Intervistë me drejtoreshën e Agjencisë “Nxitja e Biznesit Social”, Ardita Bonatti, mbi aktivitetin “Biznesi social dhe benefitet e tij për një vend si Shqipëria”, mbajtur në UET
Universiteti Europian i Tiranës u bë pjesë e organizimit të një konferencë dyditore në fillim të dhjetorit, që synonte nxitjen e biznesit social në kuadër të projektit “EFESEIIS”, një projekt kërkimor-shkencor i fokusuar në këtë fushë. Aktiviteti mblodhi për herë të parë në Shqipëri jo vetëm partnerët e projektit nga 11 vende pjesëmarrëse, por edhe stakeholders (grupet e interesit) dhe sipërmarrës socialë nga e gjitha Europa, të cilët sollën dhe ndanë eksperiencat më të suksesshme të krijimit dhe zhvillimit të Sipërmarrjes Sociale. “UET është i pari Universitet në Shqipëri që ka përqafuar këtë lëvizje dhe është angazhuar në fushën e sipërmarrjes sociale dhe përzgjedhja e tij si partner në këtë event të rëndësishëm për Shqipërinë nuk ishte e vështirë”, – thotë ndër të tjera drejtoresha e Agjencisë publike ”Nxitja e Biznesit Social”, znj. Ardita Bonatti, e cila falënderon Prof.Doc. Adrian Civici dhe Prof.Asoc. Ermira Qosja, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e suksesshëm. Bonatti në këtë intervistë për Mapon sqaron rëndësinë e këtij projekti dhe punën që po bëhet për nxitjen e të rinjve drejt biznesit social.
Çfarë është “EFESEIIS” dhe çfarë synimi ka ky projekt në Shqipëri?
EFESEIIS është një projekt trevjeçar kërkimor-shkencor, i fokusuar në lulëzimin dhe zhvillimin e sipërmarrjeve sociale në shoqëritë inovative dhe gjithëpërfshirëse. Projekti është mbështetur nga fondet e programit të BE-së, fokusuar në sfidat e identifikuara në “Strategjinë 2020” për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës dhe në programin HORIZON 2020. Për herë të parë Shqipëria përfshihet në një projekt të këtij niveli, ku partnerë janë11 vende, prej të cilave 9 vende të Komunitetit Europian: Italia, Franca, Anglia, Gjermania, Austria, Skocia, Holanda, Polonia, Suedia, dhe dy vende kandidate: Shqipëria dhe Serbia. Projekti synon t’u ofrojë vendeve të përfshira në të një kuadër të qartë të kushteve të përshtatshme për ngritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve sociale, të cilat kontribuojnë në zgjidhjen efektive dhe efikase të sfidave të tilla si, përfshirja sociale dhe fuqizimi ekonomik i shtresave të margjinalizuara, ulja e papunësisë dhe varfërisë. Falë implementimit të këtij projekti nga “Nxitja e Biznesit Social” (NBS), Shqipëria është pjesë e data-base-s europiane të sipërmarrjeve sociale, gjë që do ta lehtësojë bashkëpunimin në të ardhmen të sipërmarrësve socialë shqiptarë me homologët e tyre europianë. Implementimi i këtij projekti është një përpjekje serioze për të identifikuar kushtet, faktorët dhe strukturat që lehtësojnë apo pengojnë ngritjen dhe zhvillimin e sipërmarrjeve sociale edhe në Shqipëri. Tashmë kemi përfunduar Raportin Kombëtar mbi zhvillimin e sipërmarrjes sociale në Shqipëri,i cili përfshin historikun e iniciativave sociale nga shek. XIX e deri tani, institucionet përgjegjëse për nxitjen dhe mbështetjen e këtyre iniciativave, si dhe legjislacionin përkatës.
Si mund t’i ndihmojë projekti të rinjtë, studentët, që të ndërmarrin një biznes social?
Është për t’u përgëzuar pjesëmarrja dhe interesi i lartë që studentët e UET-it treguan gjatë dy ditëve të aktivitetit. Një nga objektivat kryesore të projektit është identifikimi, nxitja dhe mbështetja e gjeneratës së re të sipërmarrësve sociale. Informacioni i ndarë në dy ditët e eventit i ndihmon të rinjtë për të kuptuar funksionimin e sipërmarrjes sociale, fushat e operimit të saj, si dhe institucionet që mbështesin e nxisin krijimin dhe stabilitetin e tyre nëpërmjet rritjes së kapacitetit të sipërmarrësve të rinj dhe mbështetjes me fonde për start-up. Ky event i organizuar në kuadër të projektit EFESEIIS ishte një mundësi e mirë për të gjithë pjesëmarrësit që të ngrinin ura bashkëpunimi me homologet e tyre nga e gjithë Europa.
Çfarë pengesash hasin përgjithësisht të rinjtë në këto nisma? Si mund t’i kapërcejnë ato, sipas jush?
Nga rezultatet e pyetësorit organizuar në kuadër të projektit dhe drejtuar mbi 800 sipërmarrësve socialë në të gjithë Europën, përfshirë Shqipërinë, mund të themi se ndër pengesat kryesore që hasin sipërmarrësit e rinj janë mungesa e informacionit mbi konceptin e sipërmarrjes sociale. Në rastin e Shqipërisë, kemi të bëjmë me një koncept relativisht të ri dhe krijon vështirësi në identifikimin dhe përdorimin e mjeteve të duhura për të ngritur një sipërmarrje sociale të suksesshme e të qëndrueshme. Një vështirësi tjetër e identifikuar është edhe mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe ajo e një Fondi start-up që t’u vijë në ndihmë atyre të rinjve që kanë ide kreative dhe dëshirën për të ngritur një sipërmarrje sociale. Agjencia “Nxitja e Biznesit Social” është e fokusuar në uljen e papunësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social nëpërmjet ngritjes dhe zhvillimit të sipërmarrjes sociale. Në kuadër të përmbushjes së objektivave të saj, Agjencia ka implementuar projekte të shumta që kanë pasur në fokus rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore të sipërmarrësve socialë. Edhe projekti EFESEIIS synon pikërisht të ofrojë një udhëzues, ku identifikohen faktorët që e lehtësojnë dhe që e pengojnë ngritjen e sipërmarrjeve sociale. Gjithashtu, nëpërmjet aktiviteteve dhe takimeve të organizuara në kuadër të projektit EFESEIIS, të interesuarit kanë mundësi të informohen mbi sipërmarrjen sociale, cilat janë karakteristikat që iu ofrojnë suksesin dhe stabilitetin këtyre sipërmarrjeve dhe identifikimin e institucioneve që mund t’u ndihmojnë financiarisht sipërmarrësit socialë për të realizuar idetë e tyre.
A mund të themi se ka Shqipëria një terren të favorshëm për krijimin e bizneseve sociale?
Për Shqipërinë, termi i sipërmarrjes/biznesit social është relativisht i ri, por nëse i referohemi Raportit Kombëtar, një produkt i projektit EFESEIIS, do të vërejmë që përgjegjësia sociale dhe iniciativa me impakt social janë të hershme dhe pjesë e kulturës së Shqipërisë. Kjo kulturë, mendoj është trashëguar deri në ditët tona, sepse gjatë punës së saj disavjeçare Agjencia ka identifikuar sipërmarrje sociale, të cilat operojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë me një impakt të dukshëm në nivel lokal dhe jo vetëm. Këto raste suksesi, të cilat ne i promovojmë dhe i mbështesim fort, na bëjnë të besojmë që vendi ynë ofron kushte për ngritjen e sipërmarrjeve sociale. Sigurisht ka gjëra për t’u përmirësuar, sikurse është krijimi i një kuadri ligjor mbi sipërmarrjet sociale, një iniciativë që do ta formalizonte këtë koncept të ri të biznesit dhe do të ishte hapi i parë për ta bërë sipërmarrjen sociale pjesë të strategjive specifike të hartuara nga institucionet përgjegjëse.
Si mund të informohen, të nxiten dhe të trajnohen të rinjtë drejt biznesit social?
Agjencia që nga krijimi i saj ka ngritur një site tepër aktiv me informacione për këdo që dëshiron. Po ashtu i jemi përgjigjur çdo kërkese për informim dhe trajnim të drejtuar nga organizatat apo grupe të interesuara. Të rinjtë vrapojnë pas ideve inovative dhe sipërmarrja sociale është e tillë, prandaj nuk nevojitet shumë për të nxitur interesin e tyre. Po ashtu, ndërmarrja e iniciativave për të ngritur sipërmarrje sociale kërkon njerëz kreativë dhe të guximshëm, dhe të dyja këto tipare janë më të forta se tek kushdo, tek të rinjtë. Përfshirja e Shqipërisë në projekte dhe programe europiane që kanë në fokus të tyre mbështetjen e sipërmarrësve të rinj socialë, është një mundësi shumë e mirë për çdo të ri që të shkëmbejë informacion dhe eksperienca me moshatarët e tij në çdo vend të Europës dhe jo vetëm. Agjencia do të vazhdojë të ofrojë asistencën e saj për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese të të rinjve që dëshirojnë të ndërmarrin iniciativa në fushën e sipërmarrjes sociale. Për informacione shtesë apo pyetje mund të vizitoni faqen tonë të uebit www.nbs.org.al dhe na kontaktoni tek adresat që gjeni në uebsite-in tonë.