Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Konferenca europiane mbi problematikat e Arsimit të Lartë

$
0
0

Tonini fotoRektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj: Tri propozimet që iu bënë Komisionit Europian

Holanda përmes Ministrisë së Arsimit, Kulturës dhe Shkencës organizoi një konferencë në Amsterdam mbi të ardhmen e Arsimit të Lartë, në kuadër të marrjes së Presidencës së Bashkimit Europian nga ana e saj. Të gjitha diskutimet që u bënë në këtë konferencë, do të përdoren nga presidenca holandeze për t’ia propozuar Komisionit Europian në kuadër të axhendës për arsimin e lartë. Të pranishëm në këtë konferencë europiane ishin edhe rektorë e dekanë nga universitetet shqiptare, shtetërore dhe private.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili në një komunikim me Mapo-n tha se “pjesëmarrja ime shërben si një kontribut në zhvillimin e Arsimit të Lartë në vendin tonë në implikimet kombëtare e globale të tij”. Ai theksoi se gjatë kësaj konference, në mënyrë më specifike u diskutuan praktikat më të mira se si integrohet bota e biznesit, inovacionit dhe arsimit. “Tri ishin çështjet konkrete për të cilat u diskutua: a) lidhja e universiteteve me botën jashtë universitare dhe me tregun; b) edukimi i studentëve si qytetarë të përgjegjshëm e konfidentë, pra më shumë edukim qytetar demokratik; c) edukimi digjital. Pra presidenca holandeze i rekomandon Komisionit Europian një inspirim për një axhendë modernizuese të Arsimit të Lartë”, -tha Gjuraj për Mapo-n, pas kthimit nga kjo konferencë.

Ndërsa mediat e huaja i japin jehonë kësaj konference, duke theksuar se Arsimi i Lartë dhe bota në të cilën ai vepron kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore në këto vitet e fundit. “Pjesëmarrja në Arsimin e Lartë ka arritur në nivele rekord, por pasojat e krizës së rëndë ekonomike, duke përfshirë edhe papunësinë e të diplomuarve, ka theksuar më shumë se kurrë domosdoshmërinë e hartimit të dispozitave për të qenë në të njëjtën rrugë me nevojat dhe trendet e reja të botës. Debatet që po zhvillohen rreth tensioneve politike dhe fetare rreth e përqark globit kanë treguar edhe një herë rëndësinë që ka shtrirja e arsimit të lartë në përgatitjen e qytetarëve të angazhuar. Zhvillimi i shpejtë i teknologjive digjitale po ndryshon pritshmëritë e studentëve duke krijuar në të njëjtën kohë edhe mundësi të reja për të arritur arsimimin dhe përfshirjen sociale.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte të tregonte praktikat më të mira të arritura deri më tani dhe të bënte bashkë persona që vijnë nga bota e industrisë, inovacionit dhe arsimit. Gjatë konferencës u diskutua mbi sfidat kryesore dhe shanset që ka arsimi i lartë në Bashkimin Europian. Në fund u formuluan edhe rekomandimet përkatëse për Komisionin Europian. Përveç folësve kryesorë nga vende të ndryshme të Europës, u organizuan edhe tryeza të rrumbullakëta dhe gjashtë seksione paralele rreth temave të tilla si ‘të lidhim Arsimin e Lartë me pjesën tjetër të botës’, ‘përgatitja e qytetarëve të angazhuar’ dhe ‘potencialet e teknologjive digjitale’”, shkruan wordnewsuniversity.org.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180