Studentët më të mirë të Financës dhe Ekonomiksit në UET u bënë pjesë e një konkursi, ku fituesit përfituan intershipe pune pranë kompanive private
“Ndërmjetësit financiarë në Shqipëri: Problematikat dhe sfidat” ishte tematika e këtij viti për forumin e studentëve të Financës në Universitetin Europian të Tiranës. Ky forum me diskutime nga studentët zhvillohet çdo vit nga Departamenti Financë-Ekonomiks, Fakulteti Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit.
Ky forum shërben si një mënyrë për të zbuluar studentët ekselentë të Financës.
Studentët erdhën me temat e tyre në një konkurs idesh, ku juria ishte e përbërë nga profesorët e UET-it dhe përfaqësues nga institucione financiare në vend. Fituesit e këtij konkursi kanë mundësinë të bëjnë intershipe pune dhe mundësi punësimi pranë këtyre institucioneve.
Pedagogu Arbi Agalliu u shpreh: “Është kënaqësi që kishim përfaqësues nga ABI Bank, Credins Bank, kompania e sigurimeve INSIG, Shoqata e Bankave etj. Këta “partnerë” të aktivitetit ofrojnë për studentët fitues mundësi intershipi pranë institucioneve të tyre si dhe dhurata të ndryshme motivuese për studentët që të ecin drejt rrugës së dijes së motivuar”.
Sipas Agalliut, aktiviteti nxit te studentët punën kërkimore të ndërthurur me informacionin e marrë në terren për të qenë në të njëjtën kohë edhe afër praktikës.
Forumi i Studentëve të Financës përbën një ngjarje të përvitshme në UET për studentët e viteve të dyta të Bachelorit në profilin Financë-Bankë, ku ky vit shënon dhe vitin e gjashtë të organizimit të tij të pandërprerë, që nga 2012-a.
Prof. asoc. dr. Elvin Meka vlerësoi punën e studentëve dhe e sheh aktivitetin si një mënyrë për t’i nxitur ata drejt tregut të punës.
“Studentët sollën disa tema dhe trajtime shumë interesante, jo vetëm në ide, por dhe në analizë, këndvështrime, interpretime dhe paraqitje vizuale. Kjo tregon për një rritje cilësore në formimin e tyre dhe në rritjen e vet nivelit të forumit”.
Si organizator i aktivitetit Meka shton se “në këndvështrimin praktik, Forumi iu shërben studentëve në shumë drejtime. Së pari, i mëson ato të përballen me idenë e garës së ideve, duke i ndihmuar të jenë më të përgatitur në jetë dhe në praktikë kur të mbarojnë studimet, pasi vetë tregu i punës po bëhet gjithnjë e më konkurrues. Së dyti, studentët fillojnë dhe hedhin hapat a parë drejt njohjes më të mirë të fenomeneve, institucioneve, instrumenteve, mekanizmave dhe politikave të tregut financiar, marrin më shumë të dhëna rreth tyre dhe praktikohen për një strukturim, sipas standardeve shkencore, të këtyre njohurive, informacioneve dhe analizave respektive. Së treti, temat e parashtruara në këtë forum shërbejnë si pikënisje dhe baza për tema të shkëlqyera diplome dhe si dokumente që mund të përdoren në vijim edhe nga vetë institucionet e tregut financiar. Së fundi, ky forum iu jep mundësi fituesve (jo vetëm të vendit të parë), të zhvillojnë praktika mësimore, internshipe dhe pse jo mundësi të afërta punësimi, pranë bankave dhe institucioneve financiare, që kanë mbështetur dhe vijojnë të mbështesin çdo vit këtë event studentor të Departamentit të Financës dhe Ekonomiksit”.