Kancelari i Universitetit të Oxfordit, Chris Patten, bën thirrje për vetadministrimin e universiteteve dhe nevojën që kanë këto institucione arsimore për të qëndruar larg politikës
Nga Chris Patten*
Do të vija bast se jam Kancelari i më shumë universiteteve se askush tjetër i gjallë sot. Pjesërisht, kjo ka ndodhur pasi kam qenë Guvernator i Hong Kongut dhe jam emëruar Kancelar i çdo universiteti atje. Unë kam protestuar me bindjen se do të ishte shumë më mirë që universitetet t’i zgjidhnin vetë drejtuesit e tyre. Por universitetet nuk më lejuan që të dorëhiqesha me elegancë. Kështu që për pesë vite unë shijova eksperiencën e të dhënit të diplomave për mijëra studentë, duke vëzhguar edhe kuptimin që ky rit kishte për ta dhe për familjet e tyre.
Kur u ktheva në Britani në vitin 1997, kërkova të bëhem Kancelar i Universitetit të Newcastel-it. Më pas, në vitin 2003, u zgjodha Kancelar i Universitetit të Oxfordit, një prej institucioneve më prestigjioze të arsimimit në botë. Kështu që nuk besoj së do të jetë surprizues fakti se unë kam bindje të forta mbi atë se çfarë nënkupton të jesh një universitet dhe të japësh mësim, të bësh kërkime ose të studiosh në të njëjtën kohë.
Universitetet duhet të jenë bastione të lirisë në çdo shoqëri. Ato duhet të jenë të lira nga ndërhyrjet e qeverive në qëllimet e tyre parësore, siç janë kërkimi shkencor dhe arsimimi; gjithashtu ato duhet ta kontrollojnë vetë qeverisjen e tyre akademike. Unë nuk besoj se do të ishte e mundur për një universitet që të qëndronte në klasifikimin e institucioneve globale të klasit të parë, nëse këto kushte nuk do të ekzistonin.
Roli i universitetit është të promovojë përplasjen e ideve, të testojë rezultatet e kërkimit shkencor dhe t’u japë dije të re studentëve. Kështu pra, liria e shprehjes është thelbësore për atë që universitetet janë, duke u lejuar atyre të mbështesin ndjenjën e humanitetit të përbashkët, të mbështesin tolerancën në mënyrë të ndërsjelltë dhe të kuptojnë atë që mbështet çdo shoqëri e lirë. Kjo sigurisht i bën universitetet të rrezikshme për qeveritë autoritare, të cilat tentojnë të mbysin kapacitetet që janë të afta për të ngritur dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të vështira.
Por nëse çdo mohim i lirisë akademike është një goditje e gjetur ndaj kuptimit të universitetit, ironia e ditëve të sotme është se shumë sulme të tilla mbi këto vlera vijnë nga vetë brenda universitetit.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar shumë studentë dhe pedagogë tashmë kërkojnë të ndrydhin debatin dhe argumentet. Ata luftojnë që njerëzit nuk duhet të ekspozohen ndaj ideve për të cilat ata janë në kundërshtim të thellë. Për më shumë, ata argumentojnë se historia duhet të rishkruhet që të fshijë emrat e atyre që dështojnë të kalojnë sot testet e korrektësisë politike. Mes të tjerëve janë shenjestruar edhe Thomas Jefferson dhe Cecil Rhodes. Si do të dilnin Churchilli dhe Washingtoni nëse i njëjti test do t’u bëhej atyre?
Disa persona po mohojnë të drejtën për të folur, gjithashtu – e ashtuquajtura “no platforming”, në zhargonin e disa kampuseve qartësisht jo shumë të shkolluar. Atje ka thirrje për “hapësira të lira” ku studentët mund të mbrohen nga çdo gjë që sulmon kuptimet e tyre mbi të moralshmen dhe të përshtatshmen. Kjo reflekton dhe pashmangshmërisht kultivon një politikë të rrezikshme të viktimizimit – duke përkufizuar identitetin vetjak (njësoj si edhe interesat) në opozitë me të tjerët.
Kur unë isha student rreth 50 vite më parë, mësuesi im kryesor ishte një historian marksist dhe ish-anëtar i Partisë Komuniste. Shërbimet inteligjente britanike ishin thellësisht dyshuese për të. Ishte një historian i madh, ashtu si edhe në të njëjtën kohë mësues i shkëlqyer, por në ditët e sotme unë do të isha inkurajuar për të menduar se ai po më kërcënonte “hapësirën e lirë”. Në të vërtetë, ai bëri një punë të shkëlqyer me mua përsa i përket një informimi më të mirë, qenies më i hapur drejt diskutimeve të ideve që sfidonin ato të miat, më bëri më të aftë për të bërë dallimin mes një argumenti dhe një sherrnaje dhe sigurisht më përgatiti më mirë për të menduar rreth vetes sime.
Sigurisht, disa ide – nxitjet e urrejtjes raciale, diskriminimi gjinor apo dhuna politike – janë mallkim i çdo shoqërie të lirë. Liria kërkon disa kufij (të vendosura me vullnet të lirë mbi bazën e argumenteve demokratike nën rregullat ligjore) në mënyrë që të ekzistojë.
Universiteteve duhet t’u besohet ushtrimi i kontrollit të vetvetes. Por intoleranca në debat dhe në diskutime nuk duhet të tolerohet kurrë. Ashtu siç filozofi Karl Popper na ka mësuar, e vetmja gjë ndaj së cilës duhet të jemi intolerantë është vetë intoleranca. Kjo është veçanërisht e vërtetë në universitete.
Megjithatë disa akademikë dhe studentë amerikanë dhe britanikë po e kuptojnë vetë lirinë; paradoksalisht, ata kanë lirinë për ta bërë diçka të tillë. Ndërkaq, universitetet në Kinë dhe Hong Kong po përballen me kërcënime mbi autonominë dhe lirinë e tyre, jo nga brenda, por nga një qeveri autoritare.
Në Hong Kong, autonomia e universiteteve dhe shprehja e lirë në vetvete, të garantuara në Basic Law dhe në traktatin 50-vjeçar mes Britanisë dhe Kinës për statusin e qytetit, janë nën kërcënim. Afërmendsh kjo ndodh sepse studentët ishin mbështetës të fortë të protestave pro demokracisë në vitin 2014, prandaj universitetet ku ata studiojnë duhet të gjunjëzohen.
Në fakt, autoritetet kineze vetëm kohët e fundit kanë treguar se çfarë ata mendojnë lidhur me obligimet e marrëveshjes britanike-kineze duke rrëmbyer një qytetar britanik dhe katër të tjerë nga Hong Kongu. Të pestë ata ishin duke prezantuar librat që tregonin disa nga sekretet më të ndyra të liderëve kinezë.
Në kontinent, Partia Komuniste Kineze ka nisur goditjen më të madhe ndaj universiteteve që nga koha e vrasjeve në sheshin Tiananmen në vitin 1989. Nuk duhet të ketë diskutime mbi të ashtuquajturat vlera perëndimore në universitetet kineze. Aty mund të mësohet vetëm marksizmi. A nuk i tha njeri presidentit Xi Jinping dhe kolegëve të tij të Byrosë se nga ishte Karl Marksi? Problemi i këtyre ditëve është se ata dinë shumë pak rreth Marksit por shumë më tepër rreth Leninit.
Perëndimorët duhet të tregojnë më shumë interes lidhur me atë që është duke ndodhur në universitetet kineze dhe të shohin realisht se çfarë po ndodh me të mësuarit dhe jetën akademike. Duhen vëzhguar dhe krahasuar, ashtu siç u kërkohet studentëve të bëjnë.
Doni të keni universitetet ku qeveria vendos se çfarë është gjoja e sigurt për t’u mësuar dhe diskutuar? Ose a do të donit universitete që mbështesin idenë e “hapësirës së lirë” – në termat e mbylljes së debatit nëse përmes tij ofendohet dikush – si diçka e papranueshme në rregullat akademike? Studentët perëndimorë duhet të mendojnë herë pas here për kolegët e tyre në Hong Kong dhe Kinë, të cilëve u duhet të luftojnë për lirinë që ata e marrin të garantuar – dhe shpesh herë abuzojnë me të.
*Chris Patten ka qenë Guvernatori i fundit i Britanisë së Madhe në Hong Kong, përgjatë viteve 1992-1997 dhe ish-komisioner i Bashkimit Europian për çështjet e jashtme. Aktualisht është Kancelar i Universitetit të Oxfordit.
Përktheu: Erjon Uka