Me diplomën e UET-it, në një rrugëtim akademik mes Ankarasë dhe Belgjikës, njihuni me të riun që sjell përvojën si student ndërkombëtar
Pas studimeve të para në UET për Shkenca Politike studion Master në Ankara për Filozofi dhe më pas në Belgjikë duke i dhënë CV-së së tij akademike një shkollim multi-kulturor mes tri vendeve. Viliem Kurtulaj është gati t’i kthehet karrierës së tij në Shqipëri pas kësaj përvoje si student ndërkombëtar dhe dëshira e tij është të vazhdojë jetën akademike nëpërmjet studimeve të tjera dhe duke dhënë mësim, por projekti për të cilin po punon në një plan afatgjatë ka të bëjë me mundësitë e përfshirjes në politikë.
Ju ishit pjesë e takimit të UET-ALUMNI International 2016, çfarë do të thotë për ju një organizim i tillë, pse është e rëndësishme për një student të mbajë lidhjet me universitetin ku ka studiuar?
Takimet ALUMNI të llojeve të ndryshme janë një praktikë e rëndësishme në universitetet prestigjioze kudo nëpër botë. Janë kontakte që universitetet mbajnë me një nga pjesët më të suksesshme që e kanë prodhuar vetë. Është një dije dhe vlerë e shtuar me të cilën universitetet mbajnë marrëdhënie të vazhdueshme. Gjithashtu, edhe për studentët është e rëndësishme të kenë kontakte me ish-universitetin e tyre duke u njohur me projektet, punët kërkimore dhe aktivitetet e ndryshme që zhvillon universiteti. UET është ndër të paktat universitete në Shqipëri ku mekanizmi i ALUMNI-t funksionon. Megjithatë vetëm takimet një herë në vit nuk janë të mjaftueshme. Duhen dhe aktivitete të tjera nga UET-ALUMNI International për t’i mbajtur marrëdhëniet me studentët më të suksesshëm të tij.
Në cilin universitet, degë, keni studiuar jashtë Shqipërisë. Si ishte procesi i aplikimit dhe pse zgjodhët pikërisht atë universitet apo shtet për të kryer studimet tuaja?
Pasi mbarova studimet Bachelor për Shkenca Politike në UET, vazhdova një Master shkencor për Teori Politike në Universitetin e Tiranës. Mirëpo unë kërkoja diçka më shumë nga edukimi im. Pas disa aplikimesh në universitete jashtë Shqipërisë, vendosa t’i vazhdoja studimet e mia në kryeqytetin turk, Ankara, në Hacettepe University, për shkak të cilësisë së universitetit dhe një burse shumë të mirë nga qeveria turke. Mënyra e aplikimit ishte online, standard për të gjithë studentët nga të gjitha vendet. Fillimisht studiova një vit gjuhë turke te “Turkish and Foreign Language Teaching Practice and Research Center” në Hacettepe University. Më pas fillova një Master të dytë për Administrim Publik në të njëjtin universitet. Vitin e dytë të studimeve Master e kreva në Ghent University në Belgjikë pas një burse që fitova nga programi Erasmus+. Në Ghent University kam kryer gjithashtu edhe një post-akademik program “Low Countries Studies” për gjashtë muaj në fakultetin e arteve dhe të filozofisë.
Si u përballët me modelin e një universiteti të huaj? A ka shumë dallime me universitetet shqiptare, ku dhe si janë këto dallime?
Unë kam pasur fatin të studioj në vende dhe universitete me orientime të ndryshme. Edhe në Shqipëri kam provuar universitetin privat dhe atë shtetëror. Sigurisht që ka dallime me universitetet e huaja prestigjioze. Hacettepe University ku unë kam studiuar në Ankara është një universitet i modelit anglo-sakson, i renditur në top 500 e universiteteve botërore, me një kampus gjigant dhe me metoda amerikane të të punuarit. Ndërsa Ghent University në Belgjikë, i cili është një nga universitetet më prestigjioze në botë, aktualisht renditet në vendin e 62 në klasifikimin e universiteteve botërore sipas Shanghai Ranking Consultancy, është një universitet më europian për nga orientimi. Ndryshimi me universitetet shqiptare fillon që nga mjediset (laboratorët, bibliotekat, teatrot, mjediset sportive, mjediset e gjelbra etj.) deri te pjesa akademike dhe kërkimore-shkencore. Sigurisht që për të qenë i suksesshëm në këto universitete duhet më shumë punë se në universitetet shqiptare, pasi intensiteti është më i lartë.
A jeni përfshirë atje me projekte të ndryshme akademike, dhe çfarë përvoje keni fituar nga këto angazhime që mund të sillni në vendin tuaj apo t’ua rekomandoni universitetit shqiptar?
Gjatë kohës së studimeve të mia në Hacettepe University në Ankara, jam përfshirë në disa projekte akademike. Kam marrë pjesë në workshopin digjital “Hello Hacettepe” të organizuar nga fakulteti i komunikimit, në të cilin përfaqësoja Shqipërinë. Për një vit kam qenë pjesë e “Hacettepe University International Project Society” si pjesëtar i ekipit koordinues të projekteve. Gjithashtu, kam marrë pjesë në simpoziumin “Together for a better future of healthcare service” organizuar nga “Bluzat e Bardha” dhe Hacettepe University. Ndërsa në Ghent University në Belgjikë, përveç studimeve Master, kam qenë pjesë për gjashtë muaj e një post-akademik program “Low Countries Studies” në fakultetin e arteve dhe të filozofisë. Universitetet shqiptare duhet të kenë një zyrë serioze projektesh, gjithashtu duhet të kenë në strukturën e tyre klube studentore të pavarura brenda universitetit, të cilat shpesh herë janë nismëtare të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme akademike dhe jo vetëm.
Cilat janë planet tuaja për karrierën e mëtejshme?
Së fundmi jam kthyer në Tiranë dhe planet e mia janë të vazhdoj karrierën akademike këtu, më vonë ndoshta dhe politike. Ku i dihet!
A besoni se ju diferencon në tregun e punës në Shqipëri një diplomë e huaj? Pse?
Besoj se duhet të na diferencojë, por jo detyrimisht. Duhet të na diferencojë sepse përgatitja akademike, frymëzimi, disiplina, intensiteti, metodat e punës, përvoja ndërkombëtare, kultura e ndryshme etj. që merr në universitetet jashtë është më e madhe se ajo që merret në universitetet shqiptare. Mirëpo jo gjithmonë dhe jo detyrimisht është kështu. Edhe në Shqipëri ka studentë të përgatitur që nuk dallojnë me studentët që kanë studiuar jashtë dhe janë po aq të aftë për tregun e punës.