Bota intelektuale në Zi: Në hollin e Bashkisë së Shkodrës, dje u mbajtën homazhe në nderim të profesorit të komunikimit, Gilman Bakalli, nga miq, të arfërm, politikanë, profesorë dhe studiues. Ai ishte prekur nga një leucemi akute që e çoi drejt vdekjes pa i dhënë kohë që të trajtohej. Mesazhe ngushëllimi nga miq e kolegë, intelektualë dhe politikanë brenda dhe jashtë Shqipërisë
Ndarja e parakohshme nga jeta e Gilman Bakallit ka shkaktuar kaq shumë pikëllim jo vetëm tek ata që e kanë njohur. Ai ishte prekur nga një leucemi akute që e çoi drejt vdekjes pa i dhënë kohë që të trajtohej. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve nuk është bërë i mundur shpëtimi i tij. Ai u nda nga jeta rreth orës 18:30, në moshën 49-vjeçare.
Në hollin e Bashkisë së Shkodrës, dje u mbajtën homazhe në nderim të profesorit të komunikimit, Gilman Bakalli, nga miq, të arfërm, politikanë, profesorë dhe studiues. Fjalën në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të profesor Bakallit e mbajti Tonin Gjuraj, miku më i afërt, rektori i Universitetit Evropian të Tiranës, ku ndër të tjera tha: “Ju ishit miku ynë më i ngushtë për rreth një dekadë. Ju ishit ADN e UET. Kemi qenë prezent në jetët e njëri-tjetrit në momente të lumtura e të trishta për gjithë këto kohë. Na bashkonte Shkodra, librat, jeta universitare e të dyve, politika, edhe pse nuk ndanim të njëjtat opinione. Askush si ju Gilman nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës”.
“Ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të rëndë!”, letra nga bashkia e këtij qyteti. Gilman Bakalli ka lindur në qytetin e Shkodrës, ku dhe u diplomua për gjuhën gjermane në universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës. I shkolluar në Universitetin e Graz-it në Austri, 49-vjeçari Bakalli ishte një nga personalitetet e Filologjisë në Shqipëri. Ai mbajti mandatin e deputetit nga viti 2005 deri në vitin 2009. Aktualisht punonte si Lektor në Universitetin Europian të Tiranës. Kishte një përvojë 15-vjeçare në mësimdhënie në nivel universitar, në fushën e teorive të letërsisë, përkthimit, komunikimit ndërkulturor dhe teorive të komunikimit. Po ashtu ishte një përkthyes i shkëlqyer. Gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë prezent me analiza në shtypin e shkruar.
“Sot, kur Gilman Bakalli nuk jeton më, të gjithë ne, kolegët dhe njerëzit e zakonshëm që e kanë njohur, dëgjuar apo parë në sallën e Parlamentit, auditorët e mësimdhënies apo në media, përpiqemi të gjejmë në togun e prozave dhe publicistikës që ai la pas, mesazhin e tij të fundmë, dëshirat e tij finale, të cilat rëndom populli i quan amanete. Ndoshta të gjithë gabojmë ngapak në këtë ushtrim të lashtë të kthimit të kokës pas, që bëhet me ata që s’jetojnë më. Dhe sidomos me ata që kanë ikur herët nga kjo botë. Sepse mesazhi që na ka lënë Gilman Bakalli, është shtrirë në të gjithë ekzistencën e tij, kudo ku jetoi, punoi, foli, shkroi. Është i pranishëm në betejën e tij të shkurtër, por pasionante në politikë. Ndodhet në retorikën e tij në parlament, në mes të mijërave faqeve të leksioneve e librave që ndau me studentët e tij, në qindra artikujt që shkroi, intervistat që dha, në tharmin krejt të veçantë të publicistikës së tij herë rebele, e herë të shtruar, por gjithnjë qytetare e plot kulturë. Në redaksinë e revistave “Mapo” e “Java”, patëm kënaqësinë ta mirëpresim, sa herë që kishte diçka për të thënë. Dhe përherë, shkrimet e tij kishin diçka të re për të kumtuar. I jemi mirënjohës për atë që na la pas në arkivën tonë shumëvjeçare. Gilman Bakalli jetoi vetëm 49 vjet. Me aq sa ne e njohim, ishte një jetë plot dinjitet, që ia vlejti ta jetojë. Njeri i shkolluar në botën gjermanike, plot kulturë dhe dije, një personazh që rrezatonte jo vetëm mirësi, por edhe vetëpërmbajtje dhe që e mishëronte më së miri stofin e shkodranit të fismë, të qytetarit që mendon dhe jeton lirë, sipas disa kritereve që ia ka mësuar jeta dhe shkollat ku ka qenë – ky ishte Gilman Bakalli që patëm nderin dhe privilegjin të njohim në dekadën e fundit”, shkruan për “Java news”, publicisti Skëndër Minxhozi.
Edhe ish-kryeministri, Sali Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij duke shkruar: “Të dashur miq, mbrëmë u nda thuaj papritmas nga jeta, nga një sëmundje shumë agresive, ish-deputeti i PD, pedagogu dhe intelektuali Gilman Bakalli. Me këtë rast i shpreh familjes Bakalli, të afërmve dhe miqve të të ndjerit, ngushëllimet e mia të thella për këtë humbje të dhimbshme dhe të pakompensueshme dhe i lutem Zotit së bashku me ta që shpirti i njeriut të tyre më të dashur të bëhet dritë!” Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, duke kujtuar një nga komunikimet personale me Bakallin ka shkruar: “Ikja jote e beftë është nga një nga pabësitë më të mëdha të jetës dhe të pafuqisë sonë njerëzore. Pa lejen tënde e në nderim për Njeriun Gilman Bakalli që i ka shokët e rrallë ndër ne, po ndaj një fragment nga inbox-i me ty: “Kam filluar të jem i paduruar me njerëz që më kërkojnë të pozicionohem nëpër llogore që i rrinë ngusht fort unit tim, i cili edhe don botën osmane, edhe ka nostalgji për kulturën perëndimore, i cili edhe don atë ngeshmërinë e kafes turke edhe ekspresin italian në këmbë etj. etj.” GB. Lamtumirë! Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes dhe miqve të ish-deputetit të kësaj partie, Gilman Bakallit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, duke u shprehur se: “Ndarja e papritur nga jeta e Gilman Bakallit, në një moshë kaq të re ka prekur këdo që e njihte atë përmes auditorit, ekranit, apo në angazhimet e tij të shumta…”. Ndërsa një mesazh human për Gilman Bakallin kanë shprehur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke shënuar: “Mësuam me dhimbje ndarjen e papritur nga jeta të profesor Gilman Bakallit. Marrim pjesë në dhimbjen e familjes dhe i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Shprehim gjithashtu dhimbjen për humbjen e një studiuesi të thellë të shkencave humane pikërisht në moshën më të frytshme të krijimtarisë. Profesor Gilmani do të kujtohet çdo herë nga studiuesit e studentët, nga Shkodra dhe gjithë shqiptarët për veprimtarinë e pakompromistë intelektuale, qytetare dhe kombëtare”.
Gilman Bakallit, lamtumirë mikut tim të ngushtë
Fjala e Tonin Gjurajt, mikut më të afërt, rektorit të Universitetit Evropian të Tiranës, në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të profesor Gilman Bakallit
Nga Tonin Gjuraj
Gilman, Zoti e mbajti premtimin me ty! Ti vetë, ndërsa flisje për vdekjen, kërkoje që ajo të vinte “sa hap e mbyll sytë”. Ashtu ndodhi! Kjo është një fjalë e shkurtër që nuk kisha dashur ta lexoja kurrë, aq më tepër që ishte shumë herët për t’u ndarë nga kjo botë, miku ynë i shtrenjtë, profesor Bakalli. Por, ne, nuk kemi fuqi mbi ligjet e jetës dhe sot duhet të kemi forcë për të përballuar trishtimin që hodhi mbi ne, lajmi i kobshëm për ndarjen tënde nga jeta. Ju ishit miku ynë më i ngushtë për rreth një dekadë. Ju ishit ADN e UET. Kemi qenë prezent në jetët e njëri-tjetrit në momente të lumtura e të trishta për gjithë këto kohë. Na bashkonte Shkodra, librat, jeta universitare e të dyve, politika, edhe pse nuk ndanim të njëjtat opinione. Askush si ju Gilman nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës.
Të shikonim në auditorët e universitetit mes studentëve, me çantë shpine rrugëve të qytetit, duke i dhënë biçikletës dhe lexonim shpesh në gazetë shkrimet e tua brilante. Ti ishe mjeshtër i komunikimit, i jepje fjalës kuptim e qëllim. Të dëgjonim në debatet televizive me një gjuhë elokuente dhe mendime shpotitëse.
Një intelektual dhe mik i mirë siç ishe ti, është një model për t’u ndjekur nga ne. Çfarëdo që të bëjmë në një ditë si kjo, do të ishte e pamjaftueshme për të të nderuar, për aq shumë që na ke dhënë për gjithë këto vite. E unë, miku im, ndoshta e kam më të vështirë se kushdo tjetër të gjej fjalët e duhura për ty. Prandaj nuk dua të zgjatem më tej duke thurur zinxhirë lëvdatash siç bëhet në kësi rastesh, sepse ty kjo s’do të pëlqente kurrë. Zoti të mori me vete në një banesë tjetër. Zakoni e do që të themi lamtumirë, ndonëse nuk ka se si kjo të jetë një ndarje e përhershme, sepse ti Gilman do të jesh gjithnjë mes nesh. Çdo ngushëllim do të ishte fare i vogël për një humbje kaq të madhe! Shpirti yt u prehtë në paqe! Lamtumirë miku ynë.
Bakalli, sinonim i intelektualit publik
Një njeri ekselent në çdo drejtim: Erudit, intelektual, krenar, i thellë, sportiv… njeriu që donte jetën dhe të bukurën… Këto janë fjalë të fundit për njeriun dhe simbolin e intelektualizmit të ditur e të pavarur në Shqipëri, për Gilman Bakallin, ndarë nga jeta krejt papritur një ditë më parë. Lajmi i hidhur ka lënë pa fjalë miqtë dhe kolegët e tij, duke lëshuar hijen e rëndë të dijes në ditën që iu dha lamtumira. Akademikë, intelektualë, publicistë, kolegë, miq e politikanë dje kanë shprehur jo vetëm ngushëllimet, por kanë kujtuar e ridimensionuar Njeriun intelektual të rrallë në këto 25 vite në Shqipëri, që ndante mendimet mbi shqetësimet akute në vend, qoftë politike, sociale e kulturore.
Në një mesazh lamtumire, administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, shkruan se: “Askush nuk e beson, askush s’mund ta besonte se kolegu, miku ynë Gilman Bakalli nuk është më! Një pritë tinëzare e vdekjes e mori atë këtë të shtunë, aq befas sa vetëm vdekja mund të ketë pushtet mbi jetën njerëzore. Duke na lënë të shtangur dhe të mangët nga shoqëria e një njeriu ekselent në çdo drejtim: erudit, intelektual, krenar, i thellë, sportiv, njeriu që e donte jetën dhe të bukurën. Duke filluar nga trupi i tij sportiv, nga stil i jetës dhe mendimi, nga arti dhe filozofia. Me heshtjen që mund të na imponojë vetëm vdekja fuqiplotë, sidoqoftë sot kam një dëshpërim për të ndarë lidhur me kolegun tonë të paharrueshëm tashmë: na mungon tmerrësisht miku ynë Gilman. Dhe do të na mungosh tmerrësisht më shumë. Lamtumirë, njeriu i bukur, mendje e bukur dhe shpirti i bukur, profesor Gilman Bakalli!”
Ndërsa drejtori i multimediave “Mapo”, Alfred Lela, ka postuar dje, në rrjetin e tij social, një mesazh ngushëllues tepër prekës për të ndjerin pedagogun e UET-së, Profesor Gilman Bakalli, që sot u nda nga jeta papritur në mënyrë të parakohshme. Bakalli ishte editorialist i gazetës Mapo. Stafi i gazetës i shpreh ngushëllimet e ndjera familjes së tij. Por edhe në rrjetet sociale kanë vërshuar ngushëllimet dhe mesazhet prekëse për të ndjerin Bakalli, i cili u shua në moshën 49-vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Ja statusi i plotë i drejtorit të multimedias “Mapo”, Alfred Lela: “Pak njerez qenë pro jetes si ti, Gilman. Ndoshta, me këtë intensitet ti sfidove pikërisht atë jetë që vendosi të të binte shkurt. Do të takohemi sërish, mik i dashur. Deri atëherë do të të mbaj mend kështu: i gatshëm për një gëzim; një Akil që jetoi shkurt, por fort dhe si burrat. U prehsh në paqe!”. Shkrimtari, Shkëlqim Çela, fitues i çmimit Kadare, ka shkruar se “në qoftë se Shqipëria e sotme i ofronte një të ardhuri kalimtar si unë pesë gjëra të mirë, serioze, njëra prej tyre ishte prof. Gilman Bakalli. Sa keq që nuk arrita t’ia thosha kurrë këtë”. Piktori Fate Velaj, që mbante firmën e disa fotove të Gilmanit, shkruan duke e ilustruar: “Ai që dashuronte malet!”
Eruditi dhe intelektuali te Bakalli mbanin zë të rrallë duke të kujtuar përpjekjen e ndërprerë të viteve ’30, se si realiteti shqiptar konfigurohej në një mendim brilant dhe në kontekstet e sotme të komunikimit. Bakalli për këtë do qëndrojë gjatë, si mendim që do t’i lexohen pa ndërprerë qëndrimet prej intelektuali të shqetësuar për kohën e tij.