U çel sot edicioni i 8-të i Panairit të Punës në UET me pjesëmarrjen e 52 kompanive të ndryshme në vend
Panairi i Punës UET 2017 u çel sot në Universitetin Europian të Tiranës duke u ofruar studentëve të këtij universiteti një mundësi për të kontaktuar drejpërdrejt me përfaqësuesit e të paktën 52 kompanive të ndryshme në vend.
Qindra CV dhe intervista u bënë sot gjatë panairit në stendat e kompanive të pranishme, që ofronin mundësi intershipi dhe punësimi në fusha të ndryshme, që nga puna në sektorin bankar, menaxhim biznes, zyra kontabiliteti, IT, marrëdhënie me publikun, dizajn, etj..
Dekania e Studentëve, Anisa Subashi, duke çelur këtë panair, tha se ai ofron mundësi të shumta për të dyja palët, si për studentët ashtu dhe për kompanitë pjesëmarrëse.
“Për punëdhënësit, ky panair u mundëson atyre të kërkojnë punonjës të mirëarsimuar dhe studentët të eksplorojnë tregun dhe të arrijnë të kuptojnë më mirë mundësitë për punësim dhe kërkesat e tregut të punës dhe në mënyrë të veçantë studentët që do të diplomohen u krijon mundësi për të nënshkruar një kontratë punë me njërën prej kompanive pjesëmarrëse”.
Sipas saj, ky panair është premtues në vendosjen e lidhjes së drejpërdrejtë mes të rinjve që po diplomohen dhe tregun të punës.
Panairin e përshëndeti Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë.
“Sapo u mbyll një panair, që e organizoi Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me disa institucione shtetërore dhe pas një jave UET bën panairin e tij të punës. Kjo tregon se kemi një uri për të bërë këto lloj panairesh, pasi punësimi është një çështje e rëndësishme. Sipërmarrësit janë në kërkim të të kualifikuarëve, të rinjve të përgatitur për tregun e punës, dhe për sfidat e këtij tregu, universitetet janë hallka kryesore ku përgatiten të punësuarit e rinj”.
Sipas Shkodrës, “për një sipërmarrje, gjëja më e rëndësishme janë burimet njerëzore dhe me anë të këtij panairi ne po u krijojmë këtë hapësirë studentëve që të takohen me kërkesat dhe kriteret për punësim”.
Presidenti i UET-it, Prof. dr. Adrian Civici foli mbi sfidën që kanë universitetet për t’iu përgjigjur dinamikës në zhvillim të tregut të punës.
Ai e cilësoi panairin si një nga evenimentet më të mira të UET-it.
“Universitetet, që kur janë krijuar, kanë pasur 3 detyra kryesore; të grumbullojnë dije, të jenë qendra informacioni sa më të mira dhe të prodhojnë dijen nëpërmjet punës kërkimore shkencore dhe ta trasmetojnë atë. Por u bënë 2-3 dekada që universiteteve u është shtuar një detyrë e katërt e rëndësishme; universitetet duhet edhe të profesionalizojnë. Nuk mjafton të kultivosh vetëm qytetarë të kultivuar, të formuar, me dije, por këta qytetarë duhet t’i profesionalizosh dhe që të bëhet e mundur kjo universiteti duhet të jetë i lidhur me tregun e punës, me korporatat. Pra, universiteti shihet si investim për t’u bërë një profesionist”, theksoi Civici.
Drejtoresha e programeve Master në UET, Dr.Orkida Olillari foli mbi programin e madh të UET-it 250+, ku UET organizon tryeza diskutimi me korporatat e mëdha për të kuptuar kërkesat që kanë këto korporata për burimet njerëzore dhe këto kërkesa përkthehen më pas në përmirësimin e kurrikulave mësimore në Master.
“Sfidë për universitetin sot është që të përgatisin studentë që të kenë një diplomë të punësueshme”, tha ajo.