Në kuadër të projektit “Eksperienca në auditor”, për të lidhur botën praktike me botën akademike, në Shkollën e Studimeve Master në Universitetin Europian të Tiranës ishte i ftuar ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Ai mbajti një leksion të hapur me studentët e Menaxhimit Financiar dhe Kontabilitetit Manaxherial rreth mënyrës sesi duhet të sillet sistemi financiar për të lehtësuar sjelljen e aktorëve ekonomik.
Administratori i UET, Henri Çili u shpreh në kuadër të projektit se duhet që çdo student i masterit shkencor, profesional dhe duke filluar nga viti tjetër, i masterit ekzekutiv – pra masterat e rinj pas programit pesë vjeçar – të ketë mundësi të takojë të paktën një deri në tre herë në kursin e tij, një personalitet i cili ka drejtuar ose drejton një insitutucion të caktuar në jetën e vetë.
Ardian Fullani ka pasur një përvojë shumë të çmuar në sektorin bankar të vendit tonë që prej vitit 1985.
Ai ka patur fatin të përjetojë gjithçka në financat e Shqipërisë në momentet më të rëndësishme transformuese të vendit.
Ashtu siç u shpreh ai: “Në vitin 1990, teksa studentët protestonin, unë gjendesha në zyrë duke u marrë me borxhin prej rreth 600 milionë dollarë që shteti shqiptar i kishte bankës më të madhe franceze BNP dhe disa prej bankave kryesore perëndimore. Kur studentët thërrisnin liri-demokraci unë përpiqesha të siguroja për qytetin e Tiranës, kamionin e rradhës me qumësht pluhur për të nesërmen”.
E ndërsa fjala ra tek përpjekjet për themelimin e Bursës së Tiranës, Fullani falenderoi zv/rektorin për procesin akademik në UET, Elvin Mekën, për përpjekjet e tij të hershme në themelimin e kësaj burse, ndonëse pa sukses.
Dështimin e këtoj procesi Fullani e lidh me mungesën e kordinimi të faktorëve përbërës.
Ai u shpreh se bursën e krijojnë lojtarët që luajnë në të dhe jo politikëbërësit me anë të vendimeve.
“Politikëbërësit duhet ta akomodojnë këtë aktivitet nëpërmjet rregullave dhe vendimeve, por edhe këto ndryshojnë nga vendi në vend”, tha Fullani.