Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Një libër për shqipen dhe shqiptarët në Ballkan

$
0
0

arsim sinaniU promovua dje në UET libri i Arsim Sinanit “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, botim i UET-Press

Një mesazh nga Tirana, kryeqendra kulturore dhe politike e shqiptarëve në Ballkan. Kështu e ka cilësuar  publicisti dhe akademiku nga Maqedonia promovimin e librit të tij për problemet e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në shtetin fqinj, që u promovua në Universitetin Europian të Tiranës. Studimi, i cili ka tërhequr menjëherë vëmendjen e kritikës dhe botës akademike në Maqedoni dhe në Shqipëri, është botim i UET-Press dhe merr në shqyrtim, jo vetëm mungesën e zyrtarizimit de fakto të gjuhës shqipe në shtetin multietnik, por dhe problemet politike dhe kulturore, me të cilat hasen shqiptarët që jetojnë në Maqedoni dhe në trevat e tjera të Ballkanit. “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë” sjell një analizë të thellë të historikut të shqipes në ish- Jugosllavi e më pas në republikën e re të Maqedonisë deri sot, duke konstatuar se shqipja nuk përdoret si gjuhë zyrtare në nivel të gjerë institucional, duke shkelur kështu Marrëveshjen e Ohrit. Arsim Sinani duke folur para një auditori ku nuk mungonin politikanë e analistë nga Tirana, Mali i Zi e Maqedonia, si dhe pedagogë e studentë, tha se ishte dëshirë e tij që libri për gjuhën shqipe të promovohej pikërisht në Tiranë. “Falenderoj UET-in  që ma dha këtë mundësi, që libri im të botohet këtu dhe ky është një mesazh i mirë, sepse ne dëshirojmë që prej Tiranës të dërgojmë disa mesazhe”, – tha ai duke i dhënë më tej mesazhet për politikën shqiptare në Maqedoni, krerët e së cilës i cilësoi si “përkthyes të Gruevskit” . “Një miku im më pyeti se kujt do t’ia dërgoj librin e parë dhe unë iu përgjigja me shaka se librin e parë do t’ia dërgoj me postë kryeministrit kryeneç të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për shkak se ka nevojë ta kuptojë dhe të reflektojë se çka ndodh me shqiptarët e Maqedonisë. Edhe nëse ai nuk di shqip, ka pranë vetes dy përkthyes shumë të aftë: Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, që do ta ndihmojnë që ta kuptojë”, tha Sinani.

Problemi shqiptar në Ballkan

Autori i librit “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, Arsim Sinani tha se në libër ka sjellë disa teza që kanë të bëjnë me gjendjen aktuale të shqiptarëve në Ballkan. “Ne po shkojmë drejt krijimit të shtetit të tretë shqiptar në Ballkan dhe kjo është Republika e Maqedonisë, dhe maqedonasit duhet ta kuptojnë me shumë dashamirësi se ne duam të ndërtojmë me ta një shtet, të bëjmë një marrëveshje historike, për shkak se përballë grekëve, serbëve dhe bullgarëve, vetëm me ne mund të mbijetojnë dhe ky është mesazhi që unë i dërgoj inteligjencës së re maqedonase që të merremi vesh, sepse në këtë drejtim do të kenë mbështetjen tonë”, – tha ndër të tjera ai. Sinani theksoi se mesazhet për shqiptarët duhet të jepen pikërisht nga Tirana. “Unë mendoj se kolegët e mi duhet të reflektojnë dhe të pranojnë se Tirana është kryeqyteti kulturor dhe politik i të gjithë shqiptarëve dhe ne prej saj nuk duhet të kompleksohemi, përkundrazi, të krenohemi. Ka një mentalitet në Maqedoni dhe në Kosovë nga një kastë intelektualësh jugosllavë, të cilët flasin broçkulla sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë dhe unë dëshiroj t’u dërgoj një mesazh: periudha e mosbashkëpunimit me shqiptarët ka përfunduar”, theksoi ai.

Sinani theksoi se duke shkruar këtë libër, synonte të hapte një diskutim për problematikat e shqiptarëve të Maqedonisë. “Ka ardhur koha e njerëzve që nuk janë të kapur nga regjimi maqedonas, por të cilët vetëpunojnë për shqiptarët. Unë njoh shumë të tillë, madje edhe këtu në sallë. Duhet të vijë një gjeneratë, e cila do ta përmirësojë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë aty ku u takon, e jo të vazhdojnë të jenë lodër në duart e pushtetit maqedonas. Ka ardhur koha për një brez shqiptarësh të ndërgjegjshëm. Ja ku po e përsëris që, Maqedonia do të ekzistojë si një shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve dhe çdo skenar tjetër do të jetë katastrofal për Maqedoninë dhe këtë, maqedonasit duhet ta kuptojnë mirë”, – deklaroi ndër të tjera ai.

Si një përgjigje për kritikën e bërë nga historiani Romeo Gurakuqi, për mospërfshirjen në libër të problemeve të shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë, Sinani tha se ka qëllim t’i kushtojë kësaj çështjeje një studim specifik.

 

romeo gurakuqiGurakuqi: Studimi i Sinanit, si mesazh për klasën politike shqiptare dhe maqedonase

Fjala e Prof. Dr. Romeo Gurakuqit gjatë promovimit të librit të Arsim Sinanit   “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”

“Është një studim krahasues, i përqendruar në periudhën 1991-2014 dhe shumë më pak në periudhën e ish-Jugosllavisë së dytë. Autori merret me analizën historike dhe juridike të procesit aktual të njohjes së gjuhës shqipe në shtetin fqinj, ku popullsia shqiptare përbën mbi 25% të popullsisë. Autori përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes themelore kërkimore: a u zyrtarizua gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë pas 13 vitesh nga Marrëveshja-Kornizë e Ohrit? Autori shpjegon se gjuha shqipe, nga një e drejtë e futur në Kushtetutën Jugosllave në vitin 1974, u bë një e drejtë e humbur në vitin 1991, me pavarësimin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Nga një gjuhë formalisht zyrtare gjatë Maqedonisë komuniste, shqipja u shndërrua në një gjuhë pakice në Maqedoninë postkomuniste. Sinani sjell dy analiza krahasimore. Analizon në mënyrë të plotë harkun kohor 1945-1991, 1991-2001 dhe 2001-2014. Pra në tri periudha kohore. Posaçërisht, autori merret me harkun e fundit 2001-2014, ku establishmenti i Republikës së Maqedonisë ka penguar implementimin e plotë të amendamentit të pestë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, duke e interpretuar me kundërthënie dhe me standarde të dyfishta dispozitën në fjalë dhe ka zbatuar në mënyrë gjysmake këtë dispozitë me ligjet e nxjerra në harkun kohor 2008-2014. Analiza e dytë krahasimore është me vendet e tjera me ngjashmëri sa i takon kompozitës etnike. Është marrë Zvicra, Belgjika, Suedia, Finlanda dhe është fokusuar posaçërisht tek Kosova si rast i fundit. Megjithëse fokusi kryesor ngelet politika kryesore, autori trajton në mënyrë indirekte edhe historinë politike të Maqedonisë. Nëse lexohet me kujdes, brenda këtij libri është edhe historia e Maqedonisë së pavarur nga Jugosllavia, trajtohet niveli i mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, mbrojtjes së të drejtave civile, mbrojtjes së të drejtës së punësimit në administratën e këtij vendi e kështu me radhë. Sinani ka arritur në 21 rezultate kërkimore që janë të rëndësishme për klasën politike shqiptare dhe maqedonase në Republikën e Maqedonisë, si dhe për komunitetin shqiptar atje. Nuk janë rezultate të thjeshta kërkimore, por në këndvështrimin tim janë rekomandime të detajuara që depërtojnë në çdo qelizë gjeografike të territorit dhe vendbanimeve shqiptare. Depërtojnë dhe rekomandojnë për çdo institucion të lartë dhe të administratës civile, për çdo institucion kulturor, arsimor dhe shkencor të këtij vendi. Nëse Arsimi më lejon, monografisë i mungon kujdesi për disa rekomandime brenda shqiptare. Asgjë nuk thuhet për kujdesin që shqiptarët intelektualë dhe klasa politike duhet të tregojë për shqiptarët e bashkësisë ortodokse shqiptare që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Pjesa më e madhe e tyre i është nënshtruar një procesi asimilimi, që do ta quaja fatal. Kujtoj një sociolog shqiptar nga Universiteti i Evropës Juglindore të Tetovës  që kur shpjegonte këtë fenomen fajësonte para së gjithash klasën politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë për mungesën e vizionit, për intolerancën dhe mungesën e përgatitjes intelektuale për të përballuar një sfidë të tillë që ka pasur komuniteti shqiptar atje. Mendoj se në monografi duhet të shtohet edhe kjo pjesë kërkimore në një moment të dytë të ribotimit. Madje mund të shtohet edhe kjo pyetje kërkimore: cili është statusi dhe niveli shoqëror, vetëdija nacionale, niveli i formës shqipe, niveli i kujdesit të autoriteteve vendore shqiptare për komunitetin shqiptar ortodoks në Republikën e Maqedonisë. Kjo, qoftë me gegërinë shqiptare të Maqedonisë, qoftë me Toskërinë shqiptare të Maqedonisë. Duke e përfunduar mendoj që fryma nacionale, fryma laike, fryma europianiste gjithëpërfshirëse duhet të jetë fryma mbizotëruese e kërkesave të shqiptarëve në Maqedoni. Monografia e zotit Sinani është një shembull i qartë i këtij trendi të përparuar, që ka nevojë të përforcohet edhe në grupime të tjera universitare shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Demokratizimi, shekullarizimi i pastër dhe i pacenueshëm i linjës politike të ndërtimit të platformës politike të njohjes së të drejtave shqiptare në Republikën e Maqedonisë, duhet të jetë një synim i qartë, i pashtrembëruar dhe sublim. Libri juaj, i nderuar zoti Arsim, e ka këtë mesazh”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180