Universiteti Europian i Tiranës organizoi javën që shkoi Forumin e dytë Universitet-Biznes, takimin e UET HR Club 2016, ku morën pjesë përfaqësues të kompanive më të mëdha në vend
Për çfarë profilesh profesionistësh ka nevojë sot tregu i punës? A po arrijnë universitetet t’i përgjigjen biznesit me kurrikulat e masterave të tyre? Si mund të bashkëpunohet mes dy palëve për të nxjerrë profesionistë të aftë dhe që i përgjigjen kërkesave të sipërmarrjes? Të gjitha këto pyetje u shtruan për diskutim javën që shkoi në Forumin e dytë Universitet-Biznes, takimin e UET HR Club 2016, ku morën pjesë drejtues të UET-it, përfaqësues të organizmave të biznesit dhe drejtues të kompanive më të mëdha në vend.
Duke u kthyer në një traditë, ky forum nxori gjatë diskutimeve nevojën për përshtatjen e kurrikulave të Shkollës Master në funksion të tregut. Në kuadër të këtij bashkëpunimi UET ka ngritur këtë forum, Bordet e Tregut të Punës të përbërë nga studentë ALUMNI, atelietë e profesionit ku zhvillohen praktika profesionale, si dhe futjen në programet Master të një moduli që jepet nga CEO ose specialistë të suksesshëm të fushës.
Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, vuri në dukje se sfida e universiteteve sot është përgatitja e profesionistëve të aftë që t’iu përgjigjen kërkesave të tregut. “Do të ishte shumë me vlerë që edhe ne ta përdorim me eficiencën maksimale kohën dhe programet tona, edhe ju mund të merrni një student e ta integroni menjëherë në aktivitetin tuaj, pa pasur nevojë për t’i bërë trajnime me kosto shtesë ose për një kohë të gjatë të mos jeni të kënaqur me cilësitë dhe me standardet e tij. Ne duam t’i shndërrojmë një pjesë të rëndësishme të programeve tona në UET në funksion të kërkesave të biznesit”, tha ai.
Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, tha se UET është pararojë në këtë drejtim, të kontakteve me biznesin për të tërhequr mendimin e tyre. “Një biznesmen nuk e llogarit nevojën e tregut të punës në terma të burimeve njerëzore. Ky është një defekt i sipërmarrjes së madhe. Ky treg është i vështirë dhe nuk është e lehtë të arrihet menjëherë, por duhet bashkëpunim me akademinë”, theksoi ai.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, ngriti problemin e kualifikimit të të rinjve sot në shërbim të zhvillimit, pasi sipas tij është krijuar një trend i kualifikimit për t’i nxjerrë në tregun europian për shkak të kërkesave të agjencive europiane, por po lihen mënjanë kërkesat e tregut vendës të punës. “Vlerësoj iniciativën e UET, por që ky bashkëpunim të funksionojë dhe të nxjerrë produktin final, që janë burimet njerëzore të kualifikuara për tregun e punës, duhet të funksionojë trekëndëshi mes politikëbërjes, akademisë dhe sipërmarrjes”, tha ai.
Drejtues të Burimeve njerëzore dhe menaxherë të kompanive të pranishme në takim, ngritën shqetësimin e tyre në lidhje me kualifikimin e burimeve njerëzore, duke theksuar se duhen parë auditorët e universitetet si vende ku të bëhen trajnime, shkollime master, qoftë me iniciativë të vetë biznesit, qoftë me iniciativë të universitetit, për të arritur rezultate të prekshme.
Si mund të vihet universiteti në shërbim të sipërmarrjes
Problemi i edukimit është i pazgjidhshëm, thonë ekspertët e pedagogjisë, “Mësues të përgatitur në të kaluarën, përgatisin në të tashmen, studentë për të ardhmen”. Por çfarë ka bërë UET për ta minimizuar këtë problem dhe për të qenë në koherencë me zhvillimet e përgjithshme të ekonomisë. Administratori i UET-it, Henri Çili, tha në këtë forum se vitet e fundit janë bërë disa hapa. “Kemi krijuar një strukturë, UET-Enterprise, një njësi tipike burimesh njerëzore. Kemi krijuar bordet e tregut te punës, në çdo departament, duke u takuar me ta dy herë në vit, për të debatuar programet e atij viti, profilet në modë, defektet, paraqitjet në tregun e punës e kështu me radhë. Kemi futur konceptin që duke filluar nga viti tjetër në çdo lëndë Master, do të jetë ndonjë profesionist i fushës që do të japë përvojën e kompetencën e fushës, nga 1 deri në 3 javë. Kemi si praktikë ndërtimin e atelieve të profesionit. Kemi marrë një vendim, që në programet tona Master, pedagogët bazë do të jenë në masën mbi 90%, me gradat profesorë të asociuar e lart, dhe që kanë të paktën midis 5 ose 10 vjet eksperiencë në mësimdhënie”, tha ndër të tjera ai.
Shkolla Master, laborator i profesionistëve
Përfaqësuesit e biznesit: Kemi nevojë për burime njerëzore të mirëkualifikuara
Shkollimi Master është i ri si koncept në Shqipëri, i huazuar nga bota perëndimore, ku statistikat flasin për punësim më të lartë dhe me paga më të larta të studentëve që kanë shkollim Master. Diskutantët në Forumin Universitet-Biznes e vunë theksin te ky lloj specializimi, si i domosdoshëm për të përgatitur profesionistë të rinj për tregun e punës. E vetmja gjë që mbetet për t’u zgjidhur mes dy palëve është përshtatja e kurrikulave të universitetit me ato profesione që kërkon në realitet tregu.
Prof. dr. Adrian Civici, President i UET-it, tha se studentët me Master janë më eficientë në tregun e punës, ndaj bashkëpunimin me biznesin UET e sheh si të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, vetë përfaqësuesit e biznesit pranuan se kanë nevojë për burime njerëzore të mirëkualifikuara në mastera profesionalë, që i përshtaten pozicioneve specifike të punës. Ata ndërkohë vunë në dukje dhe nevojën që vetë kompanitë kanë për të investuar në kualifikimin e mëtejshëm të burimeve të tyre njerëzore, duke kërkuar nga universitetet kurrikula të përshtatshme për kërkesat e tyre.
Luan Bregasi, Presidenti i BiznesAlbania, vuri në dukje se biznesi ndien vështirësi edhe për një kuadër më cilësor të drejtimit të ndërmarrjeve. “Ndiejmë vështirësi për menaxherë të sipërmarrjeve. Shkollat tona nuk përgatisin menaxherë të mirëfilltë. Biznesi është gati të paguajë për shkollimin në nivel Master për punonjësit e tij dhe këtu është pika që na bashkon”, tha ai.
Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave, duke marrë shkas nga slogani i UET-it tha se “po jetojmë një epokë të re dhe duhet t’i përshtatemi me shpejtësi kësaj epoke me anë të edukimit”. Ai solli të dhëna mbi punësimin e të rinjve në banka, duke pranuar se ka plot studentë të UET që nga intershipe kanë nisur një karrierë të plotë. “Në bankë fillon punë edhe me nivelin Bachelor, por nëse ke pretendime për karrierë duhen shkollimet Master sipas profileve të pozicioneve të punës që iu duhen bankave sot”, theksoi ai.
Sipërmarrësi Alban Zusi nga ana tjetër, propozoi që vetë biznesi duhet të investojë në menaxhimin e burimeve njerëzore. Ai solli shembullin e kompanisë së tij, ku një studente e cila po bënte punimin e doktoraturës arriti që nëpërmjet kërkimeve të saj të nxirrte një tablo të nivelit të kënaqësisë dhe motivimit të punonjësve. Ky studim, tha Zusi, më ndihmoi që unë të rindërtoja strategjinë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të gjeja format e motivimit të tyre.
Edlira Gjuraj, menaxhere e Burimeve Njerëzore te kompania “Globe” dhe pedagoge në Shkollën Master në UET, foli mbi përgatitjen e burimeve njerëzore të afta të përballen në tregun e punës. Ajo theksoi se disa mastera profesionalë janë direkt të lidhur me tregun, duke nxjerrë profesionistë që iu përgjigjen kërkesave për pozicione pune, ndërsa vuri në dukje se për të bërë një Master të ri nuk është kurrë vonë, përkundrazi, një shkollim i tillë është i nevojshëm për t’u kualifikuar për disa pozicione pune pavarësisht shkollimit bazë.
Drejtori i Deloitte, Rodon Pajaj, propozoi idenë e ngritjes së një shoqate të HR (Burimeve Njerëzore) ose një komiteti mes biznesit dhe akademisë që të arrijë të kryejë dhe analiza të tregut për të parë se për çfarë profesionesh ka nevojë tregu konkretisht dhe si t’i përgatisim ata. Ai theksoi se sot për t’u punësuar nuk nevojiten vetëm rezultate të larta akademike, por dhe aftësitë logjike, mendimi kritik dhe adaptimi me pozicionin e punës.
Suzana Nanushi, Drejtore HR në kompaninë Albtelekom dhe Eagle solli shembuj konkretë. Ajo tha se 67% e punonjësve janë me Master. Si kërkesë ndaj universitetit ajo theksoi se tregu i punës nuk ka nevojë vetëm për profesionistë të mirëpërgatitur, por në radhë të parë për qytetarë, për të rinj që të kenë nivel inteligjence dhe të adaptohen në punën në grup etj.
Juela Isaj, Drejtoresha e DDB-Albania foli mbi nevojën për t’ju përshtatur ndryshimeve të shpejta të botës teknologjike. “Komunikimi digjital nuk ka njerëz të specializuar dhe duhen të paktën dy mastera që të arrish të punosh në sektorë të tillë. Modeli i biznesit ka ndryshuar. Për shembull, një IT duhet të ketë edhe kreativitet, ndaj e ardhmja kërkon punëtorë të adaptueshëm, të cilët duhet të bëjnë shkollim Master dhe trajnime të shpeshta.
Ardit Çela, Administrator i gazetës “Panorama”, tha se nuk vihet më në dyshim që shkollimi Master është i domosdoshëm për punësim dhe rritjen në karrierë. Nga ana tjetër, duke vlerësuar forumin, ai tha se vendimmarrësit duhet të vendosen në favor të punësimit dhe të kuptojnë se kapitali njerëzor është i rëndësishëm, ndaj duhet investuar në mirëshkollimin e tyre.