Studentët e UET-it bëhen pjesë e organizimit vullnetar “Fundjava ndryshe”
Bamirësia nuk varfëron askënd dhe është një përpjekje për të ndryshuar realitetin përreth nesh. Më shumë se ndihmat me ushqime apo veshmbathje për familjet në nevojë, ka rëndësi mbajtja gjallë e shpresës se nuk janë vetëm dhe ka të tjerë që mendojnë për ta.
Në një kohë kur flasim për epokën e teknologjisë dhe të konsumit, kudo në Shqipëri dhe rreth kryeqytetit tonë janë shumë familje që jetojnë nën minimumin jetik. Nisma e fundit që përpiqet të ndihmojë këto familja quhet “Fundjava ndryshe”, pikërisht pasi fundjava është koha kur secili nga ne mund të gjejë kohë për t’u ofruar të mira materiale dhe mbi të gjitha “ushqim shpirtëror” atyre që janë të privuar nga kjo mundësi. Të pranishëm në Universitetin Europian të Tiranës, dy themeluesit e kësaj nisme, Arbër Hajdari dhe Ilir Hoxholli u shpjeguan përfaqësuesve të studentëve se si mund të bëhen pjesë e kësaj nisme. “Bamirësia duhet të bëhet çdo ditë, jo vetëm në raste festash. Nëpërmjet ndihmave të njerëzve ne ndihmojmë familjet në nevojë me ushqime, veshmbathje dhe lodra për fëmijë. Synimi kryesor është që t’i japim shpresë se ata nuk janë vetëm por kanë mbështetjen e qytetarëve të tjerë”, tha ndër të tjera Arbri i cili shtoi se ndihmat ushqimore për familje shkojnë rreth 70 kilogramë dhe se me anë të një databaze të rregullt bëhet e mundur mbajtja e të dhënave që mundëson edhe mbajtjen e kontakteve për nevoja të mëvonshme nga këto familje. Pjesë e kësaj nisme deri më tani kanë qenë figura të shquara publike si gazetari Blendi Fevziu apo humoristi Ermal Mamaqi. “Bamirësia nuk varfëron askënd dhe nga eksperienca jonë deri më tani na ka rezultuar që ata të cilët kanë bërë një herë bamirësi kërkojnë të bëjnë sërish. Kjo gjë ndihmon secilin prej nesh për ta ndryshuar realitetin përreth nesh. Nuk duhet të presim që gjithçka të na vijë nga strukturat shtetërore”, përfundoi Arbër Hajdari. Studentët e UET do të kenë mundësi që për disa ditë të mbledhin ndihma për këto familje në nevojë dhe më pas të shkojnë vetë për të kaluar kohë me pjesëtarët e këtyre familjeve. Edhe më parë studentët dhe pedagogët e UET kanë marë pjesë në projekte bamirësie me institucione të ndryshme në vend duke besuar në përgjegjësinë sociale që universiteti duhet të transmetojë.