Një studim i prezantuar në takimin e përvitshëm të Rrjetit Global të Akademive të Shkencave, raportoi se gratë janë më të përfaqësuara në shkencat sociale, shkencat humane dhe në arte, ndërsa janë shumë pak pjesëmarrëse në shkencat matematikore dhe inxhinieri
Vëzhgimi i parë global mbi akademikët dhe përkatësisë gjinore ka gjetur se vetëm 12% e pjesëtarëve të 69 akademive të shkencave nga e gjithë bota janë femra – kjo shifër zvogëlohet në vetëm 6% në matematikë dhe 5% në inxhinieri. Raporti sugjeron vëzhgime të tilla periodike dhe implementimin e rregullave gjinore.
Në 30 prej akademive, pjesëmarrja e grave ishte 10% ose më pak. Kështu që, pavarësisht dëshirës së mirë për të promovuar rolin e grave në shkencë, përfaqësimi i tyre nëpër akademitë përkatëse të shkencave mbetet “i parëndësishëm” në nivel global, thuhet në studim. Akademia me numrin më të madh të grave është ajo e Kubës me 27% pjesëmarrje. Më poshtë vijnë Republika Çeke dhe Afrika e Jugut me 24%, Meksika dhe Nikaragua me 23%, Peruja me 20% dhe Uruguai me 19%. Tri shtetet me përfaqësimin më të dobët janë Spanja, Franca dhe Pakistani me 8%.
Raporti i titulluar “Gratë për shkencën: Pjesëmarrja në akademitë e shkencave” u publikua të hënën e kaluar gjatë një konference në kuadër të asamblesë së përgjithshme të Rrjetit Global të Akademive të Shkencave, e zhvilluar në Afrikën e Jugut. Kjo konferencë u organizua këtë herë nga Akademia e Shkencave e Afrikës së Jugut, e cila publikoi edhe raportin.
Vëzhgimi
Rrjeti Global i Akademive të Shkencave u krijua në vitin 1993, për të ndihmuar të gjithë pjesëtarët e akademive të punonin së bashku me qëllim informimin e qytetarëve dhe parandalimin e vështirësive që lidhen me politikat publike apo aspektet shkencore në botë.
Ky vëzhgim është kryer për 72 akademi: 69 akademi kombëtare dhe tri të tjera që janë akademi botërore të shkencave. Ky numër korrespondon me 63% të të gjitha akademive të shkencave në botë. Tri akademitë botërore janë “Akademia Botërore Islamike e Shkencave”, “Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës” dhe “Akademia Botërore e Shkencës”.
Gratë janë më të përfaqësuara në shkencat sociale, shkencat humane dhe arte, me 16%; të ndjekura nga shkencat biologjike (15%); dhe shkencat mjekësore (14%). Përfaqësimi i tyre është shumë i ulët në shkencat matematikore (6%) dhe inxhinieri (5%). Panorama për tri akademitë botërore është thuajse identike.
Sipas studimit, femrat janë më mirë të përfaqësuara në qeverisjen e akademive (20%) se sa thjesht në pjesëmarrje (12%). Tri janë akademitë që kanë përfaqësimin më të lartë të grave në trupën udhëheqëse me plot 47% – Akademia Kombëtare e Shkencave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe akademitë kombëtare të Zvicrës dhe Suedisë. Më poshtë renditet Holanda me 43%, Kuba dhe Mbretëria e Bashkuar me nga 40%, të ndjekura nga Kanadaja, Panamaja dhe Irlanda.
Mbështetje për pjesëmarrje më të lartë
Një pyetje që u është bërë të gjithë pjesëmarrësve në këtë studim ka qenë se a duhet arritur një përfaqësim më i lartë i grave në këto institucione përmes politikave gjinore. 40% e të anketuarve u përgjigjën në mënyrë pozitive. Në vëzhgimin e bërë për akademitë Europiane, Aziatike dhe Afrikane, vetëm 26% nga 50 akademi u përgjigjën se aktualisht po ndërmarrin politika për të siguruar një numër më të madh të grave në shkencë, ndërsa 23% e këtyre akademive akordonin një çmim të tipit “grua në shkencë”.
Rreth 2/3 e të pyeturve pranuan së akademitë e tyre kombëtare kanë bërë progres në promovimin e rolit të gruas në vendimmarrje shkencore, duke përfshirë më shumë gra në panele dhe komitete drejtuese.
“Për ato akademi kombëtare, të cilat gjithashtu financojnë studime shkencore, pjesëmarrja gjinore duket se në të shumtën e rasteve është anashkaluar. Vetëm 38% e akademive treguan ndjeshmëri ndaj kësaj çështjeje, përsa u përket projekteve të buxhetuara për kërkime të thelluara”, thuhet në raport.
Rekomandime
Raporti rekomandon që pjesëtarët e Rrjetit Global të Akademive Shkencore, çdo vit të mbledhin, të analizojnë dhe të publikojnë të dhënat në një raport vjetor mbi përfaqësimin gjinor në strukturën organizative dhe aktivitetet e ndryshme. Nga ana tjetër, edhe vetë Rrjeti do të kryejë vëzhgimet e nevojshme për aktivitetet që zhvillon.
“Pjesëtarët e Rrjetit Global të Akademive të Shkencave duhet të stabilizojnë politika permanente dhe organizative, të cilat sigurojnë ndjekjen e një drejtimi strategjik për sa i përket përfshirjes gjinore në të gjitha aktivitetet”, thuhet në raport.
Sugjerohet që komitetet gjinore të krijohen për: Koordinimin e mbledhjes së të dhënave; ofrimin e konsulencës mbi përfshirjen më të madhe të grave; sigurimin e pjesëmarrjes së femrave në këshillat akademikë; promovimin e barazisë gjinore në shkencë, teknologji dhe inovacion; angazhimin në krijimin e partneriteteve të nevojshme për të mbështetur këtë kauzë; avokimin e hulumtimeve mbi pjesëmarrjen e grave dhe të politikave zhvilluese, ku roli gjinor është një variabël kyç.
Raporti vë në dukje se ndërsa janë kryer hapa të mëdhenj në drejtim të regjistrimit të më shumë femrave në auditorët e universiteteve, “ka ende sfida thelbësore për t’u siguruar se shkencëtaret më të mira femra kanë mundësinë të zhvillojnë karrierat e tyre, duke u rritur në shkallët e përgjegjësisë, për të shkuar deri në nivelet e lidershipit dhe vendimmarrjes”.