Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all 1180 articles
Browse latest View live

Fillesat e Mjekësisë shqiptare

$
0
0

Flamur Tartari- foto e madheDr. Flamur Tartari: Si u krijua spitali i parë shqiptar nga Kryqi i Kuq Amerikan në vitet ‘30

Prof. dr. Flamur Tartari ka një përvojë të gjatë në fushën e mjekësisë si pedagog dhe si mjek. Së fundmi, ai ka botuar një libër kushtuar një prej mjekëve më të vjetër shqiptarë, dr. Osman Jonuzit dhe lindjes së mjekësisë në vendin tonë në vitet ‘20-30. “Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij” i kushtohet themelimit të Spitalit të parë të Tiranës, kur Kryqi i Kuq Amerikan i vendosur në Tiranë kontribuoi për themelimin e këtij spitali që do të shënonte dhe fillesat e mjekësisë shqiptare. Ajo që sot njihet si Qendra Universitare Nënë Tereza në emërtimin e parë quhej “Zogu i Parë” dhe është spitali i parë shqiptar, i themeluar në kohën e Mbretit Zog.

Tartari sjell fakte interesante në librin e tij, të panjohura më parë si: nënshkrimi nga dr. Jonuzi të hyrjes së Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, 1926; për ndihmën amerikane në këtë fushë, që nga doktori personal i presidentit Wilson, dr. Cary T. Grayson dhe deri te kontributi i madh i Fondacionit Rockefeller në mjekësi dhe në tharjen e kënetave, që ishin burimi kryesor i malaries në vendin tonë etj.

Në një intervistë për gazetën MAPO, dr. Tartari flet për librin, si e sheh mjekësinë shqiptare sot dhe çfarë duhet bërë që të ecim me hapin e kohës. Dr. Tartari i është bashkëngjitur projektit të Universitetit Europian të Tiranës për hapjen e një dege të veçantë për Mjekësinë në vitin akademik 2017-2018.

Dr. Tartari, ju jeni autor i “Osman Jonuzi dhe bashkëpunëtorët e tij”, a është ky një libër për fillesat e mjekësisë shqiptare?

Mjekësia shqiptare i ka fillimet shumë të hershme, sepse duke qenë një vend i vogël, në mes të Europës, do të kishim edhe ne mjekësi, sepse ajo vjen si pasojë e nevojave të njerëzve. Librat e parë të historisë së mjekësisë shqiptare janë shkruar në vitet ’60 nga prof. Fejzi Hoxha dhe prof. Çërçiku, që paraqisnin disa aspekte pozitive, por kishin edhe karakterin politik. Ndërkohë ky libër që i kushtohet një prej mjekëve të parë shqiptarë, drejtor i spitalit të parë shqiptar, Osman Jonuzit, përcakton si lindi spitali i parë i Tiranës në 1920, që ishte kryesisht vendim i Kongresit të Lushnjës, që të hapej ky spital i parë në Tiranë dhe vendim i dytë ishte që u bë Tirana kryeqytet.

Ata që e hapën këtë spital, ku i kishin marrë shkollimin dhe eksperiencat në këtë fushë?

Spitali i parë u ndihmua nga Kryqi i Kuq Amerikan që erdhi në 1919 në Shqipëri. Atë e solli një mik i shqiptarëve, që nuk është përmendur më parë, Cary Grayson, i cili ka dhënë ndihmën kryesore, si mjeku i Presidentit të SHBA në atë kohë, Wilson. Kontakti i tij me Shqipërinë lindi kur ai ishte duke kryer specializimin në Boston, dhe një natë iu desh të mjekonte një vajzë shqiptare. Edhe siç jemi ne shqiptarët bujarë e mikpritës, e bëmë mik të vendit, mirëpo në të njëjtën kohë ishte çështja kombëtare e themelimit të shtetit shqiptar. Grayson ishte në anën tonë, nguli këmbë për të drejtat tona, në krah të Nolit dhe Vasil Qiriazit. Më pas qeveria e solli në 1919 Kryqin e Kuq Amerikan dhe mori dr. Osmanin për të themeluar spitalin.

Pse dr. Osmanin?

Dr. Osmani kishte studiuar në Turqi, në 1905 përfundoi studimet atje, ishte mjek shumë i zoti dhe punoi fort për spitalin e ri. Ai u dënua në Turqi, duke qenë ushtar i Turqisë në Tunizi, me shpalljen e pavarësisë, nuk u lejua të kthehej në Turqi. Ai u bë mjek i spitalit të parë, e më pas drejtor i tij në 1920-ën. Pra, spitali i vogël që hapi Kryqi i Kuq e solli Jonuzin si mjek fillimisht. Bashkëpunëtorë kryesorë ishin Sulejman Delvina, Ismail Ndroqi, kryetari i Bashkisë në atë periudhë, dhe Irhat Frashëri.

Pasi drejtoi spitalin e parë ai u emërua nga Zogu si Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë, në rang ministri në atë kohë, dhe punoi me mish e me shpirt për të ngritur nivelin e shërbimit shëndetësor ndaj popullsisë, në një kohë kur bënin kërdinë sëmundje si: malaria apo tuberkulozi. Mendimet e tij për zhvillimin e mjekësisë ishin përparimtare. Në kërkimet e mia në Arkivë kam zbuluar se si ai organizoi nëpër rrethe të tjera të vendit, Elbasan, Korçë, Kukës, ngritjen e shërbimit shëndetësor normal dhe bashkëkohor dhe ndikoi në zgjimin e popullit për kujdesin ndaj shëndetit. Gjithashtu kërkoi fonde për bursa për mjekësinë dhe dërgimin e mjekëve të rinj për specializime jashtë vendit. Në atë kohë u dërguan 11 vajza në universitetin e Barit që të specializoheshin për mami etj.

Ju në libër flisni edhe për mbështetjen që i ka dhënë fondacioni Rockefeller këtij spitali, dhe një doktor i famshëm i këtij fondacioni ka vizituar Shqipërinë, dr. Frederic F. Rusell. Sa njihet kjo pjesë e historisë?

Në 1932 u rritën shumë kërkesat e popullit shqiptar për një spital të mirëfilltë dhe u sollën projekte të ndryshme në ndihmë dhe ai solli ndihmën e tij, por kjo nuk është një pikë kryesore në libër. Një nga pikat më kyçe është fakti se në 21 qershor 1926, dr. Osmani firmosi Konventën Higjieno-sanitare me urdhër të Kryeministrit, që lejoi për herë të parë futjen e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Më këtë përveç shumë bursave, u fitua lidhja me fondacionin Rockfeller. Në 1931-1932 u bë Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë në rolin e ministrit, pati lidhje të shumta me ambasadorin amerikan Herman Bernstein, i cili influencoi pozitivisht në financimin për kurimin e sëmundjeve si malaria, tuberkulozi etj., dhe bëri tharjen e kënetave në Yzberisht e në vende të tjera dhe solli vetë inxhinierët e tij që ta bënin këtë pjesë.

Me çfarë investimi u bë spitali i parë?

Kur u themelua ishte ndër spitalet më të mira në Ballkan, i quajtur Zogu I, dhe u krye me investime të shqiptarëve të mbretërisë së Zogut, por u dha ndihmë nga shumë fondacione si ai Rockefeller. Mirëpo mbetet për t’u thënë se financimi kryesor u bë nga populli i Tiranës që arritën të grumbullonin 9000 napolonë ari për të pajisur spitalin, ndërsa Zogu ndihmoi me tokën e blerë prej 10 mijë dynymësh, toka ku shtrihet sot QSUT.

Çfarë ecurie pati më tej mjekësia shqiptare sipas jush?

Periudha 1920 – 1939 ishte ndikimi kryesor ku mjekët tanë kishin përfunduar studimet në Perëndim, duke filluar dhe në 1929, si Ismail Tartari, xhaxhai im, hapi për herë të parë Radiologjinë dhe Sabri Tefiku, që themeloi Patologjinë Shqiptare. Në periudhën e komunizmit u krye një organizim tjetër. Mjekësia u bazua në anën sociale, në profilaksi.

Po tani çfarë po ndodh me mjekësinë shqiptare? Cilat janë problemet e saj?

Tani pothuajse mjekësia ka rënë fare, nuk është ajo mjekësi e asaj kohe. Nuk ka kushte, nuk ka akoma aparaturën për shkrirjen e gurëve, për shembull. Mjekësia ka shumë nevojë për investime.

Ju jeni afruar pranë Universitetit Europian të Tiranës, në një moment kur ky universitet ka një projekt të madh për hapjen e një shkolle mjekësie. Si e shihni këtë projekt?

Kjo është një gjë e madhe, sepse duhet një proces konkurrence që të ndihmojë ecjen para të Mjekësisë. Stafi i Universitetit Europian të Tiranës nuk ka vendosur që të ketë një Fakultet Mjekësie pa pasur lidhjen e një spitali përkatës. Duhet atashuar një klinikë me këtë fakultet, sepse nuk ecën mjekësia ndryshe dhe UET këtë po bën. Hipokrati ka thënë që mjekësia mësohet duke ndenjur pranë të sëmurit. Ai e ka thënë rreth 2500 vite më parë. Është esenciale, pasi mjekësia është praktikë, mësim, lexim dhe prodhim teknikash që nuk bëhen dot pa përvojën direkte. Kjo duhet bërë që të krijohet një brez i aftë mjekësh të rinj.

 

 

Mjekë të shquar të fondacionit “Rockefeller” vizitojnë Shqipërinë

Gazeta “Besa”, 17 Maj 1933

Dr. F.F. Russell, Drejtor i Përgjithshëm Ndërkombëtar i Shëndetësisë së fondacionit “Rockefeller”, dr. George K. Strode, drejtor i përgjithshëm i Evropës, së bashku me dr. Hackettin, mbërritën të dielën pasdite në Durrës për të bërë një vizitë në seksionet antimalarike të Shqipërisë.

Shefi i seksionit antimalarik të Tiranës, dr. Anton Ashta, dhe inxhinierët Fred. W. Knipen dhe Stahlin, shoqëruan miqtë e Fondacionit Rockefeller gjatë vizitës për të parë punimet dhe masat që janë marrë kundër malaries në Durrës.

Mjekët e këtij fondacioni pëlqyen punimet e bëra në kënetën e Durrësit, veçanërisht për t’u lavdëruar ishte kriposja e kënetës, nëpërmjet hapjes së kanalit 8 km në Porto Romano, në veri të qytetit, që mundësoi depërtimin e ujit të detit në kënetë. Kjo i largon mushkonjat, pasi larvat e tyre nuk mund të zhvillohen në ujëra me përqindje të lartë kripe.

Të dielën pasdite miqtë amerikanë erdhën në Tiranë. Të shoqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë, dr. Osmani, ata vizituan imtësisht punimet antimalarike të bëra në kryeqytet dhe shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e kësaj drejtorie me seksionet antimalarike. Gjithashtu, mjekët e Fondacionit Rockefeller vizituan spitalin e shtetit, ndërsa nesër e tutje do të shkojnë për të parë nga afër seksionet antimalarike në Vlorë, Elbasan dhe Berat.


Sigurimi i cilësisë, kryefjala e IAL-ve të sektorit privat në vend

$
0
0

Projekti QAinAL, një projekt i bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian, organizoi në UET një trajnim të stafit dhe studentëve. Gjuraj: Institucionet e arsimit të lartë privat punojnë me EU partners për të përmirësuar mekanizmat e sigurimit të cilësisë së mësimdhënies, kërkimit dhe proceseve akademike

 Në kuadër të projektit QAinAL u zhvillua javën që shkoi në UET trajnimi 3-ditor me target stafin menaxherial, akademik, administrativ dhe studentët. Ky trajnim shërben për të forcuar mekanizmat e sigurimit të brendshëm të cilësisë, nëpërmjet ndarjes së eksperiencave më të mira të partnerëve dhe identifikimi i mundësive për përmirësime të mëtejshme. “Universitetet private përveçse janë përfshirë në procesin e akreditimit institucional me agjencinë britanike, ku siç dihet UET dhe Marlin Barleti dolën shkëlqyer, përsëri janë shumë aktivë në trajnime apo për çështje të sigurimit të cilësisë. Kjo në fakt është pika fokale dhe te ligji i ri i arsimit të lartë”. Kështu u shpreh Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj gjatë fjalës së tij përshëndetëse gjatë trajnimit të zhvilluar në UET në kuadër të projektit QAinAL: “Ngritja e kapaciteteve për sigurimin e cilësisë në institucionet private të Arsimit të Lartë në Shqipëri”.

Sipas Gjurajt, me anë të këtij trajnimi 3-ditor ku përfshihet stafi akademik, menaxherial dhe studentët, institucionet e arsimit të lartë privat punojnë me EU partners për të përmirësuar mekanizmat e sigurimit të cilësisë së mësimdhënies, kërkimit dhe proceseve akademike. “QAinAL ka vlerë për UET sikurse edhe për IAL-të e tjera të përfshira, pasi ky projekt ka për qëllim përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të vlerësimit të cilësisë, mekanizmave që sigurojnë menaxhimin efektiv, si dhe të përforcojë mësimdhënien dhe mësimnxënien në institucionet private të edukimit të lartë në Shqipëri. Projekti ka pasur një rrjedhë normale me një sërë aktivitetesh ku vlen të përmenden ato që lidhen me shkëmbimin e përvojave mes IAL-ve shqiptare dhe atyre europiane si vizitat studimore dhe trajnimet në Salzburg dhe Bukuresht. Viti i dytë i projektit fillon me këtë trajnim në Tiranë, që UET ka kënaqësinë të mirëpresë dhe organizojë. Trajnimi edhe pse vetëm 3-ditor, ka një program të ngjeshur që synon të ofrojë shkëmbim përvojash për praktika të mira të sigurimit të cilësisë të targetuara për studentë, akademikë dhe staf menaxherial dhe administrativ. UET-i do të vazhdojë të mbështesë projektin deri në përfundim të tij dhe garanton qëndrueshmërinë e tij përmes strukturave dhe procedurave tashmë të ngritura dhe të konsoliduara të sigurimit të brendshëm të cilësisë” – theksoi Gjuraj.

Çfarë është projekti QAinAL

Projekti QAinAL, një projekt i bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian, është i fokusuar në mbështetjen strategjike për fuqizimin e strukturave të sigurimit të brendshëm të cilësisë në institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri. I drejtuar nga Universiteti i Salzburgut, Paris Lodron, projekti bën bashkë institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri, si Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Epoka, Marin Barleti, Universiteti i New York dhe Polis, sikurse dhe partnerë të tjerë si Universiteti i Genoas, ai i Bukureshtit dhe WUS Kosova.

Pedagogu i UET-it, Fatri Morina, drejtues i KSBC dhe pjesëmarrës në projekt, thekson se trajnimi shërben për të forcuar mekanizmat e sigurimit të brendshëm të cilësisë, nëpërmjet ndarjes së eksperiencave më të mira të partnerëve dhe identifikimi i mundësive për përmirësime të mëtejshme. “Me një fokus të veçantë në zhvillimin dhe implementimin e instrumenteve për vlerësimin e kërkimit shkencor, vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm, lidhjen e zhvillimit të kurrikulës me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, rolin dhe përfshirjen e stafit akademik, administrative dhe të studentëve në sigurimin e brendshëm të cilësisë, trajnimi ofron ekspertizën e nevojshme në funksion të përmbushjes së qëllimit të tij kryesor”, -thotë Morina.

Pse universitetet private janë më kërkuese ndaj cilësisë

$
0
0

Intervistë me drejtuesin e projektit QAinAL, Peter Eckel nga Universiteti i Salzburgut 

Prof. dr. Peter Eckel nga “Paris Lodron University of Salzburg” tregon mbi eksperiencën e projektit në Kosovë dhe Shqipëri

Çfarë është ky trajnim dhe çfarë synon?

Qëllimi është të përmirësojmë sigurinë e cilësisë në institucionet private duke përfshirë këtu projektin Erasmus+. Në fakt kjo do të thotë se duke marrë parasysh mësimdhënien, ju i keni tashmë keni zyrat e sigurimit të cilësisë, por nga pikëpamja ime ato lidhen më shumë me kërkimet shkencore. Nëse e quan një institucion, një universitet atëherë ajo duhet të përmbushë të dyja kërkesat e mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor. Mësimdhënia do të thosha që është përmbushur duke marrë parasysh cilësinë e mësimdhënies, por duhet të bëhen më shumë përpjekje për fushën e kërkimit shkencor. Duhet të krijosh një lidhje mes mësimdhënies me kërkimin shkencor, në atë që quhet Hulumtimi udhëzues i mësimdhënies. Një profesor i cili bën kërkime shkencore, mund t’iu ofrojë një përmbajtje më të mirë studentëve.

Si e konsideroni faktin që universitetet private shqiptare janë pjesë e këtij trajnimi?

Kjo vjen për faktin se në këtë projekt janë të përfshira vetëm universitetet private, ashtu siç e kishim përcaktuar në fillim.

Ku janë universitetet private në raport me cilësinë europiane të arsimit të lartë? Çfarë duhet bërë për të patur standarde më të larta?

Siç ju e dini vetë, Ministria juaj bëri një vlerësim të universiteteve private dhe publike, e cila përfundoi me mbylljen e disave prej tyre dhe ato të cilat u panë se kishin interes për zhvillim të mëtejshëm, u bënë pjesë e këtij projekti. Unë kam patur disa projekte të ngjashme në Kosovë duke u marrë me sigurimin e cilësisë dhe situata këtu është tepër e ngjashme. Universitetet private në krahasim me ato publike e konsiderojnë veten e tyre si biznese dhe duan të bëjnë para duke drejtuar programe studimi. Në anën tjetër universitetet publike mbështeten te fakti që ato do të financohen gjithsesi dhe nuk duhet të bëjnë shumë përpjekje për të siguruar cilësinë. Eksperienca ime nga Kosova është se universitetet private janë më të zgjuara dhe kanë më shumë gjasa për të siguruar dhe prezantuar cilësi. Kjo është ajo çfarë pres të shoh edhe këtu. Cilësia përfshin personelin e mësimdhënies, duhet të ketë një personel mësimdhënieje shumë të trajnuar dhe ky personel duhet të bëjë kërkime shkencore. Nuk është e lehtë, por duhet të them se duke bërë kërkime shkencore, do të thotë se bizneset e universiteteve private duhet të derdhin para për këtë. Ekziston dhe mundësia që dhe universitetet private të kenë akses për të marrë para nga Ministria për të bërë kërkime shkencore nga fondet, po kjo është ende pjesë e zhvillimit.

Ideja më e mirë e biznesit, në kërkim të sipërmarrësve të rinj

$
0
0

Konkursi i ideve të biznesit në UET me studentët e Menaxhim Biznesit dhe Informatikës, universiteti kthehet në një inkubator që përgatit sipërmarrësit e nesërm

Harrojini detyrat e kursit, provimet standarde…nëse keni ide sipërmarrëse provojeni veten në një konkurs idesh para një jurie profesionale. Për të disatin vit radhazi Universiteti Europian i Tiranës iu mundëson studentëve të tij që të tentojnë në mënyrë konkrete në ide për krijimin e bizneseve të tyre. Në fund të fundit ky është qëllimi i studimeve; të nxjerrë të rinj të guximshëm dhe të pajisur me dijet e duhura për të konkurruar në një treg të lirë.

Javën që shkoi në UET u organizua një konkurs i planeve më të mira të biznesit për studentët e vitit të dytë Menaxhim-Biznes, Financë dhe studentët e vitit të tretë Informatikë. “Ideja më e mirë e biznesit” është një iniciativë e prof. asoc. dr. Ermira Qosja, e cila mbështet idetë e studentëve dhe ka arritur ta kthejë në traditë këtë garë idesh. “Dy gjëra ndikojnë në inspirimin për sipërmarrjen, projektet dhe prania e bizneseve në auditor”, u shpreh ajo.

Studentët ishin përpara një jurie profesionale e përbërë nga përfaqësues të biznesit dhe nga pedagogë e specialistë të fushës. Juria vlerësoi çdo projekt të prezantuar dhe nxiti studentët për të realizuar idetë e tyre të biznesit. Aktiviteti u mbyll me shpalljen e projektit fitues, ku triumfuan dy studente: Franceska Shollo dhe Valbona Muso me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food”.

Qosja: Studentët, frymëzim nga sipërmarrësit e suksesshëm

Iniciatorja e këtij konkursi, i cili i vë studentët përballë sfidës së vërtetë të krijimit të një sipërmarrjeje dhe i përball ata me një juri e përbërë nga sipërmarrës të suksesshëm, pedagogia Ermira Qosja, beson se këtë vit konkursi ka sjellë disa risi.

“Këtë vit krahasuar me vite të tjera, vendosëm që studentët të prezantonin ide të pastra biznesi. Juria gjithashtu këtë vit është e mbushur me Entrepreneures të suksesshëm në botën e biznesit. Studentët mund të frymëzohen nga puna e bërë në biznes nga anëtarët e jurisë dhe të mund të nxjerrim, pse jo, që sot një ide biznesi që nesër mund të jetë një biznes i suksesshëm. Ajo që në kemi parë te studentët që i motivon të ecin para janë dy, e para është prania e biznesmenëve të suksesshëm në auditorë, si lloj frymëzimi pra, dhe e dyta është puna me projektet në të cilat angazhohen dhe japin më të mirën e tyre” – u shpreh ajo në hapjen e aktivitetit që zgjati plot 4 orë me një numër të madh prezantimesh.

Civici: Ajo që vlerësohet sot është ideja, mendimi dhe dija

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, e përshëndeti këtë aktivitet dhe i nxiti studentët që të jenë sa më të guximshëm në idetë e tyre dhe të besojnë te dija e tyre. “Në kohët e sotme, malli që kushton më shumë dhe shpërblehet më mirë është produkti jomaterial. Është ideja, mendimi, njohuria apo dija” -tha ai duke folur para studentëve konkurrues. Më tej ai foli për rëndësinë që ka për studentët iniciativa personale që do t’iu japë atyre mundësinë të punojnë pasi të mbarojnë studimet. “Në shek. XXI, të gjitha studimet konkludojnë në faktin se një student që mbaron shkollën tani, mbi 80% të mundësive e ka ta krijojë vetë një shërbim apo profesion dhe të mos gjejë një profesion të gatshëm. Dhe në rastin e studentëve këtu sot, që përfundojnë Fakultetin e Ekonomisë për Menaxhim Biznesi, është e vështirë të gjenden 10-15 vende pune fikse që quhen profesion. Ndërkohë që ka qindra gjëra që krijohen vetë nga idetë e mira. Prandaj idetë janë shumë më të rëndësishme se sa pjesa formale e të mësuarit, ose pjesa formale e të mbaruarit të universitetit” – theksoi profesor Civici.

Civici vlerësoi idetë e prezantuara nga studentët, duke thënë se “në ato prezantime që unë pashë, dua të jem klienti i parë i këtyre bizneseve. Ideja shkon në përputhje me atë që kërkon shoqëria, e nëse idetë tuaja janë këto, biznesi i suksesshëm është i garantuar”.

 

Idetë lëvizin botën, njihuni me sipërmarrjet e të rinjve

Studentet Franceska Shollo dhe Valbona Muso u shpallën fituese me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food” 

Projektet e studentëve ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato për krijimin e lokaleve, restoranteve, krijimin e qendrave për të moshuar, për kujdesin e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve taxi me scootera. Idetë e studentëve u vlerësuan, u kritikuan apo dhe u plotësuan nga anëtarët e jurisë; sipërmarrës dhe specialistë të fushës. Juria përbëhej nga: Julian Balliu, Mon Cheri, Fabian Kuka, Pomodoro Pizza & More Salt, Arbi Agalliu, Përgjegjësi i Departamentit të Financës UET, Besarta Vladi nga Ministria e Inovacionit dhe Anxhela Rusmaili, e cila ishte studentja fituese e projektit të vitit të kaluar.

Aktiviteti u mbyll me shpalljen e projektit fitues, ku triumfuan dy studente: Franceska Shollo dhe Valbona Muso me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food”. E veçanta e këtij biznesi është se do të ndodhet në rulota dhe do të vendoset pranë pikave kyçe të qytetit. Do të ofrojnë ushqime të shpejta, pra fast food për të gjithë ata konsumatorë të cilët preferojnë këto lloj ushqimesh.

Çmimi shoqërohet me një pagesë financiare nga UET dhe përfshirje në projekte të reja të universitetit.

Vlen për t’u theksuar se sipërmarrësi Julian Balliu, themelues i rrjetit Mon Cheri ofroi mundësi punësimi për një nga vajzat që mori pjesë në këtë aktivitet, Estela Cakmaxhi, tre djemve, Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj dhe Bledi Miço ju ofroi mundësinë për të krijuar një projekt për Mon Cheri dhe gjithashtu iu ofroi vajzave fituese një mundësi bashkëpunimi me kompaninë e tij.

Disa nga plan-bizneset e studentëve:

Health & Green Mini Restorant/ Projekti i studentëve Kejsi Klenja dhe Mustafa Saliko

Kjo ide konsiston në një biznes mes fast food-eve dhe restoranteve. Do të ofrohen sallata me fruta dhe perime të freskëta organike. Gjithashtu dhe konsumimi i lëngjeve të freskëta. Biznesi do të ofrojë ushqime të shpejta për t’u marrë me vete me paketime ekologjike. Propozimi i biznesit të tyre ka si pikë të fortë jetesën e shëndetshme.

@the ReLades, projekti i studentes Estela Cakmaxhi

Kjo ide biznesi përfshin tri aspekte të rëndësishme për çdo student: kafen, relaksin dhe studimin. Estela solli në fokus çështjen që studentët kanë nevojë për një ambient të përshtatshëm për studim. At the ReLades do të organizojë dhe debate të ndryshme me akademikë apo të ftuar, ku studentët mund të ndajnë idetë e tyre me ta. Fokusi është ofrimi i shërbimeve dhe produkteve cilësore.

“Zemra e madhe”, nga Arsiva Qefalia, Besmira Jahja, Rafaela Shkurti dhe Xhenis Haxhiaj

Zemra e madhe është një qendër kujdesi për moshat e treta. Ky projekt u prezantua nga studentet Arsiva Qefalia, Besmira Jahja, Rafaela Shkurti dhe Xhenis Haxhiaj. Kjo ide konsiston në krijimin e një qendre për përkujdesjen dhe mirëqenien e moshës së tretë. Biznesi fokusohet te strehimi i të moshuarve, të cilët nuk kanë përkujdesje nga familja e tyre apo dhe për arsye të tjera ata kanë nevojë për një mjedis të ngrohtë. Kjo ide lindi pas hulumtimeve që bënë vajzat, ku vunë re se institucione të tilla ishin të pakta në Shqipëri.

“Diet, Fitness & Health Center” nga Brisejda Kaca, Gjerovica Ismajlukaj, Paola Tabaku, Xheni Velo

Diet, Fitness & Health Center, projekti që u prezantua nga studentet Brisejda Kaca, Gjerovica Ismajlukaj, Paola Tabaku, Xheni Velo konsiston në ndërtimin e një qendre që përfshin dy fusha të rëndësishme për një jetesë të shëndetshme. E para ka të bëjë me fitnesin dhe e dyta me këshillimin për një dietë të shëndetshme. Biznesi i ri në fushën e fitnesit dhe mirëqenies synon të hyjë në treg duke ofruar risi për klientët. Risia është pikërisht bashkimi i dy fushave në një të vetme.

“After Care” nga studentët Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj, Bledi Mico

After Care u prezantua si projekt nga studentët Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj, Bledi Mico. Kjo ide biznesi synon në krijimin e një qendre kujdesi për fëmijët. Kjo qendër do të zhvillojë një sërë shërbimesh të kualifikuara. Këtu përfshihet kujdesi i fëmijëve pas orarit të shkollës apo kur prindërit janë në punë. Gjatë kohës që ata do të jenë në këtë qendër do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, do të zhvillojnë detyrat e shtëpisë, si dhe do të mësojnë gjuhë të huaja. Por kjo qendër ka në fokus që t’i ndihmojë prindërit në formimin dhe kujdesin e fëmijëve të tyre.

“Kiprida Center” nga Flavia Shuka, Geraldina Fejzaj dhe Paola Taullau.

Kiprida Center është një projekt, i cili u prezantua nga studentet Flavia Shuka, Geraldina Fejzaj dhe Paola Taullau. Ky projekt është një qendër fitnesi dhe sportesh argëtuese. Kjo është qendra e parë, e cila përfshin shumë shërbime si kurse noti, basketbolli etj., si dhe aktivitete si surf në wave pool apo roller skating. Kjo qendër do të ofrojë një shumëllojshmëri shërbimesh.

“HotSpot”, nga studentet Herta Metushaj dhe Amela Cokaj

HotSpot është projekti që u prezantua nga studentet Herta Metushaj dhe Amela Cokaj. Vizioni i këtij biznesi është që të përmbushë të gjitha nevojat e turistëve që vizitojnë qytetin e Tiranës. Ky biznes do të ofrojë shërbime dhe produkte që tërheqin turistët duke ofruar shumëllojshmëri produktesh shqiptare. InfoPoint është një nga shërbimet kyçe të këtij biznesi.

“Tea Mania” nga Alisa Celaj, Edeina Myrtaj dhe Ina Leka

Tea Mania është lokali i ri i çajit që u prezantua si projekt i studenteve Alisa Celaj, Edeina Myrtaj dhe Ina Leka. Ato kishin në fokus ndërtimin e një lokali, i cili në çdo produkt të ofruar do të ketë në përbërje çajin. Përveç çajrave të ndryshme ato do të ofrojnë dhe kokteile analkoolike ose jo me përbërje të çajit.

“MëGjej”, aplikacion nga studentja Albana Faslia

MëGjej është projekti në versionin e aplikacionit që u prezantua nga studentja Albana Faslia. Ky aplikacion konsiston në shërbimin urban më të lehtësuar nëpërmjet teknologjisë. Do të shfaqet në kohë reale vendndodhja e autobusëve në mënyrë që qytetarët të dinë ku ndodhet autobusi dhe mos të presin shumë nëpër stacione. Por gjithashtu përfshin dhe matjen e oksigjenit në autobus, sa persona janë brenda tij, matjen e ndotjes etj.

“Imperia”, konsulta biznesi nga Arjola Isufaj, Daniel Sita dhe Gea Gjineci

Imperia u prezantua si projekt i studentëve Arjola Isufaj, Daniel Sita dhe Gea Gjineci. Ideja e tyre ishte për krijimin e një kompanie e cila ofron shërbime konsulte për bizneset, ne lidhje me produktet të cilat mund të eksportohen ose importohen. Synimi i tyre është zgjerimi i bizneseve si dhe kalimi në një nivel tjetër të ekonomisë shqiptare.

“Photo Shot” ishte ideja e studentes Dorina Petku

Projekti Photo Shot ishte ideja e studentes Dorina Petku. Ajo solli idenë për një kabinë fotografike portative, që do të vendoset në evenimente të rëndësishme si dasmat, ditëlindjet etj. Klientët do të bëjnë foto në privatësi dhe ato do të printohen për pak sekonda.

“4 elements”, nga Klaudja Trezhnjeva dhe Ardit Dervishi

4 elements u prezantua si projekt i studentëve Klaudja Trezhnjeva dhe Ardit Dervishi. Ideja e tyre konsiston në krijimin e një restoranti i cili do të ofrojë shije nga çdo vend i Shqipërisë dhe botës. Objektivi që ata kanë është bashkimi i shijes, çmimit dhe komfortit në një ambient luksoz.

“Mototaksi”, nga studentet Dajana Bushpepa dhe Mesila Xhebra

Projekti Mototaksi erdhi si ide nga studentet Dajana Bushpepa dhe Mesila Xhebra. Ky projekt ka si qëllim ofrimin e shërbimit taksi, por me një ndryshim, do të përdoren scooter-at. Kostoja e shërbimit do të jetë shumë e ulët dhe ndihmon në shmangien e trafikut të rënduar.

“Master’s Catering”, nga Armela Meta, Alba Maca, Ermelinda Zhuleku, Fiorlando Ceka

Master’s Catering është projekti që u prezantua nga studentët Armela Meta, Alba Maca, Ermelinda Zhuleku, Fiorlando Ceka. Ky projekt kishte në fokus ofrimin e ushqimeve bio dhe biznesi do të krijojë lidhje me institucione të ndryshme për ofrimin e ushqimeve të tyre.

Përgatiti: Eva Drita

Gjuhët që bota po përpiqet të mësojë, Ballkani dhe Shqipëria ndryshe nga të gjithë…

$
0
0

Teksa pjesa dërrmuese e botës po përpiqet të mësojë Anglisht, por edhe frëngjisht e Spanjisht, rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, është duke mësuar gjermanisht më shumë se të gjitha gjuhët e tjera.

Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një raport i publikuar nga “Quartz” bazuar në të dhënat e siguruara nga aplikacioni për mësimin e gjuhëve të huaja “Duolingo”.

Aplikacioni Duolingo përpiqet t’a kthejë mësimin e gjuhës në një lojë të dobishme dhe është ndër më të përdorurit nëbotë.  Anglishtja është gjuha që po mësohet më shumë nga të gjitha anekënd botës, përfshirë edhe Greqinë, Turqinë dhe pjesën tjetër të shteteve të Europës.

Gjuha e dytë më e mësuar në botë është frëngjishtja e cila ndiqet nga spanjishtja, gjë e cila shpjegohet me kolonitë e shumta që këto dy shtete kanë pasur.

Pas tyre renditet gjermanishtja dhe portugalishtja.

Ballkani ndryshe nga të gjithë rajonet

Gjermanishtja del si gjuhë e parë vetëm në pak vende, pothuajse në krejt Ballkanin dhe në një shtet të vetëm në Afrikë, Namibinë.

Kështu, Gjermanishtja është gjuha më popullore në Bosnjë, ku mësohet nga gjysma e përdoruesve të “Duolingo”-s dhe në shtetet e tjera të Ballkanit si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria. Në hartë nuk ka të dhëna për Kosovën.

Aplikacioni thotë se gjermanishtja është shumë popullore në të gjithë rajonin, i cili është afër gjeografikisht me vendet gjermanishtfolëse si Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të ngushta ekonomike mes Gjermanisë dhe krejt rajonit (p.sh. prej këtij rajoni Gjermania ka marrë punëtorë pas Luftës II Botërore dhe deri në ditët e sotme.)

Shumë të rinj në Shqipëri edhe më gjerë në rajon, po përpiqen të mësojnë gjermanisht dhe të transferohen me punë në Gjermani, falë programeve që ky shtet ka rinisur vitet e fundit për thithjen e krahut të punës.

Sa i përket Namibisë, ky shtet ka qenë koloni e Gjermanisë dhe gjermanishtja ka qenë gjuhë zyrtare në vend deri në vitin 1990. Edhe tani flitet nga një e treta e popullsisë së vendit.

Vendi që po mëson gjuhën e vet

Ka edhe disa të dhëna të tjera interesante; p.sh., gjuha më e mësuar në Suedi është suedishtja, dhe kjo shpjegohet me faktin se atje ka shumë emigrantë.

“Një prej gjashtë rezidentëve suedezë në vitin 2015 është lindur jashtë Suedisë,” thotë Bozena Pajak, drejtoreshë e hulumtimit pranë Duolingos./tvklan.al

Gjuha shqipe vendoset në programin arsimor në Turqi

$
0
0

Nga klasa e pestë nxënësit në Turqi mund të mësojnë edhe shqip. Bashkë me gjuhën boshnjake shqipja do të jetë lëndë zgjedhore.

Ministria turke e Arsimit Kombëtar ka vendosur në programin arsimor për vitin e ardhshëm gjuhën shqipe dhe boshnjake si lëndë me zgjedhje duke nisur që nga klasat e 5-ta. Dy gjuhët e miratuara nga Bordi i Arsimit dhe Edukimit do të jenë lëndë me zgjedhje duke filluar nga klasat e pesta, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga zyrtarët e ministrisë, mësohet se në kuadër të projektit «preferenca ime është turqishtja», i zhvilluar në prill të vitit të kaluar nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Federatës së Bosnjë-Hercegovinës është mbajtur «Festivali i 4-ët tradicional i fëmijëve», për nxënësit të cilët mësojnë turqishten si lëndë me zgjedhje në shkollat shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës.

Në këtë kuadër në tetor të vitit të kaluar mes Ministrisë turke të Arsimit dhe Universitetit Trakya ishte nënshkruar protokolli i bashkëpunimit me qëllim për të mundësuar që nxënësit të kenë njohuri të kulturave të ndryshme, dhe transmetimin ndaj brezave të ardhshëm të gjuhëve dhe dialektet që «jetojnë» në Turqi. Programi mësimor i gjuhës shqipe dhe boshnjake, pasi u përgatit dhe u vlerësua edhe me kontributet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Bazë të Ministrisë së Arsimit, u paraqit në Kryesinë e Bordit të Arsimit dhe Edukimit. Pas procesit të vlerësimit të programit kanë nisur punimet për përgatitjen e teksteve mësimore. Nxënësit që nga viti i ardhshëm mësimor do të mund të mësojnë gjuhët shqipe dhe boshnjake si lëndë me zgjedhje në shkolla që nga klasa e 5-të. (ATSH)

Gjysma e nxënësve të klasës së 5-të nuk dinë mirë shqipen dhe matematikën

$
0
0

Nxënësit shqiptarë mësojnë më shumë përmendësh sesa zhvillojnë të menduarin kritik. Specialistët e arsimit e vënë në dukje këtë si një ndër problematikat e arsimit fillor në vend pasi kanë testuar njohuritë e nxënësve të klasave të pesta.  Vlerësimi ka nxjerrë në pah se vetëm 7.4% e nxënësve kanë njohuri të nivelit në lëndët bazë.

Nga rreth 34 mijë nxënës të klasave të pesta vetëm 2 mijë e 500 njohin shumë mirë gjuhën shqipe, matematikën dhe diturinë. Testimi i Ministrisë së Arsimit, realizuar gjatë vitit shkollor 2015- 2016 në lëndët bazë, ka nxjerrë në pah se rreth 44% e nxënësve zotërojnë njohuri të nivelit të ulët, 49% të nivelit mesatar dhe vetëm 7.4% të nivelit të lartë.  Ndër faktorët kyç për një rezultat të tillë veç punës së mësuesve renditen edhe numri i nxënësve në klasa dhe niveli social-ekonomik i tyre.

Në lëndën e matematikës nxënësit hasin vështirësitë më të mëdha në shtrimin, zgjidhjen e problemave dhe gjeometri. Në gjuhë shqipe parapëlqejnë të zgjedhin përgjigjet e gatshme më shumë se sa ti modelojnë vetë ato. Përfundimet e vlerësimit të arritjeve vënë në dukje punën e pakët që zhvillojnë mësuesit në drejtim të aftësisë së të shkruarit.

Rezultate më larta në testim kanë arritur vajzat. Nxënësit e shkollave të qytetit janë paraqitur me mirë se sa ato në fshat. Ndërsa arritjet në shkollat private janë më të larta se ato në shkollat publike./abcnews/

Ja si të përfitojnë studentët shqiptarë bursa studimi në Hungari

$
0
0

Ata që kërkojnë një përvojë studimore jashtë vendit, që duan të kryejnë një doktoratë a një punë kërkimore, ata që janë të interesuar të transferojnë kreditet, të ndjekin një universitet veror apo të tjera mundësi shkollimi, mund të gjejnë mundësi të mira në Hungari. Zëvendës/drejtori i Njësisë së Studimit në Hungari, Marton Bélik, sqaron se si funksionojnë programet e bursave, si mund të aplikohet dhe si funksionojnë procedurat.

Prej vitit 1996 , shteti hungarez ka mbështetur me mijëra studentë ndërkombëtarë që kanë zgjedhur Hungarinë si destinacionin e studimeve të tyre.

Mbështetja ka ardhur përmes programeve të ndryshme të bursave që strehohen nën ombrellën e Fondacionit Publik Tempus, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga qeveria hungareze për të menaxhuar programe ndërkombëtare bashkëpunimi dhe projekte të veçanta në fushën e arsimit, trajnimit dhe çështje të lidhura me Bashkimin Europian.

“Është një organizatë me sfondin e ministrisë përgjegjëse për arsimin. FPT synon të mbështesë iniciativat që synojnë modernizimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit, trajnimit dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, duke inkurajuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe lëvizshmërinë përfshirë inkurajimin e instituteve të arsimit të lartë hungarez të bursave dhe programeve bashkëpunimeve, duke funksionuar si një qendër dijesh dhe duke siguruar kurse trajnimi” – sqaron Zëvendës/drejtori i Njësisë së Studimit në Hungari, Marton Bélik.

Ky fondacion menaxhon programe jo vetëm në fushën e arsimit të lartë, por edhe atij dytësor, trajnime profesionale dhe arsimin e të rriturve.

Numri i programeve që menaxhohen nga ky Fondacion është rreth 20, përfshirë këtu edhe programet e Bashkimit Europian e po ashtu ato të qeverisë hungareze.

“Në fushën e arsimit të lartë programi i Bursave Stipendium Hungaricum (për diploma të plota dhe studime të pjesshme), Programi Ndërkombëtar Erasmus + i Lëvizshmërisë të Krediteve (studime të pjesshme për studentë ) dhe Programi i Bursave të Shtetit Hungarez (universitete verore, kërkime), si edhe programi CEEPUS janë aktualisht të disponueshëm për studentët shqiptarë për të studiuar në Hungari. Sidoqoftë, studentët e arsimit të lartë shqiptar mund të përfitojnë edhe nga programe të tjera ndërkombëtare, që synojnë bashkëpunimin institucionale mes Hungarisë dhe universiteteve të huaja” –shton Bélik.

Vetëm përmes programit Stipendium Hungaricum, çdo vit akademik afro 3500 studentë të rinj ndërkombëtarë përfitojnë bursa.

Në vitin e ri akademik 2016-2017, janë rreth 27 institucione hungareze që marrin pjesë në Programin Stipendium Hungaricum dhe 22 institucione hungareze në Programin Erasmus + International Credit Mobility.

Ndihma financiare që një student mund të marrë nga FPT varion sipas programeve specifike.

“Sipas legjislacionit aktual, programi Stipendium Hungaricum siguron arsim pa pagesë shkollimi, pagesë mujore 130 euro në muaj për studentë të niveleve Bachelor e Master dhe 445 euro në muaj për studimet e nivelit doktoral. Sa i përket akomodimit u sigurohet konvikt ose një kontribut mujor prej 100 eurosh”.

Kjo shumë pritet të rritet për vitin akademik 2017-2018 me 125 euro ndaj kostove të akomodimit dhe sigurimit mjekësor.

Në rastin e programit Erasmus +, këtë vit akademik studentëve shqiptarë që do të studiojnë në Hungari iu sigurohet një bursë mujore prej 750 eurosh në muaj dhe një kontribut për kostot e udhëtimit, që variojnë sipas largësisë, 275 euro për 50-1999 kilometra.


Nis shkolla dimërore e UET “Unë Lider”

$
0
0

Tashmë e kthyer në  traditë nis shkolla dimërore “Unë Lider” e organizuar nga UET dhe World Vizion., Ashtu si edhe vitet e tjera ky organizim 4 ditor bëhet me nxënës maturantë nga i gjithë vendi, por edhe nga trojet shqiptare jashtë kufijve.

Tema “Unë lideri”, është kryefjala e kësaj shkolle, synimi i së cilës është të zhvillojë dhe të promovojë liderët e së ardhmes, duke nxitur mendimin kritik te secili prej pjesëmarrësve, me anë të punës në grupe dhe leksioneve nga pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës dhe figurave të tjera të shquara publike.

Programi 4 ditor i shkollës dimërore nuk janë vetëm leksionet nga pedagogët, por nxënësit të ndarë në grupe, do të punojnë mbi projekte të ndryshme me në fokus liderin.

Mentorët e grupeve janë studentë aktualë të UET. “Këtë praktikë ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme, pasi vlerësojmë edukimin bashkëmoshatar, si një metodë shumë interesante dhe frytdhënëse në të njëjtën kohë” u shpredh Dekania e studentëve të UET.

Harvard mbledh mbi 1 miliard dollarë donacione në 2016-n

$
0
0

Kur në universitetet shqiptare mungon tërësisht kultura e donacioneve, në botë ato janë financueset më të mëdha të tyre. Statistikat e publikuara nga universitetet më të njohura në botë tregojnë se si donacionet në shifra miliarda dollarëshe bëhen mbështetësit më të fortë të kërkimit shkencor, bursave për studentët e punësimin e tyre.

Në 2016, dhurimet për universitetet arritën një rekord prej 41 miliardë dollarësh. Këto dhurime përfshinin prona, pjesë arti dhe aksione. Sipas anketës së Këshillit për Ndihmë në Arsim në lidhje me Mbështetjen Vullnetare, mbledhja e fondeve pati një rritje me 1.7 % në 2016, një rritje relativisht e ulët krahasuar me vitet e kaluara. Në fakt, kur inflacioni merret në llogaritje, kjo rritje është praktikisht e eliminuar.

Universiteti i Harvardit ishte i pari në listën e mbledhjes së fondeve, duke sjellë 1.19 miliardë dollarë. Stanford ishte i dyti me 951 milionë dollarë, ndërsa Universiteti i Kalifornisë Jugore i treti, me 666.64 milionë dollarë. Më pak se 1% e universiteteve të SHBA-së sollën 27.1% të të gjitha dhurimeve vitin e shkuar. Korporatat dhe fondacionet ishin kontribuuesit më të mëdhenj më 46.5% të të gjitha dhurimeve.

Ky grafik tregon top-listën e universiteteve në SHBA për dhurime në vitin fiskal 2016.

 

Shkolla Dimërore UET- Nxitja e maturantëve drejt lidershipit

$
0
0

U mbajt në Durrës këtë fundjavë Shkolla Dimërore UET me temë “Unë lider”, ku marrin pjesë dhjetëra maturantë nga shkolla të ndryshme të vendit. Të rinjtë patën mundësinë që në tre ditët e kësaj shkolle të angazhoheshin në projekte të ndryshme lidhur me lidershipin te të rinjtë, ku shfaqën aftësitë e tyre si lider në komunitet. Lektorë të njohur të sociologjisë dhe shkencave politike dhe njerëz publikë mbajtën leksione gjatë Shkollës Dimërore. Anisa Subashi, Dekane e Studentëve në UET, tregon për risitë e këtij viti dhe organizimin e këtij aktiviteti, i cili është kthyer në një traditë nga Universiteti Europian i Tiranës.

Shkolla Dimërore UET është kthyer tashmë në traditë, çfarë risie sjell këtë vit?

Është synim i UET që çdo vit në shkollën dimërore, pavarësisht se tema është po e njëjta, të vijë ndryshe dhe në përshtatje me ndryshimet e vrullshme të brezave me kalimin e viteve, ajo çfarë kemi mësuar dhe mundohemi ta praktikojmë dhe çdo ditë gjatë punës tonë, është respektimi dhe nxitja e individualitetit të çdo maturanti. Në vijim të kësaj jemi munduar të sjellim mënyra pak më interaktive dhe pse jo t’i japim zë mendimit ndryshe dhe në qendër të shkollës të jenë vetë pjesëmarrësit duke bërë që lektorët të jenë orientues dhe nxitës, dhe jo thjesht në rolin klasik të lektorit apo pedagogut. Për këtë është lënë më shumë hapësirë në agjendë për të punuar në grup dhe hartimin e një projekt-ideje nga ana e maturantëve dhe prezantimi i tij në mënyrë sa më tërheqëse. Në fund për projektin më të mirë kemi dhe shpalljen e çmimit të parë.

Si janë përzgjedhur maturantët që marrin pjesë?

Si çdo vit aplikimet për shkollën dimërore 2017 janë shpërndarë nëpërmjet Drejtorive Rajonale Arsimore në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, duke iu dhënë kështu mundësi çdo maturanti të aplikojë. Edhe këtë vit numri i aplikimeve ka qenë mjaft i konsiderueshëm krahasuar me numrin e pjesëmarrësve të cilët duhet të përzgjidheshin. Për këtë fakt edhe selektimi ka qenë i vështirë. Nga ana e stafit i është dhënë prioritet fillimisht aplikimit të maturantëve, mënyrës së tyre të të shprehurit, ideve të propozuara, CV dhe angazhimeve të mëparshme të tyre në projekte që promovojnë lidershipin. Por një rëndësi të veçantë këtë vit i është kushtuar përfaqësimit gjeografik apo shpërndarjes gjeografike të maturantëve, duke përzgjedhur nga një përfaqësues nga çdo zone rurale apo qytet, të çdo rrethi, sigurisht me një balancë gjinore.

Cilët janë lektorët kryesorë dhe ku fokusohet trajnimi?

Edhe këtë vit axhenda e trajnimit është hartuar duke u munduar të sjellim dhe të ndërthurim tematikën e shkollës me një përqasje sa më praktike dhe gjithëpërfshirëse për pjesëmarrësit. Për hapjen e seksionit hyrës të trajnimit jo pa qëllim u mendua prof. Tonin Gjuraj, Rektor i UET, i cili jo vetëm është një prej akademikëve më me eksperiencë në Shqipëri, por është dhe pjesë e imazhit të UET dhe siç shprehen studentët, i kudogjendur midis tyre. Prof. Gjuraj ndër të tjera ndau dhe diskutoi me maturantët temën e të qenit lider apo menaxher, si dhe mënyrat se si të punojmë sa më lehtë me të tjerët. Në vijim e ftuara e radhës ishte Ketrina Çabiri, Drejtore e Qendrës së Projekteve në UET, e cila u shpjegoi me terma praktikë dhe të matshëm maturantëve si të shkruajnë një projekt-ide konkrete. Trajnimi do të vijojë të përfshije ide dhe koncepte mbi Komunikimin Politik midis mediave nga prof. Irena Myzeqari, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në UET, për të vijuar me tema si negocimi dhe si të lobojmë nga prof. Tomi Treska, përgjegjës i Departamentit të Shkencave të Edukimit UET, për të vazhduar me dy të ftuarat e nderit, znj. Nevila Jahaj nga Qendra Rinore Fier, e cila do të ndajë me maturantët eksperiencën e saj shumëvjeçare me projekte konkrete rinore, si dhe shkrimtarja znj. Vera Bekteshi, e cila do të diskutojë dhe ndajë ide me maturantët mbi Lideret Femra.

Serxhio Shpata: Jam i interesuar në edukimin joformal 

Pse morët pjesë në shkollën dimërore UET? Ku jeni njohur me UET?

Shkollën dimërore të UET e shikoj si një mundësi më shumë, të cilën nuk do doja ta humbisja asnjëherë. Menjëherë sapo m’u dha rasti aplikova e më pas u zgjodha. Ajo çka më shtyu për t’u bërë pjesë e kësaj shkolle dimërore është nxitja nga shokët e mi që kishin qenë pjesëmarrës vitet e kaluara, por gjithashtu edhe kërkimi për njohje të reja, eksperienca të reja dhe dëshira për të mësuar më shumë kryesisht për lidershipin, për të cilin edhe po trajnohemi pasi unë besoj se pavarësisht se dikush mund të lindi me disa aftësi, nëse ato nuk i ushqen atëherë ato shuhen prandaj unë dua t’i mbaj të gjalla dhe t’i zhvilloj më shumë. Me UET jam njohur që kur isha në shkollë 9-vjeçare nëpërmjet marketingut që ky universitet përdor në mediat televizive dhe me sa mbaj mend ka qenë i ftuar z. Henri Çili te “Zonë e Lirë”. Ndoshta duke qenë se komunikimi është një armë mjaft e fortë e UET, ai arriti të depërtonte dhe të prezantonte oferta të mira për studimet e larta për të gjithë audiencën e interesuar.

A keni pasur më parë angazhime në lidershipin e të rinjve dhe pse mendoni se është i rëndësishëm angazhimi i të rinjve si liderë?

Personalisht kam filluar të angazhohem nëpër projekte rinore që kur kam qenë 13 vjeç dhe kam qenë shumë i interesuar rreth edukimit joformal. Kam marrë pjesë në shumë trajnime që kanë të bëjnë drejtpërdrejt apo indirekt me lidershipin dhe gjithashtu në 4 shkolla verore që organizon Epoka e Re në Fier, ku në bazë kanë lidershipin dhe të drejtat e njeriut. Mendoj se rinia duke qenë se është pjesa me vitale, më me energji dhe më aktive e shoqërisë, duhet të jetë shumë e angazhuar në aktivitete të tilla dhe të kenë gjithmonë atë dëshirën për të mësuar më shumë apo ambicien për të shkuar sa më lart.

 

Lorena Prifti: Shkolla të tilla na ndihmojnë në zgjerimin e njohurive

Pse morët pjesë në shkollën dimërore UET? Ku jeni njohur me UET?

Mora pjesë në shkollën dimërore sepse duke qenë se jam një person shumë aktiv me pëlqen të marr pjesë në trajnime apo kampe të ndryshme për të bërë miqësi të reja, për të zgjeruar njohuritë e mia si dhe të njoh me mirë se si funksionon UET. Fillimisht UET e kam dëgjuar në televizionin Klan në emisionin e Arjan Çanit dhe gjithashtu nëpër reklamat televizive.

A keni pasur më parë angazhime në lidershipin e të rinjve dhe pse mendoni se është i rëndësishëm angazhimi i të rinjve si liderë?

Kam marrë pjesë në shumë shkolla të ndryshme verore dhe trajnime me tema të ndryshme, ku ndër to janë edhe trajnimi “No Hate”, konkursi i shkollave “i-Club”, si dhe shkolla verore për lidershipin. Mendoj se të rinjtë janë një fryme e re për të ardhmen dhe sa me të kualifikuar dhe aktiv të jenë, aq më e mirë do të jetë e ardhmja që do të ndërtojnë. Të tilla shkolla dhe trajnime i angazhojnë të rinjtë, zgjerojnë bagazhin e tyre të të menduarit dhe rrethin shoqëror.

 

Vivian Begaj: Angazhimi i të rinjve në lidership, i rëndësishëm

Pse morët pjesë në shkollën dimërore UET? Ku jeni njohur me UET?

Ideja e një shkolle dimërore me dukej tepër interesante meqë tematika që do të trajtohej ishte pikërisht lidershipi. Përveç kësaj UET ka qenë gjithmonë pjesë e dëshirave të mia për të ardhmen dhe shkolla dimërore tingëlloi si një mundësi e mirë për t’u bërë ura lidhëse mes meje dhe UET. Doja shumë të njihesha me stafin dhe disa nga profesorët dhe nuk u pendova për zgjedhjen time në asnjë moment.

Universiteti Europian është mjaft i njohur në vendin tonë. Për të diskutohet vazhdimisht në media të ndryshme. Për herë të parë jam përballur me UET falë emisionit “Zonë e lirë” të Arian Çanit. Prezantimi që i bëhej shkollës nga Administratori Henri Çili la mbresa të mëdha tek unë dhe rriti dëshirën për të qene pjesë e një komuniteti si UET.

A keni pasur më parë angazhime në lidershipin e të rinjve dhe pse mendoni se është i rëndësishëm angazhimi i të rinjve si liderë?

Kam qenë pjesëmarrëse në trajnime të tilla edhe më parë dhe kam vënë re se njohuritë e marra në këto trajnime e workshop-e më kanë shërbyer gjatë viteve të shkuara dhe mendova pse jo të jem pjesëmarrëse edhe këtu. Kam qenë pjesë në shkolla të ndryshme verore por gjithmonë janë eksperienca të veçanta, dhe kjo është arsyeja që më nxit të kem eksperienca të tilla. Mendoj se angazhimi i të rinjve në të tilla aktivitete ka tepër rëndësi sepse na jep formim të përgjithshëm dhe background, përvojë, si edhe njohje që ndonjëherë vazhdojnë edhe pas këtyre aktiviteteve.

CleanScore: Nga dora e pedagogut në vlerësim digjital të provimeve

$
0
0

Nisi zbatimin në Universitetin Europian të Tiranës projekti CleanScore, që synon përmirësimin e mësimdhënies dhe transparencën maksimale në vlerësimin e provimeve me anë të “vlerësimit digjital” të tyre

Në korrik të vitit që shkoi nisi zbatimin projekti CleanScore, një projekt ambicioz që synonte përafrimin e standardeve mësimore shqiptare me ato europiane, me synimin që studentët të kishin mundësinë të studiojnë me tekste bashkëkohore dhe notat e provimeve të kalonin nga dora e pedagogut në një korrigjim digjital. Ky projekt i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i zhvillimit dhe i mbështetur nga Ministria e Arsimit ka nisur zbatimin në Universitetin Europian të Tiranës dhe Fakultetin Ekonomik të UT-së, duke dhënë rezultatet e para surprizuese për pedagogët dhe vetë studentët.

Javën që shkoi në disa lëndë të Fakultetit Ekonomik të UET-it u bënë provimet sipas metodave të reja digjitale, ku skanimi i provimeve dhe marrja e përgjigjeve të sakta në mënyrë të shpejtë, krijoi transparencën e kërkuar për studentët dhe shpejtësinë e saktësinë e vlerësimit të tyre.

Por projekti nuk synon vetëm digjitalizimin e korrigjimit të provimeve. Për pedagogët gjithashtu është një ndihmë konkrete në ofrimin e tezave të provimeve që përdoren në universitetet më të mira europiane, si dhe pajisjen me librat me të cilët mësojnë sot studentët europianë.

“Cilësia në mësimdhënie është një nga problematikat më të rëndësishme në Shqipëri, që lidhet së pari, me cilësinë e ulët të moduleve mësimore/teksteve që përdoren për mësimdhënie dhe së dyti, me mungesën e transparencës në vlerësimin e studentëve. Projekti CleanScore i trajton të dyja këto problematika”, –thotë koordinatorja e projektit në UET, Ketrina Çabiri.

Sipas saj, ClearScore është një projekt i veçantë, jo vetëm për shkak të qëllimeve të tij ambicioze, por edhe për natyrën e zhvillimit të tij. ClearScore synon të përdorë një mënyrë të re vlerësimi dhe raportimi për provimet që studentët kryejnë. ClearScore është një qendër vlerësimi digjitale, e integruar dhe adaptuar me sistemin e vlerësimit që përdor Universiteti, që synon jo vetëm transparencë në vlerësimin e studentëve, por edhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies duke zëvendësuar tekstet aktuale me versionet e përditësuara të botimeve ndërkombëtare.

Çfarë është CleanScore dhe si do të zbatohet

Projekti ka për qëllim të implementojë korrigjimin e automatizuar të provimeve, nëpërmjet skanimit dhe vlerësimit nga programi kompjuterik, thotë Sokol Ymeri, menaxher i projektit nga AADF.

“Projekti do të rrisë transparencën në vlerësimin e studentëve, si dhe do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies duke zëvendësuar librat aktualë me versione ndërkombëtare. Projekti i financuar nga AADF do të zgjasë 2.5 vjet, dhe gjatë implementimit do të mundësohet testimi nëpërmjet bankave të pyetjeve elektronike për rreth 15 lëndë në dy universitetet, publike dhe private, përdorimi i teknologjisë CleanScore për vlerësimin e provimit të studentëve, ku të paktën 2,000 studentë do të marrin pjesë në korrigjimin e automatizuar të provimit”– shprehet Ymeri për MAPO.

Ai bën të ditur dhe të dhënat konkrete nga zbatimi i tij.

“Që nga fillimi i projektit janë zhvilluar 10 provime në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ku kanë marrë pjesë rreth 600 studentë, si dhe 2 provime masive në Universitetin Europian të Tiranës ku kanë marrë pjesë 330 studentë. Për komponentin e librave ka filluar puna në bashkëpunim me shtëpinë botuese PEGI për përshtatjen e dy librave të parë “Entrepreneurship” dhe “Personal Finance”, të cilat janë botime origjinale në anglisht nga shtëpia botuese PEARSON” – shpjegon Ymeri.

Po si e kanë pritur vetë pedagogët zbatimin e këtij projekti? Ku ndryshon kjo mënyrë vlerësimi nga mënyra tradicionale e vlerësimit të provimeve që korrigjohen me dorë nga pedagogët e lëndës.

Pedagogët Elvin Meka dhe Drita Kruja e testuan këtë metodë në klasat e tyre gjatë provimeve të semestrit të parë, që u mbajtën javën që shkoi. Ata e shohin këtë si një ndihmesë të madhe në punën e tyre, si rritje të standardeve të teksteve dhe transparencë më të madhe për studentët.

Prof. Meka: Një gur kilometrik në standardet e cilësisë

Prof. asoc. dr. Elvin Meka, Zëvendës/rektor për Procesin Akademik në UET, pasi përfundoi provimin në klasën e tij e cilëson këtë metodë rezultative për studentët dhe një mënyrë për të rritur cilësinë e universitetit.

“Zbatimi për herë të parë në Universitetin Europian të Tiranës i projektit CleanScore për provimet, shënon padyshim vendosjen e një tjetër guri kilometrik në standardet e cilësisë, për të cilat UET ka dhe përqendron vëmendjen kryesore të punës dhe përpjekjes së përditshme.

Projekti u zbatua për herë të parë në lëndën: “Tregjet e Kapitaleve dhe Institucionet Financiare” dhe mund të them se rezultati ishte në përputhje të plotë me pritshmëritë në këtë drejtim. Natyrisht, procesi kishte dhe momentet e tij delikate, duke nisur nga fakti që teksti bazë është tejet elitar (një prej autorëve është nobelist) nga një prej shtëpive botuese më të spikatura për botime të fushës së financës (PEARSON), banka e pyetjeve ishte e gjerë, vëllimi i kapitujve për t’u lexuar ishte relativisht i konsiderueshëm dhe numri i studentëve i madh, që kushtëzonte një përgatitje disi ndryshe, në raport me zhvillimin e provimit sipas modelit të deritanishëm. Për më tepër, duhej të merrej parasysh dhe procesi strikt e rigoroz i dhënies së bankës së pyetjeve të provimit nga shtëpia botuese, proces ky i lehtësuar së tepërmi nga vet AADF”– shprehet Meka për MAPO.

Më tej ai bën disa vlerësime duke sjellë disa arsye pse një projekt i tillë duhet të përdoret për provimet në universitete, si:

  • Sigurimin e një standardi të panegociueshëm cilësie, në drejtim të eliminimit të subjektivizmit në korrigjim, duke siguruar një rezultat të pastër dhe të drejtë siç është dhe vetë emri i projektit “CleanScore”;
  • Nxitjen dhe orientimin e studentëve drejt të lexuarit logjik e jo mekanik e fotografik të literaturës;
  • Përdorimin e një literature bashkëkohore dhe metodologjie profesionale e të mirëstudiuar të ndërtimit të pyetjeve, që ndihmon në krijimin e dijeve të qëndrueshme e studentët;
  • Efikasitet dhe shpejtësi në korrigjimin dhe publikimin e rezultateve të provimeve;
  • Transparencë dhe korrektësi të plotë ndaj studentëve,
  • Përpunimin statistikor të të dhënave historike, për qëllime studimore dhe përmirësim të programeve të lëndëve etj.

“Në të ardhmen do të shpresoja që, gjithnjë e më shumë lëndë në UET të mund të bëhen pjesë e këtij projekti, që rrit prekshëm cilësinë dhe transparencën në të gjithë procesin akademik, duke kontribuar në diplomimin e më shumë studentëve cilësorë, të përgatitur me literaturë bashkëkohore dhe të testuar sipas modeleve të mirënjohura perëndimore (kryesisht ato amerikane)” – thekson Meka.

Prof. Kruja: CleanScore shmang problemet në korrigjim

Prof. dr. Drita Kruja, pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Europian të Tiranës gjithashtu e përshtati metodën CleanScore në lëndën e saj “Metoda kërkimi të Avancuara” në ciklin e dytë të studimeve, Master Shkencor Informatikë Ekonomike, Menaxhim Biznesi dhe Financë-Bankë. Kruja vlerëson këtë projekt për besueshmërinë dhe ndihmën që i jep pedagogut në burimet online të shtëpive më prestigjioze botuese në këtë fushë.

“Projekti CleanScore u mirëprit që në fazën e parë si nga unë, ashtu dhe nga studentët. Një ndihmesë e veçantë ishte mundësia e aksesimit të burimeve online për pedagogun nga shtëpia botuese Wiley, si dhe burimet online për studentët të ofruara nga Pearson.

Realizimi i provimit dhe korrigjimi brenda dy orëve për 200 studentë ishte një ndër arritjet kryesore të këtij projekti, duke lehtësuar punën tonë dhe shmangur çdo lloj problematike.

Me rëndësi është të theksoj që raportet finale të ofruara më ndihmuan në analizën e nivelit të vështirësisë së pyetjeve, të përqindjes së përgjigjeve të duhura për totalin e studentëve dhe për çdo student në veçanti” – u shpreh Kruja për MAPO.

 

 

Ku konsiston projekti CleanScore:

  • Formalizimi i procedurës së zëvendësimit të teksteve shkollore nga fakultetet përkatëse.
  • Rritja e cilësisë së materialeve mësimore duke konverguar tekstet shkollore të përdorura në universitetet shqiptare me ato të përdorura në universitetet perëndimore të rankuara në 50 më të mirat në rankimet globale sipas degëve të interesit.
  • Rritje e integritetit dhe transparencës në procesin e vlerësimit të studentit në Arsimin e Lartë.
  • Rritje e produktivitetit të kohës së disponueshme të pedagogëve për qëllime kërkimore, duke ulur kohën e nevojshme për korrigjim dhe raportim notash në provime.
  • Rritja graduale e fondeve të disponueshme në nivel fakulteti për qëllim konvergjence të materialeve mësimore në institucionet ndërkombëtare, si dhe për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e funksionit të qendrës digjitale të testimit në shumë lëndë.
  • Implementim i sistemeve elektronike të raportimit të notës dhe i sistemeve të analizës së performancës së studentit në kohë.
  • Rritja e kapaciteteve administrative në nivel fakulteti, për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që ofrojnë materialet e reja mësimore dhe teknologjia e testimit digjital.

“Rethink Everything”: Si e zgjedh maturanti universitetin?!

$
0
0

UET organizoi këtë fundjavë një trajnim për komunikimin dhe fokus grupe me maturantë nga gjithë Shqipëria

Maturantët janë në momentin ku duhet të vendosin për universitetin dhe degën që duan të studiojnë.  Duke marrë parasysh këtë fakt Universiteti Europian i Tiranës organizoi dje një trajnim me temën “Rithink Everything” ku morën pjesë pedagogë të UET, drejtues të zyrës së komunikimit pranë Universitetit Europian të Tiranës, kryeredaktorja e Tirana Post, Mira Kazhani, drejtuesja e programit “Në Shtëpinë tonë” në Top Channel, Anjeza Maja, si dhe specialistë të tjerë të komunikimit si Julian Zyla, etj..

Për të kuptuar më mirë se cilat janë problemet, arsyet apo edhe elementët që e bëjnë një maturant për të zgjedhur universitetin e duhur dhe degën që u përshtatet më shumë, UET i bashkangjiti këtij trajnimi edhe organizimin e fokus grupeve, ku ishin pjesë rreth 50 gjimnazistë nga të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, të cilët ishin akomoduar në Durrës gjatë Shkollës Dimërore të organizuar nga UET.

Disa nga elementët e veçantë që e bën një maturant të zgjedhë një universitet janë; akreditimi, programet e “Erasmus +”, metodat e reja të mësimdhënies, pedagogët, etj.. Gjithashtu gjatë fokus grupeve u vu re dhe një shqetësim mbi mënyrën e informacionit që maturantë duhet të marrin për përzgjedhjen e universitetve, ku u theksua fakti se më shumë e nevojshme është komunikimi direkt, qoftë pranë gjimnazeve, por edhe në universitetet ku ata dëshirojnë të kryejnë studimet e tyre.

Malaj: Shqipëria e Greqia bien dakord: Kontroll 335 teksteve shkollore

$
0
0

Plot 335 tekste shkollore të historisë dhe gjeografisë do të kontrollohen mes institucioneve arsimore të palës shqiptare dhe asaj greke si rrjedhim i marrëveshjes dypalëshe  mes shteteve.

Dakordësia është arritur mes dy grupeve të punës në nivel ekspertësh ku pala shqiptare kryesohej nga Zv/ministrja Nora Malaj, e cila sqaron për Ora News edhe mënyrën sesi do të funksionojë procesi I kontrollit të teksteve.

Malaj: Qeveria shqiptare mori rreth 336 tekste nga pala greke. Të njëjtën sasi i kemi çuar dhe ne palës greke, që do të thotë se të gjithë kurrikulën që ne realizojmë sot dhe tekstet që operohen sot në sistemin e arsimit, pala greke i ka në vlerësimin e saj.

Malaj tha se për herë të pare pas 10 vitesh që janë ngritur 2 komisionet kjo është hera e parë që arrihet një dakordësi për tekstet e punuara.

Malaj: Një vlerësim i tyre ishte jo vetëm që gjuha ishte shumë e pastër dhe shumë e kujdesshme e shkruar në tekste, por edhe me një profesionalizëm intelektual që tregon se neve me të vërtetë jemi tashmë jemi në fazën që mund të konkurrojmë me tekstet tona.

Në raportin e konkluzioneve veç të tjerash theksohet:

Të dy palët u dakordësuan se pala helene do të nisë konkluzionet e saj dhe propozimet bazuar në tekstet shqiptare të kurrikulave për gjeografinë dhe historinë jo më vonë se prilli i 2017 që të merren parasysh nga pala shqiptare para miratimit të teksteve për vitin e ri shkollor.

Takimi në nivel ekspertësh është mbajtur në datat 21 dhe 22 shkurt ndërsa është lënë afati që takimi i radhës pas kontrollit të testeve të mbahet në muajin maj.

Të rinjtë, një potencial i shpërdorur

$
0
0

“Janë 1,8 miliardë të rinj në botë, që përbëjnë çerekun e popullsisë totale”The Economist

Millenialët (të rinjtë e mijëvjeçarit) përbëjnë një potencial të madh, por të çuar dëm. Ka shumë faktorë që i paralizojnë këta të rinj për të qenë pjesë e dinamikave të tregut të punës. Variojnë nga arsimimi, rimëkëmbja e ngadaltë pas krizës globale, burokracitë shtetërore dhe mungesa e politikave frymëzuese. Dhe nëse mendoni se kjo situatë ndodh vetëm në vendet e varfra apo ato në zhvillim si Shqipëria, gaboheni. Në Francë, shkalla e papunësisë së të rinjve është 25% dhe ka qenë shumë e lartë përgjatë tri dekadave të fundit.

Situata sipas The Economist

Nuk është vetëm Franca që ka këto probleme. Në eurozonë, Greqia, Spanja dhe Italia kanë rregulla të tillë që i shkurajojnë ata që mendojnë jashtë kornizave. Papunësia në këto vende është respektivisht 48%, 48% dhe 40%. Në rajonin tonë, shkalla e papunësisë për të rinjtë 15-24 vjeç është 55.3 % në Greqi, Kroaci 42.1% dhe Kosovë 55.3%. Gjithashtu, vendet në zhvillim kanë tregje shumë të ngurta pune. Në Afrikën e Jugut miksohen politikat proteksioniste të stilit Europian me seleksionimin racor, kurse në Brazil punëdhënësit për aq sa paguajnë punonjësin, paguajnë edhe taksa apo benefite të tjera. Firmat janë të detyruara të përkrahin punën e zezë, sidomos nëse punonjësit janë të pakualifikuar, për sa kohë ata mund të mësojnë aftësitë e duhura në një periudhë të shkurtër kohe. 16% e të rinjve brazilianë dhe 63% e atyre afrikano-jugorë janë të papunë. Mesatarisht, në nivel global, papunësia e të rinjve është 13% (nga 4,5% që është te të rriturit). Millenialët janë më të preferueshëm për të punuar në punë sezonale, të pasiguruara apo të paguara keq.

Papunësia ka rëndësi për disa arsye: Së pari, është fatkeqësi për të prekurit. Së dyti, është një vrasje e mirëfilltë e potencialit njerëzor. Koha e shpenzuar duke dërguar CV apo duke qëndruar i shkurajuar në kolltuk, nuk është e njëjtë me kohën që shpenzohet duke rregulluar një pajisje, duke shtruar kabllo apo duke ndërtuar një biznes. Së treti, është financiarisht rrënuese. Nëse të rinjtë nuk mund të hedhin hapin e parë në karrierë, as nuk mund të mendohet se si ata do të përballojnë më pas numrin e zmadhuar të pensioneve. Së katërti, papunësia mund të kthehet në diçka kronike. Sa më shumë të qëndrohet jashtë tregut të punës, aq më shumë zbehen aftësitë dhe vetëbesimi.

Ky efekt “tmerrues” është akoma më i keq kur jeni të ri, sepse në këtë kohë zhvillohen dhe integrohen aftësitë tuaja të punës. Një studim tjetër nga University of Bristol, arriti në përfundimin se personat që kanë qenë të papunë në rininë e tyre, arkëtojnë 13% deri në 21% më pak të ardhura në moshën 42-vjeçare. Ndërsa, profesorët nga Dartmouth College dhe University of Stirling kanë provuar se njerëzit që kanë qenë të papunë në të njëzetat, janë më pak të lumtur në moshën 50-vjeçare.

“Përgjatë dekadës pasardhëse, mbi 1 miliard të rinj do të hyjnë në tregun global të punës, por vetëm 40% e tyre do të punojnë në profesione ekzistuese” – Banka Botërore.

“10 vitet e para janë thelbësore. Ato mprehin karrierën për në afatgjatë”, argumenton Stefano Scarpetta nga OECD. Kjo është periudha kur njerëzit zhvillojnë aftësitë esenciale që nuk mund t’i fitojnë në shkollë, si për shembull korrektësia, puna në ekip dhe ndërgjegjësimi. Rreth 90% e punëve të reja në dekadën e ardhshme do të krijohen nga sektori privat. Gjëja më pozitive e vendeve të reja të punës është rritja ekonomike, kështu që politikat të cilat promovojnë rritjen janë veçanërisht të mira për të rinjtë. Heqja e barrierave rregullatore mund të jetë një tjetër gjenerues pune. Zoti Scarpetta nga OECD thotë se përpjekje të tilla po bëhen në Spanjë, Itali dhe Portugali me qëllim kthimin e tregut të punës në fleksibël, por thekson se këto ligje duhet të jenë edhe më të thjeshta për t’u kuptuar. Për shembull, do të ishte më mirë të eliminoheshin dallimet mes kontratave provizore dhe atyre të përhershme. Danimarka është shembulli më i mirë që tregon se si një vend mund të ketë politika fleksible dhe në të njëjtën kohë t’u japë punonjësve ndjesinë e sigurisë.

Të rinjtë e kanë më të vështirë që të krijojnë një kapital, pasi i mungon historiku financiar dhe nuk kanë kolateral. Ata gjithashtu dinë me pak për industrinë ku po kërkojnë të futen dhe kanë më pak kontakte se sa punonjësit më të vjetër.

Çfarë ndodh në Shqipëri – pagat e ulëta dhe dëshpërimi

Problemi i papunësisë së të rinjve në Shqipëri është një problem kyç për vetë faktin se edhe niveli i përgjithshëm i papunësisë është i lartë. Megjithëse shifrat e organeve kompetente si INSTAT e japin papunësinë në nivelet e 15,2%, kjo shifër mund të debatohet për shkaqet e informalitetit të lartë të tregut, vetëpunësimit në bujqësi apo problemet me anketat e forcës së punës. Gjithsesi, referuar sërish INSTAT, papunësia për grupmoshën 15-29 vjeç është në shifrat e 27,4%.

Ndër arsyet e të rinjve të kësaj grupmoshe për të mos punuar, shkak kryesor është shkollimi, por edhe shkaqe të tjera, si mentaliteti i prindërve për të mos i përfshirë në punë pa mbaruar arsimin e lartë, kontributi në punët e shtëpisë (veçanërisht për femrat), por edhe mungesa e besimit se mund të gjejnë punë të mirëpaguara në sektorët ku kanë studiuar. Nga të rinjtë e punësuar, vihet re se peshën kryesore e zë bujqësia me 44,1% në rang vendi, ndërsa e ndjekin tregtia (20,7%), shërbimet (15,9%) apo ndërtimi (8,4%). Fragmentarizimi i tokës dhe mungesa e shumë fermave apo agrobizneseve të mëdha me kapacitete të larta punësimi, të bën të mendosh që një numër i lartë i këtyre të punësuarve në bujqësi janë të vetëpunësuar.

Përtej statistikave, problem thelbësor në Shqipëri është mospërputhja e profileve të studimit dhe gjetjes së vendeve të punës. Sektori i Call Center e ka zbutur plagën e papunësisë, pasi janë mbi 25,000 persona, pjesa dërrmuese të rinj, të punësuar në këtë sektor. Por efekti i këtij punësimi është vetëm i përkohshëm pasi nuk ofron mundësi karriere dhe gjithashtu, siç u dëshmua muajin e kaluar, është vulnerabël nga politika të shteteve mëmë të këtyre kompanive (në rastin konkret Italia). Në vitin 2011 në Shqipëri ishin plot 53,9% e të rinjve të diplomuar të papunë.

Gjithashtu puna informale, pra pa kontrata të rregullta pune, mungesë siguracionesh, pa të drejtë pushimesh apo orare të zgjatura të papaguara janë një pengesë e madhe për motivimin dhe kënaqësinë e të rinjve në punë. Në të njëjtën kohë, të gjitha këto janë shkaqe që detyrojnë shumë të rinj të emancipuar për të mos filluar punë në pritje të një alternative më të mirë, por që shpeshherë përfundon në papunësi afatgjatë dhe “nxjerrje jashtë loje” nga tregu i punës.

Nga ana e kompanive, arsyet e pagesave të ulëta të të rinjve apo mospunësimit, lidhet me nivelin e varfër të njohurive teknike apo profesionale. Edhe ato kompani që preferojnë të punësojnë të rinj, aplikojnë një sistem trajnimi vetjak duke mos i besuar shumë diplomës. Kjo nxjerr në pah një tjetër problem madhor që është mospërputhja e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës.

Çfarë mund të bëhet?

Në kushtet kur papunësia e të rinjve është një problem global, nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor në Shqipëri. Megjithatë, trekëndëshit punëkërkues-shtet-universitet i del shumë punë përpara:

Të rinjtë: Duhet të investojnë në degë të cilat kanë një të ardhme në tregun e punës në përputhje me trendet globale. Zhvillimi i programeve, marketingu online apo menaxhimi operacioneve janë ndër punët më të kërkuara. Por kjo nuk do të thotë që të gjithë të shkojnë në këto degë. Balanca mes dhuntive, arsimimit dhe tregut është faktor kyç i suksesit në punë.

Shteti: Formalizimi i tregut të punës, arsimi profesional dhe nxitja nëpërmjet politikave fiskale e kompanive për të punësuar të rinj, mund të rrisin ndjeshëm nivelin e punësimit. Nisma të tilla si ajo e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, USAID dhe Avokaturës së Shtetit për praktikat profesionale është një hap i mirë, por që duhet masivizuar.

Universiteti: Dije e tregtueshme dhe jo sokratike. Ky është përkufizimi i universitetit modern dhe sidomos vende në zhvillim si Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur me kurrikula boshe. Akademikët duhet të zbresin nga katedrat në terren, për të aplikuar dijen që iu siguron të rinjve punësim.

Nga Erjon Uka/ Pikkom


A mundet njeriu që të mishërojë republikën ideale brenda tij?!

$
0
0

Në klubin e filozofisë “Russell”, që u mbajt në UET të enjten e kaluar u trajtua tema “Platoni- Republika”, me referues Olgert Hoxha

Studentë dhe pedagogë nxitën debatin, bashkëbiseduan për dilemat rreth “Republikës” së Platonit. Në klubin e filozofisë “Russell” në UET referoi Olgert Hoxha dhe u ngritën shumë pikëpyetje që kërkojnë një përgjigje… por a ekziston zgjidhja për çdo gjë që ne soditim apo ndoshta kemi një mungesë të koncepteve të ideve?

Si pjesë hyrëse, para se të kalohej në temën e takimit do të ishte e rëndësishme shqyrtimi i lindjes së filozofisë, tragjedisë dhe polisit. Si i qaset filozofia politikës? Po filozofia nuk i mjafton vetvetes? Dy pyetje që morën vëmendjen nga të pranishmit, sigurisht të rëndësishme për të trajtuar Republikën dhe lidhjen e Platonit me Republikën.

Filozofët parasokratikë janë marrë me çështjen e physis ( natyrës), ku physis është i pavdekshëm dhe ciklik. Por njëkohësisht çdo gjë në natyrë vdes, ndryshon, shndërrohet. Natyra që këtej u përkufizua si subjekt i kohësisë. Gjatë ligjëratës referuesi transmeton te të pranishmit se: Platoni ishte në kërkim të një sistemi ideal dhe këtë sipas tij e ofronte Republika. Por si është e mundur që njeriu më i mençur dhe më i denjë i Athinës u vra nga ligjet e Athinës? Një nga pyetjet e “Republikës” është: Çfarë është drejtësia? Sipas Sokratit “Drejtësia është e mira e të fortit”, ndërsa për Polemarkun “Drejtësi ka kur iu bëhet mirë miqve dhe keq armiqve”.

Nëpërmjet politikës, Platoni realizon një vendosje të drejtësisë ndaj një akti të padrejtë. Ndaj dënimit të njeriut me të drejtë të qytetit nga ligjet e padrejta të qytetit. Republika na shpjegon se politika, pa filozofinë është sterile në vetvete, – “T’i japim secilit atë që meriton, sipas natyrës dhe veprave”. Disa nga të pranishmit, pohuan se i mundonte çështja e drejtësisë, se që nga periudha e adoleshencës iu kishin lindur pyetje të cilat nuk kishin marrë një përgjigje. “Përse ka fate kaq të pabarabarta ndërmjet njerëzve dhe nuk i jepet gjithkujt ajo çfarë meriton?

“Teoria e drejtësisë si teori politike kthehet në teori të virtyteve. Republika prodhon tension të të menduarit. Sipas Platonit dija filozofike është i vetmi realitet legjitimues ndaj politikës. Filozofia e ka neutralizuar politikën si kusht mendueshmërie. A është politika e mirë? Po e mira çfarë është ? – E mira është e vërtetë. Kur njihet e mira, atëherë rrjedhimisht njihet e vërteta. Ideja pra është njëherë edhe qenie edhe vlerë. Idetë janë qenie objektive në vetvete, përtej aparencës. Për më tepër Platoni na thotë se janë i vetmi realitet i vërtetë. Duke u mbështetur te raporti Filozofi- Politikë, sqarimi i termave dhe shembujve konkretë, të pranishmit arritën se me çfarë dëshironte të merrej Platoni, ekzaktësisht Platoni nuk merret me dualizmin mes botëve, një botë qiellore arketipike dhe një bote materiale të ulët, por ai flet për një dualizëm brenda vetë kësaj bote. Gjithashtu pjesë nga libri “Republika” solli referuesi për dëgjuesit.

Si mbyllje për ligjëratën nuk jepet një konkluzion, gjithmonë filozofia nuk të servir në pjatë 1001 Pse- të që mbeten në mendje për qenien njerëzore. Po i lëmë pak hapësirë dhe lexuesve si synim arritjen e dhënies së disa përgjigjeve për vetëm një temë siç është republika- “një filozof mbret, a mundet t’i bëjë ballë tensionit të pushtetit, për të qenë një mbret filozof?”.

Erlinda Kasaj/ Studente në Marrëdhënie me Publikun-Komunikim, UET

Si e dëmton urdhri i Trump Arsimin e Lartë në SHBA

$
0
0

Irani, Turqia dhe Arabia Saudite ishin ndër 15 vendet e origjinës me numër më të lartë të studentëve ndërkombëtarë në 2015-2016, sipas Institutit Ndërkombëtar të Arsimit

Ndikimi potencial i ndalimit të kohëve të fundit për të hyrë në Shtetet e Bashkuara qytetarët e shtatë vendeve islame, të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të jetë i rëndë për regjistrimin ndërkombëtar në shumë institucione amerikane të arsimit të lartë. Do të ulet në mënyrë drastike numri i studentëve ndërkombëtarë, jo vetëm nga shtatë vendet e ndaluara, por edhe nga shtete të tjera me shumicë popullsie islame, të tilla si Arabia Saudite dhe Turqia.

Irani, Turqia dhe Arabia Saudite ishin ndër 15 vendet e origjinës me numër më të lartë të studentëve ndërkombëtarë në 2015-2016, sipas Institutit Ndërkombëtar të Arsimit. Efekti domino i këtij ndalimi do të rezultojë në një rënie drastike të regjistrimit ndërkombëtar të studentëve nga vendet me shumicë islame.

Programet intensive të mësimit të anglishtes dhe programet universitare kanë të ngjarë të vuajnë nga rënia e regjistrimit në studentë nga Arabia Saudite, një treg kryesor për Arsimin e Lartë në SHBA. Kishte pasur edhe paraprakisht shenja të një rënieje në regjistrime për shkak të prerjes së fondeve në programet e bursave të qeverisë saudite.

Ndalimi do të prekë veçanërisht shkollat me programe pasuniversitare. Kjo është për shkak të faktit se shumica e studentëve nga të shtatë vendet e ndaluara – Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni – ishin kryesisht të regjistruar në programet pasuniversitare. Për shembull, 70% e studentëve iranianë ishin regjistruar në programet e nivelit të doktoraturës (8,603 prej 12.427) në vitin 2016, sipas të dhënave nga Programi i Shkëmbimit Studentor.

Trajnim Praktik i Mundësuar

Një nga projekt-urdhrat ekzekutivë të publikuar në agjencinë e lajmeve Vox, fokusohet në kufizimin e emigracionit të ligjshëm. Ajo titullohet “Mbrojtja e Punëve Amerikane dhe Punëtorëve duke Fuqizuar Integritetin e Programeve Visa për Punëtorin e huaj”.

Dispozitat e saj në Trajnim Praktik i Mundësuar thekson: “(vii) propozimi për njoftimin dhe komentimi rreth një rregulloreje që do të reformonte programet praktike të trajnimit për studentët e huaj për të parandaluar pengues të studentëve amerikanë në fuqinë punëtore, për të mbrojtur më mirë SHBA dhe punëtorët e huaj të prekur nga programet e tilla, për të rivendosur integritetin e Programeve për viza studentore, sigurohet përputhshmëria dhe Përmirësimi i monitorimit të studentëve të huaj”.

Vox raporton se ky ligj mund të “… përmbysë afatet e kohëzgjatjes së vizave të punës dhe Trajnimit Praktik të Mundësuar nga (Barack) Obama”.

TPM ose Trajnimi Praktik i Mundësuar është një program shumë tërheqës për studentët ndërkombëtarë – numri i studentëve të TPM nga shtatë vendet e ndaluara u rrit nga 664 në periudhën 2014-2015 dhe 2015-2016 arriti në 1.940.

TPM ndihmon nxënësit të fitojnë përvojë pune, pasurimin e mësimit praktik dhe për të rimarrë një pjesë të investimeve të tyre në arsim. Punëdhënësit fitojnë nga ardhja e talenteve globale dhe eksplorimin e aftësive e tyre para se të vendosin për sponsorizimin e një vize për punësim.

Kohëzgjatja standarde e TPM është një vit. Më 8 prill 2008, Departamenti i Sigurisë Kombëtare miratoi një zgjatje 17-mujore të periudhës së TPM për studentët që diplomohen me një diplomë në degë të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, fushave të matematikës. Një rregull i ri u vu në fuqi nga 10 maj 2016 për të zgjatur 17 muaj deri në 24 muaj për të diplomuarit në këto fusha.

Zgjerimi i TPM është veçanërisht tërheqës për studentët indianë, të cilët janë të përqendruar në programet Master në inxhinieri dhe shkenca kompjuterike. Të dhënat nga Programi i Shkëmbimit Studentor tregojnë se në vitin 2016, 83% e studentëve indianë, 43% e studentëve të Arabisë Saudite, 78% e studentëve iranianë dhe 40% e studentëve kinezë ishin regjistruar në një nga fushat e sipërpërmendura.

Këtu janë disa nga trendet në lidhje me TPM gjatë tetë viteve 2007-2008 dhe 2015-2016. Viti akademik 2007-2008 është përzgjedhur për të krahasuar tendencat e regjistrimin paraprak për miratimin e zgjatjes 17-mujore të TPM:

  • Në 2015-2016, ka pasur 90,732 më shumë studentë ndërkombëtarë në TPM se në 2007-2008;
  • Në tetë vite, norma e rritjes së numrit të studentëve në TPM ishte më e lartë se norma e rritjes për regjistrim të përgjithshëm;
  • Çdo dy nga tre studentë ndërkombëtarë në TPM është nga Kina apo India (2015-2016);
  • Një në gjashtë studentë kinezë në SHBA është në TPM (2015-2016);
  • Një në katër studentë indianë në SHBA është në TPM (2015-2016).

Me vetëm 20,000 viza H1-B të shpërndara për studentët ndërkombëtarë të diplomuar me nivele të avancuara nga SHBA, shumica e studentëve ndërkombëtarë detyrohen të kthehen në shtëpi në vendet e tyre eventualisht. TPM siguron një mundësi të rëndësishme përvoje për të plotësuar programin mësimor akademik me aftësi praktike.

TPM është një nga diferencuesit kryesor në një peizazh gjithnjë e më konkurrues për të tërhequr studentët ndërkombëtarë nga e gjithë bota. Studentët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 32.8 miliardë dollarë për ekonominë amerikane, sipas NAFSA, në 2015-2016. Çdo politikë që destabilizon perspektivat e fitimit të përvojës së punës do të dëmtojë në mënyrë të pashmangshme ekonominë dhe institucionet amerikane të arsimit të lartë.

Nëse Urdhri Ekzekutiv në kufizimin e emigracionit të ligjshëm dhe mosaplikimi i zgjerimit të periudhës së TPM do të hyjë në fuqi, ai do të rezultojë në shumë studentë ndërkombëtarë që do të zgjedhin të mos e shohin SHBA si një destinacion të preferuar. Ndërsa rekrutimi i studentëve ndërkombëtarë lëviz në një fazë kompeticioni marramendës, institucionet amerikane të arsimit të lartë nuk e kanë luksin e humbjes së TPM, i cili është një nga elementet më tërheqëse për studentët ndërkombëtarë që kanë si qëllim të studiojnë në SHBA.

Po u vëmë barrierë talenteve

Google shprehu shqetësim për këtë urdhër ekzekutiv duke thënë se masa të tilla mund të bllokojnë hyrjen e talenteve në SHBA. Trump tha se ky urdhër do të mbajë larg Amerikës islamikët radikalë. I ashpër ishte qëndrimi i shefit ekzekutiv Sundar Pichai, i cili tha se më se 100 anëtarë të stafit preken nga kjo masë. “Është e dhimbshme të shohësh koston e lartë të këtij urdhri ekzekutiv ndaj kolegëve tanë”, -tha Pichai, raportoi Bloomberg.

Urdhri u nënshkrua nga presidenti amerikan ditën e premte, duke ndaluar hyrjen në SHBA për 90 ditë të qytetarëve nga shtatë shtete me shumicë myslimane, si: Siria, Iraku, Irani, Sudani, Jemeni, Somalia dhe Libia.

Menjëherë kanë reaguar edhe grupet e djathta, të cilat thonë se nuk ka asnjë lidhje mes terrorizmit dhe refugjatëve sirianë. Aktualisht ka patur raportime ku janë kthyer pas dhjetëra udhëtarë nga vendet në fjalë. Lugina e Silikonit është shqetësuar më shumë se askush. Shumica e talenteve që punojnë në vend nuk janë shtetas amerikanë. Madje edhe shefi i Facebook Mark Zuckerberg reagoi duke thënë se ishte i shqetësuar për urdhrin ekzekutiv të Trump dhe se ai vetë vinte nga një familje emigrantësh.

Ngjarje e rrallë në një fakultet të Tiranës, studentët në panik

$
0
0

Arsimi në Shqipëri gjithmonë ka pasur nevojë për përmirësime.

Dhe që diçka nuk funksionon, kjo duket shumë qartë.

Rasti më i fundit vjen nga Fakulteti Ekonomik i Tiranës, ku nga 100 nxënës vetëm 1 ka rezultuar kalues.

Rasti denoncohet në faqen e Olti Currit, ku kërkohet që të bëhet një sondazh për të parë nëse e kanë fajin studentët apo profesorët.

Ose kjo lënda Hyrje në Modelim Financiar duhet të jetë shumë e vështirë për tu kuptuar nga shqiptarët.

Meqa qenka kaq e vështirë, më mirë ta heqin këtë lëndë./dritare.net

Fotot e rralla: Rruga e vështirë dhe e bukur e arsimit shqiptar

$
0
0

Këto foto të rralla vijnë pikërisht në Ditën e Mësuesit.

7 Marsi festohet në mbarë vendin, por rruga e arsimit shqiptar ka qenë e bukur dhe e vështirë.

Fotot janë publikuar në Magnum Photos dhe tregojnë se si ishin shkollat shqiptare në komunizëm dhe në fillimet e demokracisë.

Bien në sy sidomos fotot e fëmijëve të izoluar për shkak të Kanunit.

Sot shkollat shqiptare janë shumë më ndryshe.

Megjithatë, edhe pse në vështirësi, sërish shkollat ia kanë dalë të prodhojnë cilësi.

Tiranë/ I dhuruan edhe para, por veprimi i mësueses tregoi fisnikëri

$
0
0

Tashmë është bërë traditë që në festën e 7 Marsit nxënësit të falënderojnë mësueset e tyre me dhurata simbolike. Ndodh shpesh që mësueset në këtë ditë nuk kërkojnë gjë tjetër po lekë në zarf.

Dikush jep 500 lekë, dikush 1 mijë lekë e dikush që i ka mundësitë dhe kërkon ta mbajë mirë jep edhe 2 mijë lekë.

Shumë prindër përveç luleve klasike i nisin fëmijët në shkollë bashkë më një shumë parash sipas mundësive. Megjithatë ka edhe mësues të përkushtuar ndaj profesionit të tyre dhe që e ushtojnë atë me dinjitet.

Një rast i tillë është bërë publik edhe nga “JOQ” nga një nënë që ka fëmijën në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”.

“Përshëndetje JOQ! Sot është 7 Marsi dhe si gjithmonë është bërë traditë që fëmijët të urojnë mësueset me buqeta me lule dhe me zarfe me lekë. Dua të ndaj me të gjithë ju veprimin e mësueses së vajzës sime të shkollës “Fan Noli”.

Mësuesja e nderuar, ditën e sotme i pranoi të gjitha lulet, ndërsa zarfet me lekë i ktheu të gjithë. Duke thënë se ajo bën punën dhe paguhet, nga nxënësit paguhet, nga nxënësit e saj pranon vetëm një lule në shenjë mirënjohjeje.

Më në fund një zonjë e nderuar që e meriton emrin mësuese. Respekt mësuesja e Gjuhës Shqipe te “Fan Noli”./JOQ/

Viewing all 1180 articles
Browse latest View live