Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Universitetet, kriteret e aplikimeve për raundin e parë dhe të dytë

$
0
0

UniversitetMinistria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin për pranimet në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik 2016-2017. Agjencia Kombëtare e Provimeve ngarkohet që brenda datës 16 gusht t’u dërgojë universiteteve listat e aplikuesve për çdo program studimi, dhe më pas ato të bëjnë shpalljen e studentëve fitues në datën 5 shtator 2016. Pranimet në universitet edhe këtë vit do të jenë me dy raunde, duke u dhënë një shans të dytë edhe maturantëve të cilët do të kalojnë me sukses provimet në vjeshtë që të aplikojnë në universitet.

Pasi, raundi i dytë i aplikimeve do të bëhet në fund të muajit shtator, pikërisht në datat 23 shtator-1 tetor 2016. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohen datat se kur do shpallen fituesit si dhe datat e regjistrimit, të cilat këtë vit për shkak të procedurave të reja do të zgjasin deri në mesin e muajit tetor. “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë udhëzimin e MAS-it, ku të interesuarit mund të gjejnë hapat dhe procedurat e aplikimit. Në këtë udhëzim përcaktohet edhe periudha se kur do zhvillohet konkursi i pranimit në ato universitete që i kanë si kusht, siç janë Universiteti i Arteve dhe ai i Sporteve. Konkurset do zhvillohen në periudhën 20-30 gusht.

RAUNDI I, APLIKIMI & KUSHTET

Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë.

Në udhëzimin e MAS-it, përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.

“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 01-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim.

Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017.

Sistemi i Portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë.

RAUNDI i parë

Hapi 1 – Maturantët kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë (mandati shkarkohet në faqen: akp.gov.al).

Hapi 2 – Maturantët mandatin e pagesës duhet t’a dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të shkollës së mesme.

Hapi 3 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun: matura.akp.gov.al nga data: 01 – 11 Gusht 2016. Në faqen akp.gov.al maturantët do të shkarkojnë “Paketë informuese për formularin e aplikimit” ku do të gjejnë kalendarin me datat respektive pë aplikim sipas qarkut të tyre;

Hapi 4 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca por mos harroni duhet të zgjidhni si preferencë të parë p.sh: Universiteti Europian I Tiranës dhe programin që ju doni të studioni .

Hapi 5 – Maturantët fitues shpallen brenda datës 30 Gusht 2016 dhe rregjistrimi në UET kryhet brenda datës 20 Shtator 2016 .

RAUNDI i dytë

Hapi 1 – Maturantët që nuk kanë mundur të aplikojnë në raundin e parë duhet të kryejnë pagesën pranë zyrave të postës shqiptare ose në bankë në shumën 2000 lekë (mandati shkarkohet në faqen:akp.gov.al) dhe e dorëzojnë pranë sekretarisë mësimore të shkollës së mesme.

Hapi 2 – Maturantët duhet të aplikojnë në linkun: matura.akp.gov.al nga data: 23 Shtator 2016 – 1 Tetor 2016.

Hapi 3 – Mund të rendisni deri në 10 preferenca por mos harroni duhet të zgjidhni si preferencë të parë UET-in dhe programin që ju doni të studioni.

Hapi 4 – Maturantët fitues shpallen brenda datës 4 Tetor 2016 dhe rregjistrimi në UET kryehet brenda datës 16 – 20 Tetor 2016.

KUJDES !!! NËSE NUK ZGJIDHNI ” UET” SI PREFERENCË NUK MUND TË RREGJISTROHENI PRANË UET-it.

Njoftim për plotësimin e formularit të aplikimit për në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL)

Njoftojmë të gjithë maturantët/kandidatët që dëshirojnë të marrin pjesë në garën e pranimit në IAL, se duhet së pari të bëjnë plotësimin pranë shkollave përkatëse të mesatares në portalin matura.akp.gov.al. Mesatarja pasqyrohet në sistemin informatik nga përfaqësuesit e autorizuar të shkollave të mesme dhe vetëm pas kryerjes së kësaj procedure, maturanti/kandidati mund të bëjë plotësimin e formularit të aplikimit për në IAL në çdo mjedis ku ka akses interneti, sipas kalendarit të publikuar. Plotësimi i këtij formulari lidhet me përzgjedhjen e jo më shumë se 10 (dhjetë) programeve të studimit preferenciale midis atyre të ofruara nga Institucionet Publike dhe Private të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2016 – 2017. Pas këtij procesi të kryer me sukses, maturanti/kandidati bëhet pjesë e garës për t’u shpallur fitues në programet e studimit që IAL-të ofrojnë. Procesi i hedhjes në sistemin informatik të notës mesatare (sipas VKM-së Nr. 407, dt.01.06.2016) fillon në shkollat e mesme ditën e premte dt. 29.07.2016 ora 08.30. Kujtojmë se çdo maturant kandidat për hedhjen në sistem të notës së tij mesatare duhet të kryejë sipas radhës veprimet e mëposhtme:

1. Së pari duhet të shkarkojë nga faqja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) www.akp.gov.al faturën për arkëtim tek linku fatura për arkëtim për plotësimin e formularit për në IAL, dhe më pas ta printojë.

2. Me këtë faturë të printuar duhet të paraqitet pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2000 lekësh.

3. Pas kësaj duhet të paraqitet në drejtorinë e shkollës, në të cilën kanë bërë aplikimin e formularit A1, apo A1Z dhe të dorëzojë mandat pagesën.

4. Pas dorëzimit të mandat pagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatik notën mesatare të tij sipas formulës së përcaktuar me VKM.

Vëmë në dukje se maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk kanë mundësi të aplikojnë me formularin e aplikimit për në IAL për shkak të mungesës në sistem të notës mesatare.

Afati i plotësimit të notave mesatare në sistem është nga data 29.07.2016 ora 08.30 deri 10.08.2015, ora 16.30.

Gjithashtu aplikantët për në IAL, përsa i përket afateve të plotësimit të mesatares duhet të kenë parasysh edhe kalendarin e aplikimeve sipas Dar/Za-ve të publikuar në faqen tonë zyrtare. P.sh. maturantët dhe kandidatët e Dar Tiranë kanë si afat plotësimi të mesatares periudhën 29 korrik deri më 3 gusht 2016, meqënëse kjo është edhe data e fundit e aplikimit për maturantët/kandidatët në këtë DAR. Po njësoj për secilin Dar/Za afati i fillimit të plotësimit të mesatares në sistem është data 29 korrik dhe afati i fundit është ajo datë kur kanë të planifikuar ditën e fundit të aplikimit për në IAL.

Agjencia Kombëtare e Provimeve

http://akp.gov.al/index.php?option=com_content&view=article&id=173:pakete-informuese-per-formularin-e-aplikimit&catid=52&Itemid=323


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180