Ambasadori amerikan Christopher Hill nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës dhe botohet nga UET Press libri i tij “Pararojë”
Christopher R. Hill, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, ka marrë dje një nderim të veçantë në Tiranë, ku iu akordua titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Gjatë ceremonisë u promovua dhe libri i tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me kujtime gjatë shërbimit të gjatë diplomatik, botim i Shtëpisë Botuese UET Press.
Në fjalën e tij përshëndetëse Hill tha se puna në Shqipëri dhe në Ballkan e kishte bërë të bindej se mund t’ia dilte dhe në misionet e tjera që kishte marrë më vonë në karrierën e tij.
“Teksa gjatë karrierës sime në situatën e Bosnjës, Kosovës dhe në shumë nga çështjet në Azi, përfshirë dhe atë të Koresë së Veriut, u ndjeva i fuqizuar këtu në Ballkan, duke menduar se nëse isha i aftë të jepja një kontribut për një vend që sapo ka dalë prej një nga formave më të vështira dhe më të egra të komunizmit dhe nëse ia dal këtu, në këtë situatë, patjetër që ia dal të jap kontribut dhe në kontekste të tjera”.
Ai theksoi faktin se e rigjente Shqipërinë të transformuar rrënjësisht në këto 25 vite, por shtoi se ka akoma rrugë për të bërë, që të bëhet pjesë e Europës. Në mesazhin e tij ai kërkoi që politika të jetë e bashkuar në këtë mision euroatlantik.
“Ne kemi një mision me rëndësi së bashku, ne duhet ta bashkojmë këtë botë dhe ta përfundojmë këtë udhëtim në strukturat Euro-Atlantike. Europa nuk është burokraci, është civilizim dhe mendoj se sado që njerëzit mund të frustrohen me demokracitë e Europës, na duhet të kuptojmë që ka të bëjë me diçka më të gjerë e më të thellë se aq. Bashkimi, sjellja e pluralizmit së bashku, të qenurit bashkë, do të na ndihmojë për të përfunduar këtë detyrë”, tha ai.
Ambasadori Hill shtoi se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur dhe pse sipas tij, për shqiptarët ka qenë e vështirë të ringrihen pas asaj diktature të egër, të cilën ai e krahasoi me diktaturën në Korenë e Veriut.
“Jam i vetëdijshëm që nuk kanë qenë 25 vite të lehta për Shqipërinë, e di që nuk ka qenë e lehtë, por më pëlqen të mendoj se po shkon në udhën e duhur dhe veçanërisht duke dalë prej atyre dekadave të tmerrshme. Ndoshta këtu ka qenë një nga format më të këqija të komunizmit, kam qenë në Korenë e Veriut, dhe jeni në konkurrencë të ngushtë me ta, se kush kishte trajtën më të egër të komunizmit. E di që nuk ishte e lehtë të dilje prej asaj situate gjatë këtyre 25 viteve, por mendoj se është e rëndësishme për të rinjtë dhe të rejat që të kuptojnë se është bërë shumë përparim”, shtoi ai.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të politikës shqiptare, si zv/kryetari i Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi, ish-kryeministri Pandeli Majko, deputeti i PD-së, Eduart Selami etj…
“Sot kemi në mesin tonë njeriun e paqes në Ballkan e më gjerë”, që siç do të shprehej Madeleine Albright, ish-Sekretare e Shtetit, “është një nga diplomatët tanë më të mirë, duke marrë përsipër sfidat tona më të mëdha, që nga Kosova, Koreja e Veriut, Iraku, në një karrierë 30-vjeçare”,” tha në fjalën përshëndetëse, Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj. Rekomandimet për dhënien e titullit u firmosën nga dy historianë, prof. dr. Ferit Duka dhe prof. dr. Romeo Gurakuqi, të cilët ngrinin lart vlerat e Hill si diplomat dhe si negociator, sidomos rolin e tij për vendosjen e paqes në Ballkan.
Mbi këto rekomandime u miratua dhe motivacioni i dhënies së titullit më të lartë akademik i vendosur nga Senati Akademik i UET dhe miratuar nga Ministria e Arsimit kishte të bënte posaçërisht me karrierën e tij diplomatike.
“Për kontributin e veçantë që Ambasadori Hill ka dhënë në vitet 1998-1999, si i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, në Kosovën e trazuar nga ballafaqimi i dhunshëm i soldateskës dhe çetnikëve të diktatorit Millosheviç, mbi popullsinë e pambrojtur civile të Kosovës, asokohe në një situatë dy pushteti: atij të dhunshëm, të mbajtur me makinerinë e luftës, dhe atij të Republikës së Kosovës së drejtuar nga lideri pro perëndimor dhe paqësor shqiptar, Presidenti famëmadh dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në këtë motivacion.
Lidhja e zotit Hill me Ballkanin dhe veçanërisht me shqiptarët ishte e gjatë. Hill ishte i pari zyrtar amerikan në Shqipërinë post-komuniste, kur në 1 tetor 1991 rihapi Ambasadën Amerikane në Tiranë, duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ai ishte i ngarkuar me punë i përkohshëm.
Më vonë u emërua ambasador në Maqedoni, negocioi paqen në Bosnjë dhe ishte amerikani që mbikëqyri vendosjen e paqes në Kosovë në vitet më të trazuara të saj, 1998-1999. Kujtimet e kësaj periudhe dhe shërbimeve të tij të mëvonshme, detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit të Irakut pas luftës, apo negocimi me Korenë e Veriut, vijnë për lexuesin shqiptar në librin e tij “Pararojë- në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”.
Eduard Selami: Hill e vuri Shqipërinë në pararojën e politikës amerikane
Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Selami ishte një i ftuar i veçantë në ceremoninë e dekorimit të ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit, Christopher R. Hill, pasi ai ishte aty si një mik i vjetër i Hill.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zoti Selami e cilësoi Hill, një simbolikë për Shqipërinë, ashtu siç cilësoi një simbolikë faktin që 25 vite më pas ai nderohej në një universitet, pikërisht nga një auditor i ngjashëm kishte nisur lëvizja dhjetoriste që rrëzoi regjimin komunist para gjysmë shekulli.
“25-vjetori i Ambasadës Amerikane në Shqipëri dhe ardhja e zotit Hill, në mënyrë simbolike, por edhe në mënyre konkrete përfaqëson Amerikën në Shqipëri pas një ndërprerjeje gjysmëshekullore. Filloi periudha demokratike dhe lirisë ku shqiptarët për herë të parë gëzuan, jo vetëm 100 vjet pavarësinë e tyre, por për herë të parë kanë një brez të ri, që lindën dhe rriten në një vend të lirë dhe demokratik. Dhe unë për këtë i jap meritë z. Hill, i cili e vendosi politikën amerikane në themele të shëndetshme, e mori Shqipërinë nga një vend që ishte fare i parëndësishëm dhe i izoluar dhe e futi në atë çka quhet rryma kryesore e politikës së jashtme botërore. Simbolika që mua më pëlqen është se ne jemi përsëri në një universitet pas 25 viteve, aty ku filloi revolucioni demokratik në Shqipëri, aty ku Shqipëria filloi të shkëputet nga diktatura më e egër dhe kemi këtu përsëri zotin Hill, një nga diplomatët më të mirë të Amerikës. Po është fat që z. Hill është mik i Shqipërisë. Ta shikojmë si një ogur që këto 25 vite të ardhshme të jenë më të mirat që Shqipëria të shkojë në atë drejtim që ne të gjithë e duam, jo thjesht një vend që ka hyrë në demokraci, por të jetë historia më e madhe dhe suksesi i rajonit sepse ka të gjitha mundësitë, gjithë potencialin”, tha ndër të tjera Selami.
Henri Çili: Libri i Hill, një manual për diplomatët e rinj
“Pararojë−në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, botim i UET Press, sjell për lexuesin shqiptar kujtimet e ambasadorit Christopher Hill gjatë shërbimit të tij diplomatik amerikan më shumë se 30 vjet. Duke folur për këtë libër Henri Çili e cilësoi atë një manual për diplomatët e rinj dhe një libër të vyer për studentë, pedagogë dhe gazetarët e fushës.
“Në qoftë se ka manual ose libra të cilët janë në një fushë të caktuar, libri Pararojë është një i tillë. Do ta sugjeroja fort për grupe si: grupi i pedagogëve dhe studentëve, grupi i diplomatëve dhe aktorëve aktivë ose njerëzit që kanë të bëjnë me diplomacinë shqiptare por edhe për gazetarët apo njerëzit publikë për te njohur botën e djeshme, botën e sotme, por edhe vijimet e botës së nesërme. Ishte kjo arsyeja e kësaj ndërhyrjeje të shkurtër timen dhe solidariteti ose në një farë mënyre lidhja me z. Hill, si një profesor, si një person i botës akademike”, tha ai gjatë ceremonisë ku Hill u dekorua me Honoris Causa nga UET.
Më tej Çili, një nga themeluesit e universitetit, e vlerësoi simbolikën e këtij momenti dhe për UET-in.
“Mbrëmja e sotme na sjell në dy rekorde ose na kujton dy shifra, është Honoris Causa e 11-të e Universitetit Europian të Tiranës e vitit të 11-të akademik të universitetit, një institucion i ri i Shqipërisë postkomuniste dhe demokratike dhe të një vendi në zhvillim. Veçantia e personalitetit të zotit Hill më bën të nënvizoj faktin që përveçse një veprimtar botëror ose një personalitet botëror në fushën e diplomacisë, kemi të bëjmë me një profesor, kemi të bëjmë më një sivëllaun tonë dhe shumë prej profesorëve tanë politika, diplomacia i jep dhe i merr. Neve na vjen relativisht keq kur profesorë shkojnë në jetën publike, ose na vjen mirë kur rikthehen për t’ju përkushtuar universitetit, një institucion universal dhe me një cikël të jashtëzakonshëm në formësimin e demokracive si sistem”.
“Nëse ia del në Ballkan, mund t’ia dalësh kudo”
Fjala e ambasadorit Christopher R. Hill pas marrjes së titullit “Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës
“Jam tejet i nderuar nga ky titull që po më jepni. Sikur ta kisha marrë këtë titull 25 vite më parë, ndoshta do të kisha bërë një punë më të mirë për të menaxhuar detyrat e mia në Tiranë, por do të vazhdoj të bëj më të mirën tani. Nuk mund t’ju rrëfej mjaftueshëm se sa e rëndësishme është për sistemin arsimor dhe veçanërisht për arsimin universitar sot, fëmijët tanë, të rinjtë dhe të rejat tona që kanë nevojë për arsimin dhe mendimin kritik. Kanë nevojë për institucione të tilla si UET-ja, që ua ofron studentëve të tij këtë gjë. Jetojmë në ditë dhe kohëra ku ka shumë anti-intelektualizëm, ku njerëzit nuk i vlerësojnë mjaftueshëm shtyllat intelektuale të shoqërisë sonë. Mendoj se nuk vlerësojnë sa duhet nevojën për më shumë arsimim dhe njerëz të arsimuar, njerëz më të mençur, të cilët mund të marrin në dorë dhe të trajtojnë kompleksitetin e situatës së sotme.
Jam i vetëdijshëm që nuk kanë qenë 25 vite të lehta për Shqipërinë, e di që nuk ka qenë e lehtë, por më pëlqen të mendoj se po shkon në udhën e duhur dhe veçanërisht duke dalë prej atyre dekadave të tmerrshme, ndoshta një nga format më të këqija të komunizmit. Dua t’ju rrëfej se kam qenë në Korenë e Veriut dhe jeni në konkurrencë të ngushtë me ta, se kush kishte trajtën më të egër të komunizmit, këtu zgjati më shumë. E di që nuk ishte e lehtë të dilje prej asaj situate gjatë këtyre 25 viteve, por mendoj se është e rëndësishme për të rinjtë dhe të rejat që të kuptojnë se është bërë shumë përparim. Siç i thashë dhe bashkëshortes sime Xhuli kur mbërritëm të premten, “Tani ndihem si në shtëpi”. Sapo zbrita nga aeroplani nuk po e njihja vendin, tashmë kishte një aeroport të ri, pemë të reja, rrugë të reja, më dukej vend i huaj, e ishte vështirë të kuptoje se çfarë kishte ndodhur këtu. Fatmirësisht pashë disa fytyra të vjetra, si miqtë e mi, dhe u kënaqa shumë.
Teksa gjatë karrierës sime në situatën e Bosnjës, Kosovës dhe në shumë nga çështjet në Azi përfshirë dhe atë të Koresë së Veriut, u ndjeva i fuqizuar këtu në Ballkan, duke menduar se nëse isha i aftë të jepja një kontribut për një vend që sapo ka dalë prej një nga formave më të vështira dhe më të egra të komunizmit dhe nëse ia dal këtu, në këtë situatë, patjetër që ia dal të jap kontributin dhe në kontekste të tjera.
Siç thashë dhe në fillim ne kemi një mision me rëndësi së bashku, ne duhet ta bashkojmë këtë botë dhe ta përfundojmë këtë udhëtim në këto strukturat Euro-Atlantike. Europa nuk është burokraci, është civilizim dhe mendoj se sado që njerëzit mund të frustrohen me demokracitë e Europës, na duhet të kuptojmë që ka të bëjë me diçka më të gjerë e më të thellë se aq. Kështu që kur përballemi me një çështje të tillë, duket e vështirë për ta kryer punën. Bashkimi, sjellja e pluralizmit së bashku, të qenurit bashkë do të na ndihmojë për të përfunduar detyrën. Politikat janë interesante në mbarë botën dhe nuk do t’ju them njerëzve se Shqipëria ka probleme më të vështira se të tjerët ose se ne në Amerikë kemi probleme. Nëse keni parë lajmet në SHBA, nuk iu vë faj që jeni pak të shqetësuar, më besoni, çdo gjë që do të ndodhë në Amerikë është OK. Mendoj që personi më i përshtatshëm padyshim që do të fitojë dhe unë mendoj se “Ajo” është shumë e përgatitur për ta fituar. Pra, mos u shqetësoni për ne dhe unë do të përpiqem mos të shqetësohem për ju, sepse mendoj se ne të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ju duhet të kryeni një detyrë të caktuar në një moment të caktuar të historisë”.