Për një javë, në Beograd u zhvillua trajnimi me temë “Të rinjtë dhe BE”, ku Shqipëria u përfaqësua nga tri studente të Universitetit Europian të Tiranës. Mes leksioneve, debatit dhe festave, përgjatë një jave, studentë nga Ballkani dhe Bashkimi Europian, u njohën jo vetëm me institucionet e BE-së, por edhe me kulturat dhe vlerat më të mira të bashkëmoshatarëve. Ani Treska tregon se si në mbrëmjen festive, pasi provuan konjakun, të gjithë studentët bënë një foto me shenjën e shqiponjës dhe flamurin shqiptar në Beograd.
Nga Erjon Uka
Deri para pak kohësh të thoshe “tri studente shqiptare në Beograd” do të ishte me siguri një titull ndjellës i ndonjë romani ose filmi ideologjik shqiptar. Ende tingëllon pak çuditshëm, por në ditët e sotme bashkëpunime të tilla janë bërë realitet, në radhë të parë nga vullneti i dy shteteve me ndihmën e vazhdueshme të projekteve të financuara nga Bashkimi Europian. Dhe ku ka më mirë se sa fokus të bëhen të rinjtë me qëllim për të lënë pas retorikat nacionaliste, duke projektuar të ardhmen e vendeve respektive drejt BE-së. I fundit ishte projekti trajnues “Të rinjtë dhe BE” me pjesëmarrës nga 10 shtete të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, i zhvilluar në Beograd në datat 23-30 janar. Vendi ynë u përfaqësua nga tri studente të Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës. Ani Treska, Dorina Plaku dhe Enida Broca, për gjatë një javë u njohën me institucionet dhe historinë e Bashkimit Europian, debatuan mbi rryma të ndryshme ideologjike dhe u njohën me kulturat e pjesëtarëve të tjerë nga Serbia, Spanja, Italia, Turqia, Bullgaria, Sllovakia, Belgjika dhe Maqedonia.
“Ditën e parë u bënë lojëra për ndërtimin e grupeve, me qëllim njohjen me njëri-tjetrin për ditët në vijim. Çdo ditë ne kishim një temë të veçantë për të trajtuar, duke filluar nga institucionet, historinë, funksionimin dhe vlerat e BE-së. Gjithashtu vizituam parlamentin dhe pjesëmarrësit bënë pyetje të hapura lidhur me kuriozitetet apo shqetësimet e tyre”, sqaron Ani Treska, lidhur me strukturën e programit.“Diçka që më bëri përshtypje ishte se në kohën kur në Shqipëri kemi probleme, si: reforma në drejtësi apo lufta ndaj korrupsionit, serbët i kushtonin një vëmendje shumë të madhe çështjes së mjedisit.”
Duke folur për eksperiencën e këtij trajnimi, Enida Broca thotë se “Për mua ishte një eksperiencë shumë e vlefshme dhe mësova shumë gjëra të reja. U ndjeva mirë, pasi ndryshe nga perceptimi i parë, nuk na shihnin ndryshe nga të tjerët dhe pati interes për vendin tonë. Pjesa e trajnimit shkoi shumë mirë dhe u ndjemë në një nivel me studentët e Bashkimit Europian, duke theksuar bindjen se edhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë pjesë e tij.” Përveç leksioneve mbi Bashkimin Europian, studentët vizituan edhe Bashkinë e Beogradit dhe Parlamentin serb. Në mjediset e bashkisë, simuluan një debat ku çdo grup studentësh nuk mbronte idetë e vendit të tij, por përfaqësonte një rrymë të caktuar partiake. Në këtë debat, liberalët, konservatorët, social-demokratët apo të gjelbrit, diskutonin dhe jepnin propozimet sipas këtyre rrymave ideologjike për amendamente të caktuara të BE-së.
Pjesëmarrësja tjetër, Dorina Plaku shprehet e entuziazmuar nga ky trajnim dhe ua sugjeron të gjithë bashkëmoshatarëve të tyre, që të aplikojnë dhe të ndjekin këto lloj projektesh. “Ajo çfarë më pëlqeu ishin mënyra sesi zhvilloheshin leksionet, pasi bëheshin nëpërmjet lojërave dhe aktiviteteve të ndryshme, duke synuar një edukim jo-formal. Kjo ishte një gjë shumë e bukur, pasi prezantimet nuk shndërroheshin në gjëra të mërzitshme por ishin diçka me vlerë dhe interesante. Një nga projektet që na dhanë ishte workshop mbi mënyrat si mund t’ia mësonim vlerat e BE-së një grupi shoqëror të caktuar. Ne vendosëm që këtë gjë ta bënim nëpërmjet këngëve gjerësisht të njohura në botë, por duke i zëvendësuar fjalët e tyre origjinale me fjalë që përfaqësojnë vlerat më të mira të unionit si ‘democracy’, ‘equality’ etj.”
Sigurisht që në këto trajnime një vend të rëndësishëm zënë edhe festat pas trajnimit. Në Beograd u zhvillua një intercultural evening, pra një mbrëmje ku pjesëmarrësit përfaqësoheshin me ushqime, pije dhe muzikë tradicionale të vendeve amtare. Ani na tregon se përpara udhëtimit, vajzat shqiptare ishin “armatosur” nga gjyshet e tyre me raki, konjak, byrek, llukanik, gurabije, bukë misri dhe mollë Korçe. “Mund të them që tavolina jonë ishte më e pasura. Në fillim u hodh një short ku u përcaktua për çdo grup se çfarë do të bënte diçka karakteristike nga vendi i tij. Shorti na detyroi të kërcenim një valle dhe zgjodhëm atë të Kukësit, duke qenë se ishte më ritmike. Pas kësaj filloi darka dhe pjesëmarrësit u mblodhën rreth tavolinës sonë. Unë iu sugjerova konjakun dhe të gjithë e pinë me fund, por në fakt jo të gjithëve u pëlqeu. Pas kësaj, ndoshta duke përfituar edhe nga efekti i konjakut, hodha idenë që të bënim të gjithë shenjën e shqiponjës duke ngritur edhe flamurin shqiptar.” Konjaku mbaroi, por sendet e tjera u “shpërndanë” në Europë pasi qeleshen tonë karakteristike e mori Helena nga Spanja, flamurin vajzat kroate, ndërsa shishja e rakisë udhëtoi për në Bullgari.
Projekte të tilla kanë si qëllim përgatitjen e të rinjve për përfshirjen ne organizata përmes debatit, diskutimit dhe promovimit të vlerave europiane. Gjithashtu synohet edhe nxitja e qasjeve të reja ndaj nevojës për reforma dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt familjes europiane.