Në kuadër të bashkëpunimit mes akademisë dhe biznesit, Universiteti Europian i Tiranës dhe Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi me qëllim qasjen e programeve akademike sa më afër kërkesave të tregut të punës dhe angazhime të tjera të ndërsjellta.
Nënshkrimi u bë nga Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka dhe Prof. Dr. Adrian Civici, President i Universitetit Europian të Tiranës.
Kjo marrëveshje vjen pas disa bashkëpunimeve mes UET dhe sipërmarrjes, si dhe aktiviteteve të përbashkëta me organizatat e biznesit.
Profesor Civici vlerësoi këtë moment si një pikë kulmore të nismës “UET, Universiteti i Biznesit”.
“Një universitet ka synim të jetë në shërbim të biznesit, që nga programet, kurrikulumet, studimet që bën në master dhe doktoratura, projektet e ndryshme apo strukturat që ka universiteti deri tek prodhimi i “policy paper” apo artikulimi publik i problematikës që ka biznesi. Nga ana tjetër biznesi është një partner i nevojshëm për universitetin pasi studentët bëjnë praktika, testojnë dije, të marrin ato njohuri që duhet dhe në fund punësohen”, theksoi ai.
Nga ana e tij z. Jaka vlerësoi këtë bashkëpunim duke e parë si një hap më tej në afrimin e akademisë pranë kërkesave që ka biznesi për burime njerëzore të mirëpërgatitura dhe të diplomuar të gatshëm për t’u përballur me sfidat e tregut e vështirësitë e suksesit.
Palët ranë dakor që; Të organizojnë aktivitete të përbashkëta si trajnime, seminare dhe projekte në fushën e industrisë, të tregtisë dhe kërkimit shkencor; Të organizojnë dhe drejtojnë shkëmbimin e ekspertëve me qëllim të kryerjes së hulumtimit; Të diskutojnë për shkëmbimin e objekteve dhe pajisjeve për kërkime bashkëpunuese, ose të pavarura bazuar në politikat e të dy palëve; Të shkëmbejnë informata shkencore duke përfshirë dokumentet kërkimore, indekset për tezat, librat dhe revistat mbi subjektet relevante dhe projektet e mundshme të përbashkëta aty ku është e mundur dhe e përshtatshme; Të shtrijnë bashkëpunimin në takime shkencore dhe teknike, si dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.
Fushat e bashkëpunimit:
Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë me Universitetin Europian të Tiranës pajtohen të bashkëpunojnë, por pa u kufizuar, në këto fusha:
- Të mbajnë komunikim efektiv ndërmjet tyre për të identifikuar fushat e interesit të ndërsjellë kërkimor; projektet me interes për të dyja palët dhe mundësi bashkëpunimi për trajnime.
- Për të nxitur diskutime dhe për të identifikuar fushat me interes të përbashkët shkencor dhe boshllëqet shkencore që pengojnë progresin e palëve;
- Të përcaktojë projekte kërkimore bashkëpunuese që mund të trajtojnë çështje shkencore në përputhje me politikat dhe procedurat për secilën palë;
- Të ndajnë njohuritë dhe të dhënat që avancojnë interesin reciprok të palëve në përputhje me politikat dhe procedurat për secilën palë;
- Të publikojnë dhe shpërndajnë rezultatet e bashkëpunimeve në përputhje me politikat e secilës palë dhe projektet e tyre;
- Për të nxitur marrëdhënie të forcuara ndërmjet agjencive rregullatore, industrisë, akademisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme drejt zhvillimit të konsensusit mbi shkencën.