-Firmoset Memorandumi i mirëkuptimit midis Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Europian të Tiranës
-Studentët do të kenë mundësinë të studiojnë me tekste shkollore bashkëkohore, të marra nga 50 universitetet më të mira në botë dhe nota e provimeve do të kalojë nga dora e pedagogut, në korrigjim digjital
Një marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Europian të Tiranës, të mbështetura nga Fondi shqiptaro-amerikan i zhvillimit, do t’i hapë rrugë një reforme të re për të modernizuar sistemin e teksteve dhe të korrigjimit të provimeve në Arsimin e Lartë shqiptar. Si nisje, projekti CleanScore do të ndërmerret në fakultetet e ekonomisë të universiteteve, që janë pjesë e marrëveshjes dhe pritet që të pajisë studentët e këtyre universiteteve me tekstet më bashkëkohore, duke i marrë ato nga universitetet më të mira në botë, sipas rankimeve të pranuara.
Për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti është krijuar një bashkëpunim publik-privat. Javën që shkoi, në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranës, u nënshkrua Memorandumi i mirëkuptimit midis Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Europian të Tiranës.
Memorandumi ka si qëllim zbatimin e projektit CleanScore, që konsiston në zëvendësimin e teksteve shkollore aktuale, me botime ndërkombëtare dhe instalimin e korrigjimit digjital të provimeve. Gjithashtu, ky projekt merr përsipër instalimin dhe administrimin e suksesshëm të materialeve të reja mësimore të standardit ndërkombëtar, kryesisht në lëndët e ekonomisë dhe sipërmarrjes; të bashkëpunojnë në instalimin e një sistemi të integruar teknologjik.
“Palët bien dakord se qëllimi i këtij memorandumi është të garantojë instalimin dhe administrimin e suksesshëm të materialeve të reja mësimore të standardit ndërkombëtar, kryesisht në lëndët e ekonomisë dhe sipërmarrjes. Po ashtu, palët bien dakord të bashkëpunojnë në instalimin e një sistemi të integruar teknologjik, që garanton integritet dhe rentabilitet më të lartë në procesin e vlerësimit të performancës së studentit gjatë një viti akademik. AADF dhe partnerët në këtë memorandum bien dakord se masa të tilla vijnë në pararojë të përpjekjeve reformuese për rritjen e cilësisë së mësimdhënies në arsimin e Lartë në Shqipëri”, thuhet në aktin e marrëveshjes.
Gjatë aktivitetit, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici, vlerësoi iniciativën e ndërmarrë. Ai u shpreh se ky projekt është një mundësi mjaft e mirë për të pasur staf më eficient. Po ashtu, një falënderim iu drejtua Fondacionit AADF për mbështetjen e nismës.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga znj. Lindita Nikolla, ministër i Arsimit dhe Sportit, z. Michael Granoff, kryetari i Bordit të Fondacionit amerikano-shqiptar për zhvillim, prof. dr. Mynyr Koni, Rektor i Universitetit të Tiranës, si dhe nga prof. dr. Adrian Civici, President i UET.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, drejtues të Fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim, pedagogë, studentë, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Ku konsiston projekti CleanScore:
- Formalizimi i procedurës së zëvendësimit të teksteve shkollore nga fakultetet përkatëse.
- Rritja e cilësisë së materialeve mësimore duke konverguar tekstet shkollore të përdorura në universitetet shqiptare me ato të përdorura në universitetet perëndimore të rankuara në 50 më të mirët në rankimet globale sipas degëve të interesit.
- Rritje e integritetit dhe transparencës në procesin e vlerësimit të studentit në Arsimin e Lartë.
- Rritje e produktivitetit të kohës së disponueshme të pedagogëve për qëllime kërkimore, duke ulur kohën e nevojshme për korrigjim dhe raportim notash në provime.
- Rritja graduale e fondeve të disponueshme në nivel fakulteti për qëllim konvergjence të materialeve mësimore në institucionet ndërkombëtare, si dhe për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e funksionit të qendrës digjitale të testimit në shumë lëndë.
- Implementim i sistemeve elektronike të raportimit të notës dhe i sistemeve të analizës së performancës së studentit në kohë.
- Rritja e kapaciteteve administrative në nivel fakulteti, për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që ofrojnë materialet e reja mësimore dhe teknologjia e testimit digjital.