Universiteti Europian i Tiranës e nderon sot Hill, ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri pas komunizmit dhe njeriun që vuri paqen në Kosovë pas luftës, me titullin “Doctor Honoris Causa”. UET Press boton librin e tij “Pararojë –në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, me kujtime gjatë shërbimit të gjatë diplomatik
Nga Blerina Gjoka
Ishte vetëm 8 vjeç kur u njoh me Ballkanin. Christopher R. Hill në atë kohë jetonte në Beograd, në ish-Jugosllavinë e Titos, pasi babai ishte emëruar si oficer politik i ambasadës amerikane. Në atë kohë pa imazhin e parë të ballkanasve anti-amerikanë, kur shtëpinë e tij e sulmuan një grup serbësh, të cilët “shkruan epitete, shkarravitën slogane dhe gjuajtën me gurë”. Ishin vitet ‘60 dhe ai nuk e dinte se 40 vite më vonë do të vinte sërish në Ballkan, por këtë herë i mikpritur ashtu siç nuk e kishte imagjinuar. Para se të merrej me ballkanasit gjatë viteve të krizës në Kosovë e Bosnjë, ai kishte marrë këshillën e duhur nga një tjetër diplomat kalibri, si Richard Holbrook. “Mos u bëj një oficer tipik i shërbimit të jashtëm. E vetmja gjë më e keqe se mungesa e udhëzimeve nga Washingtoni është pasja e udhëzimeve nga Washingtoni”, i thotë ai para se të nisë këtë rrugëtim diplomatik. Kështu amerikani Hill i beson forcës së tij negociuese, duke pranuar se në Ballkanin që “prodhon më shumë histori, se sa mund të konsumohet (cit. Churchill)” do ta gjente fillin e paqes.
Hill dhe shqiptarët
Pavarësisht se emri i tij është i lidhur ngushtësisht me misionin e tij në Kosovë, ka gjithashtu një simbolikë të fortë edhe për Shqipërinë. Hill ishte i pari zyrtar amerikan në Shqipërinë post-komuniste, kur në 1 tetor 1991 rihapi Ambasadën Amerikane në Tiranë duke rivendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Ai ishte i ngarkuar me punë i përkohshëm, por lidhja e tij me Ballkanin dhe veçanërisht me shqiptarët do të ishte e gjatë. Më vonë u emërua ambasador në Maqedoni, negocioi paqen në Bosnjë dhe ishte amerikani që mbikëqyri vendosjen e paqes në Kosovë në vitet më të trazuara të saj, ‘1998-1999. Gjatë kësaj periudhe ai do të “ritakohej” me serbët, nëpërmjet takimeve me udhëheqësin famëkeq, Millosheviçin, me të cilin do të negocionte takimet me udhëheqësin e shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kujtimet e kësaj periudhe dhe shërbimeve të tij të mëvonshme, detyra të rëndësishme si ajo e ambasadorit të Irakut pas luftës, apo negocimi me Korenë e Veriut, vijnë për lexuesin shqiptar me botimin e librit të tij “Pararojë- në vijën e frontit të diplomacisë amerikane”, botuar nga UET Press. Libri do të promovohet sot pasdite në Universitetin Europian të Tiranës pas ceremonisë së dorëzimit të titullit “Doctor Honoris Causa” për ambasadorin e paqes në Ballkan.
“Honoris Causa” për paqen
Në dy rekomandimet e tyre, prof. dr. Ferit Duka dhe prof. dr. Romeo Gurakuqi, e cilësojnë Hill si një negociator të paqes dhe si një mik të shqiptarëve. Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës vendosi javën që shkoi dhënien e titullit Doctor Honoris Causa z. Christopher R. Hill me motivin: “Për kontributin e veçantë që ka dhënë në vitet ‘1998-1999, si i Dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, në Kosovën e trazuar nga ballafaqimi i dhunshëm i soldateskës dhe çetnikëve të diktatorit Millosheviç, mbi popullsinë e pambrojtur civile të Kosovës, asokohe në një situatë dypushteti: atij të dhunshëm, të mbajtur me makinerinë e luftës, dhe atij të Republikës së Kosovës së drejtuar nga lideri properëndimor dhe paqësor shqiptar, Presidenti famëmadh dr. Ibrahim Rugova”. Mjafton të lexosh kujtimet e tij për të kuptuar rolin e rëndësishëm që pati gjatë asaj periudhe tejet të vështirë që po kalonte Kosova. Ja si e përshkuan ai takimin me Millosheviçin pasi kishte shkuar t’i ankohej për ndjekjen e fshatrave kosovare nga milicia serbe “Ditën tjetër, mora fluturimin për në Beograd dhe u përballa me Milosheviç-in për djegien e atij fshati. I thashë gjithashtu, për takimin me fshatarët në mal, duke mos përmendur pjesën për prezencën e UÇK-së, meqenëse nuk doja që ata të ishin objektivi i tyre i ardhshëm. Kishte marrë fund mburrja e tij për të shkuarën, bashkë me humorin e hidhur, që përdorte për të argëtuar të ftuarit e tij…”
Diplomati “brilant, i patrembur dhe bindës”
Sekretari amerikan i shtetit, Richard Holbrooke, në librin e tij e ka përshkruar Hill si “brilant, të patrembur dhe bindës”, si njeri “me aftësi shumë të mira negociuese”. Pa dyshim që një kapitull i rëndësishëm i angazhimeve të tij si diplomat përfaqëson puna e tij në zgjidhjen e çështjes shqiptare. “Me shpërthimin e krizës jugosllave, populli shqiptar në trevën e Kosovës u gjend i ekspozuar ndaj dhunës dhe represionit të egër të Serbisë së Millosheviçit me qëllim spastrimin etnik të këtyre territoreve dhe mbetjen përfundimtare të krahinës brenda kufijve të shtetit serb. I Dërguari Special i SHBA-ve për Kosovën në vitet vendimtare të krizës (1998-1999), z. Hill së bashku me emisarët e tjerë amerikanë, bënë çmos për të ndalur dhunën serbe dhe për të mbrojtur shqiptarët, për të ndihmuar me të gjitha mjetet qëndresën shqiptare si dhe për të inkurajuar e mbështetur faktorin shqiptar për të qenë i përgatitur për bisedimet e Rambujesë dhe fazat e mëpastajme të zhvillimit të ngjarjeve. Një ndihmë të paçmuar ka dhënë zoti Hill edhe për lehtësimin e vuajtjeve të refugjatëve shqiptarë që hynin nga Kosova në Maqedoni për shkak të dhunës serbe”, shkruan në rekomandimin e tij profesor Duka drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Ndërsa Romeo Gurakuqi, në cilësinë e studiuesit, historianit dhe si drejtor i Shkollës Doktorale në UET, shprehet në rekomandimin e tij se “Shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe të ish-republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe popujt liridashës së Ballkanit, e kujtojnë dhe e nderojnë zotin Hill, për një angazhim të posaçëm të tij në procesin e rizgjimit demokratik në Ballkanin post komunist, në procesin e mbrojtjes së jetës së popullsisë civile dhe të lirisë së Kosovës, të popullit të saj dhe bashkëjetesës multi-etnike atje, në mbrojtjen e udhës së ndërtimit të institucioneve demokratike në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, veprimtari kjo që impaktonte të gjithë popujt të këtij shteti të ri indipendent”.