I themeluar në 1957-ën, vetëm në vitin 1967 universiteti i Tiranës mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit. Ndërsa Universiteti i Prishtinës është themeluar më 18 nëntor 1969
Prej pak më shumë se një dekade në Shqipëri u ligjërua ngritja dhe funksionimi i universiteteve me financim privat, por universiteti shtetëtor ka më pak se një shekull jetë dhe nis me themelimin e Universitetit të Tiranës.
Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957 dhe kishte në përbërje të tij 6 fakultete. Në vitin 1991, nga ky universitet, asokohe me 11 fakultete, u shkëputën fakultetet inxhinierike, që krijuan Universitetin Politeknik të Tiranës. Fillesat e para për ngritjen e këtij monumenti të gjallë të Shqipërisë filluan që pas Luftës se Dytë Botërore ku u krijuan disa institucione të ndryshme arsimore. Pas kalimit të një periudhe 13 vjeçare këto përpjekje u finalizuan në vitin 1957. U themelua institucioni që u quajt Universiteti Shtetëror i Tiranës. Në këtë institucion u shkrinë instituti pedagogjik, politeknik, ekonomik, mjekësor, juridik dhe instituti i shkencave. Ky institucion u ndërtua si nevojë ku u harmonizuan eksperienca e jo pak pedagogëve që vinin nga eksperienca dhe shkollime perëndimorë nevojat në rritje të vëndit por sigurisht edhe pasioni. Kombi po krijonte institucionin e dijes sidomos në kushtet kur vendi kishte nevojë për më tepër se kurrë te ndërtohej dhe zhvillohej në vitin e parë akademik 1957-58 universiteti kishte 3613 studentë nga të cilët 3000 në sistemin me kohë të. Studentet do të diplomoheshin në 15 specialitete sipas degëve përkatëse. Vendi kish nevoje për specialiste dhe universiteti zgjeronte degët lëndët hapësirat por edhe ambicien për të shkuar në misionin e vet në pararojën e zhvillimit të vendit.
Nuk ka pasur asnjë fushë te ekonomisë kur pedagogët dhe studentët nuk kanë pasur kontributin shpeshherë edhe përcaktues në dizenjimin dhe realizimin e rrugëve hidrocentrale dhe veprave madhore që kishin filluar të ndërtoheshin.
Në 1967 universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të saj duke i dhënë këtij universiteti një dinamizëm më të madh. Kështu pas 22 viteve nga krijimi pra 1977 numri i studenteve pa shkëputje nga puna arriti ne 8880 nga te cilat rreth gjysma ishin vajza duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë, të cilët u më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit. Nuk kish si të mos ndikonin në eksperiencën e universitetit studentët që studionin në disa nga universitetet më të mirë të kohës si në Ish-Bashkimin Sovjetik, Hungari, Francë, Suedi, Gjermani etj.
Historia e Arsimit të Lartë në Kosovë
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Tani Universiteti i Prishtinës i ka 17 fakultete, nga të cilat 14 janë fakultete akademike, ndërsa 3 janë fakultete të shkencave të aplikuara. Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.