Universiteti Europian i Tiranës feston 10-vjetorin të hënën që vjen, duke shënuar 7 breza të diplomuarish, përfshi edhe një brez me 136 doktorantë.
I themeluar si një sfidë, UET ia ka dalë të jetë një “derë e hapur” që i ka dhënë mundësi formimi mijëra të rinjve.
Në këtë jubile, UET ka bërë edhe një album me 100 momente në 10 vite.
Këto janë momentet nga viti i parë akademik 2006-6007.
-Në fillim ishin liberalët e djathtë
Krijimi i UET nuk ishte një akt rastësor. Ishte institucionalizim i një fryme, që ekzistonte në shoqërinë shqiptare midis viteve 2001-2005, i një rrethi kulturor dhe ideologjik, i cili përziente në të akademikë gazetarë, pedagogë, politikanë të frymës liberale, të rinj apo dhe të një brezi më të vjetër, që i përkisnin kohëve të para të tranzicionit demokratik në Shqipëri. Ata, të rinjtë, u prezantuan dhe u shpall shpallën në emisionin “Zonë e lirë” të Arian Çanit si Liberalët e Djathtë. Ishin Blendi Kajsiu, Adri Nurellari, Henri Çili dhe Ermal Hasimja, grupi që kishin atë përkim kulturor me më të vjetrit liberalë shqiptarë, figurat e rëndësishme të jetës politike, me Arben Imamin, Preç Zogajn, Gramoz Pashkon e me Spartak Ngjelën.
-Emri, logo, ngjyra, fitojnë: Europa, sahati dhe bluja
Ka pasur shumë diskutime për të vendosur në lidhje me logon dhe emrin e universitetit. Sa i takon emrit, fillimisht ishin tre variante: “Universiteti Liberal i Tiranës”, “Universiteti i Lirë i Tiranës” dhe “Universiteti Europian i Tiranës”. U zgjodh ky i fundit. I pari ra poshtë, sepse nuk u gjykua e arsyeshme që Universiteti të bëhej ideologjik. Sa i takon logos, shumë universitete të botës kanë si simbol kullën e qytetit të tyre. Duke qenë se Tirana ka një Kullë Sahati, atëherë u vendos që kulla e sahatit të qytetit të bëhej logo e UET.
-Arian Çani dhe “Zonë e lirë”, pagëzimi publik i liberalëve dhe UET
Shoëman-i i famshëm televiziv, Arian Çani, është ai që pagëzoi grupimin liberal me termin “Liberalët e djathtë”. Është përsëri Arian Çani që promovoi hapjen e Universitetit Europian të Tiranës dhe, më pas, edhe shumë nga iniciatiat që merrnin jetë në auditoret e tij.
-Bombë reklamash në frymën e sfidës “E bën dot”
Të nesërmen e licencimit të UET (me vendim të Këshillit të Ministrave, datë 23 shtator 2006, ditë e mërkurë), u hodh bomba e parë mediatike me posterin “Vojo Kushi mbi tank”, ideuar mbi një nga pikturat më të famshme të realizimit socialist, me të njëjtin titull që mban firmën e Sali Shijakut. “E bën dot?” do të pasohej nga shtatë foto të tjera të të njëjtit karakter, me nocionin e sfidës”.
-Zyrtarisht dhe solemnisht: Universiteti Europian i Tiranës
UET u promovua në një ceremoni zyrtare në hotel “Tirana International”, me pjesëmarrjen e shumë aktorëve të politikës dhe të shoqërisë civile, të kolegëve dhe miqve. Grupi i parë i drejtuesve të UET, rektori i parë Ferid Duka, dy dekanët Tonin Gjuraj dhe Romeo Gurakuqi, si dhe katër themeluesit, bëjë një prezantim para medias, duke ngjizur kështu gurin e parë të institucionit.
-Vera Musmuça, studentja e parë në dyert e UET
Emri i parë që u shënua në regjistrat e universitetit ishte ai i një vajze. Dhe dora që firmosi kontratën e parë ishte po e një vajze. Vera Musmuça kishte kryer studimet në Itali, në universitetin “La Sapienza” të Romës dhe donte të kryente studimet edhe në Shqipëri. Gjeti UET-in vetëm pesë ditë pas themelimit të tij. Pas saj, në atë vit të parë akademik u regjistruan plot 173 studentë, të cilët i besuan kësaj marke, duke krijuar bazën e duhur për vazhdimësinë.
-Ekipi i parë akademik, kombinim brezash dhe shkollash
Një tjetrë foto historike ruan me fanatizëm ekipin e parë drejtues dhe rektorin e parë të UET, Prof. Dr. Ferit Duka, historian i njohur i periudhës osmane dhe personalitet i jetës akademike shqiptare në këta 30 vitet e fundit. Ky ekip përfaqësonte një bërthamë dhe ishte një nga elementët bazë të suksesit të UET, që u transferuan edhe tek logoja e re: besueshmëri në cv-të e tyre akademike.
-Sponsorizimi i parë i UET: Edison Ypi dhe publicistika e tij
Ai njihet për shkrimet e tij të shkëlqyera dhe shokuese në median shqiptare. Libri i parë, donacioni i parë (1500 euro), që UET filloi të japë për përgjegjësinë sociale, shkoi për botimin e librit “Qajtore”, me autor Edison Ypin. Libri ishte përmbledhje e disa artikujve pikantë, nga shumë prej tyre, botuar në të përditshme të ndryshme nga Ypi.
Por pse duhej të ishte gazetari dhe publicisti Ypi, personi i parë që do të shënonte fillimin e një tjetër tradite në UET? Ndoshta jo vetëm pse ishte figura enfant terrible i medies dhe mjediseve publike të Tiranës, por edhe sepse ishte individi i të njëjtave rrethe kulturore e miqësore, në të cilat në njëfarë mënyre kishin lëvizur një ose disa prej themeluesve të UET.
-Mentor Nazarko: Libri dhe autor i parë i UET Press
Shumë shpejt UET do të kishte edhe UET Press, shtëpinë botuese universitare, një tjetër efekt pionier që erdhi krahas fillimeve të dy ose tre shtëpive botuese të universiteteve të tjera private. Libri i parë që u botua nën këtë logo ishte “Lufta e fundit”, me autor Mentor Nazarko, një temë masteri për të drejtat juridike të popullsisë çame.
Ky libër dha një kontribut të madh për rikonceptimin e debastit shkencor mbi çështjen çame, deri në atë kohë i karakterizuar nga një natyrë emotive dhe i dominuar nga tone politike e diplomatike.