Intervista e Presidentit të UET-it, Prof. Dr. Adrian Civici për gazetarin Arjan Çani tek “Zonë e lirë”
“UET feston 10-vjetorin dhe më vjen mirë që unë kam qenë në një farë mënyre kumbari mediatik i këtij universiteti”, u shpreh gazetari Arjan Çani këtë të premte në emisionin e tij ‘Zonë e Lirë’ në Tv Klan, ku kishte të ftuar Presidentin e Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Adrian Civici dhe dy studente ekselente.
Numri i lartë i maturantëve ekselentë që zgjedhin UET-in për të studiuar dhe bursat që ky universitet akordon për këtë kategori ishte tema e intervistës, por Civici sqaroi gjithashtu situatën aktuale të regjistrimeve në universitet dhe akuzat që bëhen ndaj sektorit privat.
Çani: Berisha, ish-kryeministri bëri një goditje, duke përmendur një emër në parlament, Universitetin Europian, e quajti Universitetin Europian si Anti-Europian, Berisha dyshon se ju keni një marrëdhënie të mirë me qeverinë aktuale, qeverinë e Edi Ramës. Qeveria, tha, unë po e perifrazoj: “Qeveria është tani duke stimuluar universitetet private me këtë sistem të ri arsimor…”
Civici: Në fakt zoti Berisha ka qenë një nga kryeministrat më të afërt me Universitetin Europian të Tiranës deri pak kohësh. Ai ka qenë shpesh herë në universitet, një pjesë e referencave dhe nevojave që ne kemi pasur, janë realizuar edhe kur Berisha ka qenë në pushtet. Mendoj se duhet ta lëmë jashtë politikën dhe retorikën e nxehtë të politikës. Këtu në Shqipëri arsimi ka boll probleme që duhen zgjidhur, të mos bëhen pjesë e këtyre debateve të nxehta politike që shpesh herë dalin jashtë realitetit.
Çani: Civic, ti je një njeri i qetë në universitet, po dhe në jetën private nuk përfshihesh nëpër replika. Çka do të thotë mërzitja e Doktorit, çfarë mendon ai?
Civici: Le ta thotë Doktori ato që ka ai me universitetin, ajo që mund të them unë është se ka akuza të pabaza dhe një keqdashje ndaj universitetit tonë dhe sistemit arsimor privat në përgjithësi.
Ja për shembull ne jemi akuzuar se kemi marrë gjithë doktoraturat dhe kemi bllokuar shtetërorin, etj. Unë po përmend vëtëm 2-3 fakte, sepse u përmend që ka qindra dhe mijëra doktoratura, sikur ka përfituar UET nga të gjithë doktoraturat duke i bllokuar qeveria doktoraturat tek universitet shtetërore publike të Tiranës. Në fakt ne kemi tre vjet që nuk kemi regjistruar asnjë doktorature të re, meqë përmende qeverinë e re, që kur ka ardhur kjo qeveri nuk është regjistruar asnjë doktoraturë e re.
Çani: Si ka mundësi? Po pse?
Civici: Në fakt ka ndryshuar rregullorja dhe linja për regjistrimin e studentëve në doktoraturë, ne zbatuam atë linjë dhe rregullore që ishte në prokurë, u ndryshuan kriteret dhe u vendosën kritere të tjera dhe u riadoptuan të gjitha parametrat dhe standardet që ka Shkolla e Doktoraturës. Nuk kemi regjistruar të reja pasi jemi duke punaur për të ardhur në standarde më të mira, për të pasur një doktoraturë që kërkohet.
Ne marrim aq kuota sa na takon brenda ligjit, aktualisht në këto tre vite që s’kemi marrë asnjë doktorature të re, jemi organizuar brenda parametrave të ligjit dhe kemi një listë të gjatë në pritje që duan të fillojnë Shkollën Doktorale tek ne.
Çani: Ky debati që po ndodh tani me regjistrimet, ma thuaj hapur, ka të drejtë qeveria apo maturantët? Maturantët me mesatare të lartë, që thonë se kemi ngelur pa shkollë…
Civici: Maturantët kanë të drejtë. Kanë pasur një ndryshim të sistemit për sa i përket vlerësimit si të respektohet sistemi meritë-preferencë, i cili ka ndryshuar në mes të vitit.
Çani: Pra janë ndryshuar rregullat në mes të lojës…
Civici: Duhet bërë një dallim gjatë lojës, pjesa më e madhe e studenteve ishin të papërgatitur dhe nuk arritën të marrin ato masa që duheshin për të fituar shkollën që donin. Pra ata nuk arritën të bënin llogaritë midis degës që donin dhe kriteret që vendosin universitetet për lëndën e parë që ka një numër pikësh. Faktikisht ata aplikuan duke mos e njohur sistemin sepse informacioni për këtë sistem, edhe sot të flasësh me maturantët e prindërit e tyre, nuk kanë informacion, janë të paqartë. Në fakt duhet të bëjmë një dallim midis ligjit të ri dhe sistemit si nivel, është sistem shumë i mirë sepse e përdorin dhe jashtë si Gjermania, Finlanda, Danimarka, por ka probleme me informimin.
Po jashtë ndodh ndryshe, se atje lidhesh me një agjenci ku regjistrohesh. Kjo agjenci tregon se sa i aftë dhe i përshtatshëm je brenda standardeve dhe rregullave. Është agjenci e veçantë nga pikëpamja se si punon dhe thjesht dëshmon se si maturantët të zbatojnë kriteret. Ti ke një numër të caktuar pikësh për lëndë të veçanta dhe për të dyja bashkë konkurron me kolegët e tu në të gjitha universitet e vendit. Meritë janë pikët që ke ti dhe preferenca degën që ti kërkon. Ajo që ka ndodhur është që kalendari që është nga zbatuar nga ministria dhe sistemi i vlerësimit ishtë shumë i ngjeshur dhe jo i qartë. Së dyti, universitetet u kërkuan me vonesë pikët pasi duhet të japeshin për studentët që në fillim. Ky proces të fillonte që në shtator për maturantët. Mendoj se ka dhe një problem tjetër për algoritmin e zbatimit të këtij sistemi.
Çani: Në fillim ju thonit UET gjurmon më të mirët, tani ndodh ndryshe, më të mirët vijnë në UET. Unë kam dhe albumin me 100 më të mirët në 10 vjet, me foto të studentëve tuaj ekselentë…
Në fakt janë më shumë se 100 në këto 10 vite, por janë përzgjedhur për albumin më të mirët e të mirëve. Vetëm vitin që shkoi ne dolëm me projektin 100 nga 1000 më të mirët e Maturës Shtetërore duke i ftuar që të vinin në UET me mbështetjen e bursave të plota, sepse ne besojmë se një student i mirë përmirëson dhe vetë univesitetin, është nxitje për përmirësimin e mësimdhënies e standardeve të tjera.
Synimi ynë, dhe nuk e fshehim, është se duam të jemi një universitet i mirë dhe pse jo më i miri, dhe për këtë përdorim çdo mjet e çdo strategji për t’ia arritur. Nëse në një universitet vijnë studentët më të mirë, nuk ka stimul më të mirë që vetë universiteti të jetë në nivelin më të mirë. Në këtë pikë jemi krenar që kemi shumë studentë të mirë që na kanë zgjedhur ne dhe ne kemi politikë bursash që vjen në mbështetje të tyre sipas mesatares që kanë.
Çani: Pra këta maturantët e 10-ve që kanë mbetur pa shkollë mund të vijnë tek ju, i merrni ju?
E para, nuk besoj se kanë mbetur pa shkollë, pasi vjen raundi i dytë dhe i tretë, dhe do të vijë duke u sqaruar situata dhe ata që janë në krye dhe kanë zënë vendet në 10 fakultete do të regjistrohen dhe do të zbresë lista poshtë duke bërë të mundur që të futen pothuajse të gjithë në shkollë.
E dyta, në UET do të vijnë ata që e kanë zgjedhur UET-in si preferencë të tyre të parë apo të dytë e të tretë. Deri më tani ne kemi një listë me 2400 maturantë që na kanë përzgjedhur neve si universitet, kuotat që ne kemi janë pothuajse gjysma e këtij numri, pra ne presim të vijnë ata që na kanë zgjedhur, pastaj nëse ka kuota të lira, pse jo, janë të ftuar të gjithë të studiojnë tek ne, i mirëpresim.