Mblidhet Forumi i 8-të Gjimnaz-Universitet me temë “Nga maturant në student”, ku u diskutua mbi problemet që kanë dalë me regjistrimet e këtij viti nëpër universitete
Sistemi i ri i regjistrimeve në universitet ka sjellë shumë pakënaqësi ndër maturantët e këtij viti dhe protestat e tyre.
Lidhur me këtë çështje dhe me bashkëpunimin mes gjimnazeve dhe universiteteve, u mblodh në Aula Magna në UET Forumi i 8-të Gjimnaz-Universitet, një bashkëpunim mes drejtorëve të shkollave të mesme, drejtorëve të DARR-ve organizuar nga Departamenti i Edukimit në UET.
Folësit pranuan mangësitë e sistemit, mungesën e informimit dhe penalizimin që u ka ndodhur shumë maturantëve si pasojë e këtyre dy shkaqeve.
Nga diskutimet dolën disa sugjerime për Ministrinë e Arsimit ku kërkohej më shumë trasparencë, bashkëpunim dhe informim në favor të maturantit.
Departamenti i Edukimit në UET do të përpilojë së shpejti një Policy Paper për ministrinë me këto sugjerime, shumica e të cilave janë emergjente.
Drejtoresha e shkollës “Isa Boletini” në Vorë solli rastin e saj si drejtuese dhe si nënë, pasi vajza me mesatare të lartë nuk kishte arritur të fitonte degën që dëshironte për shkak të llogaritjes së mesatares dhe lëndëve me zgjedhje dhe përballjes çdo ditë me prindër e maturantë që i trokasin në derë me të njëjtin problem.
“Duhet kordinim mes gjimnzave dhe universiteteve, mes ministrisë dhe maturantëve e prindërve që këto që ndodhën këtë vit të mos përsëriten”, tha ajo.
Rektori i UET-it, Prof. dr. Tonin Gjuraj në fjalën e tij kërkoi që “të abstragojmë nga keqinterpretimet dhe keqpërdorimet e mediave dhe partive politike”.
“Jemi në auditor dhe duhet të mbajmë përgjegjësi qytetare dhe profesionale”.
Ai vlerësoi disa elementë të sistemit të ri, por vuri në dukje dhe problematikat e procesit si: “Koha e reformimit mund të ishte më herët dhe mund të shtrihej jo tek maturantët, por të fillonte me nxënësit e klasave të 11-ta. Vonesa në hartimin e dokumentacionit (Udhëzimit përkatës) dhe mospërputhje mes këshillimit akademik të gjimnazeve (gjatë tre viteve) dhe Udhëzimit të ri”.
7 sugjerime që dolën nga forumi Gjimnaz-Universitet
1-Fakultete të caktuara, atje ku nuk përputhen lëndët me zgjedhje të përcaktuara me lëndët me zgjedhje që maturantët kanë bërë, të rishikohet edhe një herë përzgjedhja e tyre.
2-Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka mundësi të zbatojë kriterin e kualifikimit të maturantëve aplikantë duke ndjekur numrin rendor pas limitit të pozicionit duke evituar rikandidimin e tyre në raundin e dytë.
3-Të shihet mundësia që fakulteteve të veçanta t’u kërkohet mirëkuptimi nga ministria që të rivlerësojnë lëndët me zgjedhje, të cilat deri një vit më parë kanë pasur kredite të larta.
4-Thjeshtëzim i procesit, informim për procedurat e raundit të dytë të thjeshtëzohen dhe të zbresë deri tek çdo nxënës dhe çdo prind.
5-Për çdo zgjidhje duhet të vihet në fokus maturanti dhe interesi i tij. Në këtë mënyrë të thellohet dialogu i nisur mes MAS dhe maturantëve e prindërve dhe të nisë dialogu mes MAS dhe fakulteteve.
6-Të përdoret në media një gjuhë më mirëkuptuese dhe relaksuese, duke marrë parasysh ndjeshmërinë që ka kjo çështje për mijëra të rinj.
7- Të ketë këshillim karriere që në vitin e parë të gjimnazit, nga klasa e 10 dhe e deri në klasën e 12-të, në mënyrë që maturanti të jetë i qartë se çfarë dege do të zgjedhë dhe të punojë për ta fituar atë degë.