Ambasadori izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin, në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të UET
Në mes të shkretëtirës me fqinjët që përbëjnë një kërcënim real për ekzistencën e tij, Izraeli është një nga vendet më të zhvilluara në botë ose vendi i inovacionit, siç e quajnë mediat në Perëndim. Ambasadori izraelit në Shqipëri, Boaz Rodkin ishte dje në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të UET-it, për të folur mbi strategjinë e zhvillimit të Izraelit dhe për situatën gjeopolitike ku ndodhet ky vend aktualisht. Që në nisje të fjalës së tij, zoti Rodkin theksoi se Izraeli energjitë e tij i ka drejtuar në dy drejtime kryesore të zhvillimit ekonomik: teknologjia dhe inovacioni. Jo më kot kompanitë më të mëdha në botë të teknologjisë së lartë, si Google, Intel, Mikrosoft, IBM, Motorola etj., kanë zgjedhur të çojnë projektet e tyre të kërkimit shkencor në Izrael.
Por ndërkohë që Izraeli po synon zhvillimin dhe inovacionin, në kufijtë e tij ka luftë, ka destabilitet, ka kërcënime ushtarake. Ambasadori Rodkin sqaroi studentët mbi situatën në Lindjen e Mesme, duke analizuar gjendjen e komplikuar në Siri, Iran dhe konfliktin me Hezbollahun. Ai ngriti pyetjen se si mund të ndihet një shtet që jeton nën kërcënime të tilla, ndërsa flet për strategjinë e Izraelit në këtë drejtim. “Në, Izrael ne përgatitemi për sfida të reja, – tha ai dhe këto sfida kanë të bëjnë me vendosjen e aleancave të reja rajonale, mbrojtjen nga Hamasi në Rripin e Gazës, përballjen me trazirat në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalem, monitorimin e Hezbollahut në Liban; ndjekjen me kujdes të zhvillimeve në Siri dhe parandalimin e Iranit që të rrisë aftësitë bërthamore”.
Edhe pse Lindja e Mesme është në një krizë të madhe, ambasadori i sheh shumicën e problemeve si probleme të brendshme të shteteve të tjera arabe, ndërsa sipas tij, Telaviv-i është i interesuar për të ndjekur politika të fqinjësisë së mirë me shumë prej këtyre vendeve. Duke folur për mundësitë e reja të Lindjes së Mesme ai shikon mundësi të mira për bashkëpunim. Rodkin u shpreh se “nuk ka më një shtet që kërcënon ushtarakisht sigurinë e Izraelit, pasi fqinjët tanë janë shumë të zënë me veten e tyre. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Egjiptin nën presidentin Sisi kurrë nuk ka qenë më i mirë dhe vendet e moderuara në Lindjen e Mesme po nisin të shohin tek Izraeli një aleat potencial”, – theksoi ai.
I pyetur nga studentët për marrëdhëniet e vendit të tij me Turqinë, si një vend që luan rol kyç në këtë rajon, Rodkin tha se “nuk kemi marrëdhënie diplomatike në nivel të lartë me Ankaranë, por ka një bashkëpunim të mirë ekonomik mes nesh dhe ne synojmë që marrëdhëniet tona të përmirësohen pasi kemi nevojë për miq dhe aleatë”.
Leksioni i hapur i ambasadorit izraelit në Tiranë në UET është pjesë e një bashkëpunimi të gjatë mes ambasadës dhe universitetit në projekte të përbashkëta, botime librash, ftesa për personalitete të botës akademike dhe kulturës hebreje në Tiranë etj. Rektori i UET-it, Prof.Dr. Tonin Gjuraj, i cili ka qenë dhe ambasadori i parë i Shqipërisë në Izrael, u shpreh se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe e falënderoi mikun hebre për prezencën. Në shenjë nderimi, Gjuraj i dorëzoi ambasadorit Rodkin simbolin e UET-it, kullën e sahatit. Disa javë më parë, UET-Press promovoi botimin në shqip të librit “Kombi që u lind”, një best-seller i shkruar nga dy gazetarë të njohur dhe analistë të politikës, Dan Senor dhe Paul Singer.