Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Polonia bëhet pioniere e teksteve shkollore të hapura

$
0
0

Books_into_LaptopNjë program pilot që synon të krijojë akses falas në librat shkollorë për nxënësit e shkollave fillore dhe 9-vjeçare në Poloni, po u kursen prindërve rreth 24 milionë euro në vit, pasi tekstet shkollore janë online dhe me të drejtë përdorimi dhe përmirësimi nga të gjithë.

Nga Melissa Hagemann, Piroska Hugyecz

Aksesi në materialet edukuese varion ndjeshëm nëpër botë. Shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk kanë libra shkollorë dhe ato që ekzistojnë janë shpesh të vjetra. Dy iniciativa të fundit në Poloni, po fusin libra falas dhe të hapur në shkollë – libra të cilët janë të disponueshëm online dhe mund të përshtaten, përkthehen dhe përmirësohen lehtësisht nga mësuesit dhe studentët.

Polonia është vendi i parë në botë që mbështet një program kombëtar të teksteve të hapura shkollore. Vite përpjekje nga mbrojtësit e arsimit të hapur nxitën ish-qeverinë të miratojë dy nismat e librave të hapur, njëri veçanërisht për tri vitet e para të shkollës, tjetri për arsimin fillor dhe 9-vjeçar.

Burimet e hapura arsimore (OER) si këto, janë materiale mësimdhënieje dhe nxënieje me licenca të hapura që mund të përdoren lirshëm, të përmirësohen vazhdimisht dhe të ripërpunohen me kohë të pacaktuar. Kjo kursen para si për shkollat edhe për prindërit dhe fuqizon mësuesit t’i përshtasin tekstet sipas nevojave. Kurrikula standarde mund të pasurohet me materiale të krijuara në shkallë vendëse brenda komunitetit të shkollës, përmes projekteve të studentëve dhe prindërve, duke i bërë mësimet më të dobishme dhe më interesante për nxënësit.

Në vitin 2008, Shoqëria e Hapur u bë partnere me Fondacionin Shuttleworth dhe liderët e lëvizjes OER për të lançuar “Deklaratën e Arsimit të Hapur në Kejp Taun”, që bëri thirrjen e parë për akses publik në materialet arsimore të financuara publikisht. Iniciativa të tjera, si Deklarata OER e Parisit të UNESCO-s në 2012 (PDF), forcuan mbështetjen për strategjinë e aksesit publik.

Pas publikimit të Deklaratës së Kejp Taunit, Shoqëria e Hapur gjithashtu mbështeti rritjen e ndërgjegjësimit, fuqizimin e komunitetit dhe mbrojtjen në Poloni dhe Brazil. Pjesë të këtyre vendeve pilot u nxitën nga interesat në terren, pasi OER ishte një koncept disi i ri. Në Poloni, fituesit e granteve formuan Koalicionin Polak për Arsimin e Hapur (KOED), tani e përbërë nga 34 organizata. Duke çuar përpara punën e KOED, në 2012 Këshilli Polak i Ministrave miratoi fondin për Programin Pilot të Shkollave Digjitale, që u ka ofruar shkollave kompjuterë dhe burime të informacionit dhe teknologjisë së komunikimit. Gjithashtu, përfshiu rreth 13 milionë dollarë për zhvillimin e një programi të teksteve shkollore të hapura për arsimin fillor dhe 9-vjeçar.

Përveç kësaj, në 2013 Ministria e Arsimit lançoi librat e hapur për tri vitet e para të shkollës, duke i dhënë vendit dy programe plotësuese. KOED punoi nga afër me qeverinë për të zhvilluar tekstet shkollore, duke përdorur Licencën e Atribuimit të të Përbashkëtave Kreative.

Tekstet, që mund të ripërdoren, përkthehen dhe përshtaten, u publikuan zyrtarisht në fund të vitit të shkuar.

Në Poloni, prindërit ishin zakonisht përgjegjës për blerjen e teksteve shkollore të fëmijëve, që mund të kushtojnë nga 60 në 120 euro për fëmijë çdo vit. Këto kosto të rënda i bënë librat e shkollës një problem të vazhdueshëm politik dhe ishin një arsye përse qeveria mbështeti tekstet shkollore të hapura, që Ministria e Arsimit vlerëson se do t’u kursejnë prindërve 24 milionë euro vetëm në vitin e parë, me një kursim total prej 168 milionë euro deri në 2020. Kostot e lidhura me prodhimin e teksteve të hapura shkollore mbështeten nga fondet që më parë qeveria i shpenzonte për subvencionim të blerjeve të librave për familje me të ardhura të ulëta.

Teksa tekstet e hapura shkollore janë programe pilote, politika duhen miratuar për të ofruar ndihmë afatgjatë për këto iniciativa. Suksesi në Poloni ka gjeneruar interes edhe në qeveritë e rajonit. OER po fiton mbështetje dhe vëmendje edhe nëpër botë.

*Artikulli është publikuar nga opensocietyfoundations.org dhe përkthyer në shqip nga reporter.al


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles