Historitë e maturantëve pjesëmarrës: Hallka e duhur për të kaluar nga jeta e gjimnazistit në universitet
E kthyer tashmë në traditë shkolla verore e lidershipit UET u organizua këtë vit në qytetin e Vlorës. Në bashkëpunim me organizatën World Vision kjo shkollë është e konceptuar në mënyrë të atillë që të ndërthurë më së miri procesin e mësimnxënies me atë të argëtimit. Numri i aplikimeve edhe këtë vit ka qenë vërtet i lartë dhe janë përzgjedhur vetëm 40 aplikimet më të mira. Maturantë nga rrethe të ndryshme të vendit ishin pjesë e një organizimi, ku të ndarë në grupe me një mentor udhëheqës në krye, u bënë pjesë e trajnimeve dhe lojërave të shumta të zhvilluara përgjatë 4 ditëve të shkollës verore. Kështu pjesëmarrësit patën mundësinë që të socializoheshin dhe njëkohësisht të merrnin leksione që kontribuojnë në formimin e tyre të mëtejshëm, nga pedagogët më të mirë të fushës.
“Unë lider”
Edhe këtë herë tematika e shkollës verore kishte të bënte me lidershipin. Të ftuar për të mbajtur fjalën e tyre ishin pedagogë të njohur të UET, të cilët prekën tema të rëndësishme që kanë për qëllim të edukojnë liderët e së ardhmes.
Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici ishte ndër lektorët e ftuar dhe trajtoi temën “Liderët politikë dhe Globalizimi”. Një temë mjaft aktuale kjo, e cila nxiti diskutimin mes maturantëve në lidhje me mënyrën se si ata e konceptonin globalizimin, lidhjen e tij me lidershipin, pasojat pozitive dhe negative që ka ai etj.
“Sot në botë ka një debat në lidhje me globalizmin, si një fenomen prezent tashmë në botë. Qëndrimet në lidhje me të janë të shumta e të ndryshme. Gama e opinioneve fillon me vlerësimin se globalizmi përbën ‘një oportunitet historik për ekspansion dhe zhvillim’ dhe përfundon me qëndrimin se ai po shkakton ‘shkatërrimin e aktiviteteve dhe produkteve nacionale si pasojë e konkurrencës ndërkombëtare’. Se cila palë ka të drejtë, kjo përbën një diskutim të madh…”, -tha prof. dr. Civici i cili ndër të tjera, prezantoi të pranishmit me një sërë argumentesh që të dyja ‘kampet kundërshtare’ kanë në favor të qëndrimit të tyre. Ndërkohë prof. dr. Selami Xhepa trajtoi temën “Ekonomia në diskursin politik”, ku u fol për lidhjen që ekziston mes politikës dhe ekonomisë së vendit tonë ndër vite.
“Politikanët kanë tendencën të japin premtime që nuk mund të realizohen veçanërisht në lidhje me fushën e ekonomisë dhe investimet që thonë se do të realizojnë. Ju shpesh i keni dëgjuar të tilla premtime, të cilat nuk kanë lidhje me realitetin dhe lënë shumë për të dëshiruar nga pikëpamja e qasjes realiste me të cilën ata duhet të përballen me qytetarët”, u shpreh ai duke ilustruar njëkohësisht disa nga ‘absurdet’ më të mëdha të deklaratave të tilla të bëra ndër vite nga politikanë të ndryshëm shqiptarë dhe jo vetëm. Prezantimi vijoi me një analizë të situatës ekonomike të Shqipërisë ndër vite.
Maturantët: Shkolla verore, hallka nga gjimnazi në universitet
Almeida Malka, një lider artist
Almeida është një ndër gjimnazistët pjesëmarrës të Shkollës Verore të Lidershipit të organizuar këtë vit. Ajo është 17 vjeç dhe është nxënëse e gjimnazit “Sali Nivica” në Memaliaj. Një vit më parë, Almeida mori pjesë në “The Voice of Albania” ku u paraqit denjësisht duke treguar se zotëron një zë magjepsës. Krahas talentit të madh që ka, ajo është një nxënëse shumë e mirë në mësime dhe me potencial për të qenë një nga liderët e ardhshëm më në zë. Kjo është edhe një nga arsyet që e ka shtyrë të aplikojë për të qenë pjesë e shkollës verore.
“Me UET jam njohur fillimisht nga rrethi im shoqëror por edhe nëpërmjet rrjeteve sociale ku UET ka faqet zyrtare. Pak kohë më parë kam ardhur në ambientet e universitetit për të aplikuar për bursë dhe atje m’u prezantua mundësia për të qenë pjesë e shkollës verore. Vendosa të aplikoj sepse tematika e lidershipit më tërheq shumë. Kam qenë pjesë edhe më parë e eksperiencave të ngjashme dhe i vlerësoj si mundësi për t’u formuar më tepër. Gjatë këtyre ditëve të shkollës verore jam kënaqur vërtet shumë, jam ndjerë e mirëpritur dhe kam mësuar gjëra të reja në një mënyrë mjaft interesante”.
Denison Metaj, një talent i ri premtues
Për Denisonin librat janë frymëmarrje. Leximi dhe shkrimi janë dy pasionet e tij më të mëdha, të cilat e kanë shtyrë të shkruajë dy romane që pritet të botohen së shpejti. Ndonëse vetëm 18 vjeç, ai tashmë e ka filluar rrugëtimin e tij drejt suksesit. Denisoni është nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, dhe gjithnjë ka spikatur për talentin e tij në shkrim, rezultatet e larta në mësime dhe padyshim aftësitë në lidership. “Kur UET ka ardhur në gjimnazin tim me “Gjimnaz Tour” më është shtuar kureshtja për të ditur më shumë rreth këtij universiteti, ndaj jam afruar në zyrat e tij ku edhe u prezantova me mundësinë për të qenë pjesë e shkollës verore. Këtë vit kam qenë pjesë e më shumë se 12 trajnimeve, që varionin nga 1 ditë në 6 javë, ndaj më pëlqeu si ide të isha pjesë edhe e këtij trajnimi”.
Kjo eksperiencë ka qenë shumë e vlefshme për Denisonin, i cili shprehet mjaft i kënaqur.
“U njoha me maturantë të rinj, me personalitete shumë të veçanta. Kam kaluar shumë mirë që nga momentet e trajnimeve me pedagogët deri te lojërat me mentorët si dhe finalizimi i projektit. Gjithçka shumë e bukur”.
Endri Tangu: Një lider i mirë është vizionar, këmbëngulës dhe energjik
E ka ‘sprovuar’ talentin e tij në udhëheqje shpeshherë, duke qenë jo vetëm president i shkollës së tij, por edhe një pjesëmarrës aktiv në shoqëri. Endri Tangu është maturant në qytetin e Mamurrasit, në gjimnazin “Arif Halil Sulaj”. Shkolla verore është eksperienca e tij e radhës në lidhje me lidershipin dhe duhet thënë që ato nuk janë të pakta.
“Kam qenë pjesë e trajnimeve të shumta për lidershipin, veçanërisht në trajnimet e organizuara nga World Vision dhe nismat që kjo organizatë ndërmerr për shoqërinë. Mendoj se një lider i mirë është një lider i cili ka një vizion dhe di ta përcjellë atë, është një lider që këmbëngul, është energjik dhe frymëzon të tjerët. Në shkollën verore pata mundësinë të vë në zbatim njohuritë e mia për lidershipin por edhe t’i thelloj ato. Ishte një organizim fantastik në të cilin jo vetëm mësova dhe përfitova eksperiencë por u argëtova pa masë”.
Kevin Myrto, një lider i së ardhmes
“Një lider është personi që inspiron, është ai që jep shpresë dhe optimizëm atëherë kur gjërat duken më të zymta se kurrë, është ai që nuk tërhiqet, udhëheq dhe mbështet të tjerët pavarësisht rrethanave”.
Është ky imazhi që Kevin ka patur gjithnjë për një lider të mirë. Janë pikërisht këto karakteristika të cilat ai mundohet të vërë në zbatim për veten gjatë eksperiencave të shumta të lidershipit që ka patur në rrugëtimin e tij të deritanishëm.
Kevin Myrto është gjimnazist në shkollën e mesme “Raqi Qirinxhi” në Korçë, ka qenë shpesh pjesë aktive e shoqërisë, me pjesëmarrjet në trajnime të ndryshme, nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe pjesë e lëvizjeve dhe nismave të cilat synojnë të rritin ndërgjegjësimin e qytetarëve për të qenë pjesë aktive e shoqërisë.
“Më pëlqeu ideja e të qenit pjesë e një shkolle verore si kjo që UET organizon, ndaj vendosa të aplikoj dhe jam shumë i kënaqur me eksperiencën e kaluar. Organizimi ka qenë fantastik, që nga leksionet e mbajtura dhe deri te lojërat dhe realizimi i projektit. Kam njohur njerëz të rinj, jam argëtuar dhe mbi të gjitha kam mësuar edhe më tepër për lidershipin, gjë që është tepër e rëndësishme për mua”.
Zejnel Spahiu, 18-vjeçari ciceron për turistët e Përmetit
“Në momentin që ti ke një synim apo një ambicie për veten, përpiqesh me çdo forcë apo mundësi që ke, për ta arritur qëllimin tënd”. Ky duket të jetë çelësi i suksesit të një djaloshi 18-vjeçar, që pavarësisht moshës së re, ka ndërmarrë një nismë mjaft interesante. Zejnel Spahiu është maturant nga qyteti i Përmetit, në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe këmbëngulja dhe përkushtimi për të realizuar ëndrrat e tij e kanë bërë atë të jetë në krye të një guide turistike për qytetin e tij dhe zonat përreth. Lidershipi është pjesë e pandashme e përditshmërisë së Zejnelit dhe trajnimet me këtë temë padyshim përbëjnë interes për të. Zejneli shprehet se përgjatë 4 ditëve të shkollës verore ka mësuar shumë, duke filluar që nga shkëmbimi i eksperiencave dhe ideve me moshatarët e tij, te lojërat dhe trajnimet e zhvilluara, të cilat kanë për qëllim të forcojnë ndjenjën e lidershipit te të rinjtë. “Të qenit lider është një synim që unë kam për veten. Sigurisht që për të qenë një lider i mirë duhet shumë punë dhe vullnet, por unë mendoj se jam në një fillim të mbarë”.
Marsida Ballkoçi: Shkolla verore, një eksperiencë fantastike
Marsida Ballkoçi është një ndër pjesëmarrësit e Shkollës Verore për Lidershipin. Maturante në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi” në qytetin e Elbasanit, Marsida është jo vetëm një nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe e talentuar në pikturë, por edhe një nga të rinjtë që spikat në lidership.
Ajo ka qenë pjesë e disa ndërmarrjeve sociale në organizata të ndryshme jofitimprurëse, një prej të cilave është edhe World Vision, partneri i cili së bashku me UET ka organizuar shkollën verore. Marsida ka qenë pjesë e trajnimeve të shumta, të organizuara me tematika të tilla si lidershipi, komunikimi etj., ndaj për të shkolla verore ishte një mundësi e mirë për t’u formuar më tej.
“Sapo pashë në rrjetet sociale të UET njoftimin se ishin hapur aplikimet për shkollën verore, u interesova. Aplikova sepse e pashë si një mundësi shumë të mirë për të pasuruar CV-në time me eksperienca të tilla të vlefshme për të ardhmen”. Për të, pritshmëritë që kishte për shkollën verore u plotësuan më së miri.