Teknologjia e bën universitetin më të përballueshëm dhe më të favorshëm, bëhet akoma edhe më urgjente që politikëbërësit të kenë në vëmendje krizën e tepricës së të diplomuarve në tregun e punëve të kualifikuara
Edhe pse kryetitujt e mediave, këto ditë, deklarojnë se kostot e edukimit janë në stratosferë, ka një arsye për të besuar se kjo gjë po ndryshon dhe që kostoja e një diplome do të ulet; kjo falë arsimimit online dhe kurseve të hapura masive virtuale, MOOC.
Kostot më të ulëta të arsimimit universitar online, do të rrisin kërkesën për një diplomë, por gjithsesi kjo nuk do të nënkuptojë që në fund, pas diplomimit, do të të presë ndonjë punë e mirë. Thjesht ideja qëndron te borxhet më të ulëta.
Ndërkohë që teknologjia e bën universitetin më të përballueshëm dhe më të favorshëm, bëhet akoma edhe më urgjente që politikëbërësit të kenë në vëmendje krizën e tepricës së të diplomuarve në tregun e punëve të kualifikuara.
Pse kërkesa për kolegj vazhdon të qëndrojë e lartë?
Më tepër se 67% e studentëve në SHBA, që janë diplomuar nga gjimnazet në vitin 2014, shkuan në universitet krahasuar me 62% në 1994 dhe 55% në 1984. Trendi në rritje në ndjekjen e kolegjit, pavarësisht risqeve të papunësisë pas diplomimit, nuk është për shkak të kalkulimeve irracionale nga ana e prindërve. Ajo që ata kuptojnë me saktësi, është që të diplomuarit gëzojnë një mundësi më tepër se kolegët e tyre më pak të arsimuar, në gjetjen e punëve të pakualifikuara, por të paguara më mirë sidoqoftë.
Në fjalë të tjera, një diplomë kolegji do t’ju japë mundësinë të gjeni një punë profesionale të mirëpaguar dhe nëse dështoni në arritjen e kësaj, diploma juaj do t’ju japë avantazh në konkurrencën e punëve jo të kualifikuara. Ky perceptim është përforcuar nga sjellja e punëdhënësve, të cilët kanë parapëlqim për aplikantët me diplomë në punët e pakualifikuara.
Kështu që, të shkuarit në kolegj është një vendim me mend dhe me përfitim për shumë individë, por a është i duhuri për shoqërinë?
Kostot e mbiedukimit
Një sasi e madhe parash të shpenzuara në arsimimin e një studenti që përfundon në një punë të pakualifikuar, është e shpenzuar pa efektivitet. Studenti ka harxhuar gjithashtu katër vjet nga jeta e tij apo e saj në përfitimin e disa aftësive profesionale, as që do t’i përdorë për të fituar të ardhura.
Nëse pjesë e studentëve që e kanë këtë fat apo koha e shpenzuar në punë të pakualifikuara do të ishte e vogël, situata mund të ishte e pranueshme. Por ashtu si e thamë më sipër, të dhënat na tregojnë që është një tepricë e vazhdueshme e të diplomuarve në degët e studimit, si: biznes, shkenca sociale dhe bujqësi në raport me kërkesën e punësimit, me të paktën 30% të papunësuar deri në 10 vjet pas përfundimit të studimeve, duke çuar si pasojë, në të ardhura më të ulëta jetese të të diplomuarve.
Administrata Obama, së fundmi, krijoi një bazë të dhënash virtuale, të quajtur Fletë-njoftimi i Kolegjit, për t’iu ofruar studentëve, një pamje më realiste të perspektivës së të ardhurave me një diplomë universiteti.
Një nga treguesit në këtë databazë, tregon se më tepër se gjysma e të diplomuarve nga qindra universitete, fitojnë më pak se të ardhurat mesatare të dikujt që ka vetëm diplomën e gjimnazit (25000$ në vit), 10 vite pas regjistrimit në universitet. Të paktën idealisht, kjo diferencë duhet të ishte zero.
Një numër i madh i të diplomuarve të papunësuar apo të punësuar në punë të pakualifikuara, janë gjithashtu me borxhe të larta studentore ndaj bankave për kreditë që kanë marrë – më tepër se 110 miliardë dollarë, vetëm në vitin 2013 – ata kanë probleme me likuidimin. Nuk duhet të harrojmë miliardat që qeveritë federale dhe ato lokale shpenzojnë në arsimim me anë të subvencioneve dhe ndihmave financiare – 157,5 miliardë dollarë vetëm në vitin 2014.
Sasia e këtij shpenzimi që mbështet arsimimin e atyre që punësohen në mënyrë të pakualifikuar, mund të përdorej në mënyrë më efektive për të krijuar punë apo trajnuar studentët në aftësi zanati praktik, të cilat janë më të kërkueshme.