Njihuni me studentët e komunitetit Rom dhe Egjiptian që studiojnë në Universitetin Europian të Tiranës: Të barabartë në shkollë, por përballen me sfidat e integrimit në shoqëri
Nga Brejdon Xhavara
Arsimi i studentëve Rom e Egjiptianë mbetet ende një sfidë e fortë në shoqërinë tonë shqiptare. Duke qenë se e vetmja rrugë për t’u integruar në shoqëri për të rinjtë e këtij komuniteti është arsimi, Universiteti Evropian i Tiranës ka hapur dyert për këta studentë që vijnë nga komunitete të margjinalizuar duke ofruar bursa sociale. Diskriminimi i këtyre komuniteteve vazhdon akoma të jetë i hapur për shkak të shumë faktorëve, ku një prej tyre është dhe arsimi.
Por së fundmi, me mundësitë që janë ofruar, jo vetëm nga UET, për studentët Rom dhe Egjiptian, sot ka një numër relativisht më të madh të studentëve që po ndjekin arsimin e lartë si dhe nivelin e dytë të studimeve dhe në këtë mënyrë po arrihet të krijohet një gjeneratë Rome dhe Egjiptiane e arsimuar dhe e integruar në shoqërinë shqiptare.
Nëpërmjet mundësive të ofruara nga pushteti qëndror, i cili ka hequr tarifën e shkollës për nivelin Bachelor, rritet mundësia për të ndjekur studimet universitare, si dhe me ndihmën e organizatave ndërkombëtare të cilat ofrojnë bursa studimi për studentët Rom dhe Egjiptian.
Nga ana tjetër, Universiteti Europian i Tiranës ka mbështetur në vazhdimësi të rinjtë e këtyre komuniteteve duke ofruar çdo vit rreth 20 bursa të ndryshme për studentët Rom dhe Egjiptian, në mënyrë që këta studentë të diplomohen dhe të jenë motorrët që do tërheqin të ardhmen e komunitetit të tyre.
Një rast suksesi i këtyre bursave është Emiliano Aliu, i cili ka mbaruar dy ciklet e studimit në Universitetin Europian të Tiranës dhe është i angazhuar periodikisht në projekte ndërkombëtare dhe shoqërinë civile. Në rrugën e tij po ecën dhe një grup studentësh të tjerë, të cilët vazhdojnë studimet ose kanë përfunduar, profilet e disa prej të cilëve po i sjellim në këtë artikull për gazetën Mapo. Ata tregojnë për rëndësinë që ka arsimi në të ardhmen e tyre, për mënyrën se si janë ndjerë gjatë kohës së studimeve dhe për sfidat me të cilat përballen në shoqëri.
Aurora Koçi: Në universitet jam bërë zëdhënëse e kulturës Rome
Aurora Koçi studion për Marrëdhënie Publike- Komunikim në UET dhe në të njëjtën kohë punon part-time. Në universitet ajo disa herë ka pasur mundësinë të prezantojë traditat dhe kulturën e komunitetit të cilit i përket, atij Rom. “Unë i përkas komunitetit Rom dhe sfida që unë kam hasur në UET ka qenë vetëm pjesa që unë punoj pjesën e parë të ditës, por UET më ka lehtësuar sepse ka një orar fleksibël dhe nuk ka ndërprerje midis orareve. Mbështetja në UET për mua ka qenë vërtet e madhe sepse jam një nga përfituesit e bursës sociale që jepet për studentët Rom dhe Egjiptian por jo vetëm, kjo është një mundësi që iu jepet studenteve dhe nuk ndjehesh vetëm si një person që të kanë dhënë një bursë sepse vjen nga komuniteti por të jep mundësinë të bësh punë praktike që mund të kontribuosh lidhur me degën që ke. Marrëdhëniet shoqërore në shkollë nuk është se të japin shumë mundësinë të krijosh shumë relata më studentë të tjerë. Nga ana e diskriminimit nuk e kam parë asnjëherë pasi gjithmonë shoqëria dhe pedagogët kanë ruajtur etikën dhe kanë ditur të përdorin fjalët, kam parë që janë të informuar për fjalët që duhet të thonë për këto komunitete, pra mund të flas vetëm për diskriminim pozitiv që UET-i bën ndaj nesh. Universiteti më ka dhënë mundësinë të prezantoj disa herë komunitetin tim për kulturën, traditat, si dhe problemet me qëllim që të gjithë studentët e tjerë të jenë të informuar për këtë komunitet dhe kam verejtur që nuk ka pasur diskriminim lidhur me mua apo me komunitetin, përkundrazi, merita dhe përkrahje. Madje kemi fleksibilitetin të themi lirisht kush jemi dhe në këtë kontekst e falenderoj UET për mundësinë që i ka dhënë studentëve Rom dhe Egjiptian dhe jo vetëm”, shprehet Aurora.
Ermelind Malko: Diploma e MPK-së u shpërblye në një punë të mirë
Ermelind Malko ka qenë student i UET-it në vitet 2006-2009, diplomuar në degën Marrëdhënie Publike-Komunikim. Ai thotë se ka punuar gjatë gjithë kohës së studimeve, ndërsa pas diplomimit ka konvertuar diplomën në një vend pune shumë të mirë në një organizatë që përkrah integrimin e të rinjve nga komuniteti rom. “Universiteti Europian i Tiranës më ka dhënë një mbështetje me anë të një burse të plotë në nivelin Bachelor. Ëndrra ime ka qënë të studioj në Itali duke menduar për cilësinë e mësimdhënies dhe marrjen e një diploma me vlerë. Gjatë studimeve në UET mësova që një cilësi e lartë dhe marrjen e një diploma me vlerë mund ta gjeja dhe në një universitet shqiptar. Vështirësitë ekonomike si çdo student ishin të mëdha, por me ndihmën e bursës që përfitova nga UET u lehtësova duke qënë se u përjashtova nga pagesa e tarifës shkollës dhe për më tepër në një universitet prestigjoz dhe me vlera. Natyrisht që kjo ishte një ndihmë shumë e madhe, por e pamjaftueshme për një student që vjen nga rrethet në Tiranë, ku kostot e jetesës janë të shumta. UET e bëri pjesën e vet, tashmë më takonte mua që të bëja pjesën time, pra, të mbuloja shpenzimet e mia të jetesës në Tiranë, prandaj gjatë viteve të shkollës punoja me kohë të pjesshme në një call center. Më pas vazhdova studimet master në UET në degën Marrëdhënie Publike, sektori komercial dhe natyrisht që tashmë isha më i formuar. Në të njëjtën kohë kam filluar punë në një organizatë rinore rome, Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri, fillimisht si koordinator i Korpusit Rom të vullnetarëve të të rinjve Rom dhe kam arritur deri në pozicionin menaxher. Aktualisht punoj në organizatën ARSIS, Organizatë Shoqërore për përkrahjen e të rinjve, ku punoj si koordinator në fushën e arsimit dhe punësimit të nxënësve dhe të rinjve Rom”, thotë Ermelindi.
Flobens Buzhani: Pedagogët më kanë mbështetur në inisiativat e mia
Flobens Buzhani është diplomuar në Master Shkencor në Politika Edukimi në UET. “Bachelorin e kam kryer në Universitetin Aleksandër Xhuvani në degën gjuhë italiane dhe më pas jam informuar për bursën sociale që Universiteti Europian i Tiranës ofronte për studentët më përkatësi Rome dhe Egjiptiane. Përveç mbështetjes që UET më dha për plotësimin e formularëve për aplikim për burse, më ndihmoi edhe në këshillim karriere për të zgjedhur masterin për Politika Edukimi. Në vitin 2014 fillova studimet për masterin shkencor ku dhe u diplomova me arritje akademike të shkëlqyera. Me pedagogët kam pasur dhe kam marrëdhënie të mira pasi më kanë mbështetur fort në arritjen time akademike. Për sa i përket diskriminimit në ambjentet e UET nuk e kam ndier asnjëherë, përkundrazi gjithmonë shoqëria dhe pedagogët më mbështesnin për iniciativën që kisha ndërrmar edhe pse unë vija nga një komunitet i diskriminuar. Unë kam qenë mësues i gjuhës italiane te shkolla pedagogjike në Elbasan që nga viti 2011-2014 dhe më pas nga 2014-2015 tek qendra kulturore, ku kisha një grup nxënësish që iu jepja mësim. Aktualisht jam i papunë. Dua të falenderoj të gjithë stafin e UET përfshirë edhe Pedagogët për mundësinë që të studioj në një universitet prestigjoz dhe në veçanti dua të falenderoj për punën e palodhshme z.Henri Cili, z.Nazmi Xhomara, si dhe znj. Anisa Subashi”.