Klubi studentor “Economicus” UET, takim me ekspertë të sektorit bankar
Klubi studentor “Economicus” ka organizuar këtë javë një takim me ekspertë të sektorit bankar në vend, me temën “Zhvillimi i sektorit bankar në Shqipëri dhe kreditë e këqija”. E pranishme përpara studentëve ishte Mirela Bregu, “Head of Retail Banking Division” në Tirana Bank. Ajo u foli studentëve mbi strukturën e bankës, prezantoi departamentet kryesore të bankës dhe prezantoi një risi që ishte departamenti i “I-Collection”. Përveç kësaj, Bregu u përqendrua edhe në një prej shqetësimeve më aktuale të ekonomisë shqiptare, që lidhet me kreditë e këqija. Ajo paraqiti shtrirjen kohore të këtyre kredive, duke përmendur vitin 2014 si pikun e kredive të këqija dhe u prezantoi studentëve shkaqet dhe pasojat e tyre. Sot, këto kredi, kapin shifrën e rreth 17% dhe bankat kanë një plan konkret veprimi për uljen e përqindjes së kredive të këqija. Sigurisht që norma optimale e këtyre kredive duhet të jetë 0%, por është diçka që nuk arrihet kurrë, ndaj gjithmonë synohet të ulet sa më pranë shifrës zero. Bankat kanë gjithmonë një databazë të dhënash ku shohin vonesat e kthimit të kredive dhe kryejnë veprimet përkatëse për çdo rast specifik. Studentët shfaqën interes në mënyrë të veçantë mbi mënyrën e krijimit të fitimit nga ana e bankave, diversifikimi i portofolit të investimeve dhe menaxhimi i riskut.
Klubi “Economicus” zhvillon aktivitetin e tij prej disa vitesh në UET dhe janë disa studentë, të cilët gjithashtu publikojnë punimet e tyre në revistën shkencore më të njëjtin emër. Në vitet e kaluara tema të tilla, si: “Investimi në bursë”, “Dimensioni i shtetit gjatë krizës ekonomike në Ballkan” apo “Historia e parasë” kanë marrë vëmendjen kryesore të pjesëmarrësve. Kryetarja e këtij klubi, Amantia Bilbili, studente në vitin e dytë për Financë-Bankë, thotë se: “Vazhdimisht mundohem që të jem sa më afër propozimeve të studentëve, të cilat kryesisht lidhen me temat e aktiviteteve vijuese. Bëj të munduar që anëtarësimet e Klubit Economicus të zgjerohen dhe që takimet të mos bëhen në formën e një leksioni, por më tepër të bazohen në një komunikim të ndërsjelltë midis personit që referon dhe studentit, duke marrë maksimumin e mundshëm nga çdo takim, si dhe një informacion real dhe praktik. Bashkëpunoj gjithë kohës me mentoren e Klubit, pedagogen Megi Kurushi dhe shpresoj që këtë periudhë të bëjmë një punë frytdhënëse së bashku. Deri tani kemi menduar të zhvillojmë dhe 3 aktivitete të tjera brenda këtij 2-mujori. Jemi ende në përpunimin e axhendës së klubit për periudhën e majit, ku dëshirojmë ta mbyllim me një temë interesante dhe të prekshme nga të gjithë ne.”