishte përfunduar dhe 2 vite shkollë pedagogjike profesionale. Ai emërohet mësues në shkollat fillore të ngritura kundër analfabetizmit. Ishte vetëm një fëmijë dhe përpara kishte gra e burra e të moshuar që ishin futur në shkollë për herë të parë. Mësuesi-fëmijë i hyri kësisoj rrugës së tij të jetës herët, e cila u bë rruga e tij e vërtetë, profesioni i së ardhmes dhe i së tashmes. Sot është 71 vjeç dhe vijon të japë mësim dhe të drejtojë shkollën private  “Shekulli i ri” në qytetin e Fierit. Për 55 vite mësues nuk ka humbur asnjë pikë energjie nga dita e parë kur e nisi këtë profesion. Gjatë viteve fitoi siguri dhe eksperiencë, vijoi edukimin e tij pedagogjik me dy shkolla të tjera, pedagogjiken në Vlorë dhe më tej arsimin e lartë pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër. Një karrierë e ngritur vetëm mbi pasionin e punës në një sistem diktatorial, ku iu desh të mbante mbi supe edhe një histori familjare që regjimi komunist nuk e shihte me sy të mirë. Xhaxhi i tij që mbante të njëjtin emër, ishte vrarë si ballist dhe ky fakt e bënte më të vështirë punën e tij. Sot ai është kryetar i shoqatës kombëtare “Misionarët e Arsimit” me synimin për të hapur degët  në të gjithë Shqipërinë, një shoqatë që, sipas tij, kërkon të jetë një strehë për të gjithë mësuesit. Myrto ishte i pranishëm në forumin Gjimnaz-Universitet organizuar nga UET, ku diskutoi mbi rolin e mësuesit kujdestar në arsim. Duke folur për gazetën MAPO, ai thekson bindjen se në këto 27 vite demokraci arsimi ka shumë probleme.

Mësimdhënia, nevoja për strategji afatgjatë

“Arsimi shqiptar kërkon një operacion të thellë në përmbajtje. Ka pasur përpjekje, por kanë qenë sporadike, të bëra nga disa ministra. Ajo që mungon është një debat i gjerë publik, akademik dhe politik që të konkludojë me një konsensus parlamentar për një strategji afatgjatë për arsimin” – thotë Myrto.

Ai tregon se ka pasur debate publike me Edi Ramën, gjatë një takimi elektoral kur ishte kryetar i opozitës, dhe me dy ministra arsimi; Genc Pollon e Fatos Bejën, për pikëpamjet e tij.

“Edhe Ramës, edhe ministrave, u kam parashtruar qëndrimin tim; se është i nevojshëm një strategji zhvillimi e arsimit. Ne sot nuk dimë çfarë modeli kemi në arsim. Le të bëjmë një debat të gjerë dhe të zgjedhim modelin më të mirë, për të cilin biem dakord të gjithë. Këtë iu kam thënë dhe këtë kërkoj me ngulm akoma”, -thotë mësuesi që ka kaluar dy sisteme të ndryshme politike dhe arsimore.

Arsimi komunist vs arsimi sot

Mustafa Myrto e ka kaluar gjysmën e jetës në komunizëm, ku mësuesi nuk ishte thjesht një mësimdhënës, por shihej si një “komisar drite”. Ai ka qenë një mësues në fshatrat e Fierit, drejtor shkolle e inspektor arsimi dhe në vitin ’90 është dekoruar për punën e tij me urdhrin “Naim Frashëri”. Në një krahasim të dy sistemeve lidhur me arsimin ai shikon të mirat dhe dobësitë.

“Në atë kohë kishte rregull e disiplinë, por arsimi ishte i ideologjizuar. Mësuesi kishte një rol të rëndësishëm në shoqëri. Në mungesë të priftërinjve dhe hoxhallarëve, mësuesi zuri një vend qendror, të respektuar dhe me autoritet në shoqëri. Por, nga ana tjetër, me anë të mësuesit diktatura komuniste realizonte objektivat e saj politikë. Para se të jepnim mësim ne shkonim atje në fshat te punëtorët dhe iu jepnim mësimet e partisë” -thotë Myrto.

Por, pavarësisht linjës politike të imponuar, Myrto beson fort se sistemi arsimor i diktaturës ka qenë i fortë e serioz dhe këtë e tregoi momenti kur u hap Shqipëria dhe populli shqiptar u përball me dinjitet me botën e qytetëruar pikërisht për shkak të arsimimit të tij.

Sot, në demokraci mësuesi i dy sistemeve shikon se ka një lloj amullie dhe mungesë vëmendjeje, jo vetëm nga shteti, por dhe nga shoqëria ndaj arsimit. “Sot sistemi arsimor është përshtatur me sistemet e botës së përparuar, por shkolla ka mbetur vetëm në dorë të mësuesit. Nuk ka një angazhim institucional të shoqërisë dhe ajo që thashë më lart nuk ka një strategji zhvillimi të plotë”.

Myrto i ka provuar të dyja anët e sistemit arsimor, atë shtetëror dhe atë privat. Pas 15 viteve në arsimin privat ai është i bindur se ai është një vlerë e shtuar në arsimin shqiptar dhe një ndihmë për rritjen e cilësisë edhe në arsimin shtetëror.

 

 

Klotilda Jaupi, studente, mësuese dhe drejtuese në arsim

Studentja e Masterit në Universitetin Europian të Tiranës, e cila jep mësim dhe drejton shkollën private 12-vjeçare “Sarina”

Forumi Gjimnaz-Universitet, takimi me drejtuesit e shkollave private parauniversitare që u mbajt në UET të shtunën,  ishte një emocion i dyfishtë për Klotilda Jaupin. Ajo kishte një lidhje të dyfishtë me këtë forum, vinte aty si drejtuese e një shkolle 12-vjeçare me traditë të gjatë në arsimin privat dhe njëkohësisht si studente e Universitetit Europian të Tiranës, ku po kryen shkollën Master. Pikërisht për këtë fakt Klotilda ishte përzgjedhur në panelin kryesor të këtij forumi, si një shembull i lidhjes jetësore që ka gjimnazi me universitetin. Duke folur në rolin e drejtueses, mësueses por edhe të një studenteje të masterit të shkencave në këtë forum Jaupi gjatë fjalës së saj vuri theksin te roli jetik i mësuesit për të përgatitur nxënës të mirë që do të jenë nesër studentë të suksesshëm. Ajo foli mbi rolin e saj në të tria dimensionet që përfaqëson dhe tregoi se cilat janë vështirësitë më të mëdha të një mësuesi. Jaupi tha se ‘natyrisht që pozicioni i drejtueses më ngarkon me përgjegjësi të mëdha, por pa lënë pas dore atë të mësueses”. “Mësuesi është një profesion që synon të krijojë liderët e së ardhmes. Nga ky profesion kërkohen shumë, por ndërkohë shumë gjëra të tjera janë lënë mënjanë”,  theksoi ajo. Më tej në fjalën e saj për temën “Roli i mësuesit kujdestar”, u shpreh se shpeshherë mësuesit duhet të bëjnë shumë orë pune edhe në orët e pasditeve kur ata janë në shtëpi, por këto orë nuk llogariten si orë punë duke i penalizuar në një farë mënyrë këta të fundit.  Ajo shtroi pyetjen që lind nga e gjithë kjo situatë, “Pse duhet të bëjë mësuesi diçka kur nga ana ligjore ai nuk ka se si ta mbrojë atë?”.  Për të mësuesi kujdestar është zëri që del i pambrojtur sepse ka një llogaridhënie të dyfishtë. “Ka  ardhur koha që mësuesi kujdestar të ketë një këndvështrim ndryshe dhe të jetë një revolucion i fuqishëm për edukimin e brezave të rinj”, përfundoi Jaupi.

Arsimi dhe punësimi/ Studimi i KE-së prezantohet në UET

$
0
0
“Çfarë prodhojnë universitetet dhe çfarë pret tregu i punës”- ishte tema që mblodhi në një tryezë diskutimi ekspertë akademikë në Universitetin Europian të Tiranës këtë javë. Takimi i ngushtë i ekspertëve u mundësua nga PERFORM, me pjesëmarrjen e Dr. William Bartlett, nga London School of Economics.
Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit të Dr. Bartlett mbi Ballkanin Perëndimor, publikuar nga Komisioni Europian. Fokus i prezantimeve dhe diskutimeve ishte Shqipëria, numri i lartë i të diplomuarve dhe numri i lartë i papunësisë te të rinjtë.
Pyetjeve se çfarë duhet të bëjnë universitetet, por edhe qeveria për të përmirësuar këtë fenomen, studimi i përgjigjet me një sërë rekomandimesh të cilat do të prezantohen në Samitin e Krerëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Trieste 2017.
Rekomandimet u diskutuan nga aktorë prezent nga fusha të ndryshme si shoqëria civile, akademia, sektori privat i punësimit dhe ai shtetëror. Pikat kryesore të diskutimeve do t’i bashkangjiten rekomandimeve që do të prezantohen në Trieste.
Tryeza u moderua nga Prof. As. Dr. Selami Xhepa, zv/rektor për Kërkimin Shkencor në UET i cili theksoi se debati duhet të fokusohet në rëndësinë e komunikimit mes punëdhënësve dhe universiteteve në Shqipëri. Ai vlerësoi studimin e Dr. Bartlett, i cili sipas tij, përmban gjetje mbi të cilat duhet të reflektohet dhe të punohet më tej nga të gjithë aktorët e arsimit të lartë në vend.
Nga Universiteti i Tiranës diskutoi Elton Skendaj, i cili parashtroi problemin nga prespektiva e pundhënësve. Sipas tij, jo të gjithë punëdhënësit kanë kulturën e pranimit të të sapodiplomuarve dhe shumë prej tyre nuk ofrojnë trajnime për ta. Ai sugjeroi që arsimi i lartë në Shqipëri të jetë arsim i profesionalizuar, pra të drejtohet nga kërkesa e tregut të punës, pasi tregu është mbingopur me diploma në Biznes apo në Drejtësi.
Dr. Elona Karafili, solli eksperiencën e universitetit Polis, një universitet që i mëshon fort vetpunësimit dhe aftësive për inovacion të të diplomuarve në fusha të tilla si dizajni, arkitektura dhe planifikimi urban.
Prof. Dr. Marenglen Spiro, rektor  i universitetit Marin Barleti foli mbi nevojën e kualifikimit të profesorëve për të ndjekur metodat e reja në mësimdhënie. Sipas tij është e nevojshme ngritja e instituteve multidisiplinare në arsimin e lartë shqiptar.  
Dr. Besarta Vladi, këshilltare e Mininistres për Inovacionin dhe pedagoge në UET, tha se për studentët është e nevojshme angazhimi i tyre në punë vullnetare gjatë studimeve, për të marrë eksperiencë dhe për të përfituar aftësitë specifike në fushën e tyre të studimeve.
Në tryezë mbi çështjen e aftësimit të studentëve për t’u përgatitur për tregun e punës diskutuan edhe Dr. Ariana Çela, nga New York University of Tirana, Stefania Sechi nga UNDP dhe Prof. As. Dr. Oltjana Zoto, pedagoge në UET.
Sipas ekspertëve, studimi i KE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të shërbejë si një udhëzues për universitetet dhe për studentët, që nis që me zgjedhjen e degës së studimit, një karrierë që duhet të jetë në sinergji me atë që kërkon më shumë tregu i punës sot. 

Një jetë për arsimin. Përkujtohet 100-vjetori i Kahreman Yllit

$
0
0

Emri i profesor Kahreman Yllit ka një vend nderi në botën akademike shqiptare. Kahreman Ylli u lind në një familje patriotike në fshatin Leshnjë, në Skrapar dhe u bë pjesë e Luftës Antifashiste.

I diplomuar në vitin 1938 në Lion të Francës, profesor Ylli solli në Shqipëri dijen dhe përvojën në Shqipërinë e pasluftës, e zhytur në analfabetizëm.

Ishte analfabetizmi për të cilin ai punoi për ta zhdukur e më pas për ndërtimin e sistemit arsimor shqiptar. Krijues i Universitetit të Tiranës, ish-rektor i tij, ministër Arsimi dhe diplomat, profesor Kahreman Ylli është kujtuar në 100-vjetorin e lindjes së tij.

Bashkia e Çrovodës organizoi ceremoninë në nder të tij e më pas në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, akademikë e historianë treguan punën dhjetëravjeçare të njeriut që ishte edhe një diplomat i shkëlqyer.

“Në fushën e arsimit angazhimi i tij është i jashtëzakonshëm. Që nga lufta ndaj analfabetizmit, që nga krijimi i tre instituteve të larta, që ishin bërthama e krijimit të Universitetit të Tiranës, kontributin e tij për krijimin e Akademisë së Shkencave, për përparimin e shkencave albanologjike e deri në përkrahjen për Universitetin e Prishtinës.

Një respekt dhe mirënjohje të veçantë meriton gjithë familja Ylli, sepse ata të gjithë vazhdojnë këtë rrugë shumë të mirë dhe janë shembuj pozitivë në vendet ku jetojnë e punojnë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

“Ai qe analisti i parë në Shqipëri i dukurive të historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Ai mbetet një figurë e shquar në plejadën e intelektualëve shqiptarë të shekullit të kaluar, një figurë që na frymëzon edhe zot për të avancuar më tej arsimin shqiptar dhe kërkimin shkencor”,- tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Akademikët kujtuan veprën e profesorit jo vetëm në arsim. Historiani Pëllumb Xhufi tregoi angazhimin e profesor Yllit si diplomat në disa momente historike të Shqipërisë, siç ishte edhe Konferenca e Parisit dhe në gjyqin ndërkombëtar të Hagës ku mbrojti Shqipërinë.

“Ai është një njeri i madh, pluridimensional, që ka ndjekur ngjarje të mëdha siç ishte konferenca e paqes në Paris, gjyqi ndërkombëtar i Hagës për anijet britanike që u dëmtuan në Kanalin e Korfuzit. Ai ka qenë njeriu që me njohuritë e tij zgjodhi njerëzit e duhur për të mbrojtur kauzën shqiptare”,- tha Pëllumb Xhufi.

Kujtimi i veprës së profesor Kahreman Yllit ishte një moment i rëndësishëm edhe për familjarët e tij.

“Kam kaluar kaq vite dhe është emocion i veçantë që ne gjithmonë e kemi kujtuar. Por ne na emocionon pa masë kujtimi që i bëjnë njerëzit tanë, miqtë tanë, njerëzit e shkencës, shkollave dhe gjithë arsimit. Ky është një emocion i veçantë për ne.

Një ndjesi tjetër është edhe krenaria. Unë ndihem krenar për dy gjëra, që i kam vënë re nga ky takim dhe raste të tjera, që im atë e deshi shumë vendnlindjen dhe njerëzit. Sa herë vinte në vendlindje lumturohej”,- u shpreh Artan Ylli, i biri./TCh/

Vajza me oferta nga 8 kolegjet e Ivy League

$
0
0

“Në shtëpinë tonë, ka shumë harmoni në mënyrën se si ne flasim me njëri-tjetrin… gjuha nuk është e thyer, por më tepër e përzier me emocion. Është pak e ngatërruar. Por ne aty e kemi ndërtuar shtëpinë tonë”. – Këto ishin fjalët e 17-vjeçares Cassandra Hsiao, eseja e së cilës ishte mbi lëvizjen nga kolegji, mori vëmendjen e shumë universiteteve në SHBA dhe në botë. Adoleshentja e lindur në Malajzi, e cila tashmë jeton në Kaliforni, ka shkruar mbi eksperiencën e saj modeste për të mësuar gjuhën angleze, ndërsa po rritej në një familje emigrantësh. Ajo ka marrë oferta nga tetë kolegjet e Ivy League, duke përfshirë këtu Harvardin, Princeton dhe Yale. Ajo nuk e ka bërë ende zgjedhjen e saj por ka deklaruar se do t’i vizitojë ato kolegje në javët në vazhdim. “Identiteti dhe dëshira për të qenë pjesë, janë dy nga betejat më të vështira me të cilat ballafaqohen njerëzit. Unë doja të ndaja një pjesë të jetës tonë në shtëpi, marrëdhënien time me mamin dhe dy historitë tona”, -tha ajo për BBC News.
Me një baba tajvanez dhe me një mama malaiziane, Cassandra u rrit në shtetin jugor të Johorit. Familja e saj u zhvendos në SHBA kur ajo ishte vetëm 5 vjeç. “Më mungon shumë Malajzia dhe mendoj shpesh për vendin tim. Duke u rritur, më pëlqente shumë adrenalina, të shkoja nëpër markete si dhe të hidhja fishekzjarre. E kam kaluar të gjithë fëmijërinë time duke murmuritur me një miksim mes gjuhës kineze, malajisht dhe angleze” kujton ajo me dashuri. Por përpjekjet për të mësuar gjuhën në një shtet të huaj rezultuan shumë të vështira. Në esenë e saj Cassandra rrëfeu një situatë poshtëruese e cila i kishte ndodhur mamasë së saj në shkollë. Ajo u kritikua dhe u tall nga kolegët e saj pasi mësuesja e kritikoi për mënyrën se si kishte shkruajtur një letër në anglisht. Një shok i sjellshëm i klasës i doli në mbrojtje.

Por çfarë ka për të thënë Cassandra mbi kritikat për gjeneratën e saj? “Është një nder të jesh pjesë e kësaj gjenerate. Më shumë se kurrë, të rinjtë po kuptojnë rëndësinë e dëgjimit të zërit të tyre”, -tha ajo. “Kolegët e mi ngrihen për atë që ata besojnë dhe nuk kanë frikë. Ne jemi e ardhmja dhe e ardhmja është e ndritshme”.

Viewing all 1180 articles
Browse latest View live