Vilma Beqa zgjidhet Presidente e Qeverisë Studentore. Julian Bendo nga viti i tretë do të jetë Zv/Presidenti i ri ndërsa studentja e juridikut, Dea Llagami do të mbajë postin e Sekretares së Përgjithshme
Tashmë studentët kanë liderët e tyre. Gjatë një procesi shumë transparent, senatorët e çdo programi studimi kanë votuar për të zgjedhur Presidentin e Qeverisë Studentore UET. E pranishme, Dekania e Studentëve, Anisa Subashi, duke folur para tyre bëri një përshkrim të gjithë procesit zgjedhor, nga bashkëpunimi me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ku çdo program studimi i çdo viti zgjodhi senatorët përkatës e deri te votimi i sotëm.
Ajo gjithashtu vuri theksin në rëndësinë e një detyre të tillë dhe përgjegjësinë që çdo senator duhet të ketë për angazhimin që ka marë përsipër. Një risi për këtë qeveri studentore është edhe pjesëmarrja e studentëve të nivelit master.
Vilma Beqa, studente e vitit të parë në Marrëdhnënie Ndërkombëtare do të jetë presidentja e re e Qeverisë Studentore në UET, një traditë e organizimit të vetë studentëve që nga hapja e këtij universiteti 10 vite më parë.
Vilma, në projektin e saj për ta bërë UET-in pjesë të qeverisë së studentëve në çdo fije të tij, u beson aftësive të saj komunikuese për të përcjellë përmbajtje.
Ajo beson fort se sfidat e jetës dhe punës së saj i kanë mësuar që vullneti i hekurt dhe vizioni e kthen të pamundurën të mundur dhe vështirësitë nuk janë asgjë tjetër veçse një pjesë e rëndësishme e suksesit përfundimtar. Vendosmëria e saj për të punuar për studentët e UET-it është impresionuese.
Mjafton të shkosh çdo pasdite në bibliotekën e universitetit dhe ta ndjekësh punën e përditshme që bën në projektin e saj për ta sjellë bibliotekën virtuale më pranë lexuesve studentë e dashamirës të dijes.
Ishin nëntë kandidatë në garë për t’u zgjedhur në funksionin më të lartë drejtues të studentëve, kryesisht nga viti i parë. Përpara votimit, secili prej tyre bëri një prezantim të shkurtër të vizionit të tij udhëheqës duke u ndalur më shumë në përfaqësimin dinjitoz të studentëve dhe zgjidhjen bashkarisht të problemeve.
Kandidatët ishin: Odela Preni, Rinold Kaca, Vilma Beqa, Xhoi Bare, Dea Llagami, Andorel Ndoj, Eri Guce, Eleni Sina dhe Arta Feca. Në fund të votimit, Vilma Beqa, studente e vitit të parë në Marrëdhnënie Ndërkombëtare u shpall fituese me një diferencë të konsiderueshme votash.
Postin e zëvendëspresidentit do ta mbajë Julian Bendo nga viti i tretë ndërsa Sekretare e Përgjithshme do të jetë Dea Llagami nga viti i parë Juridik. Mbledhja e parë e qeverisë së re do të mbahet ditën e nesërme në orën 16:00 nën drejtimin e presidentes së sapozgjedhur Vilma Beqa.