Jo vetëm një punë kërkimore, por edhe rijetësimi, ka qenë ajo e arkeologëve të përfshirë në projektin “MEMOLA” , të cilët kanë nisur një studim shumëdisiplinor në Luginën e Sipërme të Vjosës. Koordinatori spanjoll, prof. Jose Maria Martin Civantos dhe arkeologët shqiptarë, Ardit Miti dhe Egla Serjani, flasin rreth zbulimit të kanaleve historike vaditëse në fshatrat Vllaho-Psitollerë dhe zbulime të tjera arkeologjike në këtë terren.
Nga Suadela Balliu
Fshatrat Vllaho-Psilloterë gjenden në ekstremin jugor të luginës së Sipërme të Vjosës, pranë kufirit me Greqinë, rreth 30 km në jug të qytetit të Përmetit. Një zonë brenda së cilës ka nisur një projekt kërkimor shumëdisiplinor, që përfshin arkeologjinë, pedologjinë, botanikën, agronominë e hidrologjinë, i pagëzuar si “MEMOLA” . Ky projekt, i fokusuar në peizazhet malore mesdhetare, financuar nga programi Fp7 i Komisionit Europian, përfshin 4 zona studimi: Sierra Nevada në Spanjë, Monti di Trapani dhe Colli Euganei, dy zona në Itali dhe Lugina e Sipërme e Vjosës në jug të Shqipërisë. Projekti “MEMOLA” përqendrohet në përdorimet historike, të dy elementeve thelbësore natyrore, ujit dhe tokave…Nga kërkimet në terren, grupi i përfshirë me ekspertë e studentë të ardhur nga jashtë, por edhe me banorë të zonës që iu bashkuan vullnetarisht, jo vetëm që zbuluan kanalet historike vaditëse, që banorët e zonës kishin përdorur shekuj më parë, por edhe arritën t’i rikthenin në funksionin e tyre të mëparshëm, duke ndihmuar komunitetet agrare të fshatit Vllaho-Psilloterë, ndërsa për kërkuesit shihet me interes përfitimi i dijeve, që këto komunitete rurale kanë zotëruar. Këto njohuri kanë rezultuar të kenë qenë të dobishme dhe të adaptueshme për shekuj me radhë, duke ruajtur jo vetëm prodhimin agrar, por edhe biodiversitetin, dhe një pjesë të mirë të shërbimeve ekologjike, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme në ditët e sotme. “Nuk kam asnjë dyshim, që ne si kërkues, studentët dhe vullnetarët pjesëmarrës, kemi mësuar e përfituar prej këtij aktiviteti. Sigurisht që ky kanal do të shërbejë për vaditjen e fushave të zonës, por ne shpresojmë që kjo iniciativë do të ketë ndikim edhe në fshatrat fqinje, duke nxitur forcimin e marrëdhënie mes tyre, në funksion të kryerjes së punëve të përbashkëta. Tashmë ne e kemi provuar që puna e përbashkët vlen, dhe nga ana tjetër, ne si kërkues kemi interes të përfitojmë prej dijeve dhe praktikave që komunitetet rurale zotërojnë”- shprehet koordinatori i këtij projekti, me qendër në Universitetin e Granadës në Spanjë, prof. Jose Maria Martin Civantos. Paraprakisht, në periudhën maj-qershor të vitit të shkuar, Qendra CeRPHAAL kreu një vëzhgim për identifikimin dhe vlerësimin historik dhe arkeologjik të burimeve natyrore hidrike dhe sistemeve tradicionale të vaditjes. Të dhënat në terren dëshmojnë për një potencial të lartë të burimeve natyrore ujore, çka ka ndihmuar në zhvillimin historik të vendbanimeve e njëkohësisht shfrytëzimin e tyre nëpërmjet kanaleve në dobi të agrikulturës. Sistemet e kanaleve vaditëse – që njëkohësisht kanë shërbyer për kullimin e ujërave gjatë vjeshtës e dimrit e natyrisht kanë mbrojtur tokat bujqësore nga erozioni – dëshmojnë për një vendbanim historik të qëndrueshëm dhe të lidhur me aktivitetet bujqësore, sqarojnë dy arkeologët shqiptarë, Ardit Miti dhe Egla Serjani, pjesë e projektit “MEMOLA”.
Përpos kësaj pasurie, që është trashëgimi materiale e zonës dhe domosdoshmëri e një ekonomie të qëndrueshme rurale, gjatë dekadave të fundit vihet re braktisja dhe degradimi i sistemeve të irrigimit, kjo si pasojë e emigrimit, mos investimeve në mirëmbajtjen e tyre, lënies së tokave djerrë etj. Kanali vaditës e rinisi punën zyrtarisht më 9 prill të këtij viti. “Në përmbushje të një prej synimeve të projektit, në Luginën e Sipërme të Vjosës, që ka të bëjë me gjenerimin e sistemeve tradicionale agrare nëpërmjet rivënies në punë dhe shfrytëzimit të kanaleve historike të vaditjes dhe studimit e promovimit të elementeve historike të peizazhit natyror dhe kulturor, në datat 8-9 prill, në bashkëpunim me Njësinë Vendore Përmet – ku falënderojmë për mbështetjen, kryetarin Niko Shupuli dhe administratorin e zonës Çarshovë, Foti Apostoli – si dhe pjesëmarrjen e studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, institucion partner në kërkimet arkeologjike të Luginës se Vjosës në projektin “MEMOLA” dhe banorëve të zonës, u krye pastrimi, meremetimi dhe rivënia në punë e Kanalit historik të fshatrave Vllaho-Psilloterë” –sqaron Ardit Miti, duke nënvizuar se dy vitet e fundit e fundit vihet re një tendencë në rritje për punimin e tokave bujqësore, si rezultat i kthimit të forcës punëtore nga emigrimi dhe rrjedhimisht domosdoshmërisë së shfrytëzimit pa kosto të burimeve hidrike natyrore për vaditje.
“Megjithatë, ajo çka ka humbur, dhe përbën edhe ngërçin e vënies në punë të një pjesë të kanaleve vaditëse në zonë, pavarësisht dëshirës individuale të banoreve të zonës, është humbja e traditës së menaxhimit të sistemeve tradicionale të irrigimit brenda bashkësive fshatare dhe mirëkuptimit mes tyre për organizimin e punëve të përbashkëta me pjesëmarrje vullnetare, gjë që dikur (përpara sistemit komunist) zgjidhej lehtësisht në kuadrin social të kohës”- saktëson arkeologia Egla Serjani. Kanali ka një gjatësi prej 3 kilometrash, dhe duke marrë ujin nga burimet natyrore që dalin nga Mali Nemërçkë, mbulon tokat e pjerrëta mes fshatrave të sipërpërmendura dhe fushat në tarracat e lumit Vjosë. E gjithë puna kërkimore dhe rijetëzuese u bazua në shfrytëzimin e praktikave tradicionale të ndërtimit dhe hapjes së kanaleve, kjo jo vetëm për ruajtjen e traditës së irrigimit, por edhe si një qasje për transferimin e dijeve, nga banorët e vjetër lokalë, te të rinjtë vullnetarë. Këto praktika përfshijnë që nga krijimi i veprës së marrjes së pritave/pendëve me mjete rrethanore të ambientit, si: trina druri të veshur me baltë e me plisa, mure mbajtëse me gurë e me baltë, zgjerime dhe thellime të kanalit etj.
“Rihapja e kanalit të Vllaho-Psilloterës nuk është vetëm një element i sjelljes në jetë të një objekti apo procesi të trashëgimisë materiale dhe aktiviteteve historike të zonës, e po aq në shërbim të bujqësisë në ditët e sotme, e njëkohësisht mjet mbrojtës i tokave gjatë reshjeve të mëdha, por edhe si një instrument nxitës për rihapjen e kanaleve të tjera në zonë”- pohon arkeologu Miti. Realizimi i hapjes së kanalit të Vllaho-Psilloterës, sqarojnë arkeologët, me shumë gjasa mund të sjellë efektin “domino” të kërkesës në fshatrat e tjerë të luginës për rihapjen e kanaleve historike vaditëse. Por përtej këtij zbulimi, i cili u kthye në një ndihmë praktike për kulturën agrare të zonës, arkeologët sqarojnë se me anë të këtij projekti janë bërë zbulime të ndryshme arkeologjike, të cilat janë grumbulluar në bashkinë e Përmetit, me synimin që në të ardhmen të krijohet një Muze historik apo arkeologjik i zonës, ndërsa vitin e kaluar, së bashku me banorët lokalë dhe Bashkinë e qytetit, u rindërtua një kasolle, banesë historike e komunitetit Vllah, një mënyrë e cila ndihmon të kuptojmë aspekte të së shkuarës dhe marrëdhënies me natyrën, por gjithashtu edhe të njohim vlerat dhe njohuritë e thella ekologjike të këtij grupi social.
Jose Maria Martin Civantos: Projekti “MEMOLA”, të mësojmë nga e shkuara, për të siguruar të ardhmen
Cila është rëndësia e projektit “MEMOLA”?
“MEMOLA” është një projekt mbi Peizazhet Kulturore. Ne jemi përpjekur të aplikojmë një qasje globale, jo vetëm si pjesë e Trashëgimisë Evropiane dhe Mesdhetare, por edhe si një mënyrë për të mësuar nga e shkuara, me qëllim sigurimin e të ardhmes në kontekstin e ndryshimeve globale dhe atyre klimaterike. Në fokus të punës tonë janë, kryesisht, sistemet agrare tradicionale dhe marrëdhënia historike e njeriut me burimet natyrore. Projekti “MEMOLA” përqendrohet në përdorimet historike, të dy elementeve thelbësore natyrore, ujit dhe tokave. Praktikat dhe njohuritë tradicionale mbi natyrën, janë thelbësore në kuptimin e formimit të peizazheve. Në shumë raste, këto praktika, dije dhe struktura, kanë treguar të kenë qenë jashtëzakonisht të dobishme e të përshtatshme ndër shekuj, e prej të cilave, besoj, se shoqëritë e sotme moderne kanë shumë për të mësuar e vlerësuar.
A ka pasur më parë, të tilla projekte multi-disiplinore për zonën e Mesdheut?
Nuk është aspak e zakonshme, edhe pse ka pasur disa përpjekje dhe projekte interesante, në të cilat janë ndërthurur disiplina të ndryshme. Qasja që ne aplikojmë, si dhe struktura multi dhe ndër-disiplinore e projektit “MEMOLA” është mjaft origjinale, kjo kryesisht për dy arsye: të njohjes dhe përdorimit të traditave së të shkuarës, si dhe përpjekjeve tona për të zbutur qëndrimet e strukturave zyrtare-tradicionale akademike të disiplinave shkencore.
Sa i shërben shkencës dhe sa vetë komuniteteve, ky projekt?
Ne jemi të bindur se impakti shkencor dhe social i projektit deri më tani, ka qenë i lartë. Nga pikëpamja shkencore, rëndësi nuk përbën vetëm qasja multi/ndër-disiplinore e projektit, por edhe marrëdhënia mes dijes akademike dhe njohurisë tradicionale ekologjike. Në këtë kuptim, janë të rëndësishme, si identifikimi dhe vlerësimi i kësaj njohurie, ashtu edhe roli i komuniteteve rurale. Ne jemi të bindur se shoqëritë tona kanë shumë për të mësuar nga e kaluara dhe nga marrëdhënia historike e njeriut me mjedisin.
Si ka qenë bashkëpunimi mes partnerëve të ndryshëm të përfshirë në këtë projekt?
Të koordinosh 10 partnerë të ndryshëm, të cilët punojnë në 4 zona të veçanta studimi, në rajonin e Mesdheut, mund të jetë i komplikuar, kjo pasi projekti “MEMOLA” u konceptua si një projekt i vetëm, dhe jo si një bashkim i projekteve dhe interesave të ndryshëm. Në shumë aspekte, kjo punë ka qenë e lehtë. Të gjithë partnerët kanë treguar predispozitë të mirë për të bashkëpunuar dhe mësuar nga njëri-tjetri. Sigurisht, bashkëpunimi shkencor mes disiplinave të ndryshme nuk është gjithmonë i lehtë, kjo për sa iu përket metodologjive dhe teorive të aplikuara apo pyetjeve të shtruara dhe zgjidhjeve që ofrohen për secilën pre tyre. “MEMOLA” është gjithashtu një proces i të mësuarit nga njëri-tjetri, dhe në fakt kjo është edhe një prej objektivat tona.
Si ka ecur deri tani projekti? Cilat kanë qenë vështirësitë e hasura gjatë rrugës? Po të papritura a ka pasur?
Në fillimet e projektit kemi pasur disa probleme administrative dhe burokratike. Një prej tyre kishte të bënte pikërisht me institucionet shqiptare, lidhur me implementimin e projektit. Megjithatë, këtë pengesë apo keqkuptim burokratik, të shfaqur në fillimet e projektit, mendoj se e kemi kapërcyer tashmë, dhe progresi i projektit po vijon i kënaqshëm në të gjitha zonat e studimit. Përpos çështjeve metodologjike, ne kemi hasur në dy vështirësi të tjera, të cilat lidhen: së pari, me një pjesë të institucioneve akademike, që mbajnë pozicion “klasik” dhe janë skeptikë jo më shumë ndaj natyrës inter/multi-disiplinore të projektit, por kryesisht ndaj tendencës të përgjithshme të tij, të përqendruar në efikasitetin dhe produktivitetin brenda tregut global, si edhe i shohin agrosistemet tradicionale dhe njohuritë e lidhura me to, si të pazhvilluara e pamaturuara shkencërisht, duke qenë në këtë mënyrë të paafta të ofrojnë zgjidhje për të ardhmen; e dyta, lidhet me vështirësitë për të punuar me komunitetet lokale, në kontekstin e braktisjes, margjinalizimit dhe transformimit apo humbjes së njohurive dhe praktikave tradicionale, përfshirë këtu dhe punën e përdorimin e përbashkët. Kjo vështirësi mbart riskun e krijimit të varësisë, përkundrejt nxitjes së vetëqeverisjes dhe fuqizimit lokal.
Çfarë mund të na thoni përgjithësisht në lidhje me zhvillimin e projektit në Luginën e Sipërme të Vjosës, e më specifikisht në lidhje me aktivitetin e rivënies në punë të kanalit vaditës historik? Në këtë aspekt, a vihen re ngjashmëri me zonat e tjera të studimit?
Pas kalimit të problemit fillestar, “MEMOLA” në Shqipëri ka avancuar me të njëjtat nivele si në zonat e tjera të studimit. Puna e kryer nga partneri ynë aty, CeRPHAAL, ka qenë e suksesshme si për sa i përket kërkimit historik dhe arkeologjik, ashtu edhe impaktit social. Sigurisht që rezultatet do të avancojnë, duke sjellë të dhëna që do të jenë me rëndësi në interpretimin historik në Shqipëri dhe pse jo, Ballkanin Perëndimor. Por, unë jam gjithashtu i bindur se “MEMOLA” do të ketë ndikimin e vet edhe në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të jetës rurale në Luginë. Vitin e kaluar, së bashku me banorët lokalë dhe Bashkinë e qytetit, u rindërtua një kasolle apo banesë historike e komunitetit Vllah, çka përbën një aktivitet të rëndësishëm, pasi është një mënyrë, e cila ndihmon të kuptojmë aspekte të së shkuarës dhe marrëdhënies me natyrën, por gjithashtu edhe të njohim vlerat dhe njohuritë e thella ekologjike të këtij grupi social. Ndërkohë që rikuperimi i kanalit vaditës tradicional të fshatit Vllaho-Psilloterë, është një aktivitet që jo vetëm ndihmon dhe iu shërben drejtpërdrejt komuniteteve agrare të zonës, por gjithashtu krijon një punë të përbashkët me ta. Nuk kam asnjë dyshim, që ne si kërkues, studentët dhe vullnetarët pjesëmarrës, kemi mësuar e përfituar prej këtij aktiviteti. Sigurisht që ky kanal do të shërbejë për vaditjen e fushave të zonës, por ne shpresojmë që kjo iniciativë do të ketë ndikim edhe në fshatrat fqinje, duke nxitur forcimin e marrëdhënie mes tyre, në funksion të kryerjes së punëve të përbashkëta. Tashmë ne e kemi provuar që puna e përbashkët vlen, dhe nga ana tjetër, ne si kërkues kemi interes të përfitojmë prej dijeve dhe praktikave që komunitetet rurale zotërojnë. Këto njohuri kanë rezultuar të kenë qenë të dobishme dhe të adaptueshme për shekuj me radhë, duke ruajtur jo vetëm prodhimin agrar, por edhe biodiversitetin, dhe një pjesë të mirë të shërbimeve ekologjike, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme në ditët e sotme. Të njëjtën gjë po përpiqemi të bëjmë edhe në zonat e tjera të studimit. Konkretisht, ne dokumentojmë sistemet historike të vaditjes në pjesën Juglindore të Spanjës, ku pjesa më e madhe e tyre janë ndërtime të periudhës së hershme Arabe (shek. i 8−10-të), të cilat vazhdojnë ende të përdoren edhe sot. Por këto sisteme ndodhen në zona të margjinalizuara, e përdoren nga komunitete të vogla rurale, të përbëra nga mosha të thyera. Politikat e sotme orientohen kryesisht drejt “modernizimit”, duke zëvendësuar dhe shkatërruar këto sisteme. Ndërkaq, ne po përpiqemi të tregojmë rëndësinë dhe dobinë e tyre. Gjithashtu, ne rikuperojmë apo rivëmë në punë sisteme vaditëse tradicionale, duke punuar së bashku me fermerët lokalë në mbrojtje të të drejtave dhe vlerave të tyre. Po ashtu, në Sicili kemi dokumentuar disa sisteme, më të vogla, e të ndodhura në zona të margjinalizuara.
Çfarë synohet të arrihet në fund të këtij projekti?
Ne vërtet do të dëshironim që vlerat, dijet dhe praktikat tradicionale, të cilat jemi duke i studiuar, të njiheshin dhe të vlerësoheshin, çka do të thotë, në mënyrë të veçantë, njohje e komuniteteve rurale dhe punës së tyre. Kjo njohje duhet të shoqërohet me vlerësim social, shkencor dhe institucional, por gjithashtu synojmë që ky rezultat të arrijë të përcillet edhe në nivelet politike dhe ekonomike, nëse ne duam të ruajmë peizazhet kulturore, nëse duam të garantojmë të ardhmen tonë dhe mbrojmë planetin. Por arritja më e rëndësishme do të ishte që njerëzit në zonat ku po punojmë, të ndienin dobinë e projektit “MEMOLA” për sot dhe në vazhdim, si edhe të vlerësonin punën që ne jemi duke kryer aty, për ta dhe me ta.
*José Maria Martin Civantos, profesor në Departamentin e Historisë Mesjetare dhe Teknikave Historiografike, në Universitetin e Granadës. Njëkohësisht, ai është krijues dhe drejtues i Laboratorit të Arkeologjisë së Peizazhit në këtë universitet, ku punojnë aktualisht studiues të rinj, të përqendruar në zhvillimin e dijeve dhe teknikave informatike të përdorura në fushën e Arkeologjisë së Peizazhit. Fushat e njohjes përfshijnë Arkeologjinë e Peizazhit dhe Historinë Arabe në rajonin e Mesdhetar. Drejtues i disa projekteve kërkimore në Spanjë dhe Itali.
Banorët e zonës: Shteti, të mbështesë punën vullnetare
Theofan Guda, banor i fshatit Vllaho-Psilloterë, thotë se ky fshat, prej kohësh është lënë në harresë. Ai shton se projekte të tilla duhet të mbështeten nga shteti, i cili duhet të nxisë edhe punën vullnetare
Si e shihni ju dhe bashkëfshatarët tuaj punën e bërë për rihapjen e kanalit vaditës?
Kur erdhën arkeologët në fshatin tonë (të them të drejtën një vend i lënë në harresë prej kohësh) e kërkonin të punonim së bashku për të hapur kanalin e vjetër, ne të gjithë, përfshi edhe administratorin e komunës, ishim të habitur e mosbesues. Dikur bëheshin aktivitete të tilla vullnetare, por sot të rinjtë janë ndryshe, e nuk kanë interes për punën e fshatit. Por të gjithë ne, u habitëm me punën dhe insistimin e tyre, që jo vetëm kanali të përfundonte në kohë, por të bëhej sa më mirë, ashtu, me të njëjtën mënyrë sikurse e bënin të parët tanë dikur. Madje, për të qenë i sinqertë, dua të them që një pjesë e bashkëfshatarë të mi, të cilët nuk iu bashkuan grupit, u ndjenë në fund disi si në faj.
Çfarë mendoni për punën e përbashkët e vullnetare?
Fshatarët më parë, kujdeseshin vetë për ndërtimin e urave, çezmave, rrugicave me kalldrëm, kanaleve vaditëse etj. Unë mendoj që për një vend si ky i yni, për të cilin nuk kujtohet kush, disa punë të tilla duhet t’i bëjmë vetë, e mos të presim nga të tjerët. Edhe vetë shteti, duhet të jetë i interesuar të mbështesë e nxisë punët vullnetare, jo vetëm për hapjen e kanaleve, por edhe për ndërtimin e urave, rrugëve e sistemimin e ambienteve të përbashkëta të fshatit.
Mendoni se rihapja e kanalit është me interes për fshatin?
Po, patjetër. Me këtë kanal do të vaditen fushat dhe kopshtet e fshatit tonë, që përfshijnë gjithsej rreth 50 ha tokë. Burimi nga furnizohet kanali nuk shteron gjatë verës, toka kemi mjaft, e kështu që këtë vit do të kemi prodhime më shumë.
“MEMOLA”- Studimi i peizazheve malore mesdhetare
Projekti kërkimor “MEMOLA” (Mediterranean Mountain Landscape-Peizazhet Malore Mesdhetare), financuar nga programi Fp7 i Komisionit Europian, përfshin 4 zona studimi, Sierra Nevada (Spanje), Monti di Trapani dhe Colli Euganei (Itali) dhe Lugina e Sipërme e Vjosës (Shqipëri). Në të janë të përfshirë 10 partnerë, mes tyre universitete dhe qendra e shoqata kërkimore, të tilla si Universitetet e Shefildit (UK), Padovës e Palermos (Itali), Granadës e Kordobës (Spanjë) etj., me specialistë nga fusha të ndryshme të kërkimit, si: arkeologjia, pedologjia, botanika, agronomia, hidrologjia etj. Projekti në të 4 zonat e studimit koordinohet nga Universiteti i Granadës, ndërkohë që në Shqipëri përgjegjës për kërkimin ne Luginën e Sipërme të Vjosës është Qendra e Kërkimeve dhe Promovimit të Peizazheve Historike–Arkeologjike Shqiptare – CeRPHAAL. Projekti “MEMOLA” është një qasje ndërdisiplinore mbi peizazhet kulturore të zonave malore mesdhetare, që ka për qellim studimin historik të dy burimeve natyrore esenciale të gjenerimit të agrosistemeve: ujin dhe tokat.
Ndërkohë, objektivat kryesorë të projektit janë: Hulumtimi i procesit të formimit të peizazheve historike, në lidhje me përdorimin e burimeve natyrore, në veçanti tokat dhe uji; Krijimi i strategjive të vlerësimit, mbrojtjes dhe promovimit te trashëgimisë kulturore dhe mjedisit;
Nxitja dhe mbështetja e strategjive të zhvillimit të qëndrueshëm në zonat rurale, duke analizuar kontekstet e sistemeve agrare dhe përpjekjet e tyre aktuale për mbijetesë; Aplikimi në studim i qasjeve ndërdisiplinore, duke promovuar kombinimin e dijeve të një game të gjerë specialistësh të fushave të ndryshme kërkimore.