Koncepti i kulturës politike ka qënë dhe mbetet, në lëmin e qasjeve dhe kuadrave konceptuale të demokratizimit, një faktor i rëndësishëm shpjegues që pengon apo lehtëson vendet në proceset e tyre të demokratizimit. Në Shqipëri mungesa e një kulture politike demokratike të përcaktuar si të tillë ka ndikuar në mos konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të saj, si dhe në tejzgjatjen e një procesi tranzicioni të vështirë.
Nga Gerti Sqapi*
Përgjatë këtyre 23 viteve të fundit, Shqipëria ka kaluar përmes një procesi të gjatë dhe të vështirë tranzicioni drejt demokracisë. Autorë të ndryshëm, duke u nisur dhe nga pikëpamje apo qasje teorike të ndryshme në analizën e tyre, janë përpjekur ta shpjegojnë këtë proces të gjatë dhe të vështirë tranzicioni drejt kalimit në demokraci nëpërmjet faktorëve apo shkaqeve të ndryshme që e kanë ndikuar atë. Dhe disa nga arsyet që janë përmendur më shpesh në shpjegimin e faktit se, sistemi aktual politik i Shqipërisë mbetet ende larg modeleve të demokracisë që ekzistojnë në vendet e Europës Perëndimore, janë edhe faktorët kulturorë. Pra, nisur nga një qasje kulturaliste do të argumentojmë se, mungesa e një kulture politike demokratike të përcaktuar si të tillë tek shqiptarët ka ndikuar në mos konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve të saj në Shqipëri, si dhe në tejzgjatjen e një procesi tranzicioni të vështirë. Ky punim do të bazohet kryesisht mbi të dhënat e marra nga një studim i kryer mbi kulturën politike shqiptare në vitin 2010, si dhe mbi një analizë të mjedisit politik dhe mjedisit kulturor shqiptar të cilat do të përbëjnë edhe sfondin e këtij studimi.
Koncepti i kulturës politike
Gabriel Almond dhe Sidney Verba, në studimin e tyre të famshëm mbi sjelljet politike dhe demokracinë në pesë vende, kulturën politike e përcaktojnë si “tendenca specifike e orientimit drejt objekteve politike e anëtarëve të një kombi” (Almond & Verba, 1989: 13). Qëllimi i tyre është ta trajtojnë kulturën politike si një faktor më vete, të pavarur, që ndërvepron dhe përcakton edhe faktorët e tjerë të demokratizimit. Orientimi për të cilin ato flasin i referohet aspekteve të përbrendësuara të objekteve dhe marrëdhenieve, dhe përfshin tre aspekte: 1. “orientimin konjitiv”, që është njohuria dhe besimi mbi sistemin politik, mbi rolin që ka ai dhe detyrat që i përkasin atij, mbi input-et dhe output-et e tij (mënyra se si ndërmerren dhe zbatohen politikat); 2. “orientimin emocional”, ose ndjenjat mbi sistemin politik, rolet e tij, mbi personelin dhe përformancën e tij, dhe 3. “orientimin vlerësues”, gjykimet dhe opinionet mbi objektet politike që përfshijnë një kombinim të standardeve të vlerave së bashku me informacionin dhe ndjenjat. (Almond & Verba, 1989: 14). Të gjithë këto elementë formësojnë një shumësi të përgjithshme që mund të shpjegohet nga eksperienca specifike historike e një kombi apo grupi .
Në përgjithësi mund të thuhet se, synimi i studimit të këtyre autorëve “kulturalistë” është të adresojnë vëmendjen dhe të nxjerrin në pah rëndësinë që kanë këto qëndrime, norma dhe vlera subjektive, të elitave dhe popullsisë në tërësi, për stabilizimin e regjimeve demokratike në një vend. Po kështu, qëllimi i këtyre qasjeve kulturaliste është edhe të përkufizojnë atë cfarë përbën një kulturë demokratike dhe ato që nuk janë të tilla, në mënyrë që të zhvendoset drejt këtij modeli edhe kultura politike e një vendi në tranzicion. Kështu, në kategorizimin apo tipologjinë e ndarjes së kulturave politike që Almond dhe Verba bëjnë në studimin e tyre, kulturën politike shqiptare ne mund ta klasifikonim si të nënshtruar ose të tipit parokial (Brown & Grey, 1977: 1). Në tipin parokial të kulturë politike, sipas Almond dhe Verba, përgjithësisht hyjnë ato vende, individët e të cilëve kanë njohuri të pakta ose aspak mbi mënyrën se si funksionon sistemi politik në përgjithësi; ku individët qëndrojnë të nënshtruar ndaj autoritetit; ku ata nuk e shohin veten si aktorë pjesëmarrës në strukturat dhe proceset ku ndërmerren dhe zbatohen politikat (input and output process); ku individi qëndron i privuar dhe përjashtuar nga ndyshimet e inicuara nga sistemi politik (Almond & Verba, 1989: 14-17) etj.
Tipare të kulturës politike shqiptare
Përgjithësisht, këto tipare nënshtrimi, pasiviteti dhe zhgënjimi ndaj politikës, apo edhe ndaj sistemit politik në përgjithësi, ne i vërejmë tek shqiptarët përgjatë këtyre viteve të tranzicionit drejt një demokracie të konsoliduar. Kjo, sigurisht, ka pasur pasojat e veta dhe ka ndikuar negativisht edhe në distancimin e tyre të mëtejshëm nga forma të ndryshme pjesëmarrjeje, cka përbën edhe një tipar thelbësor të një kulture politike demokratike.
Kështu, në një studim të kryer mbi këtë rast mbi orientimet e lartpërmendura që përcaktojnë edhe tiparet e kulturës politike të shqiptarëve, vetëm 17.93% e të intervistuarve u përgjigjën se kishin njohuri për politikat publike; 20.69% e tyre kishte njohuri mbi anëtarët e Parlamentit, ndërsa vetëm 30.34% e tyre kishte njohuri për Kushtetutën e vendit (Bedini, 2010, 3) . Përsa i përket konceptit që ata kishin mbi sistemin politik, 41.74% e qytetarëve shqiptarë të intervistuar e perceptojnë politikën vetëm si një mundësi për të përfituar para për aktorët që marrin pjesë në të, ndërsa vetëm 17.26% e tyre e shohin atë si arenën ku problemet e komunitetit marrin zgjidhje (Bedini, 2010, 3). Një tjetër pikë e rëndësishme për t’u vecuar këtu, dhe e konfirmuar edhe nga studimi në fjalë, është edhe shkalla e lartë e zhgënjimit të qytetarëve shqiptarë ndaj performancës së politikës në përgjithësi dhe asaj së klasës politike. Kështu, 38.91% e të intervistuarve mendojnë se politikanët janë më shumë të përqëndruar në interesat e tyre personalë; më shumë se 15% e tyre mendojnë se klasa politike në vend është shumë e përfshirë me të kaluarën komuniste, ndërsa 27.11% mendojnë se klasa politike në vend nuk ka aftësitë dhe vullnetin e duhur për ta drejtuar vendin drejt prosperitetit (Bedini, 2010, 4, 7).
Po kështu, një cështje tjetër e rëndësishme e studimit kishte të bënte edhe me format e ndryshme dhe shkallën e pjesëmarrjes së qytetarëve shqiptarë. Pjesëmarrja, e konceptuar këtu si nevoja apo domosdoshmëria e shoqërisë për të marrë pjesë në vendim-marrje, për të qënë pjesë e këtij procesi për të përmirësuar jetën publike, është një tjetër komponent i rëndësishëm dhe thelbësor që e dallon një kulturë politike demokratike nga një të tillë, ose më saktë nga një ende jo të tillë. Kështu, në rastin tonë, kur qytetarët shqiptarët u pyetën mbi format e ndryshme të pjesëmarrjes 73% e tyre deklaroi se ato thjesht votojnë; 61.37% e pjesëmarrësve lexojnë gazetat e përditshme, 33% e tyre deklaruan se kanë një lidhje personale dhe mbështesin një figurë publike politike; 13.1% e tyre u përgjigjën se nuk janë të interesuar për politikën dhe 7% e tyre pohuan se kanë votuar asnjëherë . (Bedini, 2010, 6-7.) Pra, në përgjithësi mund të thuhet se të dhënat tregojnë se shqiptarët janë të interesuar për proceset politike në përgjithësi, por gjithsesi distanca mes komunitetit dhe sistemit politk mbetet substanciale.
Disa faktorë që kanë ndikuar në përcaktimin e tipareve të tilla të një kulture politike të nënshtruar, pasive dhe ende jo demokratike të popullsisë shqiptare në përgjithësi dhe të elitave të saj poltike në vecanti, kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e një përvoje të mëparshme të trashëgimisë demokratike ose pluralizmi që mund të ketë ekzistuar më parë në vendin tonë. Pa dashur për të rënë në një determinizëm historik, është e rëndësishme të theksohet këtu se shumë prej zhvillimeve të sotme janë përsëri pjesërisht rezultat (pasojë) e të kaluarës komuniste (Kajsiu, 2006: 6). Kështu, eksperienca e kalimit të një prej regjimeve më të ashpra komuniste ku, partia në fuqi kishte ndaluar krijimin e cfarëdo grupi apo organizate jashtë kontrollit të vet, kishte burgosur dhe eliminuar të gjithë disidentët politikë, dhe ku kishte imponuar që të gjitha qëndrimet politike të pajtoheshin me qëndrimin e saj në të gjithë sektorët e shoqërisë pa kurrfarë liberalizmi, ka pasur dhe vazhdon të ketë efektet e saj negative në konsolidimin e një kulture demokratike në shoqërinë e sotme shqiptare. Po kështu, faktorë të tjerë për t’u përmendur këtu përpos mungesës së një përvoje demokratike apo shkalle pluralizmi të së kaluarës, janë edhe mënyra disi kaotike e demokratizimit që ndodhi në Shqipëri pas viteve ’90, si dhe një konfliktualitet i lartë politik që ka ndodhur dhe ka qënë konstant midis palëve gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit (edhe këto, rrjedhojë deri diku e të kaluarës komuniste dhe mungesës së një trashëgimie të mëparshme demokratike). Këto janë faktorë të tjerë që kanë pasur ndikimin e tyre jo të vogël në një distancim të mëtejshëm dhe zhgënjim të shqiptarëve ndaj sistemit politik, duke e bërë akoma më të vështirë konsolidimin e një kulture politike demokratike të mirëfilltë tek ta, dhe në konsolidimin e demokracisë në përgjithësi në Shqipëri.
Përfundime
Në literaturën e gjërë që ekziston mbi demokratizimin, brenda kuadrit të paradigmës kulturaliste, kultura politike shihet si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në një vend. Pra, se kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërvepron dhe përcakton edhe faktorët e tjerë të demokratizimit. Dhe në rastin e tranzicionit shqiptar janë dhënë kryesisht këto faktorë kulturorë (pra, mungesa e një kulture politike të shëndoshë demokratike) për të shpjeguar dhe mungesën e kosolidimit të demokracisë në vend. Po kështu në kërë literaturë shkruhet edhe se, kultura politike, ndryshe nga faktorë të tjerë që mund të ndryshohen edhe brenda një nate, kërkon vite, breza e ndoshta edhe gjenerata për t’u ndryshuar duke qënë se këto modele kanë tendence të trashëgohen nga njëri brez në tjetrin. Në këtë këndvështrim mund të rekomandonim se, përvec pritjes së një kohe të gjatë dhe të qarkullimit më të vazhdueshëm të elitave në politikë, një reformë e qëndrueshme dhe konsekuente në të gjithë sistemin e edukimit në Shqipëri duhet bërë, në mënyrë që të vendosë themelet bazike të një kulture politike në përputhje me vlerat demokratike (Bedina, 2010, 7).
Në këtë mënyrë gjeneratat e ardhshme që do të vijnë, në vend që të vuajnë nga një zhgënjim i përgjithshëm dhe mungese besimi, do t’i gjejnë më lehtë mënyrat e pjesëmarrjes për t’i ndryshuar gjërat në rast se performanca e qeverisë nuk është ashtu si pritet. Sepse në fund të fundit, nëse nuk ka një lidhje të bazuar mbi besimin e përbashkët midis shoqërisë dhe politikës, procesi i demokratizimit do vijojë të hasë vështirësi të ndryshme.
*Pedagog në UET