Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all 1180 articles
Browse latest View live

Mentorët, studentët mikpritës të Erasmus+

$
0
0

erasmusEksperienca e dy studentëve shqiptarë që ishin pjesë e Programit Erasmus Buddy në shoqërimin e dy studentëve të huaj që kryen një semestër në UET

Nga Eva Drita

Erasmus + është një program i Bashkimit Europian për rininë dhe edukimin që po iu mundëson të rinjve europianë të lëvizin lirshëm nëpërmjet universiteteve të ndryshme. Shumë studentë europianë kanë zgjedhur UET-in si strehën e tyre akademike për të provuar eksperiencën që u jep Erasmus+. Por çdo student të ardhur nga jashtë, sigurisht që i duhet një mentor. I duhet dikush që ta njohë me qytetin, universitetin, kulturën apo dhe jetën e përditshme të shqiptarëve. Ata nuk vijnë vetëm për të studiuar por edhe për të njohur një kulturë të ndryshme nga ajo që kanë. Pas aplikimit në këtë projekt, dy studentët fitues ishin Sergej Shehaj dhe Albin Baftjari. Ata të dy zgjodhën të ndajnë eksperiencën e tyre me Gazetën MAPO, duke rrëfyer më shumë rreth “detyrës” që ata kishin marrë përsipër.

Studentët e UET që pritën miqtë europianë

Sergeji Shehaj është student i UET në vitin e tretë, në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare. Për Sergejin kjo ishte e hera e parë në të cilën ai ishte mentor i studentëve të ardhur nga jashtë. E përshkruan si një eksperiencë shumë të bukur. Sander, është djali të cilin e shoqëron vazhdimisht duke e cilësuar si një djalë me shumë humor. “Ne dalim vazhdimisht dhe unë përpiqem t’i shpjegoj situatën politike të Shqipërisë, ndërsa ai atë të Holandës.” Sander dhe Sergeji studiojnë të dy Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe duket se ky interes i përbashkët i ka ndihmuar ata për t’u përshtatur me njëri-tjetrin që në takimin e parë. I pyetur nëse ishte e vështirë të përshtatej me Sander-in, Sergeji thotë: “Për asnjë nga të dy nuk ishte e vështirë përshtatja, pasi jemi persona shumë socialë”. Sergeji nuk nguroi të shprehte disponibilitetin e tij, për t’u angazhuar sërish në këto programe çdo herë që do t’i jepet mundësia.

Nga ana tjetër, Albin Baftjari student i UET në vitin e dytë, në degën Menaxhim Biznes, ishte gjithashtu pjesë e këtij programi. Ai ishte në rolin e mentorit gjithashtu. E rrëfen si një eksperiencë shumë të bukur dhe goxha të vlefshme për të. Martini ishte djali me të cilin shoqërohej, pasi ai vinte nga Hungaria. “Unë dhe Martini kaluam shumë kohë bashkë. Ai është një student shumë i mirë dhe shpeshherë ne kontribuonim në njohuritë e njëri-tjetrit. Unë në aspektin social dhe ai në atë akademik”. Albini tregon se në gjithë kohën e shpenzuar me Martinin, ai mori një mësim shumë të vlefshëm. Shembulli që më dha ishte: “Nëse mëson, shpërblehesh”. Rolin e mentorit ai e cilëson si një Guide Tour, me ndryshimin se ke të bësh vetëm me një person. “Është bukur, pasi mund të shikosh pjesë të ndryshme të Shqipërisë dhe të jepet mundësia për të munduar stereotipet e krijuara për Shqipërinë në vendet e këtyre studentëve”, tregon Albini. Duket se kjo eksperiencë e parë, do të vazhdojë akoma për të, pasi ai ka aplikuar për të qenë sërish pjesë e këtij projekti .
Si funksionon Programi Erasmus Buddy

Programi Erasmus Buddy është një nga praktikat më të ndjekura nga universitetet perëndimore për të ndihmuar integrimin social të studentëve të huaj. Programi Buddy, ose mentor siç mund të njihet në disa universitete të tjera. Thelbi i programit është asistimi i nevojave imediate të studentëve të huaj në një mjedis të panjohur për ta. Ky program ka rezultuar i suksesshëm jo vetëm për integrimin social të studentëve në Shqipëri, por edhe për orientimin e tyre. Universiteti Europian i Tiranës është ndoshta i pari universitet në vend që po ndërmerr struktura studentore ekzistuese tashmë në shumë vende europiane.

Për herë të parë, programi Buddy në UET u implementua me fillimin e vitit akademik 2016-2017. Studentët e huaj incoming nga universitetet partnere patën mundësinë të kontaktoheshin nga një student i UET. Studentët e parë të programit Erasmus Buddy në UET janë Sergej Shehaj, BA Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Albin Baftjari, BA Menaxhim Biznes.

Gjithashtu, ekziston edhe grupi zyrtar i facebook ku studentët ndërveprojnë së bashku, praktikë shumë e përdorur në universitetet perëndimore për qëndrimet afatshkurta: Incoming & outgoing exchange students at European University of Tirana.


Enterprise, ura mes universitetit dhe shoqërisë

$
0
0

uet-enterprise-foto-e-madhe-brendaTheodorus de Hosson, ekspert holandez me një karrierë të gjatë universitare i bashkohet ekipit të UET Enterprise, si asistent i këtij organizimi, që vjen si një risi për universitetet shqiptare

Universitetet moderne po kërkojnë rrugët se si t’i shërbejnë shoqërisë. Duke ofruar shërbimet akademike dhe burimet njerëzore universitetet e shohin këtë bashkëpunim jo si një opsion, por si një domosdoshmëri. Rruga konkrete për ta realizuar këtë gjë janë enterprise-t, një lloj biznesi pranë universitetit. Duke ndjekur shembujt e universiteteve anglosaksone, në këtë drejtim Universiteti Europian i Tiranës solli një risi në arsimin e lartë shqiptar me krijimin e UET-Enterprise, një organizëm që synonte të lidhte akademinë me biznesin dhe me shoqërinë në përgjithësi, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme dhe projekteve të zhvillimit.

Javën që shkoi stafin e UET-Enterprise e asistoi eksperti holandez Theodorus de Hosson, si rezultat i një projekti të fituar nga UET Enterprise te programi PUM, i cili ofron ekspertë senior të Holandës si asistentë për bizneset vibrante.

Në një intervistë për gazetën MAPO, zoti De Husson, flet mbi përvojën e tij pranë UET Enterprise dhe cilat janë propozimet e tij për funksionimin e zyrës në vijim. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë që ka Enterprise për një universitet. 

foto-coverCila është arsyeja që ju solli në UET?

Universiteti kërkoi një ekspert të huaj në ambasadën Holandeze si pjesë e një projekti ku kishte aplikuar UET Enterprise. Ky projekt ofron njohuri për bizneset e reja. Ata po kërkonin dikë i cili kishte disa njohuri mbi Enterprise në universitete që t’i ndihmonte, për të menduar rreth mundësive që mund të vinin në të ardhmen dhe çfarë po bënin aktualisht.

Mund të më përmblidhni me pak pika opinionin tuaj mbi UET Enterprise?

Kam arritur në disa konkluzione. Fillimisht dua të them se është bërë një punë e shkëlqyer, është e pabesueshme se çfarë është bërë vitin e kaluar. Mendoj se kur shikon se çfarë aktivitetesh janë organizuar, projektet për të cilat kanë aplikuar, mund të dallohen shumë mirë nismat e shkëlqyera që janë ndërmarrë nga Enterprise. Po mendojmë se në të ardhmen mund të bëhet akoma më shumë dhe një nga pikat kryesore janë kurset akademike për të punësuarit dhe të rinjtë të cilët mund t’i ndjekin dhe kjo është një mundësi e mirë për ta.

Çfarë keni bërë deri më tani dhe cilat janë objektivat tuaj për këtë lloj organizate?

Kam patur disa diskutime me drejtoreshën Ornela Çuçi dhe jam në pritje të feedback-ut që do të marr po ashtu dhe nga administratori. Më pas unë do të shkruaj një raport mbi mundësitë që janë aktualisht. Do të jap disa këshilla dhe pas largimit tim, ne do vazhdojmë të mbetemi në kontakt, ose unë mund të vij përsëri për të diskutuar si po shkon i gjithë procesi.

Nga eksperienca juaj në këtë fushë, pse është i nevojshëm Enterprise për një universitet?

Bashkëpunimi me shoqërinë është shumë i rëndësishëm dhe kur ka bashkëpunime të mira kjo është me rëndësi për mësuesit, për studentët, për kompanitë sepse informacioni i ri vjen ndonjëherë nga kompanitë apo dhe nga background-i teorik i universitetit. Prandaj do të ketë një kombinim të mirë të mundësive për profesorët dhe studentët.

Është hera e parë në Shqipëri që kemi nisma të tilla Enterprise. Mendoni se kjo është mënyra e duhur se si duhet të funksionojnë universiteti? A do t’ua sugjeronit këtë dhe universiteteve të tjera shqiptare?

Po, besoj se kjo është mënyra e duhur. Siç mund ta shikoni në të gjithë botën, bashkëpunimi është tepër i rëndësishëm. Mund të shihet lidhja në sektorin e kërkimit shkencor, por është më e mirë për studentët që të punojnë në çështje të vërteta dhe nëpër kompani të ndryshme. Më pas mund të ketë një të ardhme për ta në kompanitë ku shkojnë, pra një mundësi punësimi.

Ne kemi universitete private dhe publike. Mendoni se Enterprise edhe në universitetet publike është i nevojshëm për studentët?

Në vendin tim ne nuk njohim ndonjë ndryshim të universiteteve private apo publike sepse secili që e bën punën mirë, merr para nga qeveria. Mendoj se publiku duhet të bashkëpunojë me kompanitë po ashtu me intershipe për t’i mësuar ata. Është një kombinim i eksperiencave me kompaninë dhe për të filluar një enterprise, mund të mos jetë e nevojshme, por është shumë frytdhënëse për universitetin të ketë një lidhje të tillë.

Si mund të kthehet kërkimi shkencor në kontribut për shoqërinë, apo do mbetemi thjesht në teori?

Unë mendoj se nëse flasim për mënyrën e aplikimit ne duhet të bëjmë research dhe kjo është e rëndësishme edhe për mendjen tonë sepse të gjithë ne duam të dimë si është ndërtuar bota jonë dhe si janë organizuar gjërat. Kërkimi i aplikuar është për fazën praktike, gjërat që na rrethojnë ne çdo ditë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Duke shkuar më tej me të gjitha gjërat që ju përdorni në kuzhinën tuaj apo çfarë përdorni në shtëpi, në shoqëri, lidhjet tuaja apo nëpër spitale. Ky lloj kërkimi i aplikuar është i rëndësishëm sepse ne mund ta bëjmë bashkë me studentët apo kompani të ndryshme. Unë mendoj se në këtë sektor, universiteti privat është më përpara universitetit publik, ajo çfarë ju po bëni është një hap shumë i mirë për të vazhduar përpara.

Cilat janë shërbimet që duhen t’i ofrojë një universitet shoqërisë dhe në çfarë mënyrë mund ta bëjë këtë?

Le të marrim si shembull studentët. Kur ata diplomohen duan të fillojnë një punë dhe si mund t’i ndihmojë Enterprise të gjejnë një punë. Në fillim mund të shkoni për një intership një vit ekstra dhe Enterprise mund ta rregullojë këtë gjë për ju. Ky mund të jetë një nga shërbimet apo kur ka projekte të mëdha nga ana e enterprise dhe kanë nevojë për njerëz që të mbulojnë projektin, studentët mund të vijnë fare mirë në ndihmë, apo dhe mësuesit. Disa nga studentët mund të ndihmojnë dhe në shpërndarjen e lajmit apo të shpërndajnë njohuritë te të tjerët.

 

Kush është Theodorus de Hosson

Eksperti holandez Theodorus de Hosson ka mbajtur pozicionin e drejtorit në Akademinë e Shkencave të Aplikuara të universitetit Utrecht në Holandë. Në universitetin Utrecht detyra e tij primare ishte rekrutimi i studentëve të rinj, përgjegjës për strategjinë e fakultetit, çështjet ndërkombëtare, në marketing, burimet njerëzore, akreditimin dhe kualifikimet shkollore, si dhe ka një prapavijë të fortë në fushën e marketingut, zhvillimin e biznesit dhe menaxhimin e projekteve.

 

ornela-foto-e-vogelÇuçi: Enterprise, iniciativa që vë kërkimin shkencor në shërbim të shoqërisë

Pse ka nevojë një universitet për një organizëm Enterprise dhe si funksionon ai? Çfarë iu ofron universiteti bizneseve, qeverisjes apo individëve? Drejtoresha Ekzekutive e UET Enterprise, dr. Ornela Çuçi, flet për mënyrën se si ky organizëm do të ofrojë ekspertizën akademike për palët jashtë universitetit. Ajo shpjegon se kjo ekspertizë do të ofrohet në disa drejtime, që janë në fakt të lidhura edhe me departamentet e universitetit, si për shembull: këshillim juridik, Teknologji Informacioni, Marketing dhe Psikologji etj. 

Çfarë është UET-Enterprise? Çfarë sektorësh janë pjesë e këtij organizmi?

UET Enterprise është organizmi më i ri brenda EEI, European Education Initiative. Duke përfituar nga dinamika dhe përkushtimi me të cilin punohet në Universitetin Europian të Tiranës, UET Enterprise kërkon të mbështesë qeverisjen lokale e qendrore, kompanitë private dhe OJF-të me konsulencën e profesionistëve më të mirë në vend, në aspektin juridik, ekonomik, bankar, informatik, komunikim, psikologji, arkitekturë, gjuhë të huaja dhe burime njerëzore.

UET Enterprise krijon sinergjinë e duhur përmes kërkime shkencore të thelluara dhe të specializuara, përmes projekteve të mirëfillta akademike dhe iniciativave individuale që burojnë nga domosdoshmëria për zgjidhjen e situatave që imponon momenti. Është pikërisht kjo iniciativë që vendos në funksion helikën e artë mes kërkimit shkencor, biznesit dhe vendimmarrjes.

Çfarë morët nga eksperienca e ekspertit Theodorus de Hosson dhe si pretendoni t’i vini në zbatim më tej?

Dhënia e konsulencës nga Universitetet nuk është shpikje e UET, por është praktikë e cila funksionon suksesshëm në disa prej universiteteve më të mira në botë. UET është i pari universitet në Shqipëri, i cili ka përqafuar këtë iniciativë. Në këtë kuadër, si një prej themeluesve të sektorit të biznesit të konsulencës në Universitetin e shkencave të aplikuara të Ultrecht, Holandë, z. De Hosson ka qenë një prej kërkesave tona në aplikimin e bërë pranë PUM (senior experts of Netherland). Eksperienca e gjatë dhe kontributi i tij në këtë fushë, përbën një kontribut esencial për hartimin e një strategjie të UET Enterprise, të strukturuar për realitetin e tregut shqiptar. Zbatimi i kësaj strategjie në të ardhmen, do të ndërlidhë praktikat mësimore të studentëve me kërkimin shkencor dhe vendimmarrjen për zhvillimin ekonomik të vendit.

 

it-solutionShërbimet IT

“UET IT Solutions” ofron shërbime cilësore në fushën e IT. Ajo përmban një ekip informaticienësh profesionistë, të spikatur në disa fusha të shkencave kompjuterike, që do t’ju ndihmojnë të përmbushni gjithë kërkesat tuaja. Shërbimet e UET IT Solutions përfshijnë sektorin Menaxherial dhe të Mirëmbajtjes Teknike, Menaxhimi i Projekteve IT dhe Departamentin e Zhvillimit. Me anë të këtyre sektorëve, UET IT Solutions siguron të përfshijë gjithë paketën informatike që mund t’i nevojitet një klienti, duke filluar nga zhvillimi i programit e deri te menaxhimi i projekteve dhe mirëmbajtja teknike.

PRPR dhe Marketing

“UET PR UNIT”, si pjesë e UET Enterprise, ofron shërbime cilësore në fushën e komunikimit dhe PR. Ajo përmban një ekip prej 11 specialistësh të fushës se PR dhe marketingut. Shërbimet e UET PR UNIT përfshijnë planet strategjike gjithashtu edhe implementimet në terren, duke u mbështetur në segmentimin e tregjeve, analizimin e linjës së produktit, planifikimit financiar, analizimin e konkurrencës dhe dizenjimin dhe brendimin.

Golden scales of justice, gavel and books isolated on white

Shërbimi juridik

UET Enterprise ofron shërbime juridike cilësore në të gjitha fushat e së drejtës nëpërmjet UET Legal Studio. Studio përbëhet nga një ekip avokatësh profesionistë dhe dinamikë, që do t’ju ndihmojnë në përmbushjen e objektivave tuaj juridikë. Shërbimet juridike të UET Enteprise përfshijnë asistencën në negocimin dhe hartimin e kontratave dhe marrëveshjeve të çfarëdolloj natyre dhe në të gjithë sektorët e ekonomisë. Avokatët e UET Enterprise mund t’ju ofrojnë konsulencën e tyre në problematika të ndryshme juridike, që lidhen me mosmarrëveshje mes ortakëve, me partnerë tregtarë apo me autoritetet shtetërore. Në rast se çështjet nuk zgjidhen me mirëkuptim, avokatët e UET Enterprise ju përfaqësojnë në procese gjyqësore, duke mbrojtur pa kompromis të drejtat tuaja legjitime.

psikologjiShërbimi i këshillimit psikologjik

Shërbimi i këshillimit psikologjik do të shërbejë si një mbështetje psikologjike dhe emocionale, e cila siguron mirëqenie psiko-sociale të komunitetit. Qëllimi i Shërbimit psikologjik është të ofrojë këshillim, i cili mund të jetë afatgjatë ose afatshkurtër, të shërbejë si një hallkë e rëndësishme referimi për çdo problem individual, familjar, në grup apo dhe në popullatë. Gjithashtu, përpos këshillimit individual, në çift, grup etj., ky shërbim do të jetë edhe një qendër për praktikën e këshillimit për studentët e universitetit, si dhe një qendër e kërkimit shkencor në psikologji.

Hashim Thaçi, i ftuari i nderit në Forumet UET

$
0
0

Hashim ThaciPresidenti i Kosovës do të jetë sot, e martë, ora 18.00, i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë

Si po e projekton Kosova të ardhmen e saj në strukturat euro-atlantike dhe marrëdhëniet me vendet e Rajonit.

Mbi këtë çështje dhe mbi tema të tjera që shqetësojnë sot shqiptarët dhe rajonin si: marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, integrimi i tyre në BE, marrëdhënia me fqinjët e tyre, dialogu me Serbinë, etj., do të jetë i ftuar sot, 20 dhjetor, në Universitetin Europian të Tiranës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Zoti Thaçi do të mbajë një leksion të hapur me studentët dhe pedagogët e UET-it me temë “E ARDHMJA EUROATLANTIKE E KOSOVËS DHE RAJONIT” dhe më pas do të ketë bashkëbisedim mes tij dhe studentëve.

Thaçi është i ftuar nderi në kuadër të Forumeve UET, një aktivitet ku janë ftuar personazhe të jetës politike dhe publike në vend dhe rajon.

Studentët do të kenë mundësinë të njihen me një nga personazhet më të rëndësishme të jetës politike në Kosovë, një njeri që ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesëmarrës në negociatat e paqes  e më pas ka qenë faktor kryesor në ndërtimin e shtetit të ri pas Pavarësisë së 2008-ën.

Aktiviteti mbahet sot, e martë, datë 20 dhjetor 2016, në orën 18:00, në sallën “AULA MAGNA”, UET.

‘Aula Magna dhe Politika’, Aristoteli në Klubin e Filozofisë ‘Russell’

$
0
0
Pedagogu Arjan Curri referon në takimin e klubit të Filozofisë “Russell”; Kush ishte Aristoteli dhe cilat ishte tezat e tij më të famshme
  
Termi “njeriu është një kafshë politike” që aq shumë përdorim sot është artikuluar për herë të parë 2 mijë vjet më parë nga filozofi grek Aristoteli. Nxënës i Platonit, por jo ndjekës i filozofisë së tij, Aristoteli do të shënonte me tezat e tij shumë nga konceptet dhe termat politikë, socialë apo filozofikë që ne përdorim sot.
Klubi i Filozofisë “Russell” i ngritur në Universitetin Europian të Tiranës me pedagogë dhe studentë të shkencave sociale, filozofi, sociologji, komunikimi, shkencat politike, kishte në qendër të diskutimit pikërisht veprën e Aristotelit dhe konceptin e tij për Polisin –qytetin dhe organizimin politik të tij.
Dr. Arjan Curri, pedagog i Sociologjisë së Religjionit në UET, ishte referuar për Aristotelin duke sjellë për klubin pikat kryesore që e përfaqësonin mendimin e tij mbi Polisin dhe organizimin politik. Curri u fokusua tek vepra e tij më e njohur “Politika”
“Aristoteli ishte një filozof i etikës, ai ka si referencë të mirën, mbi të mirën kur bëhet vetë dhe mbi të mirën kur ti merr qëndrim mbi të. Vetë Aristoteli thotë në veprën e tij se ‘qëllimi i çdo shkence dhe arti është e mira dhe në shkallën më të lartë e mira më autoritare dhe kjo është shkenca politike, e mira e së cilës është drejtësia’”,- tha Curri gjatë prezantimit të tij.
Më tej diskutimi u shtrua mbi mënyrën se si e konceptonte filozofi grek demokracinë si formë qeverisje dhe kritikat që ai shtronte ndaj këtij sistemi, si dhe për divergjencat mes tij dhe mendimit platonian.
Klubi i Filozofisë Russel mblidhet çdo të mërkurë në UET me diskutime të veprave apo tezave të filozofëve që kanë pasur ndikim në të gjitha kohërat. Këtij klubi i janë bashkangjitur miq të filozofisë nga jashtë UET, si profesorët Ilir Shqina dhe Hysamedin Ferraj, etj. Një herë në vit Klubi organizon “Anuaret e Filozofisë” në Llogara, Vlorë, ku marrin pjesë personazhe të jetës publike, dashamirës dhe studiues të Filozofisë.

Qeveria jep 1800 bursa për studentët/ Kriteret si të përfitoni

$
0
0

40847da96ad92193d6192110f82b9fda_xlKëshilli i Ministrave ka miratuar mbledhjen e sotme përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave nga fondi i mbështetjes studentore për studentët e shkëlqyer, studentët që studiojnë në programe studimi në fushat prioritare dhe studentët në nevojë.

Për vitin shkollor 2016-2017, do të jenë plotë 1800 bursa, të cilat do të përfitojnë nga një kategori e caktuar studentësh të cilët do të duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh.

Vendimi

1. Studentët e shkëlqyer, me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, që ndjekin studimet në një program studimi të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, përfitojnë bursë në masën e parashikuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

Notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë dhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve të shkëlqyer hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

2. Për studentët e regjistruar në vitet pas të parit, notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha provimeve/detyrimeve të shlyera dhe të parashikuara për programin përkatës të studimit për vitet pararendëse. Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës.

3. Bursat e studimit për studentët, të cilët kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar në institucionet publike të arsimit të lartë, të shpallura të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, u shpërndahen studentëve që studiojnë në këto programe dhe institucione, sipas masës së përcaktuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Studentët që frekuentojnë këto programe studimi e përfitojnë bursën vetëm për periudhën që ndjekin studimet në fushat prioritare dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.

4. Studentëve të regjistruar në programet e ciklit të parë të studimeve në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë publik dhe që u përkasin shtresave sociale në nevojë, u akordohen bursa kur ata plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë. Masa e përfitimit të bursës është e përcaktuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

5. Studentë në nevojë konsiderohen:

5.1 Sipas kriterit ekonomik:

a) Studentët që ndjekin studimet në largësinë mbi 10 (dhjetë) km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore;

b) Secili nga studentët, i cili rezulton bashkëshort me fëmijë, dhe kur familja e tij trajtohet me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore;

c) Personat me aftësi të kufizuar, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punës, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.

5.2 Jashtë kriterit ekonomik:

a) Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit;

b) Studentët që kanë humbur përgjegjësinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;

c) Studentët që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;

ç) Studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

5.3 Studentët nuk përfitojnë bursë apo humbasin të drejtën e përfitimit në rast se:

a) janë ndarë nga trungu familjar;

b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;

c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;

ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese;

d) nuk kanë përfunduar programin e studimit brenda kohëzgjatjes normale të tij, të përcaktuar në aktin e hapjes së programit përkatës të studimit.

6. Bursat për vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë, për çdo student që rezulton student në nevojë. Njësia e qeverisjes vendore pajis studentët me dokumentacionin ligjor që vërteton gjendjen për t’u konsideruar student në nevojë.

7. Studentët që ndjekin studimet në IAL publike në vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve, që nuk kanë përfituar bursë në vitin e parë akademik dhe plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 5, të këtij vendimi, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të bursave të planifikuara dhe që administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë.

8. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar ditor për lekë në ditë (lekë/ditë) dhe paguhet çdo muaj, me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësisë së financës në institucionin e arsimit të lartë, të dhënat për shlyerjen e detyrimeve për frekuentimin e programit përkatës të studimit, që rrjedhin si pasojë e regjistrimit si student në atë program studimi, për të gjithë studentët që përfitojnë bursë.

9. Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur në numrin e studentëve që ndjekin vitin e parë akademik 2016-2017, harton planin e shpërndarjes së bursave, të cilat i përcjell për vlerësim dhe miratim në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Këshillat bashkiakë, mbështetur në planin e dërguar nga MAS, shqyrtojnë dhe miratojnë kërkesat për bursë.

10. Kopje e vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin e bursave përcillet zyrtarisht pranë IAL-ve publike dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nga njësitë e qeverisjes vendore.

11. Fondi përkatës për bursat transferohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në formën e transfertës së pakushtëzuar ose transfertës për individët te çdo IAL publike.

12. Për vitin akademik 2016-2017, Ministria e Arsimit dhe Sportit harton planin e shpërndarjes për 1 800 (një mijë e tetëqind) bursa dhe ndjek procedurat e sipërcituara. Për vitet në vijim, numri dhe plani i shpërndarjes së bursave miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.

13. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për studentët e regjistruar në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2016-2017, është data 31 Janar 2017. Për të gjitha kategoritë tjera të studentëve të regjistruar në vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve në IAL-të publike, është data 30 dhjetor 2016. Për vitet akademike në vijim, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për të gjitha kategoritë, për sa më sipër, është jo më vonë se muaji dhjetor i vitit përkatës akademik.

14. Vendimet e institucioneve publike të arsimit të lartë dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore për miratimin e bursave të studentëve bëhen publike nga këto institucione, nëpërmjet publikimit në faqet e tyre ëeb si dhe në ambientet e institucioneve përkatëse.

15. Efektet financiare për mbulimin e shpenzimeve për bursa për një vit të caktuar akademik përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për periudhat përkatëse buxhetore.

16. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Si duhet të përballen universitetet me një botë “post-reale”

$
0
0

foto-perkthimDuke u ballafaquar me perspektivën e një shoqërie post-faktike, universitetet duhet të rikrijojnë një respekt për të vërtetën objektive dhe argumente të fuqishme, nëpërmjet programeve arsimore dhe nëpërmjet informimit publik. Duhet të krijojnë shumë më tepër arena për debat, arena që janë të hapura dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të japë një zë për ata që ndihen të lënë pas. Universiteti duhet të jetë ndërtimi i besimit, si dhe kërkimi i së vërtetës.

Nga Ole Petter Ottersen*

Në një botë e cila karakterizohet nga rritja e numrit të turbulencave dhe konflikteve, nga pasiguritë dhe pakënaqësitë, liria akademike po vjen duke u rrethuar pak e nga pak. Në disa pjesë të botës, liria akademike është nën sulme brutale. Në pjesë të tjera të botës, liria akademike është nën presion e rritjes. Madje dhe në vendet nordike, shumë studiues raportojnë se liria e tyre akademike është duke u zvogëluar.
Akademikët dhe universitetet duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë gjendje të trishtuar dhe duhet të ndihmojnë për mbrojtjen e lirisë akademike jo vetëm në vendet e tyre, por në mbarë botën.
Le të fillojmë me shembujt më të urryer. Vitin e kaluar, isha prezent kur Drejtori Ekzekutiv njëkohësisht themeluesi i Rrjetit të dijetarëve në rrezik, Robert Quinn, paraqiti raportin e tij “Të mendosh lirshëm”. Raporti i Dijetarëve të Projektit të Monitorimit të Rrezikut për Lirinë Akademike, përshkruan 333 sulme ndaj komiteteve të arsimit të lartë, që rrjedhin nga 247 incidente të verifikuara në 65 vende në periudhën Janar 2011 dhe Maj 2015.
Muajin e kaluar u publikua një botim i ri i raportit, me analizën e 158 sulmeve të tilla në 35 vende për një periudhë 16-mujore. Nga Maji 2015 deri në Gusht 2016.
Institucionet e arsimit të lartë janë kërcënuar dhe sulmuar po ashtu, dhe në vendet që kanë sistem demokratik ose njihen si vende të cilat janë drejt rrugës së demokracisë. Raporti “Të mendosh lirshëm”, na bën të vetëdijshëm për shkallën e lartë të këtij problemi dhe bën thirrje për ndërveprim kolektiv.

Veprim kolektiv

Si duhet ta ruajmë lirinë akademike? Në Norvegji, ashtu si dhe në shumë vende të tjera, liria akademike mbrohet me ligj nga qeveria. Udhëzimet etike të qeverisë pohojnë se studiuesit duhet t’i publikojnë rezultatet e tyre, edhe nëse ato janë në kundërshtim me politikën e miratuar të tyre.
Në këtë deklaratë mbizotëron fakti se shoqëria përfiton nga kritikat dhe se progresi drejtohet nga akademikët dhe universitete që sfidojnë dogmat dhe ideologjitë. Ideja është se shoqëria është forcuar dhe stabilizuar nëpërmjet kritikës konstruktive, të themeluar mbi lirinë akademike dhe shkëmbimin e lirë të mendimeve.
Për fat të keq, ky kuptim nuk e pushtoi dot të gjithë botën. Mjafton t’i hedhim një sy zhvillimeve në Turqi, të cilat duket se kanë marrë një kthesë për keq. Vetëm muajin e kaluar, Gulay Barbarosoglu, i cili u zgjodh rektori Universitetit Bogaziçi, me një shumicë dërrmuese të votave nuk u lejua të marrë detyrën e tij. Presidenti turk vendosi se duhet të ishte drejtues një ish-zëvendës/rektor.
Elementet thelbësore të një pushteti si zërat që flasin të vërtetën, janë të nevojshme për çdo progres shoqëror, por nuk njihen botërisht si të tilla. Për t’ju rikthyer rekomandimeve të raportit “Mendimi i lirshëm për veprim kolektiv”, ne kemi nevojë për të mbështetur normën që institucionet e arsimit të lartë duhet të gëzojnë të njëjtën mbështetje ashtu si spitalet në kohën e konfliktit dhe trazirave.
Arsimi mbi të gjitha është një projekt i madh i brezave, me në thelb qytetërimin dhe është atje për t’u siguruar që e gjithë trashëgimia jonë intelektuale, shkencore dhe kulturore, të kalojë nga një brez tek tjetri.
Duke sulmuar apo shtypur lirinë akademike, ndikimet e shoqërisë e ndalojnë procesin në një shkallë e cila nuk mund të njihet lehtë. Është për të ardhur keq, pasi është parë shpesh si një privilegj për një pakicë. E vërteta është se liria akademike është një e mirë për shumicën, pra për shoqërinë në përgjithësi.

Ndalimi i shoqërisë në një botë “post-reale”

Për shoqërinë, në mënyrë që të korren benefitet e plota të lirisë akademike, provave shkencore, duhet të respektohen plotësisht dhe të veprohet nga ana e politikanëve dhe politikëbërësve. Në këtë drejtim ajo është mjaft ogurzezë saqë fjalori i OXFORD ka zgjedhur së fundmi “post-reale”, si fjalën ndërkombëtare të vitit.
Fjalorët e Oxfordit e bënë zgjedhjen e tyre pas referendumit kontestimor të Brexit dhe zgjedhjet presidenciale po aq përçarëse në SHBA, shkaktuan përdorimin e këtij mbiemri në mënyrë masive.
Fjalori e përkufizon “post-reale”, si një lidhje e cila tregon rrethanat në të cilat faktet objektive janë më pak influente në formimin e opinionit publik se sa ankesat nën emocion apo besimet personale. Si shembull fjalori përdor fjalinë e mëposhtme: “Në këtë epokë të politikës së post të vërtetës, është e thjeshtë të marrësh të dhëna dhe t’i përshtatësh në çfarë konkluzioni ju dëshironi”.
Në sfond dëgjojmë deklaratën e politikanit britanik Michael Gove se: “Populli Britanik është lodhur nga ekspertët”. Mungesa e besimit në akademi është një sfidë e madhe. Por, çfarë roli mund të ketë një e vërtetë e kërkimit të lojës universitare në një epokë që karakterizohet si “post e vërtetë”?
Një koleg më rikujtoi atë çfarë kishte shkruajtur filozofi Richard Rorty më 1998: “Elektorati jo suburban do të vendosë nëse sistemi ka dështuar dhe duhet të shikojmë rreth e rrotull për një person të fuqishëm, për të cilin duhet të votojmë. Dikë të gatshëm për t’i siguruar ata se kur ai të zgjidhet burokratët e vetëkënaqur, avokatët e ndërlikuar, profesorët postmodernistë nuk do të marrin më vendime… “Një gjë që ka shumë gjasa të ndodhë, është se fitimet e bëra në 40 vitet e fundit nga amerikanët e zinj dhe kafë, nga homoseksualët do të fshihen. Përbuzja gazmore për gratë do të kthehet në modë … Të gjitha fyerjet, në të cilat amerikanët e edukuar keq ndiejnë me këtë sjellje të diktuar nga të diplomuarit në kolegj, do të gjejnë një prizë”.
Kjo është shkruar 18 vjet më parë. Një profeci e ngjashme dhe e vërtetë.
Duke u ballafaquar me perspektivën e një shoqërie post-faktike, universitetet duhet të rikrijojnë një respekt për të vërtetën objektive dhe argumente të fuqishme, nëpërmjet programeve arsimore dhe nëpërmjet informimit publik. Duhet të krijojnë shumë më tepër arena për debat, arena që janë të hapura dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të japë një zë për ata që ndihen të lënë pas. Universiteti duhet të jetë ndërtimi i besimit, si dhe kërkimi i së vërtetës. Në moshën tonë të turbulencës këto dy fjalë, besimi dhe e vërteta, janë të ndërthurura në mënyrë të pazgjidhshme.

*Autori është rektor i Universitetit të Oslo, Norvegji

 

Forumet UET: Agora e vërtetë e qytetit

$
0
0

foto-coverDebati publik vjen në arenën universitare nëpërmjet Forumeve UET, një aktivitet ku ftohen në një debat të hapur me studentë dhe pedagogë figura me rëndësi në jetën publike, politike, kulturore të vendin dhe Rajonit. Në 10 edicionet e para të ftuar ambasadorët Arvizu dhe Lu në një diskutim për rolin e rinisë, ministrja Ekonomi për “Paktin e reformizmit”, ministri Ahmetaj për Buxhetin, avokat Ngjela për Reformën në Drejtësi, Mustafaj për dilemën mes shkrimtarit e politikanit, një diskutim mbi të ardhmen e Rajonit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi etj.

Agora ishte një shesh qendror në qytet-shtetet antike greke, që luante rolin e një asambleje apo tubimi. Ajo ishte qendra e jetës sportive, artistike, shpirtërore dhe politike të qytetit në Athinën e lashtë, që më pas u përdor dhe në Perandorinë Romake me termin “Forumi Roman”. Këto platforma shërbyen më pas si model për ndërtimin e strukturave të shtetit modern me Parlamentin e Qeverinë, por pa ia humbur rëndësinë dhe kuptimin forumit, si arenë ku debatohen idetë. Në kohët moderne “Agora e qytetit” ka krijuar hapësira të tjera duke i ikur metodës së lashtë të mbledhjes në shesh. Ambientet universitare, mediat e deri te platformat në internet, janë kthyer në arenën e debatit mbi çështje të jetës publike, politike, ekonomike dhe kulturore.

Aula Magna e Universitetit Europian të Tiranës ka shërbyer si një “Agorë” e qytetit në 10 aktivitetet e para të Forumeve UET, një organizim i krijuar rishtazi për të sjellë debatin mbi çështje që prekin sot komunitetin si politika, ekonomia apo me sjelljen e figurave të jetës kulturore e biznesit në një diskutim me studentët e pedagogët.

Forumet UET janë kthyer tashmë në arenën ku rrihen idetë, debatohet dhe hidhen tezat e reja që lidhen me jetën publike, ekonomike dhe politike të shqiptarëve.

Struktura ruan pak a shumë skemën “i ftuar –moderator” dhe me pyetje e diskutime nga salla mbi një çështje të paracaktuar. E caktuar çdo të Martë në orën 18:00 organizimi ka krijuar një traditë tashmë jo vetëm në jetën e universitetit, por dhe të qytetit, pasi forumet ndiqen nga diplomatë, gazetarë, politikanë dhe nga çdo i interesuar për temën apo të ftuarin e radhës.

Roli i universitetit në jetën publike

“UET është pionier në këtë drejtim duke krijuar një rol të rëndësishëm të universitetit në jetën publike të vendit, një impakt në diskutimin e temave me rëndësi” -thotë rektori, prof. dr. Tonin Gjuraj. Sipas tij UET-i me forumin projekton debatin, argumentin, polemikën jashtë auditorit duke ftuar personalitete të ndryshme që kanë pikëpamje të ndryshme. “Forumi është një komunikim i shpejtë mes të ftuarit dhe auditorit të përbërë nga studentë dhe pedagogë. Është një praktikë e mirë për një institucion akademik për të konsoliduar një traditë që vijon normalisht” -thekson ai. Sipas Gjurajt për studentët e pedagogët është një aktivitet shtesë që shërben në jetën akademike, përveç mësimdhënies dhe kërkimit shkencor që bëhet normalisht në një universitet. “Tezat që mund të hidhen aty mund të bëhen më pas diskutim në auditore mes studentëve dhe mund të jenë dhe referenca përtej literaturës bazë” -thotë ai.

Po çfarë ndodh në Forumet UET?!

Gjatë 10 javëve të Forumeve UET janë prekur çështje të tilla si: aktivizimi i të rinjve në jetën publike me ambasadorët amerikanë Donald Lu dhe Aleksandër Arvizu, të cilët hapën siparin e këtyre forumeve, duke vijuar më pas me avokat Ngjelën në një diskutim të zjarrtë për Reformën në Drejtësi. Një debat interesant ishte ai mbi liberalizmin ekonomik me 4 top-ekonomistët, Adrian Civici, Selami Xhepa, Genc Ruli dhe Arben Malaj. Për zhvillimin ekonomik, reformat e qeverisë dhe Buxhetin u përballën ministrat e Ekonomisë dhe të Financave, zonja Ekonomi e zoti Ahmetaj. Besnik Mustafaj e Helena Kadare, dy personazhe interesantë nga bota e letërsisë sollën një “Agorë” të veçantë në një debat mbi raportin e shkrimtarit me pushtetin. Në një përvjetor special të Martin Luterit, Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, Ylli Doçi, solli një tablo të ndryshimit të botës pas reformacionit.

Forumi i fundit i organizuar javën që lamë pas kishte të ftuar nderi një nga politikanët shqiptarë më me ndikim pas viteve 2000, si dhe një aktor me rëndësi në politikën rajonale, Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, diskutimi i të cilit mbi të ardhmen e Kosovës dhe Rajonit e tejkaloi limitin kohor të forumit në një bashkëbisedim që zgjati rreth 2 orë.

 

lu-dhe-arvizuAmbasadorët Arvizu dhe Lu: Të rinjtë të luajnë rol në nxitjen e reformave

“Roli i rinisë në zhvillimin e vendit dhe në nxitjen e reformave”. Me këtë temë dhe dy të ftuar specialë, ambasadorët amerikanë, Donald Lu dhe Alexander A. Arvizu, UET hapi siparin e aktiviteteve nën logon “Forumet UET”. “Duhet shpresë dhe reagim”. Ishte kjo kryefjala e dy ambasadorëve amerikanë, ish-ambasadori, Alexander A. Arvizu dhe ai në detyrë, Donald Lu, gjatë bisedës së sotshme me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës. Me këtë bisedë të hapur mbi reformat, politikën dhe rolin e rinisë në zhvillimin e vendit, UET hapi siparin e “Forumeve UET”, një organizim i ri që do të sjellë në auditorin Aula Magna çdo të martë një cikël debatesh me aktorë të ndryshëm të shoqërisë. Ish-ambasadori Arvizu u fokusua te rinia dhe fuqia që ka ajo për të shtyrë dhe nxitur reformat e ndryshimet e mëdha për vendin. Ambasadori Lu, gjithashtu u fokusua te rëndësia që ka roli i rinisë në zbatimin e reformave. Ai u tha studentëve se ata kanë të drejtë t’i kërkojnë ndryshimet dhe ta shtyjnë klasën politike që kjo të ndodhë sa më shpejt. Nga ana tjetër Lu shfaqi besim se reformat që kanë nisur do të japin efekte në jetën e njerëzve.

ngjelaSpartak Ngjela: Reforma në Drejtësi në përputhje me Kushtetutën

Si do të aplikohet Reforma në Drejtësi dhe çfarë pasojash do të sjellë ajo në sistemin gjyqësor. Avokat Spartak Ngjela ishte një avokat i zjarrtë i reformës më të re që ka miratuar parlamenti shqiptar, duke e konsideruar atë si një reformë amerikano-gjermane, gjë që për Ngjelën jep dhe garancinë që është e duhura. Ngjela e konsideroi Vettingun si një gjë të përkohshme, por jo antikushtetues. Sipas tij, kjo lloj reforme mund të jetë e përkohshme dhe kur të zbatohet atëherë do të ketë një riformulim. Ai e konsideron këtë moment si një moment politik të rëndësishëm për vendin, si të vetmen mundësi për të siguruar një pushtet gjyqësor të pavarur, pa të cilin, siç theksoi Ngjela asnjë sektor tjetër nuk funksionin siç duhet. Ngjela ka qenë një ideator dhe mbrojtës i hershëm i Reformës në Drejtësi, duke i botuar pikëpamjet e tij.

4-ekonomistetKatër top-ekonomistët e Shqipërisë, debat mbi liberalizmin ekonomik

Liberalizmi ekonomik kishte mbledhur në një tryezë të vetme katër ndër ekonomistët më të njohur në vend. Akademikët Adrian Civici e Selami Xhepa dhe dy ish-ministrat e Financës Genc Ruli e Arben Malaj, në një diskutim mbi liberalizmin me pedagogë dhe studentë të UET-it duke marrë shkas nga promovimi i librit me bashkautorësi të Civicit dhe Xhepës “Liberalizmi ekonomik përmes 24 mendimtarëve”, botim i UET Press. Diskutimet u fokusuan mbi rolin e tij në ekonomi, mbi format që liberalizmi ka marrë në ekonominë shqiptare dhe pse sot në ekonomitë perëndimore liberalizmi shpeshherë është vënë në dyshim nga krizat. Një libër që provokon, e cilësoi Genc Ruli, ndërsa shtoi se ai është i nevojshëm për ata që merren me politikat ekonomike dhe për ata që e quajnë veten liberalë. Profesor Arben Malaj provokoi nga ana e tij duke propozuar që libri të ribotohej me një pjesë shtesë ku të përfshihej mendimi kritik ndaj liberalizmit.

mustafajBesnik Mustafaj mbi dilemën shkrimtari dhe politikani

Besnik Mustafaj njihet më shumë si politikan, por ai e konsideron veten një shkrimtar me kohë të plotë dhe politikën si pasion. Ai foli me studentët e UET-it mbi këtë dilemë duke pranuar se të qenit politikan i ka siguruar mundësinë që të merret më tej me letërsi. Ai foli nga pozitat e një demokrati për lidershipin e ri të PD-së duke kritikuar Bashën në varësinë që ka ndaj ish-kryetarit Berisha. “Merkeli ishte produkt shumë më laboratorik i Helmut Kohl se sa ishte Basha i Sali Berishës, sepse Merkeli ishte femër nga Gjermania Lindore dhe që të merrte drejtimin e CDU-së, partisë më të madhe në Europë, mund të ndodhte vetëm duke ia lënë çelësat Kohl. Ai e bëri këtë dhe Merkel në fund të javës së parë i tha Kohlnit “nuk ke punë në parti”. Pra, ajo që thotë Frojdi “me vra babën” -tha Mustafaj. Për Mustafajn, Lulzim Basha e udhëheq partinë nën hijen e ish-kryetarit Berisha, gjë që sipas tij e dëmton atë vetë dhe partinë.

milva-ekonomiMilva Ekonomi: Prova e reformës së Ramës nuk ka përfunduar

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ishte e ftuar në Forumet UET për të diskutuar mbi 10 pikat e “Paktit të reformizmit”, propozuar nga 7 profesorë të UET-it.

“Prova e reformës së kryeministrit Edi Rama nuk ka përfunduar, të gjitha reformat e nisura duhen çuar deri në fund” -u shpreh Ekonomi.

Ministrja Ekonomi foli për reformat e nisura në disa sektorë që ajo i cilësoi si strategjikë, si turizmi, energjia dhe bujqësia, të cilët sipas saj duhet t’u jepet kohë që të japin efektet e duhura të reformave. “Një profesionist që të bëhet i mirë i duhet të bëjë 10 mijë orë pune në punën e tij, nëse nuk i ka bërë 10 mijë orë pune nuk ka bërë asgjë akoma, ndërkohë që të bësh 10 mijë orë pune të duhen 6-7 vjet dhe në një moment reformator si ky, që ka kaq shumë reforma, gjëja kryesore që duhet kuptuar është: mos hiq dorë nga ajo ke nisur, çoje deri në fund. Në këtë moment unë mendoj se vijat janë ato që po udhëheqin, ajo që mund të përmirësohet janë gjërat e vogla që lindin gjatë zbatimit”, u shpreh Ekonomi e pyetur për reformat e nisura nga qeveria Rama.

ahmetajAhmetaj: Buxheti 2017 është buxhet i konsumit 

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i ftuar në Forumet UET, bëri një prezantim të buxhetit të ri të qeverisë; mbështetje e reformave, rritje ekonomike 3.8%, rritje pagash dhe pensionesh dhe investime publike. Ahmetaj bëri një tablo të buxhetit të ri duke e cilësuar si një buxhet të konsumit të qytetarëve. Ai tha se, ky buxhet nuk është elektoral dhe pse jemi në një vit elektoral dhe kjo është zgjidhur me anë të një kufizimi në ligjin organik. Buxheti së pari, mbështet reformat e nisura në 3 vitet e para të qeverisjes, që nga Reforma në Drejtësi, ajo në Shëndetësi, në Pensione etj. 

helena-kadareHelena Kadare: Ismaili s’ka nevojë ta rishkruajë të shkuarën

Bashkëshortja e shkrimtarit, e ftuar në Forumet UET flet për herë të parë mbi debatin që shkaktoi libri i Dashnor Kaloçit “Kadare në Pallatin e Ëndrrave – 101 dokumente sekrete”.

“Ismail Kadare nuk ka nevojë dhe as kërkon të ndryshojë të shkuarën e tij”. Akuza se shkrimtari po tentonte të fabrikonte të shkuarën erdhi nga publicisti Fatos Lubonja, i cili u përfshi në këtë debat pasi një prej dokumenteve të publikuara kishte të bënte me një dëshmi të dhënë në qelinë e hetuesisë së sigurimit komunist nga vetë Lubonja. Helena pranoi se Kadare ka përjetuar shpesh sulme të tilla mediatike, sidomos në rastet kur ka qenë fushata e Nobelit apo ndonjë çmimi tjetër.

ylli-doci-luteri95 tezat e Luterit, transformimi i Mesjetës në Botën Moderne

Si e ndryshuan botën 95 tezat e Martin Luterit, i ftuar në Forumet UET në bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë ishte Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, Ylli Doçi. Për Doçin këto teza shënuan në fakt reformacionin e një gjëje më të madhe, e botës moderne ku jetojmë ne sot. “Tezat e tij nuk kanë lidhje vetëm me fenë. Ato janë transferimi i botës mesjetare në botën moderne që ne jetojmë. Domethënë, nga viti 1450 e pak deri në vitin 1700 janë një sërë lëvizjesh dhe rrymash e përplasjesh, nga ku dalin ndryshe nga ç’ishin ndonjëherë. Nga 1450 ishin në mesjetë kurse në 1700 fillon Iluminizmi dhe pak a shumë ajo që ne besojmë, mendojmë sot është me ndryshimet e pakta të 200 viteve që kanë ndodhur që atëherë. Kështu që nuk po flasim për diçka të parëndësishme, por po flasim për transformimin e realitetit nga një botë mesjetare në atë moderne në të cilën ne jetojmë sot” –tha Doçi.

stefan-pinguliDilemat e Lirisë Ekonomike, bisedë me sipërmarrësin Stefan Pinguli

Post-tranzicioni, a funksionon liria ekonomike, cila është marrëdhënia mes shtetit dhe biznesit dhe si mund të përmirësohet kjo marrëdhënie. Mbi këto tema u fokusua bashkëbisedimi mes Presidentit të “Birra Stela”, njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Prodhueseve të Birrës, z. Stefan Pinguli dhe pedagogëve dhe studentëve të degës së Ekonomikut në Forumet UET këtë të martë. Zoti Pinguli foli mbi librin e tij “Post-tranzicioni, dilemat e lirisë ekonomike” duke theksuar se zhvillimi i biznesit në Shqipëri pas rënies së komunizmit ka pasur vështirësi të mëdha, që nga ndryshimi i taksave, klima jo e favorshme ndaj biznesit, faktorë këta që e bëjnë të vështirë bërjen biznes. Ai theksoi se biznesi shqiptar duhet të organizohet dhe të luftojë për interesat e tij duke kërkuar politika që ndihmojnë zhvillimin. Në librin e tij zoti Pinguli thotë se parimet e qeverisjes së mirë janë parimet demokratike, si: legjitimiteti, transparenca, përgjegjshmëria dhe gjithëpërfshirja.

hashim-thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ftuar nderi në Forumet UET

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ishte i ftuar në Forumet UET, në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë, për sfidat euroatlantike të Kosovës dhe marrëdhëniet me vendet e Rajonit. Ai tha se Kosova ka prioritet integrimin në Bashkimin Europian dhe shpreh zhgënjimin për procedurat e zgjatuara nga ana e Brukselit në këtë rrugë, siç ishte dhe zgjatja e afatit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi foli mbi dialogun me Serbinë, marrëdhëniet me qeverinë shqiptare dhe për zgjedhjet në Maqedoni, ku theksoi se është me rëndësi bashkimi i faktorit shqiptar. Presidenti Thaçi bëri të ditur se ka vendosur kontaktet me stafin e ri të Presidentit amerikan të zgjedhur Donald Trump dhe se ka marrë garanci prej tij se do të vijojë mbështetja amerikane ndaj Kosovës. Marrëdhëniet në Rajon shteti më i ri i Ballkanit po i ndërton mbi bazën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Kjo është bindja e presidentit Thaçi, i cili vlerëson se duhet tejkaluar e shkuara e hidhur e konflikteve dhe të ndërtohen urat e miqësisë.

UET organizon festë dhe dhuron batanije në Shtëpinë e të Moshuarve

$
0
0
Festat e fundvitit kanë sjellë festë dhe Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë. Nismës së Ministrisë së Mirëqënies Sociale për të organizuar një atmosferë festive dhe për të dhënë dashuri tek brezi i tretë i bashkua dhe Universiteti Europian të Tiranës, i cili financoi festën e fundvitit për të moshuarit dhe dhuroi 48 batanije për të moshuarit e kësaj qendre.
Drejtoresha e kësaj qendre, Anila Peçi, falenderoi UET-in për mbështetjen duke e konsideruar me rëndësi dhënien e dashurisë dhe përkujdesjes për të moshuarit që kalojnë ditët në këtë qendër.
Në festë mori pjesë dhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi ngritjen dhe mirëmbajtjen e kësaj qendre me qëllim që t’u ofrojë të moshuarve kujdes shoqëror, shërbime si ndihma mjekësore dhe kujdes familjar, në mënyrë që të mos ndihen vetëm.
I pranishëm ishte edhe   Presidenti i UET-it, Prof.dr.Adrian Civici, duke e cilësuar gjestin e bamirësisë së UET-it si pjesë e përgjegjësisë sociale të institucionit në vazhdën e disa nismave të tjera për dhënien e bursave për të rinjtë e talentuar, por që s’kanë mundësi financiare, për të rinjtë që vijnë nga shtresat të margjinalizuara, siç janë romët e egjiptianët, etj.. 

Filmi për Pashkon, ideatori Çili dhe skenaristi Shkullaku shpjegojnë “pse-të”

$
0
0
henri-opinion
 Filmi dokumentar “Pashko, Antagonsti” u shfaq mbrëmë për publikun e gjërë në emisionin “Opinion”, ku ishte i ftuar idetatori Henri Çili dhe skenaristi Armand Shkullaku
 
 Muaji Dhjetor mund të quhet edhe muaji i Gramoz Pashkos, një prej themeluesve kryesorë të lëvizjes antikomuniste që në dhjetor 1990 kulmoi me protestat që do ët shënonin fundin e regjimit komunist në vend dhe fillimin e pluralizmit politik.
Pashko mban meritën e themelimit të ekonomisë së lirë, që i zuri vendin ekonomisë së cetralizuar socialiste. Një dokumentar mbi jetën dhe idetë e tij i realizuar sëe fundmi me ide të Henri Çilit, skenar të Armand Shkullakut, regji të Roland Sejkos dhe mbështetje të Institutit Pashko në UET, u shfaq mbrëmë në emisionin “Opinion” për publikun e gjërë.
Që nga intervista e tij e parë dhënë Zërit të Amerikës në vitin 1989, në kapërcyell të sistemeve, e deri tek largimi i tij nga jeta në mënyrë aksidentale, ky film sjell me pamje dhe intervista jetën e politikanit, ekonomistit, profesorit dhe njeriut Pashko. Përplasja e tij e madhe me Sali Berishën dhe si u pajtua në fund të jetës me të.
 
Si lindi ideja e filmit
 
Ky mund të jetë filmi i parë i plotë që ngërthen jetën e një figure politike të këtyre 26 vjetëve. Ideatori Henri Çili duke folur mbi arsyet që inicoi këtë film dhe më tej emërtimin e Institutit Pashko në UET tha se “kjo erdhi për shkak të një atashimi personal me idetë e Pashkos për liberalizmin, pasi një nga vokacionet e mia në jetën publike është liberalizmi, ideja liberale, prona private, ekonomia e lirë, etj.. Na duhej në kuptimin pozitiv të fjalës t’i kthenim hakun dhe të potenconim përfaqësuesin ose simbolin e këtyre ideve që është Gramoz Pashko”.
Sipas Çilit ka ardhur koha që koha i ka vërtetuar idetë e tij dhe avanguardizmin e tij. Ai theksoi se më shumë se kurrë sot është janë të nevojshme idetë e tij liberale.
 
Ndërsa gazetari Armand Shkullaku, i cili mban firmën e skenaristit, tha se filmi zbulon thuajse gjithë përmasat e Gramoz Pashkos, që me ikjen e tij, mendoj se shënoi edhe fundin e epokës së intelektualit politikan.
“Ne jemi munduar të zbulojmë sa më shumë aspekte nga jeta e një njeriu duke e lënë atë të rrjedhë atë thjesht në dokumentar, si një tablo e një epoke historike, ku personazhi ynë ishte padyshim njëri nga ata që la një gjurmë të veçantë. Jo vetëm si protagonist, por si model i fuqisë së mendjes dhe pasionit të lirisë”- u shpreh Shkullaku .

Moti i keq dhe gripi/ Shtyhet mësimi, shkollat mbyllur dhe një javë tjetër

$
0
0

shtyhet-mesimi-630x340Gripi dhe i ftohti i madh pezullojnë zhvillimin normal të mësimit edhe për një javë tjetër. Burime nga Ministria e Arismit bëjnë të ditur për “Vizion Plus” se, ky vendim do të zbatohet për çerdhet, kopshtet, shkollat dhe univeristetet.

Po ashtu, do të jetë pushim edhe për njërin nga prindërit e fëmijës së mitur, që punon në administratë.

Një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, tha se, po shqyrtohet mundësia që shkollat e kopshtet të qëndrojnë edhe një javë tjetër të mbyllura, për shkak të situatës së krijuar nga epidemia e gripit dhe i ftohti i acartë që ka goditur vendin./Vizion Plus/

Gripi/ Pezullimi i shkollës, Malaj: Orët e humbura do zëvendësohen

$
0
0

nora-malaj-660x330 Zëvëndminsitrja e Arsimit, Nora Malaj ka folur në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ për shtyrjen e nisjes së shkollave dhe çerdheve për shkak të epidemisë së gripit. Malaj tha se janë marrë të gjitha masat për rikuperimin e orëve të humbura, ndërsa nxënësit nuk do kenë probleme në provimet e maturës, apo të lirimit. Më tej ajo u shpreh se epidemia e gripit është një situatë emergjente, ndërsa do merren masa të reja për realizmin e mësimit dhe për zonat ku problematike është moti i keq, përveç gripit.

“Kemi bërë gjithë kalendarin për gjithë procesin e mësimit. Do rikuperohen orët e humbura. Është nxjerrë udhëzimi për menaxhimin e këtyre situatave. Nëse koha do zgjasë më shumë, do marrim masa të reja si do realizohet procesi i mësimit. Në vitin 1997 , kur ndodhën trazira, ne u detyruam të jepnin mësim përmes medias, dhe kjo iu shërbeu mjaft nxënësve. Kjo tregon se si ne do të punojmë për të realizuar orët e mësimit që kanë humbur.

Dua të përgëzoj bashkinë Tiranë, që ka ndihmuar njerëzit që nuk kanë mundësi për hjë strehë. Ne po bëjmë program të dedikuar për procesin e mësimit. Në zonat që ka probleme me boren, do mendojmë si të realizojmë orë të reduktuara dhe të gjejmë një zgjidhje. Ministria e arsimit merr përsipër të marrë rikuperimin e orëve të humbura, edhe kur të kemi provimet e fundit të mos ketë probleme me nxënsëit”- ka thënë Nora Malaj.

E pyetur për zërat që qarkullojnë se zgjatja e nisjes së shkollave ka lidhje me problemet që ekzistojnë për ngrohjen e nxënësve, Malaj tha se:
“Ka zona të thella, probleme me ngrohjen, ndërsa ne kemi kërkuar nga bashkitë që të marrin masat për ngrohjen e nxënësve. Nëse nuk realizohet transportin i sigurt, natyrisht edhe ngrohja nuk realizohet në kuadër të largësisë. Në situata ku mund të ketë emergjenca, në partneritet me bashkitë po punojmë për transportin e sigurt. Ne nuk na ka ardhur relacion deri tani që në këtë shkollë nuk realizohet mësimi për shkak të problemeve me ngrohjen.

Pas viti 2010, nuk është realizuar asnjë shkollë që nuk plotëson kushtet, si ngrohja apo kushtet e tjera. Kërkojmë solidaritet mes partive politike dhe aortiteve vendore. Në zonat problematike do shohim çështjen rast pas rasti për të marrë masat për zhvillimin normal të mësimit.

Duke u ndaluar tek situata gripale, ka të dhëna nëse ka shkolla që janë më të prekura?
Kur shpërtheu situata gripale, shkollat nuk kishin filluar, pasi ishin pushimet e Vitit të Ri. Pra, Ministria e Shëndetësisë ndërmori masat për shtyrjen e shkollave. Kjo e bën të pamundur identifikimin e vatrave gripale, apo shkollave që janë më tepër problematike për shkak të gripit.

(Mos)Përfshirja e mësuesve në rrjetet sociale profesionale

$
0
0

mesuesStudim mbi mënyrën e organizimit të mësuesve në shkollat publike të sistemit arsimor parauniversitar

Nga Valbona Nathanaili

Studimet në fushën e marrëdhënieve formale dhe informale që krijohen në një organizatë në përgjithësi dhe, në një shkollë në veçanti, si dhe në vlerësimin e rëndësisë që kanë ato në rritjen a reduktimin e performancës kanë marrë rëndësi relativisht të ndjeshme në fundin e viteve 2000. Por ndërsa organizatat, kryesisht ato të lidhura me biznesin, kanë investuar në njohjen dhe studimin e këtyre marrëdhënieve, në fushën e edukimit ka ende shumë për të bërë.

Një nga mënyrat për të vlerësuar marrëdhëniet që krijohen në shkolla është studimi i rrjeteve sociale që krijohen në to. Fillimisht duhet të qartësojmë se me rrjet social do të kuptojmë bashkësinë e nyjeve dhe të lidhjeve që krijohen brenda shkollës, ku nyjet janë mësuesit, drejtuesit, prindërit, nxënësit, pushteti vendor a qendror etj., pra çdo aktor, në gjendje të vendosë një marrëdhënie të veçantë me një aktor tjetër, ndërsa lidhjet janë llojet e marrëdhënieve të veçanta që formohen ndërmjet nyjeve të mësipërme, si për shembull, marrëdhënie miqësore a armiqësore, emocionale a profesionale, shkëmbime a konflikte, komunikime a aleanca etj. Secila nga këto lloj lidhjeje ose marrëdhënieje mund të emërtohet si një rrjet i caktuar social.

Individët bëhen pjesë e një rrjeti social për arsye nga më të ndryshmet, por më e rëndësishmja mund të jetë synimi për të vendosur “balancë” ndërmjet vetes dhe të tjerëve me përpjekjet më të vogla të mundshme. Por historia nuk mbaron këtu. Sado e thjeshtë apo e vështirë mund të jetë për një individ zgjedhja e rrjetit social në të cilën, qëndrimi i mëtejshëm në të kërkon “investim”, mendor e fizik. Në rastin e shkollave, përfshirja e një mësuesi në një rrjet social të caktuar shoqërohet me tendencën për formatimin e sjelljes me atë kolegëve të të njëjtit rrjet, ose të ushtrimit të trysnisë mbi ta, për shembull në lidhje me politikat e shkollës, qëndrimin që duhet mbajtur ndaj drejtuesit, kalimit ose jo të një nxënësi, pranimit ose jo të një metode të re mësimdhënieje etj. Akoma, qenia në një rrjet social shpesh e shndërron individin në zëdhënës të interesave dhe perspektivave të tij. Lidhjet horizontale që krijohen në rrjetet sociale, plotësojnë dhe, ndonjëherë, edhe zëvendësojnë, koordinimin vertikal.

Shoqatat e mësuesve

Një nga format më të përhapura të një rrjeti social profesional mësuesish janë shoqatat e mësuesve. Historia e arsimit në vendin tonë përmban shumë nisma për krijimin e tyre. Sipas AQSH (viti 1919, Fondi: Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit), më 26 gusht 1919, pranë Ministrisë së Arsimit të kohës, raportohet formimi i ‘Lidhnijës së Mësuesve’ të Qarkut Tiranë: “Gjithë mësuesit e qendrës e të qarkut Tiranë, u mblodhën në shkollën e Pazarit dhe, në marrëveshje ndërmjet shoqishoqit, formuen nji shoqni nën titullin ‘Lidhnija e Mësuesve’. Qëllimi āsht me veprue në të drejtat e interesat e përbashkëta, materiale dhe morale, të mësuesve dhe të Arësimit”. Në fund të viteve ‘40 kemi shoqata mësuesish pothuaj në çdo qytet të vendit. Gjatë kësaj periudhe, këto nisma ndonëse nuk janë në kompetencë të organit qendror, – konkretisht Ministrisë së Arsimit, – aprovimi i statutit dhe i programit të tyre po. Pra, Ministria e Arsimit ishte nxitëse dhe përkrahëse e formimit dhe e funksionimit të tyre.

Duke e kapërcyer periudhën 1945-1990, ku gjithçka ishte e centralizuar dhe etaloni i krahasimit nuk është i duhuri, vijmë në ditët tona. Sa të përfshirë janë mësuesit në rrjete sociale profesionale, në shkollat publike të sistemit arsimor parauniversitar?

Fillimisht, duhet të theksojmë se në shkollat publike të sistemit tonë parauniversitar nuk vlerësohet rëndësia e formimit dhe e ushqimit të këtyre rrjeteve sociale që formojnë mësuesit me njëri-tjetrin, sikundër nuk ka asnjë përpjekjeje për të “shfrytëzuar” në mënyrë institucionale rolin e tyre në përmirësimin e punës së shkollës. Situata është pothuaj e njëjtë si në shkollat me performancë më të mirë, ashtu edhe në ato me performancë më të dobët.

Të dhënat

Gjatë periudhës janar-qershor 2015, në një pyetësor të zhvilluar me mësuesit e 20 shkollave të arsimit parauniversitar në Tiranë, Kamëz, Elbasan dhe Shkodër, mësuesve iu kërkua të raportojnë se “Në çfarë rrjeti mësuesish bëjnë pjesë”, ku alternativat e ofruara ishin: këshill pedagogjik (brenda shkollës), sindikatë mësuesish, shoqatë mësuesish, tjetër (specifiko). Shkollat u zgjodhën sipas nivelit të arritjeve, konkretisht 10 shkolla me performancën më të mirë dhe 10 shkolla me performancën më të dobët, sipas vlerësimit të vetë Drejtorive/Zyrave Arsimore përkatëse. Në pyetësor morën pjesë 521 mësues. Ju përgjigjën pyetjes 498. Pyetësori merr përsipër të tregojë vetëm situatën në të cilën është përfshirja e mësuesve në një rrjet social profesional.

Nga të dhënat e pyetësorit, 58% e të gjithë mësuesve që ju përgjigjën kësaj pyetjeje, përqindje e cila përbën edhe vlerën më të madhe të pjesëmarrjes në një rrjet social, raportojnë se janë të përfshirë vetëm në këshillin pedagogjik brenda shkollave, një përfshirje, në fakt, që është rrjedhojë e një detyrimi ligjor. Nëse kërkojmë përgjigjet e mësuesve sipas performancës së shkollës ku japin mësim, situata ndryshon pozitivisht, – ndonëse me vlera të papërfillshme, – në përputhje me performancën e shkollës. Pra, sa më e mirë performanca e shkollës, aq më e madhe është përfshirja e mësuesve edhe në rrjete që shkojnë përtej këshillit pedagogjik. Kështu, në shkollat me performancë të mirë 12.2% deklarojnë se janë pjesë, përveç këshillit pedagogjik, edhe në një shoqatë mësuesish, përkundrejt 6.9% që deklarohet në rastin e shkollave me performancë më të dobët. Edhe alternativat e tjera të përgjigjeve të kësaj pyetjeje, shkojnë gjithmonë në favor të shkollave me performancë të mirë.

Mungesa e rrjeteve sociale në shkolla është tregues i shkallës së ulët të bashkëpunimit të mësuesve me njëri-tjetrin, i mungesës së dëshirës për të marrë e dhënë mendime për punën e kryer, i indiferencës për gjenerimin e kapitalit të lartë njerëzor aty ku është i pranishëm, është një handikap që duhet t’i kushtohet rëndësia e duhur në të ardhmen.

Vasilika Zeka, suksesi i gruas në botën e biznesit

$
0
0

vasilika-zekaProfil ALUMNI-UET/ Studentja e Masterit në Administrim Publik, administron një kompani pastrimi në qytetin e Shkodrës

Nga Eva Drita

Vasilika Seferaj Zeka është nga ato pak gra, e cila ka marrë guximin për t’i hyrë e vetme një rruge të vështirë siç është ajo e biznesit. Në vendin tonë ka ende rrugë për të bërë në këtë drejtim. Shpresojmë që iniciativa e Vasilikës të shërbejë si një shembull për t’u ndjekur dhe nga gratë e tjera shqiptare. Kompania e saj e pastrimit quhet “Bardhë si Bora” dhe operon vetëm në qytetin e Shkodrës. Ka më pak se një vit që është hapur dhe duket se premisat për t’u rritur sa vijnë edhe shtohen.

Në një rrëfim mjaft interesant për Gazetën MAPO, Vasilika tregon si ka nisur çdo gjë për të.

Me një background të pasur, duket se ajo zgjodhi rrugën e duhur duke marrë këtë vendim. Vasilika ka përfunduar studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, në vitin 2005. Aty ajo ndoqi degën e studimit Administrim Biznes. Po ashtu ajo ka dhënë kontributin e saj si pedagoge e jashtme në atë universitet. Natyrisht që nuk mund t’i linte me aq studimet. Disa vite më vonë, vendosi të ndjekë dhe studimet master, pa të cilat nuk mund të mbijetosh sot në tregun e punës. Studimet master në profilin Administrim Publik ajo zgjodhi t’i ndiqte në Universitetin Europian të Tiranës. “Kisha dëshirë të zgjeroja fushën e formimit dhe influencës sime”.

Natyrisht që vendimi për të hapur një biznes nuk është aq i thjeshtë, sidomos në kohët e vështira me të cilat po përballet e gjithë bota. Për një femër përgjegjësia është akoma më e madhe, vështirësitë janë akoma më të shumta. Duke folur për frikën e dështimit Vasilika tregon se ishte e gatshme të përballonte atë që fati kishte shkruar për të. “E kisha menduar dështimin dhe dola në përfundimin që do të isha më e humbur nëse nuk do të tentoja.” Besimi është shtysa më e madhe, që e bëri atë të fillonte këtë rrugë. “Ka shumë situata, kushte dhe ngjarje që mund të na demoralizojnë në ecjen tonë në çdo aspekt, por unë dua të besoj për mirë sepse e di që nëse kërkon mund të gjesh gjëra pozitive, dritë edhe në situata të vështira”. Ashtu siç ndodh në fillimet e hapjes së çdo biznesi dhe Vasilika bëri një vëzhgim dhe testim të tregut në qytetin e saj, në Shkodër. Nga vrojtimet e saj, në 330.000 banorë të Shkodrës një pjesë e bizneseve e merrnin shërbimin e pastrimit nga Tirana dhe familjet kishin vështirësi në gjetjen e pastruesve të mirëfilltë për shtëpitë e tyre. Shkodra nuk kishte një kompani pastrimi dhe Vasilika vendosi të provojë fatin e saj, pasi premisat ishin mjaft pozitive. “Më pëlqen të përmirësoj vazhdimisht veten time, situatat, vendet dhe po pata mundësi edhe njerëzit. Prandaj mendoj shpesh se çfarë mund të përmirësoj. Në Shkodër nuk ka asnjë biznes pastrimi dhe background-i im më ka ndihmuar vazhdimisht për të gjeneruar ide biznesi. Këtë herë mendova të realizoj një ide biznesi për veten time”. Ditët e para janë shumë të vështira për çdo biznes, do të ishte mrekulli nëse puna do të shtohej që në ditët e para. Për çdo biznes duhet të kalojë pak kohë dhe të gjendet sa më afër konsumatorëve për të fituar besimin e tyre. “Impakti i parë nga ana e njerëzve ishte mjaft impresionues. Madje kishte nga ata që më telefononin vetëm për të mësuar diçka më shumë dhe për të më përgëzuar për iniciativën e ndërmarrë”.
“Bardhë si bora” është një emër i cili mbetet në memorie dhe është mjaft interesante historia e lindjes së këtij emri. “Ndërsa mendoja për emrin e biznesit, e vetmja ide e qartë që kisha ishte ideja për të patur një emër shqip. Unë besoj se vendi ynë ka shumë gjëra të mira për të ofruar dhe mund të bëhet akoma më mirë. Përveç kësaj doja ta lidhja me qytetin, ku një nga simbolet e të cilit është lulebora, prandaj biznesi im e ka emrin “Bardhë si Bora”.
Megjithatë në fillimet e saj kishte dhe nga ata njerëz të cilët shpesh e quanin si kompania Borëbardha apo Bora Bora. “Ishte gjithmonë shumë gazmor fakti që disa nuk mund ta memorizonin emrin dhe thoshin atë çfarë ju dukej më e përafërt”.
Duke rrëfyer historinë e saj, Vasilika tregon se ku i gjeti paratë e para për të hapur këtë biznes. “Një pjesë për investim, e kisha nga kursimet e familjes. Gjithashtu, gjeta mbështetjen e Yunus Social Business, ku u bëra pjesë e trajnimeve dhe mbështetjes që i jepnin Start Up-eve Biznesi social. Ata më ofruan dhe shumën tjetër që më duhej”.
Vetë Vasilika e quan biznesin e saj një të sapolindur, i cili po rritet çdo ditë e më shumë. Tashmë ajo ka si mbështetje edhe bashkëshortin e saj, i cili ka patur eksperienca të mëparshme në menaxhimin e një biznesi. “Unë besoj se treshja më e mirë që mund të krijohej për këtë biznes është Zoti, Indriti dhe unë. Besoj se është një bazë e mirë për të ndërtuar diçka që do të qëndrojë dhe do të rritet”.

Procesi i Bolonjës, koha për ndërtimin e një kulture inovative

$
0
0

coverPërkrah mësimdhënies dhe të mësuarit, një mision i tretë i universitetit duhet të jetë inovacioni, drejt qëllimit kryesor të mbështetur në një ekonomi me dije të vlerave sociale. Në thelb universiteti shihet si një inovator akademik, inkubator dhe institucion gjithëpërfshirës 

Inovacioni, sipërmarrja dhe konkurrueshmëria nuk kanë qenë kurrë larg axhendës së Procesit të Bolonjës. Që në kohën kur e kanë përmendur për herë të parë në Deklaratën e Bolonjës më 1999, deri në takimin ministror në vitin 2015, në Yerevan, Armeni, risia dhe angazhimi i vazhdueshëm i Bolonjës për të ka qenë shumë i theksuar.
Në një raport të konferencës në kuadër të procesit të kërkuesve shkencorë të Bolonjës në vitin 2014, u ngrit koncepti i misionit të tretë për edukimin. Duket se përkrah mësimdhënies dhe të mësuarit, një mision i tretë i universitetit duhet të jetë inovacioni, duke iu lejuar universiteteve idetë në rrjet, konceptet dhe praktikat më të mira, të gjitha drejt qëllimit kryesor të mbështetur në një ekonomi me dije të vlerave sociale. Në thelb universiteti shihet si një inovator akademik, inkubator dhe institucion gjithëpërfshirës.

Studentët e zgjuar dhe mësimi i inovacionit

Pyetja e rëndësishme që shtrohet është: “Si mund të vazhdojë funksionimi i Procesit të Bolonjës si një motor inovator?” Brenda një konteksti ndërkombëtar të teknologjive përçarëse, lëvizjeve demografike dhe ekonomive të globalizuara, procesi duhet të pranojë se studentët po bëhen më të zgjuar dhe më të kujdesshëm në lidhje me matjen e vlerës afatgjatë të një arsimi universitar dhe po marrin më me kujdes vendimet jetësore.
Duke u mbështetur në këtë pikë, Procesi i Bolonjës i ka ndihmuar universitetet në mbarë botën që të futen në një terren të ri, për sa i përket shpërndarjes së edukimit, gjë që është shfaqur te këta studentë.
Risitë e politikave të avancuara nga Bolonja, kanë nxitur ndryshime të mëdha në metodat e mësimdhënies dhe të nxënit, për t’i bërë universitetet europiane më kompetitive dhe efektive duke inkurajuar lëvizshmërinë akademike të mësuesve dhe studentëve, duke promovuar kështu të mësuarin me në qendër studentin, me ndërtimin e një modeli të mirëpërcaktuar të tri cikleve të arsimit të lartë, duke krijuar një shtesë te diplomat dhe duke mbështetur një degë përmes European Credit Transfer System apo ECTS.
Zona europiane e arsimit të lartë ose EHEA, një rajon konkurrues në rang ndërkombëtar i vendosur nga Procesi i Bolonjës në vitin 2010, duke ndjekur konferencën ministrore në Budapest dhe Vjenë, përbëhet nga 48 shtete. Aktorë të tjerë përfshijnë Komisionin Europian së bashku me 8 anëtarë konsultativë pa të drejtë vote, të cilët janë me interes për politikën e arsimit europian.
Mbase gjëja më inovative dhe e shquar është se vizioni i Bolonjës, ishte që vendet të merrnin pjesë në mënyrë vullnetare, jo detyruese, gjithashtu dhe inkurajuese, por jo duke mandatuar bashkëpunimin e qeverisë së brendshme.
Duke marrë parasysh tendencat që rezultojnë nga vështirësitë sociale, politike dhe ekonomike, të cilat i ka përballuar Europa në më shumë se 1 dekadë e gjysmë, është e habitshme si funksionon ende parimi i pjesëmarrjes vullnetare.
Gjendemi në një periudhë ku Europa vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme. Duke përfshirë shpërthimet nga një krizë e zgjatur financiare, një rritje të shënuar populiste, partitë antistabilizuese u përballën me elektoratin europian dhe një nacionalizëm të rilindur.
Për shumë, Procesi i Bolonjës vazhdon të veprojë si një ndërveprues. Funksionon si burim i unitetit dhe identitetit europian duke vepruar si një strehë e sigurt për politikën e inovacionit kundër kakofonive ose disa forcave më të rrëmbyera, duke kërkuar tërheqje nga çdo lloj Unioni rregullator apo organizate.

Fuqia e lëvizjes së lirë

Koncepti i politikave të inovacionit është ilustruar në veçanti nga dy shtyllat e Bolonjës, mobiliteti dhe dimensioni social. Në rastin e mobilitetit social, Procesi i Bolonjës ka pranuar se lëvizja e lirë është fuqi dhe ka inkurajuar rrjedhjen ndërkufitare të kapitalit njerëzor, mallrave, shërbimeve, teknologjisë dhe punës.

U mendua inkurajimi i studentëve për të kaluar një pjesë të studimeve të tyre universitare të zhytur në një vend të ri, do të nxisë mjeshtërinë në pavarësinë personale, përballimin me një mjedis të ri gjuhësor dhe përshtatjen me një kulturë të panjohur, thirrjen dhe mprehjen e aftësive të kreativitetit, reflektimit, përshtatshmërisë dhe mendimit kritik.
Pavarësisht disa pengesave duke përfshirë këtu kompleksitetet financiare dhe kërkesat burokratike, sipas raportit të fundit të Bolonjës në vitin 2015, numri i studentëve mobile vazhdon të rritet.
Sjellim si shembull Spanjën, ku me qëllim përmbushjen e standardeve të cilësisë dhe të vetëdijshme për angazhimet e tyre në procesin e Bolonjës, universitetet kanë ridizenjuar kurrikulën e mësimit të anglishtes, duke mbajtur një sy në të dyja standardet e cilësisë europiane dhe praktikave inovative në mësimdhënie dhe metodologjive të përdorura nga institucionet terciare të EHEA. Qëllimi është forcimi i kompetencave të gjuhës dhe t’i ndihmojë studentët në përpjekjet e tyre në drejtim të mobilitetit dhe ndërkombëtarizimit.
Iniciativa të tilla kanë ndikuar në rezultatin e rritjes së numrit të studentëve dhe studiuesve që kanë përhapur qasjet e tyre inovative, ide të të gjithë sektorëve të ndryshëm të tregut të punës dhe gjeografike në rritje, duke thelluar ndjenjën e identitetit panevropian dhe qytetarisë në mesin e të rinjve.
Përveç kësaj, shtetet pjesëmarrëse të Bolonjës vazhdojnë të bëjnë një rregullim të imët të modeleve lëvizëse, studentëve jo tradicionalë dhe talentet e tyre, të cilat në të kaluarën kanë qenë në gjendje për të hyrë në shumë mundësi të ndërkombëtarizuara dhe tani shohim që perspektivat e tyre vijnë duke u rritur. Kjo na çon drejt një tjetër politike kyçe, atë të dimensionit social.

Zgjerimi i qasjes
Në dimensionin social, janë bërë përpjekje për të siguruar grupet tradicionalisht të nënpërfaqësuara, duke përfshirë ato të kategorizuara si me aftësi të kufizuara, të statusit të ulët social-ekonomik dhe grupet e emigrantëve dhe imigrantëve që janë të vendosur në rrugët e arsimit të lartë.
Ndërsa rezultatet ndryshojnë nga vendi në vend, në një Eurydice të shkurtër më 2014, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda janë veçuar për monitorimin e tyre të vazhdueshëm të kujdesshëm të dimensionit social dhe zgjerimin e mundësive të tyre për mësim për popullsitë e nënpërfaqësuara, diçka që ndoshta nuk do të kishte ndodhur pa motivimin nga ana e Bolonjës.
Ky theks në përfshirjen sociale ka ushqyer edhe shkëndija demokratike në disa vende, ku nuk kanë kaluar pa u vënë re. Në një deklaratë të regjistruar të ministrave më 2015, ata premtuan se do të punonin me studentët dhe stafin nga zonat konfliktuale, duke iu mundësuar atyre kthimin në shtëpi dhe të avokojnë për përmirësimin e brendshëm, si dhe një kohezion të madh social, ekonomik. Procesi po i kushton rëndësi të madhe edhe përparimeve politike.
Megjithatë linjat qendrore të veprimit të Bolonjës, duke përfshirë këtu dhe ato të dimensionit social dhe mobilitetit, kanë sjellë disa rezultate mjaft pozitive. Ato vazhdojnë të jenë me hope dhe kjo ka bërë që të ketë një ndikim në kapacitetin e inovacionit.
Në publikimin e Pikëve Rajonale të Inovacionit, në vitin 2015 nga Komisioni Europian, u bë krahasimi me matjet e performancës së inovacionit, duke përfshirë numrin e doktorantëve të rinj, popullsinë mes 30 dhe 34 vjeç me arsim të lartë, aplikimet për patentë dhe bashkëbotimet shkencore ndërkombëtare, duke treguar bashkëpunimin ndërkufitar.
Në mesin e vendeve europiane, u shfaq një boshllëk i rëndësishëm inovativ, pasi u sugjerua që të bëhej një ndarje gjeografike. Në raportin “Liderët Inovativë” përfshinë Suedinë, Danimarkën, Finlandën dhe Holandën. Ndërsa tek “Inovatorët modestë ose të moderuar” përfshiheshin Bullgaria, Polonia, Hungaria dhe Rumania.
Këto vende lindore europiane, të gjitha nënshkruese të Procesit të Bolonjës, mund të kenë nevojë për një rishikim të qasjeve të tyre në arsimin e lartë, duke forcuar konkurrueshmërinë e tyre dhe përsosmëritë e reja, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfshirjen sociale, diçka që ndoshta Bolonja duhet ta përshpejtojë.

E ardhmja
Si mundet të deklarojë Procesi i Bolonjës dhe vizioni i tij, që do të mbeten të qëndrueshme, relevante dhe çfarë është më e rëndësishmja inovative?
Të qenit ende larg një ndërmarrje e përfunduar, procesi mbetet një punë në progres, e cila do të vazhdojë të shërbejë si një hapësirë për dialog jetik, ku një sërë çështjesh që lidhen me mësimdhënien dhe të mësuarin janë diskutuar, analizuar dhe zgjidhur. Tregtia e lirë e ideve ende ka një peshë të madhe dhe vektorët e ardhshëm të ndërmarrjeve të reja për studentët janë planifikuar në mënyrë që të çojnë drejt ndryshimeve.
Për sa i përket të ardhmes, plani i punës deri në vitin 2018 përfshin monitorimin e gjendjes aktuale të zbatimit të Bolonjës, duke patur një vëmendje të lartë në çështjet e tilla si shtojca e diplomës, niveli i përputhshmërisë së demonstruar nga anëtari i fundit i Bolonjës, Bjellorusia në lidhje me udhërrëfyesin e përshtatur të tyre për reforma.
Përveç kësaj, përmendet dhe një qëllim i ri specifik, prioritetet dhe inovacionet do të fokusohen për të ardhmen e EHEA.
Ndërkohë që Procesi i Bolonjës vazhdon të gdhendë dhe të përcaktojë këto qëllime, aftësia e tij për të përparuar dhe për të ndryshuar në përputhje me kohën, duke mbetur të shkathët, të përgjegjshëm dhe elastikë, mund të përcaktojë trashëgiminë e qëndrueshme të inovacionit. Do të jetë interesante të shohim nëse në klimën ekzistuese europiane të daljeve, Procesi i Bolonjës do të mundet të hapë rrugë të reja, jo vetëm për të shpejtuar procesin, por edhe për ta shtyrë më para atë. 

*Autori, Joseph M Piro është profesor i politikës arsimore dhe psikologjisë në Long Island University, SHBA. Libri i tij titullohet “Revolucionarizimi i politikës së arsimit të lartë: Inovacioni dhe Procesi i Bolonjës”. Përgatiti: Eva Drita

“Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut” për historianin Ferit Duka

$
0
0

Historiani dhe studiuesi Prof.dr.Ferit Duka u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”.

Titulli, që iu akordua në ditët e fundit të vitit 2016, shoqërohet me motivacionin: “në vlerësim të punës si studiues e pedagog i historisë, të kontributit të spikatur e origjinal për hulumtimin dhe ndriçimin e çështjeve thelbësore që lidhen me zhvillimet politike, ekonomike, demografike, kulturore dhe fetare të shqiptarëve gjatë periudhës osmane, që e kanë shndërruar veprën e tij në një referencë të rëndësishme si për studiuesit vendas, ashtu dhe të huaj”.

Profesor Duka mban detyrën e Dekanit i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit në Universitetin Europian të Tiranës dhe ka qenë rektori i parë i tij, duke besuar në projektin e saponisur më shumë se 10 vite më parë.

Ai ia ka kushtuar jetën e tij osmanologjisë, që e nisi që kur ishte student duke mësuar fillimisht osmanishten e vjetër e më pas duke hulumtuar në arkivat e perandorisë osmane.

Frut i këtyre hulumtimeve shumëvjeçare janë një varg studimesh si monografi apo vepra me bashkëautorësi, artikuj studimorë, kumtesa, etj., të botuara brenda ose jashtë Shqipërisë, ndër të cilët më të spikaturit janë: “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare (studime dhe dokumenta); “Berati në kohën osmane”, etj.

Lexo gjithashtu:

Ja defteri osman që fsheh rininë e Skënderbeut


S’ka më shtyerje! Të hënën rinisin shkollat

$
0
0

nxenesit-c1200x600-640x340

Procesi mësimor për nxënësit e sistemit parauniveristar dhe shkollat e larta nis të hënën në 16 janar. Burime nga ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit konfirmojnë se nuk ka urdhër tjetër për mbajtjen mbyllur për shkollat dhe institucione të tjera arsimore përtej kësaj date.

 Ndërkohë virusi i gripit AH3N2 ka shënuar një tjetër person që ka humbur jetën, duke e çuar në 6 numrin e atyre të cilët vuanin nga një sëmundje kronike dhe vdiqën pasi gripi u rëndoi gjendjen shëndetësore.
Personi i 6 është një 76-vjecar nga Tirana i cili ishte i shtruar në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” me pneumoni dhe insuficience respiratore. Të dhënat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se ka një trend në rënie të personave të prekur nga virusi.

“Nga monitorimi i ditor që i bëjmë shtrimeve dhe të kthyer pas një vizite në spital ka një rënie të numrit të shtrimeve dhe kthimeve në të gjithë vendin. Jemi në pikun e epidemisë dhenga java që vjen parashikojmë një trend në rënie. Po gjithsësi duhet të themi se gripi është një sëmundje shumë e paparashikueshme”, thotë Aratn Simaku, specialist i ISHP-së.

Por Simaku shpjegon se virusi gripit mund të rikthehet dhe grup mosha mbi 65 vjeç dhe që vuan nga semundje kronike duhet të vaksinohet. Shifrat mbeten 21 mij persona në javë të prekur ndërkohë që 5 persona janë në gjendje më të rëndë dhe po trajtohen në reanimacion në Sanatorium.

Anglishtja, gjuha e studentëve

$
0
0

Ada Xama dhe Ferdesa Kupa, dy studente të UET që kanë përfituar bursa shkollimi në Europë, rrëfejnë rëndësinë e gjuhës angleze në rrugëtimin e tyre akademik

Studentët e sotëm e dinë sa e rëndësishme është anglishtja për të ardhmen e tyre, për shkollimin dhe karrierën. Në një botë ku studenti ka mundësi të lëvizë e studiojë në vende të ndryshme, në bazë të bursave të ndryshme, por kryesisht programit Erasmus+, të rinjtë e kanë kthyer anglishten si gjuhën e tyre parësore të komunikimit. Më poshtë sjellim rrëfimet e dy studenteve të Universitetit Europian të Tiranës, të cilat po studiojnë aktualisht në dy universitete prestigjioze në Europë. Sa ndikoi njohja e mirë e anglishtes prej tyre për të mundësuar këto shkolla dhe si i ka ndihmuar për të komunikuar jashtë, flasin Ada Xama dhe Ferdesa Kupa.

studentja ada xamaE rritur me anglishten

Ada Xama është studente në vitin e tretë bachelor. Ajo studion në Universitetin Europian të Tiranës për degën Informatikë ekonomike. Aktualisht Ada ndodhet në Suedi, ku po studion për një semestër në Universitetin e Stokholmit. Pasi fitoi një program shkëmbimi ajo nuk hezitoi për asnjë minutë ta shfrytëzonte këtë mundësi. Duke qenë se Ada ndodhet jashtë Shqipërisë, asaj do t’i duhet të komunikojë në anglisht. Gjuha e huaj tregon Ada përveç se të jep njohuri dhe kulturë, është e domosdoshme dhe për komunikimin në shtete të ndryshme. Aplikimi në universitetin suedez kishte si kriter njohuritë në gjuhën angleze, të shoqëruar bashkë me një vërtetim të këtyre njohurive. “Për shkollimin aktual dhe të mëtejshëm personalisht kam dhënë provimin e IELTS, në përputhje me ato që unë kërkoj”. Kontaktin e parë me gjuhën angleze Ada e ka patur që në shkollën fillore, ku pothuajse të gjitha lëndët i zhvillonte në këtë gjuhë. Për Adën, gjuha angleze në ditët e sotme ka një rëndësi të madhe, prandaj dhe aplikimet për shkollë apo punë kërkojnë patjetër nivele të caktuara njohurish të kësaj gjuhe. “Me kalimin e kohës, në çdo aplikim për shkollë apo për trajnime të ndryshme jashtë shtetit, kam kuptuar se gjuha ndërkombëtare është pasuri për t’u zhvilluar individualisht dhe profesionalisht. Kërkesat tona shtohen dita-ditës dhe është e dukshme që ndërkombëtarizimi është fenomen i rëndësishëm për të gjitha shtetet”. Rëndësinë më të madhe të kësaj gjuhe Ada e kuptoi në momentin kur shkoi në Suedi dhe duhet të komunikonte me njerëzit atje. “Që ditën e parë që nuk isha në vendin tim, kam kuptuar se edhe në gjërat më minimale nuk mund t’ia kisha dalë pa njohuritë në anglisht. Mund të shkoja kudo, të përballesha me njerëz nga çdo shtet dhe anglishtja më ndihmonte të komunikoja me ta. Gjuha e huaj është dritë për mendjen dhe jetën tonë”.

studentja Ferdesa KupaGjuha e komunikimit pa kufij

Ferdesa Kupa është studente në vitin e tretë, në degën Financë Bankë. Në kuadër të programit Erasmus+ ajo është transferuar në Universitetin Nova de Lisboa, për të kryer një semestër studimi. Për shkak të studimeve të saj, Ferdesa duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me studentët e tjerë në Lisbonë. “E vetmja zgjidhje është njohja e një gjuhe të përbashkët, njohja e gjuhës angleze, si e vetmja me anë të së cilës, njerëz me kultura plotësisht të ndryshme gjejnë rrugën e një komunikimi të përbashkët”. Në pikëpamjen e saj gjuha angleze ka një rëndësi tepër të madhe, sidomos në fazat e ndërtimit të karrierës. “Deri në këtë pikë, anglishtja më ka ndihmuar për të qenë pjesë dhe për të përfunduar me sukses dy eksperienca shumë të rëndësishme për fazën në të cilën ndodhem. Mendoj se në mungesë të njohurive të kësaj gjuhe, nuk do të kisha asnjërën nga këto dy mundësi dhe shumë të tjera në vazhdim. Me një siguri të plotë, e shoh gjuhën angleze si një aftësi e cila do të më ndihmojë në të ardhmen për të fituar mundësi shumë pozitive në karrierën që aspiroj”. Ferdesa tregon se puna të krijon mundësinë për të komunikuar me njerëz të prejardhjeve të ndryshme, duke e bërë kështu anglishten fondamentale në të ardhmen. Për sa i përket eksperiencës së saj në Lisbonë ajo e përshkruan kështu: “U qasa drejt kësaj eksperience me këtë qëndrim dhe tashmë gati në përfundim të saj, mendoj se gjuha angleze ka qenë një nga elementet më esenciale në mbarëvajtjen e studimeve dhe të çdo aspekti tjetër jetësor në këtë qytet”.

Përgatiti: Eva Drita

Pedagogia: Rëndësia e mësimdhënies së anglishtes

$
0
0

zysh SonilaPedagogia e gjuhës angleze në Universitetin Europian të Tiranës, Sonila Tatili, tregon se sa rëndësi po i kushtojnë studentët shqiptarë gjuhës së huaj angleze. 

Sonila Tatili, është diplomuar në Universitetin e Elbasanit për gjuhë të huaja, më pas ndoqi studimet master në Universitetin e Tiranës për gjuhësi angleze. Duke kërkuar rritje profesionale ajo është në fazat e marrjes së titullit Doktor Shkencash në UET dhe gjithashtu jep mësim të gjuhës angleze për studentët e UET-it. Për ta bërë këtë ajo disponon një diplomë të ekzaminuesit të Gjuhës Angleze nga Universiteti Pearson, Londër. Me një background të pasur mbi gjuhësinë angleze, Sonila është një ndër personat e përshtatshëm për të folur për rëndësinë e kësaj gjuhe.

“Anglishtja është pranuar si gjuhë universale, çelës i komunikimit global. Në vitet e fundit është bërë kryefjalë domosdoshmëria e mësimnxënies së gjuhës angleze, si një gjuhë e cila na shoqëron gjatë gjithë jetës”. Në këndvështrimin e pedagoges, kjo gjuhë prej kohësh është kthyer në gjuhë të dytë në çdo cikël arsimor. “Duke patur eksperiencë në disa Universitete në vendin tonë, e pranoj me siguri të plotë se UET, është ndër të vetmet institucione që i jep anglishtes rëndësinë që duhet të ketë. Një nga pikat e forta të UET, është përdorimi i literaturës në gjuhën angleze në të tria ciklet e studimit”.

Krijimi i marrëdhënieve të ndryshme diplomatike, kulturore apo qoftë edhe turistike, vjen dhe si pasojë e fuqisë që mbart kjo gjuhë. Për sa iu përket studentëve shqiptarë, ajo rrëfen se sot ata janë më të ndërgjegjësuar se kurrë për rëndësinë dhe ndihmën që iu jep njohuria e kësaj gjuhe të huaj. Për sa i përket karrierës dhe profesionalizmit ajo rrëfen se anglishtja është një ndër pikat kryesore për të patur sukses. Konkretisht ajo e quan pasaportë suksesi gjuhën e huaj.

“Për të patur një karrierë të suksesshme, sigurisht që një profesionisti i duhet të bëjë hera-herës botime, konferenca ndërkombëtare, specializime e trajnime të ndryshme. Të gjitha këto elemente kërkojnë hulumtim në gjuhën angleze”. Si një pedagoge e devotshme, nuk mund të mungonte dhe një mesazh nga ana e saj për studentët: “Punoni me seriozitet në nxënien e suksesshme të kësaj gjuhe”.

Rëndësia e gjuhës angleze në botën e sotme

$
0
0

coverGjuhë zyrtare në 79 vende dhe territore, e folur nga më shumë se 1.5 miliard njerëz, dominon 80 për qind të asaj që shkruhet në internet dhe ka marrë sot statusin akademik të “latinishtes”- kjo padyshim e bën gjuhën angleze sot gjuhën e komunikimit ndërkombëtar. Anglishtja është gjuha e studentëve. Rrëfimi i studenteve shqiptare që studiojnë në Europë: Si na hapi dyert komunikimi. Qendra e UET ofron kurse të posaçme përgatitore për testet ndërkombëtare. Si u bë anglishtja gjuha më e folur në botë, rëndësia që ka në studime, art, politikë etj.?!

Gjuha është burimi ynë primar i komunikimit. Është metoda përmes së cilës ne ndajmë idetë tona dhe mendimet me të tjerët. Madje disa njerëz thonë se është pikërisht gjuha ajo që na diferencon ne nga kafshët dhe na bën humanë.

Ka me mijëra gjuhë në këtë botë. Shtetet kanë gjuhën e tyre kombëtare në varësi të gjuhës lokale të folur dhe të kuptuar nga njerëzit e tyre, në rajone të ndryshme. Disa gjuhë fliten nga miliona njerëz, të tjerat vetëm nga mijëra.

Pse duhet të mësosh anglisht?

Anglishtja ishte fillimisht gjuha e Anglisë, por gjatë përpjekjeve historike të Mbretërisë Britanike është bërë gjuha e parë ose e dytë e ish-kolonive britanike, siç janë: SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe India.

Momentalisht, anglishtja është gjuha primare jo vetëm e shteteve të prekura nga imperializmi britanik, por e shumë sferave të biznesit dhe kulturore të dominuara nga këto shtete. Është gjuha e Hollivudit, si dhe gjuha e bankave ndërkombëtare dhe të biznesit. Si e tillë, është një gjuhë e nevojshme për t’u mësuar.

Anglishtja është gjuha e përbashkët ndërkombëtare

Ekzistojnë disa faktorë të cilët e bëjnë gjuhën angleze të domosdoshme për të komunikuar në kohën e sotme. Së pari, është gjuha e huaj më e zakonshme. Kjo do të thotë se dy njerëz që vijnë nga shtete të ndryshme, si për shembull një meksikan dhe një suedez, zakonisht përdorin anglishten si gjuhën e përshtatshme për të komunikuar mes tyre.

Pra, çdo person duhet të flasë anglisht, nëse dëshiron të ketë kontakte të një niveli ndërkombëtar. Duke e folur anglishten, do të keni një ndihmesë të madhe për të komunikuar me njerëz nga vende të ndryshme të botës, jo vetëm anglishtfolëse.

Anglishtja dhe edukimi

Anglishtja është shumë esenciale dhe në fushën e edukimit. Në shumë vende, fëmijët mësohen dhe inkurajohen për të mësuar anglishten si një gjuhë të dytë.

Edhe në shtetet ku nuk ka një gjuhë zyrtare, siç është Holanda ose Suedia, ne mund të gjejmë shumë programe mësimore në shkencë dhe inxhinieri, të cilat janë të shkruara në anglisht.

Kjo ndodh sepse është gjuha dominante në shkencë, në shumë kërkime shkencore dhe studime që ju gjeni në çdo fushë të dhënë shkence, do të jetë e shkruar në këtë gjuhë gjithashtu.

Në nivel universitar, studentët në shumë shtete, i mësojmë pothuajse të gjitha lëndët e tyre në anglisht, në mënyrë që të krijohet një material më i aksesueshëm për studentët ndërkombëtarë.

Lista e shteteve në varësi të popullsisë anglishtfolëse

Shtetet % e anglisht folësve Totali i anglisht folësve
SHBA 94.2 298,444,149
Indi 10.35 125,226,449
Pakistan 49 92,316,049
Nigeri 53 82,941,000
Mbretëria e Bashkuar 97.74 63,962,000
Filipine 56.63 57,292,884
Gjermani 64 51,584,000
Bangladesh 18 29,398,158
Kanada 85.63 28,360,240
Egjipt 35 28,101,325
Francë 39 25,500,000
Itali 34 20,300,000
Gana 66.67 18,000,000
Australi 97.03 17,357,833
Tajlandë 27.16 17,121,187
Afrika e Jugut 31 16,424,417

 

Interneti dhe shtypi

Pjesa më e madhe e websiteve në internet, janë shkruar dhe krijuar në anglisht. Madje dhe sitet në gjuhë të tjera, të japin opsionin e përkthimit të sitit. Është gjuha primare e shtypit. Ka më shumë gazeta dhe libra të shkruar në anglisht se sa në një gjuhë tjetër dhe pa patur rëndësi se në cilin vend të botës je, ke mundësinë për t’i gjetur këta libra dhe gazeta. Për shkak se është një gjuhë mjaft dominante në komunikimin ndërkombëtar, do të mund të gjesh shumë informacion për sa i përket çdo subjekti që kërkon, nëse e flet këtë gjuhë.

Burimet lehtësojnë mësimin e anglishtes

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se anglishtja është një gjuhë e vështirë dhe konfuze, ajo në fakt është gjuha më e thjeshtë në botë për t’u mësuar, pasi ka shumë burime në dispozicion. Sapo të vendosësh që dëshiron ta mësosh, ka me mijëra burime në internet dhe librari. Nuk iu referohem vetëm mësimeve dhe librave gramatikore. Ti mund t’i shtosh mënyrës tradicionale të të mësuarit materiale dhe programe televizive për fëmijë dhe libra. Ju sugjeroj të shikoni sa më shumë televizor që të mundeni, sigurisht në anglisht dhe me titra anglisht, dhe ju do të jeni në gjendje të bisedoni në anglisht për pak kohë.

Udhëtimi dhe biznesi

Me një komunikim dhe kuptim të mirë të anglishtes, ti mund të udhëtosh në të gjithë botën. Kjo sepse është gjuha ndërkombëtare për të gjithë të huajt dhe të ndihmon shumë në çdo cep të botës. Mund ta testoni atë nga agjencitë e udhëtimeve online. Në çdo site për rezervim udhëtimesh ju do të gjeni edhe opsionin e rezervimit në gjuhën angleze.
Aftësitë tuaja në anglisht do t’ju ndihmojnë në çdo ndërmarrje biznesi që zgjidhni të ndiqni. Nëse vizitoni disa zyra, kompani, organizata qeveritare, apo qoftë kompanitë inxhinierike, do të shihni rëndësinë e anglishtes. Çdo kompani e madhe, e punëson stafin profesional vetëm pasi sigurohet se njerëzit që po punëson janë vërtet të mirë në anglisht. Kompanitë të cilat duan të funksionojnë në nivel ndërkombëtar, e konsiderojnë stafin e tyre të miredukuar vetëm nëse janë anglishtfolës të mirë, si dhe nëse shkruajnë dhe lexojnë shkëlqyeshëm në anglisht.

Gjuha e Hollivudit

Të gjithë e dinë që Hollivudi është në Shtetet e Bashkuara, si dhe të gjitha industritë më të mëdha televizive dhe muzikore e kanë bazën atje. Siç përmenda dhe më sipër, televizioni dhe filmat janë një mundësi e mirë për të praktikuar anglishten tuaj nëse sapo keni filluar ta mësoni. Për më tepër njohja e anglishtes mund të sjellë argëtimin tuaj personal me filmat, emisionet televizive dhe lojërat e shumta. Nëse një ditë do të dëshironi të punoni në industrinë e argëtimit, anglishtja është më se esenciale.
Të gjithë ata që nuk janë në dijeni për rëndësinë e gjuhës angleze duhet të fillojnë ta mësojnë, sepse do të vijë një kohë kur gjithçka do të kuptohet, flitet dhe do të shkruhet në anglisht. Në shumë mënyra, ajo kohë është tashmë këtu. Vazhdo përpara, shiko disa media dhe krijo një ide të gjuhës. Nuk do të mbetesh i zhgënjyer.

  

4 fakte pse anglishtja është gjuha më e madhe në botë:

  1. Më e folura- Anglishtja është gjuhë zyrtare në 79 vende dhe territore;
  2. Ka më shumë fjalë- 615.000 fjalë, janë të përfshira në Fjalorin Anglez të Oksfordit;
  3. Ka folësit më të shumtë- mbi 1.5 miliard njerëz flasin anglisht, kur përfshin edhe folësit jo amtarë. Është gjuha e tretë më e folur pas gjuhës kineze, spanjolle, nëse numëron vetëm folësit amtarë;
  4. Është dominante- Mbi 80% e gjithçkaje të shkruajtur në internet është në anglisht. Anglishtja është gjuha zyrtare për aviacionin dhe navigacionin.

 

Uet language Center e vogelQendra e Gjuhëve të Huaja UET, kurse përgatitore për testet ndërkombëtare

Mbrojta e anglishtes me një nga testet ndërkombëtare që ofrohen në Shqipëri, të cilat bëhen kryesisht nën monitorimin e British Counsil, është një nga mundësitë më të mira për të pasur në xhep një “pasaportë suksesi” në karrierë.

Në vendin tonë anglishtja është bërë e domosdoshme kryesisht për ata që duan të kryejnë cikle të dyta e të treta studimi, pasi edhe në master edhe në doktoraturë duhet e mbrojtur, madje në nivele akademike.

Gjithashtu shumë të rinj që duan të ikin jashtë për studime apo për të jetuar e punuar duhet të jenë pajisur më parë me gjuhën e komunikimit ndërkombëtar, anglishten.

Për t’u ardhur në ndihmë kryesisht studentëve por dhe të interesuarve të tjerë, Universiteti Europian i Tiranës ka hapur Qendrën e Gjuhëve të Huaja, ku përparësi në kërkesa për kurse ka pasur anglishtja.

Kjo qendër ofron kurse edhe në gjuhën gjermane, frënge, italiane, kineze dhe japoneze. Për studentët që studiojnë në një nga degët e UET-it këto kurse ofrohen me 30% ulje. Qendra kryesisht synon t’iu vijë në shërbim studentëve.

Për të gjithë ata studentë që kanë vendosur të kryejnë një cikël studimesh jashtë vendit, Qendra e Gjuhëve të Huaja bën të mundur që me anë të programeve dhe metodave efektive të përvetësojnë gjuhën angleze, franceze, gjermane, italiane në nivelin më të lartë akademik.

Mësimi zhvillohet në 30 seanca me mësues me eksperiencë disavjeçare dhe me metoda atraktive bashkëkohore të ilustruara, audio dhe video.

Kurset ndërthurin disa elemente; si metodat më cilësore të mësimdhënies, nivelin e lartë të saj nga pedagogë anglishteje jo vetëm të përgatitur por mbi të gjitha me eksperiencë të jetuar jashtë, e madje edhe vetë britanikë, infrastrukturën e mjeteve të teknologjisë së lartë në mësimdhënie si dhe klasat e vogla me numër të pranueshëm studentësh për të garantuar nga njëra anë procesin mësimor me rendiment të lartë e nga ana tjetër moderimin e kostove për secilin nga studentët që përfiton këtë shërbim cilësor.

Por më kryesorja që dikush i pranishëm në seancat e Qendrës së Gjuhëve UET me siguri e ka vënë re, është cilësia e lartë e studentëve që vijnë për t’u përgatitur për testet e gjuhëve.

Pushime verore te paharrueshme me shijen Alpine për fëmijët në javën e Arsimimit Zvicerian në Shqipëri

$
0
0

2Nga data 16 deri në 20 Janar 2017, do të organizohet Java e Arsimimit Zvicerian në Shqipëri, me fokus konsulencën akademike dhe kurse verore të cilët përgatisin nxënësit për vazhdimin e shkollës së mesme ose universitetit në Zvicër. Gjatë kësaj jave kurset verore të gjuhës në Zvicër do të ofrohen me 20% ulje.

Aktiviteti do të zhvillohet në zyrën e Integral-it në Tiranë.

Çdo ditë nga ora 9:00 deri në 18:00, ekspertët profesionist të edukimit do të takohen me fëmijët dhe prindërit e tyre për ti këshilluar dhe për tju dhënë rekomandimet individuale në varësi të moshës, nivelit të gjuhës dhe interesave të fëmijëve.

Prindërit e fëmijëve te moshave 5-18 vjec, do të marrin përgjigje për pyetjet e shpeshta që ata mund të kenë në lidhje me zgjedhjen e duhur për arsimimin e fëmijëve të tyre. Bazuar në eksperiencën e konsulentëve tanë, do të sqarojmë shumë pikëpyetje duke filluar nga ajo më themelore – “Përse Zvicra?”

Shteti Alpin ku përdoren katër gjuhë, me natyrën e tij te mrekullueshme dhe sigurinë që të ofron, është një destinacion arsimimi i preferuar nga elita boterore. Nëse pyesni veten nqs Zvicra është destinacioni i duhur për arsimimin e fëmijës tuaj, përgjigja më e mirë do të ishte një kurs gjuhe. Në ditët e sotme, pushimet verore shfrytezohen nga fëmijët për të marrë pjesë në aktivitete të dobishme dhe argëtuese; kalimi i kohës në shtëpi, te gjyshërit apo pushimet në bregdet fëmijët zakonisht nuk i marrin në konsideratë. Sipas konsulentëve të arsimimit, ajo për çfarë fëmijët kanë nevojë më tepër janë dy ose tre javë jashtë shtetit, sepse për ta kjo do të thotë eksperienca e miqësi të reja.

Gjatë Javës së Arsimimit Zvicerian disa nga shkollat më të mira të Zvicrës do të ofrojnë një ulje të veçantë prej 20% për kurset verore, të cilat kombinojnë përgatitjen e gjuhës me aktivitete të ndryshme në bazë të interesave. Midis tyre janë shkollat TASIS me programet në Anglisht, Frengjisht, Gjermanisht ose Italisht.

Gjuhë Angleze, futboll me skuadrën e të rinjve të Milan si dhe arti i kulinarisë dhe modes janë vetëm një pjesë e vogël e opsioneve që ofrohen nga shkolla amerikane TASIS Lugano, për fëmijët e interesuar në keto fusha.

Kampi i gjuhës dhe aventurës Altitude, i vendosur në resortin Verbier, do të ofrojë për fëmijët Shqiptarë oferta speciale për kurset verore gjatë të cilave ata do të mësojnë ndër të tjera të ndezin zjarrin si dhe të gatuajnë në ambiente të hapura në natyrë.

Shkolla më e mire në botë për turizëm – Hotel Institute Montreux, pjesë e Swiss Education Group, ka dy oferta speciale për kurse verore për të rinjtë e moshës nga 16 vjeç që dëshirojnë të ndjekin një karrierë në fushën e menaxhimit të mikpritjes. Nxënësit do të mësojnë me detaje rreth botës së kulinarisë dhe mikpritjes dhe do të kenë mundësinë të marrin pjesë në dy kurse të avancuara-çokollata zviceriane dhe djathi zvicerian.

Më shumë informacione në lidhje me Javën e Arsimimit Zvicerian, për pjesëmarrësit dhe se si të regjistroheni për një konsulencë personale mund t’i gjeni në http://www.integral.al/

1 3 4 5 6

Viewing all 1180 articles
Browse latest View live