Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Enela, nga prezantimi në klasë në konferencë shkencore ndërkombëtare

$
0
0

enelaStudentja e UET, Enela Topulli, pjesëmarrëse në Konferencën e 10-të të Shkencave Sociale në Madrid

Pjesëmarrës nga e gjithë bota u mblodhën për të diskutuar për tema të tilla si: ekonomia, biznesi, shkencat politike etj., gjatë Konferencës së 10-të të Shkencave Sociale në Madrid. Nga Shqipëria ishte përfaqësuese Enela Topulli, studente në ciklin master në Universitetin Europian të Tiranës. Enela ka kryer studimet bachelor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ndërsa studimet master i vazhdon për Studime Strategjike, po në këtë universitet. E kontaktuar nga gazeta Mapo, Enela rrëfeu eksperiencën e saj në Madrid duke pranuar se kjo eksperiencë ishte e jashtëzakonshme nga ana akademike duke pasur parasysh që më parë kishte bërë vetëm prezantime për klasën dhe pedagogët.

“Unë kisha një punim shkencor të përfunduar për të tillë qëllim, konferencë ndërkombëtare ose aplikim për studime jashtë vendit, qëlloi që afatet u përputhën, bëhet fjalë për muajin korrik dhe punimi im u pranua, në anglisht sigurisht. Madridi ishte një ëndërr e vjetër e imja. Para disa vitesh u certifikova në nivelin C2 të gjuhës spanjolle, kështu që ishte mundësia perfekte që bënte bashkë një punim timin dhe vendin që unë dëshiroja të vizitoja. Nuk isha e vetmja pjesëmarrëse nga Shqipëria, por isha e vetmja pjesëmarrëse që nuk kishte përfunduar ende studimet master. Unë në 2017 diplomohem në gradën master. Pjesëmarrësit e tjerë ishin me më shumë vite eksperiencë, me doktoratura të dyta madje”, thotë ajo duke treguar eksperiencën e saj.

Duke folur për punimin që prezantoi në këtë konferencë shkencore, ajo thotë se kishte të bënte me “sigurizimin”, i cili është një nocion, koncept shumë i njohur për studiuesit e fushës së sigurisë. “Flasim për një akt ligjërimi të përdorur prej elitave politike me qëllim për të bërë të njohur një kërcënim ekzistencial për kombin, shoqërinë e në rastin konkret për sovranitetin shtetëror. Emigracioni si pasojë konsiderohet i sigurizuar, pra rast i prioritetit suprem siç i referohet Barry Buzan që ka tendencë të hiperbolizohet dhe ekzagjerohet duke u lidhur shpesh me terrorizmin. Por i gjithë ky proces keqpërdoret dhe në rastet më të këqija, ngre dhe inicion legjislacione që indirekt ose direkt cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat emigrantët i gëzojnë si qenie njerëzore pikë së pari. Ka mjaft raste madje dhe unë i kam përmendur në punimin tim, përkatësisht në Francë, Britani të Madhe dhe BE, të cilat nuk mund të anashkalohen. Unë kam marrë për referencë dhe konotacionet negative të përdorura dhe në dokumente të Këshillit të Bashkimit Europian, i cili dhe vetë paraqitet evaziv dhe negativ hera-herës. Situata bëhet dhe më e vështirë tashmë pas Brexit dhe akteve terroriste në Francë, ku emigrantët janë më shumë se kurrë në qendër të sulmeve të drejtpërdrejta ose jo nga shtetet pritëse, pavarësisht praktikave dhe gjuhës së moderuar të këtyre të fundit”, sqaron ajo.

Kongresi i 10-të i Shkencave Sociale konkludoi me një certifikatë për prezantuesit, një libër ku përmblidhen punimet e pjesëmarrësve nga 36 vende të botës dhe revistat shkencore dhe punimi i Enelës do të publikohet në edicionin e Maj – Gusht 2016 të Revistës Shkencore Europiane të Studimeve Multidisiplinare (European Journal of Multidisciplinary Studies).


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180