Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Kultura e Ligjërimit Konfliktual në politikë

$
0
0

Prirjen e politikës që hera-herës të shkojë tej konkurrencës dhe të shndërrohet në konflikt e mishëron më mirë semantika e konceptit kulturë politike. Konflikti midis forcave politike në Shqipëri në shumicën e rasteve nuk ngrihet në nivelin e një konflikti politik substancial

Nga Roland Lami, Adela Danaj*

Ligjërimi politik në kontekstin shqiptar, përpara se të jetë i majtë apo i djathtë, madje përpara se të jetë shoqëror, ekonomik, ambientalist etj., është konfliktual. Mediat priren ta theksojnë edhe më tepër, gjë që bëhet më e perceptueshme në rastin e televizionit.

Sigurisht, nuk kemi të bëjmë me një dukuri specifike shqiptare. “Në të gjithë botën ligjërimi politik priret të jetë konfliktual dhe televizioni e ka funksionin, si të thuash organik, duke e nxjerrë edhe më në pah këtë aspekt”.

Natyra konfliktuale e politikës për shumë studiues shpjegohet me argumentin se politika është e pandarë nga konkurrenca dhe ndeshja apo ballafaqimi i këndvështrimeve për çështje të ndryshme social–kulturore, ekonomike dhe politike. Thënë ndryshe, “kuptimet konkurrencë dhe ndeshje janë bërthama kuptimore të fjalës politike, qoftë kur i përdorim për të emërtuar artin e të qeverisurit, qoftë kur e përdorim në kuptimin strategji dhe taktika për të fituar dhe mbajtur pushtetin”. Demokracia duke qenë se nënkupton gjithmonë dy palë, dy aktorë: mazhorancën që synon ta mbajë pushtetin dhe opozitën që bën oponentin dhe konkurrencën për të fituar pushtetin, rrjedhimisht “politika nuk rezulton vetëm art apo praktikë qeverisjeje, por edhe konkurrencë e ndeshje”.

Në këtë kontekst, prirjen e politikës që hera-herës të shkojë tej konkurrencës dhe të shndërrohet në konflikt e mishëron më mirë semantika e konceptit kulturë politike. Është ky një koncept i përpunuar në vitet gjashtëdhjetë që nënkupton besime, vlera dhe norma për mënyrat se si duhet organizuar jeta shoqërore, ekonomike dhe politike.

Konsensusi dhe konflikti

Klasifikimi më themelor i kulturave politike është mbase ai i Arend Lijphart, ku predominojnë dy kategori: konsensusi dhe konflikti. Sipas tij, kultura konsensuale realizohet kur palët konkurrojnë për vlera të njëjta, por ndahen sepse propozojnë qasje të ndryshme për mishërimin e tyre. Shpesh, jeta politike lëviz ndërmjet këtyre dy kategorive. Madje, konfliktualiteti për shumë autorë shikohet si gjendje normale e politikës. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e shkollës së teorisë së konfliktit  besojnë në vlerat dhe produktivitetin që prodhohen në shoqëri fenomeni i konfliktit. Sipas tyre, shpeshherë mbivlerësohet konsensusi politik si zgjidhje e problemeve apo ngërçeve dhe jo konfliktit politik. Autorët e kësaj shkolle argumentojnë që shpesh nënvlerësohet fakti se qytetari në fund të fundit është i interesuar për debatin parlamentar dhe për kundërshtimet politike dhe jo për të kundërtën e tyre. “Debati ndërmjet forcave politike në parlament apo jashtë saj jo vetëm që realizon transparencën politike, por përbën edhe një shtysë për të gjeneruar ide progresive në shoqëri dhe diferenca në identitete”.

Falë konfliktit politik sqarohen qëndrimet ndaj çështjeve dhe shpalosen identitetet politike të palëve të përfshira në debat. Nëse marrim si të mirëqenë postulatin se jetojmë në një shoqëri të diversifikuar për shkak të interesave dhe këndvështrimeve për çështje të ndryshme, atëherë pikëpamjet e tyre morale, politike, institucionale etj., nuk mund të jenë të njëjta, veçse të ndryshme.

Parë në këtë perspektivë të ofruar kryesisht nga përfaqësuesit e shkollës së teorisë kritike (Collins, 1974, Coser, 1956, Dahrendorfi, 1997) mund të thuhet se çdo zgjidhje konsensuale që gjejnë politikanët midis tyre rrezikon t’i vendosë ata në një pozicion elektoral, ideologjik të vështirë përpara votuesve aktualë dhe potencialë. Madje Wirth  mbron tezën se nga konsensusi i ekzagjeruar deri në totalitarizëm na ndan veç një hap. Sipas tij, i vetmi konsensus i pranueshëm është se nuk ka konsensus. Konsensusi ka veti t’i shuajë diferencat dhe të eliminojë interesat e grupeve të caktuara, ndërsa konflikti i mban gjallë këta interesa. Dahrendorfi është njëri prej tyre që e mbron fort këtë tezë.

Megjithatë, vlen të shpjegohet natyra e konfliktit për të cilin flasin autorët e mësipërm, pasi e parë nga kjo perspektivë të krijohet përshtypja që çështja e konfliktit në kontekstin shqiptar nuk duhet konsideruar problem. Mirëpo ky është një lexim sipërfaqësor, pasi flitet për rëndësinë e konfliktit me bazë substanciale dhe jo ai me natyrë formale. I pari buron nga ide, qëndrime, argumente, arsyetime, platforma të mirarsyetuara dhe të strukturuara, ndërsa i dyti mbështetet tek etiketime, personalizime, epitete, fyerje, sharje etj.

Konflikti politik në Shqipëri 

Për fat të keq, konflikti midis forcave politike në Shqipëri në shumicën e rasteve nuk ngrihet në nivelin e një konflikti politik substancial, siç i referohen autorët e mësipërm. Referuar përmbajtjes së konfliktit në Shqipëri, konstatohet rëndomtë se burimi i konfliktit bëhet shpesh çështje periferike dhe aspak substanciale. Procesi i komunikimit politik shpeshherë dominohet jo nga projekte apo ide, por akuza dhe thashetheme politike. Mjafton të sjellësh ndërmend prirjen ligjërimore që përpiqet të zëvendësojë dikotominë e majtë – e të djathtë me komunistë – antikomunistë, liberal – socialdemokrat me berishizëm–nanoizëm ose Basha – Rama. Kjo prirje, që gjallërohet sidomos në prag zgjedhjesh, ndërton një debat pa thelbe doktrinare apo strukturore.

Ndryshe nga çfarë do të duhej të ndodhte, ku në rrafshin konceptual dikotomia e majtë – e djathtë të organizohej mbi paradigmat e tipit: fitim – rishpërndarje, politika tregu – etatizëm, private – publike, individualizëm – barazi sociale, koncesion – administrim publik etj., këtu kemi një rrafsh konceptual dikotomik, si: komunist– antikomunist, kolaboracionist – antifashist, patriot – tradhtar, berishist – nanoist, rilindas – prapambetje kulturore, verior – jugor, bllokmen – rapsod etj.

Gjallërimi i këtij lloj ligjërimi në prag zgjedhjesh dëshmon më së miri se kemi të bëjmë me strategji ligjërimore për të ndikuar tek elektorati jo aq në rrafshin e arsyes, sa në atë të emocioneve dhe jo në orientimin drejt çështjeve por drejt personave. Me këtë lloj logjike, “Tjetri” nuk është thjesht një kundërshtar politik por një armik, duke vënë në dyshim integritetin e tij dhe jo atë të alternativës që ai përfaqëson. Më këtë mendësi, Berisha e ka etiketuar vazhdimisht Nano-n si “padrino të krimit”. “Kreu i një sistemi korruptues”, “kumarxhi kazinosh”, “bashkëpjesëmarrës në tregti droge”, ndërkohë që edhe Nano nuk ka mbetur  pas, me të njëjtën zhargon ku iu ka servirur Berishës dhe shqiptarëve “si një të keqe të madhe”, ku “diktatori i fundit”, ishte “ i pandreqshmi” etj.  Vazhdimisht, publiku është gjendur nën ndikimin e antiberishizmit të Nanos apo antinanoizmit të Berishës, madje edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të viteve 1996, 1997, 2001 apo 2005 janë konceptuar mbi këto baza. Kështu, Partia Demokratike në spotet e saj elektorale iu shtronte pyetjen shqiptarëve: “A doni një kryeministër apo një krim-ministër?”. Ndërkohë, Partia Socialiste në spotet elektorale vinte theksin tek ideja se e keqja që i kishte ndodhur shqiptarëve në vitin 1997 dhe 1998 personifikohej  me Sali Berishën.

Me të njëjtën logjikë, operoi edhe kryetari aktual i opozitës Rama, i cili duke patur kundërshtar Berishën e bazoi fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, në ngjarjet e Gërdecit ku mbetën shumë viktima të pafajshme dhe gjithashtu e bazoi dhe te vitet e 1997-ës dhe të 1998 -ës. Madje edhe në zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe të 2013-ës, veproi me të njëjtën strategji elektorale. Mjafton të kujtojmë sloganet “Fajin e ka Saliu”, “Kurrë Më”. “Sali Gërdeci”, “Sali 21 Janari”, “Plaku Mere” etj. Apo në krahun tjetër, të njëjtën personalizim të fushatës bëri edhe kundërshtari i tij, Berisha gjatë zgjedhjeve lokale të 2007-ës, 2009-ës, 2013-ës. Të njëjtën gjë bëri kryetari i sapozgjedhur i PD-së, Lulzim Basha në 2015. Lideri i PD-së shigjeton kundërshtarin Edvin Rama duke e akuzuar për jetën e tij personale dhe familjare, etiketime të  tilla si: “bllokmeni”, “kryetari i 20 %”, “aleanca e gjelbësirave”, “piktori”, “Ramë fasada” “Ramë drogaxhiu” etj. Po ashtu, Rama me të njëjtën strategji që etiketonte Berishën etiketon dhe Bashën, duke e quajtur “ kryetari kukull”,  “miss buzëqeshja”, “kryetari në hije”, “gjumashi”, “Ministri i 21 Janarit” etj.

Në përgjithësi, akuzat dhe kundërakuzat dominojnë pjesën më të madhe të ligjërimit politik. Fjalitë e shkurtra, fyerjet, etiketimet, nënvlerësimet, përçmimet, sulmet personale, historitë banale, akuza që bazohen mbi marrëdhëniet personale të udhëheqësve të partive me rrethet e biznesit etj., mbizotërojnë debatet, fushatat, deklaratat për shtyp gjatë gjithë kohës së komunikimit me publikun. Mjafton t’i referohemi studimit të OSFA-së, i cili i referohet fushatës së zgjedhjeve të 2009-ës dhe 2011-ës dhe studimit të kryer nga ne në zgjedhjet lokale të 2015-ës, për ta konfirmuar këtë gjë. Sipas të dhënave në këto studime për periudhën 2009–2015, rezulton që ligjërimi i adresohet në masën 40% – 50% të karakterit dhe të përkatësisë.  Një e dhënë që tregon natyrën e ligjërimit të lidershipit politik, sidomos në kohë fushatash elektorale.

Aktorët politikë në pamundësi për të ndërtuar një “vizion të shoqërisë që niset nga grupe apo shtresa të caktuara shoqërore, apo duke u bazuar te një univers ideologjik, e ndërtojnë vizionin e shoqërisë në raport me një kërcënim, që simbolizohet nga liderët e partive kundërshtare.  Kundërshtari politik prezantohet në publik si negativisht, ashtu edhe kur nuk lejon shoqërinë të bëhet ashtu siç e imagjinon apo e dëshiron ai. Në këtë lloj ligjërimi “dy antagonistët” (socialistët dhe demokratët) krijojnë idenë se synojnë asgjësimin total të njëri-tjetrit”.  Kjo psikozë nuk prek vetëm nivelin e lidershipit, por përfshin të gjithë aktorët politikë. Në këto kushte, i gjithë komunikimi politik përfshihet në një vorbull “ku të gjithë akuzojnë të gjithë”. Pikërisht, këtu qëndrojnë nivelet e larta të polarizimit, konfliktualitetit dhe përjashtimit në politikën shqiptare.

Kjo dukuri, për shumë studiues që merren me analizën e ligjërimit shpjegohet deri diku me efektet e trashëgimisë totalitare, e cila vazhdon të ketë ndikim në mënyrën se si palët kundërshtare e perceptojnë njëri-tjetrin. Fuga është njëri prej tyre që problemin në fjalë e lidh me influencat e regjimit të kaluar. Jo pa arsye ligjërimi dhe universi terminologjik funksionojnë sipas një logjike ku përjashtimi tërësor i së kundërtës ishte rivale. Logjika përjashtuese bëhet dominante. Të kundërtat duken sikur ndeshen për jetë a vdekje. Ndërsa Brossat  dhunën verbale e shikon si një faktor strukturimi dhe përqendrimi i subjektit përpara rrëmujës dhe shpërbërjes së strukturave sociale në një shoqëri që ndodhet në një periudhë tranzicioni. Sipas tij, atje ku konceptet e mëparshme politike nuk mund të jenë më shpjeguese, atje ku kuptimi i fjalëve të përdorura deri më tani mbetet prapa nevojave të realitetit, atje ku aktorët politikë të terrenit kanë vështirësi të ndryshme për t’u orientuar në situata të reja politike dhe shoqërore, pikërisht në këto momente ndihet nevoja objektive dhe subjektive për strukturim, për të vënë rregull në fushën e aksionit politik dhe të simbolikës përkatëse që e karakterizon.

Konfliktualiteti politik riprodhon vazhdimisht një univers terminologjik, i cili e dyzon realitetin shoqëror shpjegon Bernstein. Në këto kushte sipas autorit në fjalë, vetë realiteti shoqëror nis e dyzohet duke marrë vlera të kundërta për grupet shoqërore rivale. “Konflikti konceptual dhe konflikti shoqëror ushqejnë njëri-tjetrin. Grupet shoqërore që kanë kuptime rrënjësh të kundërta me njëri–tjetrin nuk arrijnë të krijojnë hapësirë të mjaftueshme dialogu midis tyre”. Përjashtimi kthehet në parim gjykimi. Aq më shumë në kushtet e funksionimit të dobët të institucioneve demokratike. E themi këtë pasi “funksionimi i institucioneve demokratike kërkon dhe bën të domosdoshëm pranimin e tjetrit si realitet dhe pol kategorial për të ndërtuar një hapësirë demokratike mendimi”.  Mirëpo, në mungesë të këtyre institucioneve realiteti dyzohet dhe kategoritë e kundërta predominojnë. Kjo mënyrë perceptimi i “Tjetrit” përveç klimës dypolare dhe konfliktuale në krahun tjetër krijon edhe idenë e ngjashmërisë ndërmjet palëve të vendosura në pozicione diametralisht të kundërta. Pasi palët duke vepruar më të njëjtën logjikë përjashtuese nuk arrijnë dot të diferencohen nga njëra-tjetra, por përkundrazi janë identike. Jo më kot publiku shpeshherë në ambiente informale shprehet “se mos është më e mirë pala kundërshtare”, “njëlloj janë të dyja palët” apo paradoksi tjetër sapo kritikon njërën palë, përkrahësit dhe mbështetësit e saj të thonë se pala tjetër është më keq, dhe sapo kritikon pala tjetër, përkrahësit dhe mbështetësit e saj të thonë se kundërshtarët e tyre janë edhe më keq se ata. Kështu, “logjika e konfliktit, lufta politike tejet e ashpërsuar midis forcave politike bëhet një instrument solidariteti midis tyre”.  “Votoni për Partinë Socialiste, sepse ndryshe do të vazhdojë të qeverisë pushteti i babëzisë” , ose “Votoni për Partinë Demokratike, sepse ndryshe duhet të pranoni pushtetin e Partisë Socialiste”. Të dyja palët shtrëngojnë radhët e anëtarëve dhe të militantëve, ku përpiqen të zgjerojnë elektoratin e tyre vetëm duke trumbetuar me të madhe rrezikun e marrjes së pushtetit nga forca politike rivale.

Pikërisht përballë këtij kërcënimi ato artikulojnë dhe përfaqësojnë elektoratin. Emri i liderit kthehet në shënjues. Çdo anëtar bashkohet rreth liderit të tij dhe kundërliderit të kundërshtarit politik. Dy polet dominojnë fushën e ligjërimit duke përjashtuar ekzistencën e poleve të tjera. Kjo formë ligjërimi në kushtet e mediatizimit të politikës amplifikohet akoma më shumë. Etiketimet, batutat, sulmet e personalizuara preferohen më shumë nga media, sidomos ajo e shkruar. Lajmi, sidomos ai politik, jo rrallë flirton me metaforën që, sipas Jakobsonit, është karakteristike për ligjërimin artistik. Kujtojmë p.sh. titujt televizivë të tipit: “Beteja për Tiranën”, “Kundërsulmi i Priftit”, “Monologu i Ramës”, “Përballja Rama-Basha”, “Debati Rama-Fevziu”, “Barazim në pjesën e parë, fitore e Ramës në të dytën”, “Dueli Basha–Rama” etj. Nëse tituj të tillë i analizon në rrafsh semantik, të rezulton se lufta, sporti dhe teatri janë veprimtari tipike që përqasen me politikën. Që të tria kanë në themel ndeshjen, konfliktin, tensionin.

Strukturimi i konfliktit politik jo si ndeshje programesh, alternativash etj., por si duel personash e afron lajmin me krijimtarinë artistike, veçanërisht me konvencionet e realizmit kritik. Reporterët sipas Gjokutaj bëjnë edhe një hap më tej: jo rrallë duelet e liderëve i paraqesin si bejleg folklorik. Kujtojmë p.sh. raportime fushatash elektorale ku Berisha, megjithëse ka përpara banorët militantë të Beratit, i drejtohet liderit të opozitës në trajtë provokative, sikur ta kish përballë me “shqyt” dhe “parzmore”: “Ti Edvin Rama akuzon pa fakte dhe dëshmon se trillon. Ti akuzon 20 mijë komisionarë… Unë të garantoj ty, se në 8 Maj do të fitojmë edhe Tiranën edhe Beratin…”  Ose kujtojmë postimet në Twitterin e Ramës, ku përdorte të njëjtin regjistër komunikimi: “Për cilët të varfër e ke fjalën, Sali!”…, paçka se presupozohet që autori u drejtohet miqve të tij virtual dhe jo armikut real. “Liderët duan të ngrenë temperaturën emocionale të mbështetësve, ndaj përdorin këtë trajtë retorike, paçka se është arkaike e folklorizante”.

Ligjërimi politik

Kjo prirje e bën problematike aspektin përmbajtësor të ligjërimit. Termat përgjithësues dhe të zhveshur nga përmbajtja doktrinare dominojnë tekstet e fjalimeve, deklaratave për shtyp dhe fushatave elektorale. Mirëpo, siç shprehen me të drejtë Orwell,  gjuha  dhe terminologjia janë instrumente që i prodhojmë në funksion të qëllimeve tona, por edhe anasjelltas. Në këtë kontekst, “konceptet dhe bindjet tona janë produkt i termave dhe gjuhës që përdorim. Ashtu sikur e prodhojmë atë, edhe ne prodhohemi prej gjuhës dhe shpesh mbetemi ‘skllevër’ të koncepteve dhe termave gjuhësor, që kushtëzojnë mënyrën tonë të të menduarit. Kështu, nëse mendimi është i aftë të korruptojë gjuhën, gjuha gjithashtu është e aftë të korruptojë mendimin”.

Këtu qëndron problemi i instrumentalizimit të gjuhës në funksion të ndërtimit ideologjik, “pasi terminologjitë, kategoritë gjuhësore dhe konceptet që përdoren në debat, mitingje apo diskutimet tona politike jo vetëm që nuk i garantojnë ndryshimet dhe diferencat doktrinare por në të kundërt i eliminojnë ato”.  Ky model ligjërimi mundëson sheshimin e diferencave duke mos arritur të mobilizoj grupet e ndryshme sociale. Tensionin e mban permanent dhe ndarjen në dy grupe, në NE dhe ATA e riprodhon vazhdimisht. Si të thuash, konflikti i personalizuar shndërrohet në mënyrë mobilizimi i grupeve të ndryshme sociale, ndërsa akuzat dhe etiketat në diferencë. Kjo shpjegon dhe mungesën e konfliktit substancial në realitetin tonë politik që për shumë autorë konsiderohet i rëndësishëm për funksionimin e pluralitetit politik.

Partitë politike duke mos ndërtuar identitete të caktuara sociale dhe politike (urbane apo rurale, liberale apo konservatore, kozmopolitane apo nacionaliste e kështu me radhë) mobilizojnë elektoratin kryesisht duke i mëshuar personalizimit të debatit. Ndërthuret personaliteti me performancën publike, brenda një konteksti të caktuar kulturor e politik. Në një farë mënyre, jeta politike e personazhit politik fal mediave elektronike shkon “live” në ambientet familjare, duke u kthyer në një objekt komentesh. Janë pikërisht konvencionet sociale që shërbejnë si kriter vlerësimi dhe në fund bëjnë diferencën ndërmjet dy figurave kryesore politike ose formacioneve politike.

Këto zhvillime, sigurisht, ndikojnë negativisht në drejtim të mos-strukturimit ideologjik të partive kryesore politike. Për hir të fokusit te performanca e kandidatit, garat elektorale kthehen në shfaqje të mirëfilltë mediatike, ku rëndësi merr gjithnjë e më shumë mënyra se si të tërhiqet vëmendja e publikut, dhe jo sa informacion iu jepet zgjedhësve për t’u informuar mbi politikat që mund t’iu shërbejnë atyre. Forma merr më shumë rëndësi se përmbajtja. E gjitha kjo, ndikon negativisht në drejtim të raportit parti politike – ideologji dhe marrëdhënie  parti politike – grupe sociale.

*Marrë nga libri “Kriza e demokracisë lokale”, botim i UET Press, me autorë: Roland Lami dhe Adela Danaj


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles