Ministria e Arsimit ka marrë vlerësimet e Komisionit Europian për reformat e ndërmarra në këtë sektor dhe për politikat që po zbatohen.
Në një letër që Helene Skikos, zyrtare e Projektit për Arsimin e Rininë në Komisionin Europian, adreson për dikasterin shqiptar të arsimit thuhet se “Përcjell përgëzimet e mia për Ministrinë e Arsimit dhe vetë ministren për rezultatet më të mira që janë arritur në këto 15 vjet të bashkëpunimit. Përmirësimi i rëndësishëm statistikor i Shqipërisë është vërejtur nga të gjithë, duke përfshirë OECD! Vlerësoj përpjekjet dhe këmbënguljen e ministres, e cila me mbështetjen e kryeministrit ja kanë dalë që nëpërmjet reformave të sjellin përmirësimin e arsimit në Shqipëri. Jam e sigurt që përfitimet do të jenë edhe më të mëdha me kalimin e viteve”.
Zyrtarja europiane shprehet se rezultatet e deritanishme të maturës dhe kurrikula e miratuar janë garanci për rezultate në fushën e të nxënit.
“Ju nxisim të vazhdoni kështu. Reforma në arsim është një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, thuhet në letrën e zyrtares së KE.