Studente e fakultetit juridik në Universitetin Europian të Tiranës, Nurjona Pinguri ia del të bashkërendojë suksesshëm studimet, punën, pasionin për fotografinë dhe nevojën e angazhimit social
Nga Erjon Uka
Shoqëria civile dhe aktivizmi social vazhdojnë të mbeten ende në shifra të ulëta për Shqipërinë. Sipas një ankete, vetëm 18.4% e qytetarëve janë anëtarë aktivë të organizatave sociale të shoqërisë civile. Për një pjesë të madhe të të rinjve, angazhimi në shoqërinë civile apo në organizata mbetet diçka utopike, pasi është rrënjosur ideja se ndryshimi vjen gjithmonë nga lart. Përkundër këtij perceptimi, ka shumë studentë dhe profesionistë të rinj që preferojnë ta mbushin me aktivitete ditën e tyre, me shpresën se në fund diçka do të mbetet. “Rinia shqiptare ka shumë potencial, por për mendimin tim e çon dëm. Ka shumë mënyra që ta zhvillosh potencialin dhe shkolla është një në një milion. Është e vërtetë që në Shqipëri mundësitë janë të kufizuara, por ata që kërkojnë mund të gjejnë atë që duan”, shprehet Nurjona Pinguri, studente e vitit të dytë master në Universitetin Europian të Tiranës.
Ajo preferon që fokusin mos ta drejtojë vetëm te studimet, por edhe në aktivitete të tjera, siç janë organizata, aktivitete me të rinj dhe subjekte artistike. Së fundmi, si pjesë e organizatës më të madhe studentore ndërkombëtare, AIESEC, ishte ndër organizatoret e “Youth Speak Forum Albania”, që u zhvillua në mjediset e UET. “Aktiviteti që bëmë ne quhej Youth Speak Forum Albania dhe është i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ai erdhi si pjesë e Youth Speak Movement, e cila është iniciuar nga AIESEC International, në fillim si bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Në vitin 2013, kur ky aktivitet u shfaq për herë të parë, kishte si fokus marrjen e infomacioneve në lidhje me çështjet që shqetësojnë rininë. Në bazë të lëvizjes është bërë një anketë. Më pas janë analizuar të dhënat nga kjo anketë dhe forumi zhvillohet në bazë të të dhënave nga anketa. Por nuk mbaron këtu, pasi në përfundim ka edhe një projekt që zhvillohet nga ky forum. Në anketën që u zhvillua në botë për vitin 2014-2015, 356 përgjigje u morën nga Shqipëria, nga të cilat edukimi dhe punësimi ishin shqetësimet më të mëdha për rininë. Në bazë të këtyre çështjeve u organizua forumi, me mbështetjen kryesore të Ambasadës Holandeze në Shqipëri”, sqaron mbi këtë aktivitet Nurjona.
Lidhur me formatin e këtij forumi, ajo thotë se është një format ndërkombëtar, që vjen i gatshëm dhe zhvillohet në dy ditë. “Forumi vetë ka një format të përcaktuar që vjen i gatshëm dhe mbështetet mbi tri shtylla, që janë: inspirim, angazhim dhe veprim. Në pjesën e parë, profesionistë të fushës flasin dhe inspirojnë studentët me eksperiencën e tyre, ndërsa në dy pjesët e tjera, studentët punojnë në bazë workshopesh. Në ditën e parë patëm të ftuar Arben Malaj, ndërsa hapjen e bëri zëvendësambasadori i Holandës. Ditën e dytë, kompanitë patën mundësi të bënin prezantime me studentët, ndërsa këtyre të fundit iu ofrua mundësia të punonin në keystudies nga vetë kompanitë. Me një kohë të caktuar në dispozicion, ata duhet të zgjidhnin një problem të ngritur nga kompanitë. Në bazë të këtyre, më pas do të krijohej një projekt. Ishte një panel gjyqtarësh që zgjodhi edhe projektin fitues, sipas të cilit do t’iu mundësohet studentëve aksesi në mundësitë e punësimit, por duke filtruar rrugët e tjera. Ka shumë web-site, shumë mundësi, por çuditërisht humbasin dhe nuk arrijnë aty ku duhet. Shumë kompani nuk kanë mundësi të kenë lidhje me studentët e mirë e të përshtatshëm dhe nga ana e tyre studentët nuk kanë mundësi t’i marrin vesh këto njoftime ose i marrin me shumë vonesë.”
Revista online “Pa Fokus” është gjithashtu një ndër angazhimet e Nurjonës. Aty ajo ka rolin e Drejtores Artistike dhe në rubrikën e saj, nëpërmjet fotografive paraqet probleme të ndryshme që trajton revista. Ndër punët që ka më për zemër, ajo shprehet se ka qenë seti fotografik i realizuar me qëllim homazhin ndaj shkrimtares pak të njohur, Drita Çomo. “Çdo dy muaj, për çdo temë të re të revistës, unë paraqes problemin dhe zgjidhjen e tij nëpërmjet fotografive. Në muajin qershor kemi folur për letërsinë. Tema ishte letërsiu, për të treguar faktin se gjithmonë i është dhënë përparësi figurës mashkullore kur vjen puna te letërsia, prandaj dhe ne vendosëm të luanim me termin. Për atë numër iu bë homazh Drita Çomos. Ajo ka ndërruar jetë në moshën 23-vjeçare dhe unë si 23 vjeç e ndjeva shumë të afërt personazhin. Ndaj, bëra një set fotografik me një shoqen time, e apasionuar pas letërsisë. Poezitë e Dritës janë projektuar në shpinën dhe në gjoksin e saj. Tema e setit fotografik ishte “Let her see you”, pra synuam një ringjallje të Dritës, duke e sjellë ndoshta në një mënyrë ekstravagante. Ajo ka shkruar poezi shumë të bukura, por historia e saj njihet shumë pak. Me dhjetë fotografitë e setit, unë mendoj se kam arritur që ta risjell Drita Çomon në vëmendjen e audiencës së revistës.”
Aktualisht, Nurjona punon për një kompani turistike dhe koordinon një organizatë me fokus promovimin e turizmit te të huajt dhe përmirësimin e cilësisë së turizmit në Shqipëri. “Kemi marrë pjesë në disa panaire, ku i fundit ishte në Berlin, që është më i madhi në botë për turizmin. Menaxhoj median sociale, shkruaj për blogun, merrem me fotografi si për organizatën edhe kompaninë, pra i bëj pak nga të gjitha”, përfundon Nurjona.