Cilat janë personalitetet shqiptare e ndërkombëtare që janë nderuar me titullin më të lartë akademik nga Universiteti Europian i Tiranës
Nderim dhe respekt dhënë nga një vend i dijes. Ky është konceptimi i titullit më të lartë akademik që akordohet nga një universitet për personalitete të shquara në fusha të caktuara. Javën që shkoi shalli blu i nderit iu vu mbi supe një francezi gjatë kremtimit të 10-vjetorit të krijimit të Universitetit Europian të Tiranës. Ai është Bernard Kouchner, i njohur botërisht për angazhimin e tij në çështjet humanitare dhe një iniciator i qëndrimeve të OKB-së në rastet e krizave. Më tej për shqiptarët ai është “i huaji” që ndikoi në themelet e para të shtetit ligjor e social të Kosovës para se të shpallej Pavarësia, në detyrën si shef i UNMIK-ut. Por Kouchner nuk ishte i pari dhe as i fundit “Doctor Honoris Causa” në hollin e UET-it. Para tij janë vlerësuar dhe 9 personalitete të tjera, shqiptare dhe të huaja, ndër të cilët dhe nobelistë. Në 10 vitet e Universitetit Europian të Tiranës kanë parakaluar në “Hollin e famës” politikanë të rëndësishëm, shkrimtarë, sociologë e filozofë më të shquar gjallë etj..
Tradita e nderimit
“Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet apo një tjetër institucion që jep tituj i akordon si mënyrë nderimi për kontributet, një vizitori të shquar në një fushë të caktuar apo përgjithësisht në shoqëri. Ky titull shoqërohet me një ceremoni solemne dhe me fjalime që mbeten në kujtesë të studentëve dhe publikut duke shkruar një histori më vete në universitet, historinë e të mëdhenjve që janë nderuar e kanë lënë gjurmën e tyre aty.
I pari që do të hapte siparin e titujve do të ishte një shqiptar, historia e një djali të rritur e shkolluar në një fshat të Kosovës, i cili arriti të bëhej një nga biznesmenët më të suksesshmen dhe një miliarder me famë botërore. I sapozgjedhur President i Kosovës, Behgjet Pacolli do të bënte vizitën e tij të parë në Shqipëri. UET vendosi ta nderonte atë duke sjellë kështu një risi në auditoret e universiteteve shqiptare, risinë e njohjes së kontributit të personaliteteve kombëtare dhe ndërkombëtare në aulat e universitetit, një traditë që vijon në 10 vjet. Presidenti i Kosovës, ish-djaloshi i varfër që fitoi sukses të madh, e emocionoi sallën me idetë e tij për mungesën e paragjykimeve ndaj çdo kooperimi për zhvillimin e Kosovës. Lidhja e Pacollit me UET-in dhe studentët vazhdoi përtej këtij momenti. Në një përshëndetje të posaçme për 10-vjetorin e UET-it, Pacolli edhe një herë rikujtonte këtë moment duke nxitur të rinjtë, studentët e sotëm, që të luftojnë për idetë e mëdha. “Dua të përsëris shpesh një thënie të vjetër: është e fuqishme ajo ide, koha e të cilës ka ardhur. Nuk dua të them me domosdoshmëri se është koha ime, por është koha e ideve tona, është koha e bashkimit ekonomik kombëtar, është koha e UET-it si vatër e madhe e formimit të rinisë, me ide shkencore, me ide kombëtare. Të dashur studentë, gëzohuni për 10-vjetorin, por mos harroni se dija është çelësi më i madh që hap çdo portë edhe atë të lumturisë, pasurisë, dhe suksesit”, u shpreh ai.
Personalitete të vlerësuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga UET
22 mars 2011: Djaloshi i varfër që u bë miliarder
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ishte i pari personalitet me kontribut të spikatur në sipërmarrje dhe veprimtari filantropike dhe politike, që u vlerësua nga Universiteti Europian i Tiranës me titullin “ Doctor Honoris Causa”, në mars të vitit 2011. Ishte i pari titull që akordohej nga ky universitet dhe i pari i këtij lloji që merrte z. Pacolli. “E vlerësoj posaçërisht nderimin tuaj, sepse ai është i pari në llojin e vet për mua; sepse ai vjen prej vendit tim, që unë e dua shumë; sepse ju pa neglizhuar asgjë, keni vendosur të më nderoni për aktivitetin tim njerëzor në çdo fushë”- u shpreh z.Pacolli gjatë fjalës së tij në UET.
19 gusht 2011: Patriarku i letrave
E kanë cilësuar si patriarkun e letrave shqipe, patriarkun e PS-së, poetin popullor… por s’kishte marrë kurrë një nderim të tillë, si Honoris Causa. Ndaj kur shkrimtari gati mitik shqiptar, shkrimtari më popullor, Dritëro Agolli, mbërriti në 80-vjetorin e jetës së tij, UET zgjodhi t’ia jepte një titull të tillë. Me një Dritëro aq fort të moshuar, ceremonia organizuar në hollin e UET qe e vështirë, megjithatë mbetet një ndër ceremonitë më të paharruara. Fjalimi i tij tejet emocionues u bë dhe baza për spotin e vitit akademik 2011. “E vetmja gjë e çmuar është koha” – u shpreh Agolli. Ky pasazh ishte ndër më të klikuarit në rrjetet sociale, si një alarm për të gjithë rininë e sotme, që shpesh herë e shpenzon vërtet kohën kot. Dhe ku mund të thuhej më mirë një mesazh i tillë se sa në një universitet. UET po atë vit botoi dhe përmbledhjen me intervista (1971-2011) të Dritëro Agollit, me titull “Kam penën e mprehtë. Mendjen e kthjellët”.
17 Tetor 2012: Kryeministri i parë demokratik
Ish-kryeministri Fatos Nano, kryeministri i parë demokratik, autor i modernizimit të së majtës shqiptare, u nderua në UET pasi ishte larguar nga politika aktive. Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm në liberalizimin e shoqërisë shqiptare, në reformat demokratike dhe në transformimin demokratik të Shqipërisë. Në fjalimin e tij ai shpalosi disa teza të rëndësishme mbi atë se çfarë ka ndodhur dhe ç’mund të ndodhë në transformimin demokratik të Shqipërisë. Titulli iu dha politikanit shqiptar me motivacionin mbi kontributet e rëndësishme në politikë dhe aktivizimin në botën akademike. Gjatë ceremonisë solemne, Fatos Nano duke vlerësuar titullin që iu dha tha se “kjo është një nga mënyrat më të denja për partneritetin, afrimin, bashkëpunimin midis botës akademike dhe politikës”.
22 Janar 2013: Bankieri i të varfërve
Ekonomisti dhe nobelisti Muhamed Junus erdhi në Shqipëri në kuadër të përhapjes së iniciativës së tij për biznesin social, aq e njohur dhe aq e respektuar ndërkombëtarisht. Junus, që ndryshe njihet si “Bankieri i të varfërve”, krijoi me teorinë e tij një impuls shumë të madh zhvillimi në të gjitha vendet e varfërisë ekstreme, duke dhënë pikërisht një model – me pak para mund të ndryshojë radikalisht zhvillimi i këtyre vendeve dhe jeta e këtyre njerëzve. Idetë e Junus, ato që ai shpalosi para studentëve gjatë marrjes së titullit Doctor Honoris Causa, janë frymëzuese për këdo që do të ndryshojë jetë dhe do të krijojë pikërisht një dinamikë të re për jetën aty ku shpresa duket se ka marrë fund.
Ky titull iu dorëzua profesor Yunus-it për kontributin e tij të veçantë në biznesin social anembanë botës, si dhe në Shqipëri dhe themelimin e institucionit të mikrokredisë.
9 Prill 2013: Sociologu i së ardhmes
Alarmi i Lord Anthony Giddens për Epokën e re, me apokalips dhe pavdekësi u bë spoti i ri publicitar i UET dhe tërhoqi vëmendje të madhe publike. Anthony Giddens është figura shkencore më eminente, e ardhur në UET. Sociologu më i famshëm i botës bashkëkohore, autor i një sërë tekstesh ndërkombëtare, drejtor i shkollës që renditet në top-listën botërore, London School of Economic.
Giddens u nderua me titullin Honoris Causa nga UET dhe fjalimi i tij në atë ceremoni i parapriu librit të fundit mbi transformimin e botës teknologjike, një nga eventet shkencore dhe kulturore europiane që u zhvillua në UET. “Më duket se diçka interesante po ndodh me konceptin tonë për të ardhmen. Qëllimi i shkencës dhe teknologjisë ishte se mund të sundonim të ardhmen, të marshonim me besim në tokën e së ardhmes dhe të kontrollon aktivitet e së ardhmes. E ardhmja përfshin shumë të paditura. Nuk e kontrollojmë dot të ardhmen. Mos mendoni se nesër do të ndodhë diçka njësoj si dje. Nuk e dimë nëse do të jetë dominimi i Azisë, pushteti nga lindja në perëndim. Nuk e dimë këtë. Askush nuk mund të parashikojë si do të jetë e ardhmja. Mundësia e apokalipsit është shumë e afërt, po ashtu edhe mundësia e pavdekshmërisë. Epoka e modernizmit është në fund, po vjen një epokë e re”, tha ndër të tjera Giddens.
27 Maj 2013: Avokati i të drejtave historike të Çamëve
Avokati i famshëm ndërkombëtar, Karim Kam, është nderuar në UET për kontributin e tij, jo vetëm si një nga avokatët më të rëndësishëm të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, në Hagë, por edhe si një nga avokatët më të rëndësishëm të dosjes çame – të të drejtave të pronave çame në gjykatën e Strasburgut. Zoti Kam ka kontribuar në një qasje të re profesionale, të plotë dhe bashkëkohore në lidhje me aspektin juridik të çështjes çame ndërkohë që, koniunkturat politike dhe gjeopolitike janë të palëvizshme. Në fjalën e tij Khan, këshilltar i Mbretëreshës, e cilësoi titullin si “një lidhje, një marrëdhënie me shqiptarët, Shqipërinë dhe komunitetin çam, i cili përbën një pjesë thelbësore dhe të pandashme të këtij vendi të mrekullueshëm”. “Është e vërtetë që kam nderin të jem përfaqësues ligjor për komunitetin çam, pra të kërkoj të vendoset drejtësi për padrejtësitë që janë bërë ndaj këtij komuniteti. Shpesh detyrat shihen si shtesë e stilizuar në trajtimin e çështjeve të së drejtës, por në fakt, detyrat janë pjesë thelbësore e të drejtave të njeriut, detyrimeve qytetare dhe përgjegjshmërisë civile”, tha ai ndër të tjera.
30 Janar 2015: “Papa” i komisionit famëmadh të Venecias
Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, një personalitet europian i së drejtës kushtetuese, ka krijuar me ndërhyrjet e tij të balancuara, një reputacion të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Ai u nderua në UET me titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin “Për kontribute të rëndësishme në konceptimin, përgatitjen dhe ndjekjen e projekteve që kanë të bëjnë me reformat kushtetuese, si dhe instalimin e konsolidimin e institucioneve demokratike në Europë dhe më gjerë”. Buquicchio foli për rëndësinë e këtij institucioni si një këshillues i paanshëm në çështjet e ligjit dhe ndërtimit të demokracisë për vendet anëtare të Këshilli të Europës duke vënë theksin te puna e bërë në Shqipëri që prej vitit 1991. “Ne nuk duhet të kurrsesi të mendojmë që demokracia mund të ndërtohet njëherë e përgjithmonë, që liria është “e fituar” dhe se tranzicionet demokratike janë të pakthyeshme, sidomos nëse mendësia demokratike nuk është fituar në mënyrë të pakthyeshme”, tha ndër të tjera ai.
03 Tetor 2015: Shkencëtari i Kombëtares së futbollit
Askush nuk e kishte menduar që një trajner i skuadrës kombëtare mund të nderohej me një titull honorifik akademik. Universiteti Europian i Tiranës provokoi në fillim të tetorit duke nderuar me këtë çmim trajnerin e kombëtares sonë Xhani de Biasi, si një paralajmërim për suksesin e kualifikimit potencial të Shqipërisë, i cili ende nuk ishte bërë akoma një fakt. De Biasi, në një fjalim frymëzues rrëfeu se pse është e mundur dhe pse është i nevojshëm drejtimi shkencor i një ekipi. Motivacioni i titullit “Doctor Honoris Causa” u dha “për merita të jashtëzakonshme si kreativiteti, kërkimi, disiplina taktike, si dhe puna e madhe në themelimin e ekipit kombëtar shqiptar ndoshta më të suksesshëm në historinë e futbollit tonë. Për rolin e veçantë që së bashku me ekipin kombëtar, nëpërmjet sukseseve të tij ndërkombëtare ka ndikuar cilësisht në ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve…”
27 Shkurt 2016: Filozofi i së djathtës
Filozofi britanik Roger Scruton, vlerësohet si një prej mbrojtësve më të mëdhenj të mendimit konservator, si një përtëritës i ideve konservatore të lirisë, komunitetit dhe shoqërisë. Ai u nderua nga UET me titullin “Doctor Honoris Causa” dhe libri i tij “Si të jesh i djathtë?”, u përkthye dhe u botua nga UET-Press. Me vizitën e tij, UET shënon një tjetër hapje drejt filozofisë analitike, duke arritur të afrojë dhe promovojë për universitetin të gjitha dimensionet e filozofisë. UET ka marrë iniciativë që të përkthejë dhe botojë në shqip librin e profesor Scruton “Filozofia Moderne”, libër i cili do të jetë tekst bazë për lëndën e filozofisë në UET, e cila është e detyrueshme për të gjithë studentët pavarësisht programit të studimit. Motivacioni për Scruton ishte “për një kontribut të gjerë e të thellë në filozofi, në mendimin politik dhe në përkufizimin e disa prej sfidave më të mëdha, mes tyre: Demokracia, kombi, të drejtat, feja, morali, e mira e përbashkët”.
20 Shtator 2016: Francezi më i dashur i shqiptarëve
Ish-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë pas luftës, njeriu që kontribuoi në ndërtimin e shtetit të ri në Ballkan, ndoshta francezi më i dashur për shqiptarët, gjithashtu një mjek humanist dhe personalitet me rëndësi në politikën franceze e ndërkombëtare, Bernard Kouchner u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”, nga Universiteti Europian i Tiranës në 10-vjetorin e krijimit të tij. Motivimi merrte parasysh karrierën e tij si akademik, si mjek e aktivist humanist dhe si personalitet në arenën politike ndërkombëtare në detyra të rëndësishme, ndër të cilat dhe kryeadministratorin e UNMIK-ut në Kosovë pas luftës. Gjatë ceremonisë ai u nderua dhe me pjesëmarrjen e ish-ministrave të jashtëm. Gjatë fjalës së tij ai foli për Shqipërinë, Kosovën dhe krizën që po kalon Europa me emigrantët.
“Së pari, vendi juaj ka ndryshuar për mirë, vërtet për mirë. Duke qenë se e kam njohur që në vitin 1988, kur ishte koha e Ramiz Alisë, kam vizituar bunkerët e Enver Hoxhës. E kemi harruar çfarë ka qenë komunizmi, i harrojmë dëmet, vuajtjet, vrasjet, dhjetëra mijëra apo dhjetëra miliona viktima. Do të ishte mirë që të kujtoheshim çfarë ishte komunizmi”, tha Kouchner.
Dritëro Agolli: Jeta nuk përsëritet, dhe e vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha
Muhammad Yunus: Ajo që duhet, është magjikja për të ndryshuar të gjithë jetën. Të gjitha të pamundurat u bënë të mundura. Ajo që ishte e pamundur dje, sot është normale.
Lord Anthony Giddens: Mundësia e apokalipsit është shumë e afërt, po ashtu edhe mundësia e pavdekshmërisë. Epoka e modernizmit është në fund, po vjen një epokë e re
Gianni Buquicchio: Ne nuk duhet të kurrsesi të mendojmë që demokracia mund të ndërtohet njëherë e përgjithmonë, që liria është “e fituar” dhe se tranzicionet demokratike janë të pakthyeshme.
Bernard Kouchner: E kemi harruar çfarë ka qenë komunizmi, i harrojmë dëmet, vuajtjet, vrasjet, dhjetëra mijëra apo dhjetëra miliona viktima. Do të ishte mirë që të kujtonim…
Historiku: Si lindi “Honoris Causa” dhe kush nderohet me të
“Honoris Causa” është titulli akademik që një universitet (apo një tjetër institucion që jep tituj) i akordon si një mënyrë nderimi për kontributet, një vizitori të shquar në një fushë të caktuar apo në shoqëri. Tituj nderi jepen në fushën e arteve, të letrave humane, në biznes, ekonomi, arte të bukura, ligj, shkencë, teologji etj. Kjo praktikë daton prej mesjetës, kur një universitet u pa si i përshtatshëm, për të akorduar një titull “Honoris Causa”. Titulli i parë i nderit i është akorduar Lionel Woodville në fund të vitit 1470 nga Universiteti i Oksfordit. Më vonë ai u bë Peshkopi i Salisbury-t. Në fund të shekullit të 16, akordimi i titujve të nderit u bë i zakonshëm, veçanërisht në rastet e vizitave mbretërore në Oksford apo Kembrixh. Charles Malik, presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe bashkautor i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, ka marrë jo më pak se 63 tituj “Doctor Honoris Causa”, duke shënuar numrin më të madh të titujve “Honoris Causa”.