Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Klubi “Juristët e rinj” në UET: Drejtësia shqiptare, e tashmja dhe e ardhmja

$
0
0

Anëtarët e klubit “Juristët e rinj” e zhvilluan takimin e tyre të fundit për këtë vit akademik, në praninë e dy të ftuarve mjaft interesantë, të cilët ndanë më ta mendimet e  tyre në lidhje me çështjet më të debatuara për momentin, Reforma në Drejtësi dhe Vettingu. Dy ekspertët e mirënjohur të drejtësisë, pedagogë në UET, prof. dr. Ksenofon Krisafi dhe prof. asoc. dr. Eriona Canaj diskutuan me studentët për këto tema.
Në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të klubit, profesor Krisafi i inkurajoi studentët, ata të cilët janë juristët e ardhshëm të këtij vendi, që  t’iu qëndrojnë besnikë vlerave dhe parimeve të drejtësisë. Për të, një jurist i mirë është ai që punon në bazë të këtyre parimeve. Ai nënvizoi faktin se problemet më kryesore të drejtësisë në Shqipëri e kanë zanafillën në sistemin arsimor juridik, i cili jo pak herë nxjerr në tregun e punës juristë të cilët udhëhiqen nga dëshira për t’u pasuruar lehtë dhe jo nga dëshira për të vënë drejtësinë në vend.
Ndaj, Reforma në Drejtësi duhet të ndikojë në përmirësimin e sistemit arsimor juridik, në mënyrë që drejtësia shqiptare të jetë e pasur me juristë të kualifikuar.
“Është i domosdoshëm një provim unifikues, për të gjithë studentët të cilët kanë marrë diplomën nga cilido Fakultet Juridik në të cilin kanë studiuar”, kështu është shprehur Krisafi, i cili mendon se themeli i një sistemi të shëndoshë drejtësie janë pikërisht juristët e mirëpërgatitur akademikisht.
Nga ana tjetër, fakti së në Reformën në Drejtësi po ndërhyjnë ndërkombëtarët, Krisafi e sheh si pozitiv dhe të domosdoshëm, në mënyrë që drejtësia shqiptare të jetë ajo që duhet të jetë për të patur një shtet funksional në të gjitha aspektet.
“Në kushtet e Shqipërisë, ne kemi nevojë për një ndërhyrje të tillë ‘kirurgjikalë’ të fuqishme, dhe një proces tranzitor si vettingu do ta ndihmonte sistemin e drejtësisë të rimëkëmbej”.
Pavarësisht se Reforma në Drejtësi është zvarritur për shkak të interesave dhe abuzimeve të njerëzve të caktuar të pushtetit, Krisafi shprehet se jemi në rrugë të mbarë për ta parë atë të realizuar.
Ndërkohë pedagogia Eriona Canaj ka shpjeguar më në detaje procesin e vettingut.
“Vettingu si proces nuk ndodh shpesh. Ai realizohet në vende të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe që kanë si qëllim të integrohen dhe të çrrënjosin korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Me anë të vettingut vlerësohet aftësia e gjyqtarëve në punë, si dhe bëhet realizimi i llogaridhënies në vënien e pasurisë nga ana e tyre”.
Më tej prof. Canaj ka shpjeguar strukturën në bazë të së cilës funksionon ky proces si dhe hapat që do të ndiqen deri në përfundimin dhe realizimin e objektivave të tij.
Në përmbyllje të këtij takimi, të ftuarit iu janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme që studentët i drejtuan, duke e bërë këtë takim përmbyllës mjaft interesant dhe të vlefshëm për juristët e rinj.
*Nga Elda Dedja, studente e MPK-së në UET, fituese e Bursës Pashko 2016


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180