Universiteti Europian i Tiranës ka adaptuar Sistemin e Menaxhimit të Mësimdhënies online ose siç njihet ndryshe LMS (e-Learning). Ky sistem që aplikohet nga të gjitha universitetet më të njohura në botë vjen edhe në arsimin e lartë shqiptar, duke e përshtatur marrëdhënien pedagog-student me epokën e teknologjisë. Ky sistem ofron informacion të personalizuar për çdo përdorues, student apo pedagog. Drejtori i IT-së në UET, Agim Kasaj, i cili ka ndërtuar dhe implementuar këtë projekt për UET-in, flet për LMS-në, si funksion, çfarë lehtësie sjell për komunikimin mes studentëve dhe pedagogut etj.
UET ka adaptuar sistemin LMS për menaxhimin online të mësimdhënies. Çfarë është LMS dhe si funksionon ai?
Studentët e sotëm presin më shumë fleksibilitet, mënyra alternative dhe plotësuese në mësimdhënie.
LMS online (e-Learning) do të thotë “Sistem i menaxhimit të mësimdhënies” online. UET LMS është një ambient virtual mësimi i bazuar në ueb, që lejon pedagogët dhe studentët të përdorin dhe aksesojnë online materialet mësimore të lëndës dhe të përdorin shumë mjete të dobishme për të përmirësuar ndjeshëm përvojën e të nxënit. Është një aplikacion web për administrimin, dokumentimin, ndjekjen, raportimin dhe shpërndarjen e kurseve të edukimit elektronik ose programe të ndryshme trajnimi. Ky sistem ofron informacion te personalizuar për çdo përdorues të student apo pedagog. Kushdo hyn në sistem, merr vetëm informacion të personalizuar.
LMS sjell në internet dinamikën e mjedisit të një klase mësimore. Kjo lejon mësuesit dhe nxënësit të bashkëveprojnë në një ‘klasë virtuale’ në të njëjtën mënyrë si në një klasë standarde. Ndryshimi është se mund të bëhet nga çdo vend në botë, në çdo kohë dhe me burimet e Internetit si mbështetje.
Lëndët në UET LMS mund të zhvillohen si klasa interaktive ku mund të përfshiheni në diskutimet në grupeve në internet ose në punën në grup. LMS i përshtatet nevojave të lëndës specifike, qofshin lëndë që përfshijnë shumë diskutime në internet ose jo dhe materialet mësimore mund të paraqiten si një grup i strukturuar i skedarëve (siç janë dokumentet e Word dhe prezantimet në PowerPoint). Kjo varet nga materiali mësimor, pedagogu dhe mënyra më e përshtatshme për të ofruar lëndën.
Sa më shumë që përdoret, aq më shumë UET LMS do të bëhet një mjedis edhe më i njohur dhe mikpritës i të mësuarit. E thënë më thjesht, UET LMS do të bëhet një mjet tjetër shumë i kërkuar dhe i domosdoshëm që përdoret për të mbështetur mësimin. Ashtu si në çdo klasë, është një mjedis që ndryshon – pritet që secili modul të aplikojë mjete dhe teknika të ndryshme. Bashkohuni, bëni pyetje dhe merrni pjesë si në çdo klasë mësimore.
Pse i duhet një universiteti një sistem i tillë dhe çfarë përhapje ka ai në universitetet e tjera në botë?
Sistemet LSM në përgjithësi janë adoptuar shumë nga ndërmarrjet dhe organizatat, të mëdha dhe të vogla, në të gjitha llojet e industrive. Por ka qenë pikërisht fusha e edukimit, duke përfshirë institucionet tradicionale të arsimit, të cilat i kanë përqafuar të parat këto sisteme.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një universitet të madh si Massachusetts Institute of Technology (MIT) apo një gjimnaz i një qyteti të vogël, përqafimi i e-learning dhe nevoja për investim në një sistem modern të menaxhimit të të nxënit si UET LMS, nuk bën shumë dallim.
LMS duhet përdorur pasi:
- Është një përshtatje e natyrshme, duke qenë se tashmë kemi ekspertizë në ofrimin e kurseve.
- I jep UET përparësi në ofrimin cilësore dhe me kosto më të ulët të arsimit.
- Rrit imazhin pozitiv të vetë studentëve dhe UET.
- Rrit aksesi ndaj studentëve qe kanë vështirës të jenë në klasë 100% të kohës për shkak të kufizimeve në distancë ose kohë.
- Ajo pasuron dukshëm mësimdhënien tradicionale me materiale plotësuese.
- Është relativisht e lirë për t’u implementuar dhe zgjeruar më tej kur ke ekspertizën e duhur.
Si është pritur nga pedagogët dhe studentët LMS duke qenë se është një sistem që i mbivendoset sistemit tradicional? Ka vështirësi në përqafimin e tij?
Sistemi UET LMS e plotëson dhe nuk i mbivendoset sistemit tradicional. Ky sistem rrit në maksimum eficiencën dhe saktësinë e komunikimit në kohë reale pedagog-student, si edhe shmang shumë procedura burokratike, që kanë kosto të larta në kohë dhe para.
Megjithëse LMS u impementua këtë vit akademik, mund te themi se ka patur një përdorim mjaft të kënaqshëm nga studentet dhe pedagogët e UET. Janë vërtet të shumtë studentët që kërkojnë më ngulm që gjithçka rreth mësimit të mund ta gjejnë edhe në LMS. Ata janë motivi kryesor për ta përshtatur LMS sa më shumë me nevojat e tyre dhe të vetë universitetit. Ka patur edhe disa pedagogë që kanë hezituar në përdorimin e plotë të këtij sistemi, pasi si çdo risi edhe adoptimi i plotë i UET LMS kërkon kohën e vet. Pas trajnimeve dhe informimit përkatës, pedagogët e kanë përqafuar me kënaqësi këtë risi. Feedback i marrë nga pedagogët që e kanë përdorur këtë sistem është mjaft pozitiv.
Statistikat e përdorimit të sistemit flasin qartë për suksesin e këtij sistemi. Deri sot, janë disa mijëra studentë të UET që kanë përfituar nga shërbimet eficiente të këtij sistemi. Ky sistem është vizituar mbi 125,000 herë gjatë këtyre muajve nga studentë dhe pedagogë. Studentët dhe pedagogët kanë parë online më shumë se 1,500,000 faqe së bashku në këtë sistem. Përveç materialeve që i lexojnë direkt në sistem, studentët kanë shkarkuar mbi 5,300 herë materiale mësimore në celular apo kompjuter.
Si një ekspert i IT-së, si i shihni universitetet shqiptare në adaptimin e metodave të reja teknologjike në raport me standardet e universiteteve europiane e më gjerë? A janë të vonuar dhe pse ndodh kjo?
Universitetet shqiptare nuk kanë nevojë të shpikin “rrotën”. Ato janë “të detyruara” të ndjekin trendin e universiteteve të tjera në vendet e zhvilluara. UET ka treguar se është një lider në universitetet shqiptare edhe në përdorimin e teknologjisë.
Aktualisht ka disa përpjekje nga universitet në Shqipëri lidhur me adoptimin e risive teknologjike në mësimdhënie. Për fat të keq vihet re se këto përpjekje nuk janë në nivelin e duhur, për arsye nga më të ndryshmet.
Fondet e Bashkimit Europian janë adaptuar në mënyrë të tillë që të sjellin në Shqipëri dhe rajon praktikat më të mira të Universiteteve të vendeve Europiane, në fushën e teknologjisë e më gjerë. Në këtë kuadër UET është përfshirë në disa projekte dhe iniciativa Europiane, në konsorciume me Universitete të mirënjohura në Europë, ku në fokus ka qenë transferimi i njohurive për adaptimin e metodave të reja në teknologji. Projekte të tilla janë CONSUS, REBUS, QAINAL etj.
Lehtësitë që sjell LMS në komunikimin pedagog-student
- Aksesimin online 24 orë, 7 ditë në javë
- Plotëson mësimin ballë për ballë
- Mënyra e shkëlqyeshme për pasurimin e mësimdhënies
- Ndërfaqe moderne, e lehtë për t’u përdorur
- Ndërfaqe e personalizuar për çdo student dhe pedagog
- Mjetet dhe aktivitetet bashkëpunuese
- Të gjithë në një kalendar
- Menaxhim i përshtatshëm i skedarëve
- Njoftime dhe ngjarje në të gjitha nivelet
- Monitorim i ecurisë mësimore
- Akses i sigurt në sistem
- Iu lejon të postoni detyra, diskutime dhe nota online për qasje të menjëhershme dhe studentët
- Shpërndani, mblidhni dhe rishikoni detyrat
- Regjistroni notat për studentët për të parë në internet
- Integruar me sistemin e Menaxhimit të Universitetit UET (tabela e orëve të personalizuara për studentët dhe mësuesit dhe transkriptet e notave të nxënësve)
- Komunikon jashtë klasës etj.