Ambasadori Christopher R. Hill nderohet me titullit Doctor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës
Christopher R. Hill, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe i dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit në Kosovë gjatë viteve të krizës, ka marrë sot një nderim të veçantë në Tiranë, ku iu akordua titulli “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Gjatë ceremonisë u promovua dhe libri i tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me kujtime gjatë shërbimit të gjatë diplomatik, botim i Shtëpisë Botuese UET-Press.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Hill tha se puna në Shqipëri dhe në Ballkan e kishte bërë të bindej se mund t’ia dilte dhe në misionet e tjera që kishte marrë më vonë në karrierën e tij. “Teksa gjatë karrierës sime në situatën e Bosnjes, Kosovës dhe në shumë nga çështjet në Azi, përfshirë dhe atë të Koresë së Veriut, u ndjeva i fuqizuar këtu në Ballkan, duke menduar se nëse isha i aftë të jepja një kontribut për një vend që sapo ka dalë prej një nga formave më të vështira dhe më të egra të komunizmit dhe nëse ia dal këtu, në këtë situatë, patjetër që ia dal të jap kontribut dhe në kontekste të tjera”.
Ai theksoi faktin se e rigjente Shqipërinë të transformuar rrënjësisht në këto 25 vite, por shtoi se ka akoma rrugë për të bërë që të bëhet pjesë e Europës.
“Ne kemi një mision me rëndësi së bashku, ne duhet ta bashkojmë këtë botë dhe ta përfundojmë këtë udhëtim në strukturat Euro-Atlantike. Europa nuk është burokraci, është civilizim dhe mendoj se sado që njerëzit mund të frustrohen me demokracitë e Europës, na duhet të kuptojmë që ka të bëjë me diçka më të gjerë e më të thellë se aq. Bashkimi, sjellja e pluralizmit së bashku, të qenurit bashkë, do të na ndihmojë për të përfunduar këtë detyrë”, tha ai.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të politikës shqiptare, si zv.kryetari i Kuvendit, z. Shpëtim Idrizi, ish kryeministri Pandeli Majko, deputeti i PD-së, Eduart Selami, etj..
“Sot kemi në mesin tonë njeriun e paqes në Ballkan e më gjerë, që siç do të shprehej Madeleine Albright, ish-Sekretare e Shtetit, ‘është një nga diplomatët tanë më të mirë, duke marrë përsipër sfidat tona më të mëdha, që nga Kosova, Koreja e Veriut, Iraku, në një karrierë 30-vjecare vjeçare’,” tha në fjalën përshëndetëse, Rektori i UET-it, Prof.dr.Tonin Gjuraj.
Rekomandimet për dhënien e titullit u firmosën nga dy historianë, prof.dr.Ferit Duka dhe prof.dr.Romeo Gurakuqi, të cilët ngrinin lart vlerat e Hill si diplomat dhe si negociator, sidomos rolin e tij për vendosjen e paqes në Ballkan.
Mbi këto rekomandime u miratura dhe motivacioni i dhënies së titullit më të lartë akademik i vendosur nga Senati Akademik i UET dhe miratuar nga Ministria e Arsimit kishte të bënte posaçërisht me karrierën e tij diplomatike.
“Për kontributin e veçantë që Ambasadori Hill ka dhënë në vitet 1998-1999, si i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, në Kosovën e trazuar nga ballafaqimi i dhunshëm i soldateskës dhe çetnikëve të diktatorit Millosheviç, mbi popullsinë e pambrojtur civile të Kosovës, asokohe në një situatë dy pushteti: atij të dhunshëm, të mbajtur me makinerinë e luftës, dhe atij të Republikës së Kosovës së drejtuar nga lideri pro perëndimor dhe paqësor shqiptar, Presidenti famëmadh Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në këtë motivacion.
Lidhja e zotit Hill me Ballkanin dhe veçanërisht me shqiptarët ishte e gjatë.
Hill ishte i pari zyrtar amerikan në Shqipërinë post-komuniste, kur në 1 tetor 1991 rihapi Ambasadën Amerikane në Tiranë duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ai ishte i ngarkuar me punë i përkohshëm.
Më vonë u emërua ambasador në Maqedoni, negocioi paqen në Bosnjë dhe ishte amerikani që mbikëqyri vendosjen e paqes në Kosovë në vitet më të trazuara të saj,1998-1999.
Kujtimet e kësaj periudhe dhe shërbimeve të tij të mëvonshme, detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit të Irakut pas luftës, apo negocimi me Korenë e Veriut, vijnë për lexuesin shqiptar në librin e tij “Pararojë- në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”.