Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Gjuha shqipe në Maqedoni, vetëm e folur?!

$
0
0

kopertinaUET- Press promovon sot librin “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, me autor Arsim Sinanin

Shqipja është gjuha e dytë zyrtare në shtetin fqinj ku jetojnë shqiptarët, të cilët janë etniteti i dytë më i madh në vend, por 13 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, shqipja vazhdon të mbetet më shumë një gjuhë e folur, pasi nuk zbatohet zyrtarizimi i saj nëpër institucione. Studiuesi Arsim Sinani në librin e tij sjell dhe dy anketa të bërë me qytetarët dhe me punonjës të administratës në disa qytete me shumicë shqiptare, për të treguar problemet që hasen me përdorimin zyrtar të shqipes në shtetin fqinj. “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”, botuar nga UET-Press, promovohet sot. Ky libër sjell një analizë të ftohtë të problemeve me të cilat po haset shqipja në Maqedoni. Një pjesë të studimit të Sinanit e zë dhe anketa me qytetarët, që sjell të dhëna shumë interesante për të parë në terren se çfarë ndodh me “zyrtarizimin” e shqipes, a përdoret ajo në institucione siç do të duhej etj.

Në anketë janë përfshirë tri etnitetet më të mëdha që jetojnë në këtë hapësirë: 81% shqiptarë, 12% maqedonas, 6% turk dhe 1% të tjerë.

Nga përgjigjet e pyetësorit, ai ka arritur të sjellë një analizë të situatës në të cilën ndodhet shqipja zyrtare sot në Maqedoni. Shifrat flasin vetë dhe tregojnë se gjuha shqipe është më shumë një gjuhë e folur mes komunitetit shqiptar, sesa realisht një gjuhë e zyrtarizuar në institucione. Të pyetur se në cilën formë e përdorni shqipen gjatë komunikimit institucional, të anketuarit kanë dhënë përgjigjet me sa vijon: 63%

e të anketuarve janë përgjigjur “gjatë komunikimit verbal, 25% e të anketuarve nuk kanë përgjigje, 12% e të anketuarve janë përgjigjur me komunikimin me shkrim”. Pra shumica  e të anketuarve, 63% e tyre, e kanë më të lehtë të komunikojnë me pushtetin vendor

nëpërmjet komunikimit verbal, ndërsa 25% e të anketuarve nuk kanë përgjigje, kurse sipas 12% të të anketuarve, komunikimi me shkrim është më i preferuar. Në një tjetër grafik të studimit vihet re se komunikimi me pushtetin qendror është i kufizuar, respektivisht i kufizuar vetëm në gjuhën maqedonase. 57% e të anketuarve nuk e përdorin gjuhën shqipe gjatë komunikimit me pushtetin qendror, 22% vetëm pjesërisht e përdorin, kurse 21% e përdorin gjuhën shqipe gjatë komunikimit me pushtetin qendror.

Qytetarët kanë shprehur mendimin e tyre rreth faktorëve të cilët pengojnë jetësimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore si gjuhë e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. 52% e të anketuarve janë të mendimit se faktori kryesor për pengimin e jetësimit të gjuhës shqipe nëpër institucionet si gjuhë e dytë zyrtare në RM është mungesa e vullnetit politik; 18% e të anketuarve janë të mendimit se mosaftësimi i administratorëve paraqet pengesë serioze për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore, 15% e të anketuarve janë të mendimit se pengesa për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucione janë mjetet financiare, 14% e të anketuarve janë të mendimit se mungesa e përvojës institucionale paraqet pengesë për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore, kurse vetëm 1% e të anketuarve janë të mendimit se pengesa kryesore për jetësimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore është shteti maqedonas.

Ky libër sjell shumë dokumente arkivore dhe të dhëna të tjera për këtë çështje dhe e analizon në thellësi atë.

Tezat në librin e Sinanit

  • Statusi politik dhe juridik i gjuhës shqipe në RM
  • Lufta e vitit 2001 dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit
  • Gjuha shqipe në labirintin e pafund legjislativ
  • Implikimet praktike të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të RM-së
  • Modele komparative të përdorimit të dy gjuhëve në vende të ndryshme

 

grafikuMarrëveshja e Ohrit dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe

Nga Prof. Dr. Blerim Reka*

Politika gjuhësore po bëhet temë e nxehtë politike në mbarë Evropën. Sidomos në Ballkanin e përzier etnikisht dhe gjuhësisht të larmishëm, ku vazhdojnë; diskutimet rreth asaj se sa norma kushtetuese e një shteti arrin ta kornizojë juridikisht përdorimin zyrtar të një gjuhe- konform standardeve të Unionit Europian? Këtë dilemë e shtjellon Arsim Sinani në librin e tij të ri “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”. Ky hulumtim i tij është fryt i tezës së doktoraturës së mbrojtur në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Tiranës, me titull “Zyrtarizimi i gjuhës shqipe konform Marrëveshjes-Kornizë të Ohrit: 2001-2013”. Autori ballafaqon argumentet shkencore, të mbështetura në literaturën e pasur në lidhje me çështjen kyçe në

këtë libër: a u zyrtarizua gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë pas 13 vitesh nga Marrëveshja-Kornizë e Ohrit (MKO)? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje bosht të këtij libri, autori elaboron zhvillimet dramatike historike për shqiptarët në vitet e shpërbërjes së ish-RSFJ-së dhe pasojat politike për shqiptarët e Maqedonisë. Sidomos zhgënjimin e tyre me mosavancimin e statusit të gjuhës shqipe pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 1991. Nga një e drejtë e fituar me Kushtetutën e vitit 1974, siç do e argumentojë Sinani, gjuha shqipe u bë një e drejtë e humbur. Nga një gjuhë, së paku formalisht zyrtare gjatë Maqedonisë komuniste, shqipja u degradua në gjuhë pakice në Maqedoninë postkomuniste. Dokumentet që i paraqet autori, (sidomos ato që për të parën herë publikohen në këtë libër: nga dokumentet e kongresmenëve amerikanë dhe ato që i paraprinë inaugurimit të Universitetit të Tetovës), e bëjnë librin para jush edhe një burim relevant dokumentar për këto ngjarje të rëndësishme historike. Hulumtimi i Sinanit për problemin e (mos)zyrtarizimit të gjuhës shqipe në RM kap: krahasimin historik dhe analizën kushtetuese; para (1945-1991); pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991-2001); si dhe gjatë trembëdhjetë viteve të implementimit të ngadalshëm të Marrëveshjes-Kornizë të Ohrit (2001-2014). Periudhën e fundit trembëdhjetëvjeçare, autori e analizon në kuadër të tri problemeve kyçe që ngadalësuan zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe. I pari është: mosimplementimi i plotë i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së.

Problemi i dytë është interpretimi i ndryshëm dhe madje kundërthënës i kësaj dispozite kushtetuese varësisht nga përkatësia kombëtare. Dhe i treti problem është zbatimi gjysmak i kësaj dispozite kushtetuese me ligjet e vitit 2008 dhe 2012. Veç kësaj analize normative, autori shtjellon edhe problemin e implikimeve praktike të (mos)përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të RM-së, përkatësisht të mosrespektimit të përdorimit institucional të gjuhës shqipe. Vlerë të shtuar librit i jep edhe analiza krahasuese e Sinanit e përvojave më të avancuara europiane dhe e statusit të gjuhëve, ku ai përmbys me argumente tezën e përsëritur me vite nga zyrtarët e Shkupit për “modelin më të avancuar europian të zgjidhjes së çështjeve kombëtare”. Autori në këtë libër provon të kundërtën. Përveç politikave gjuhësore më të avancuara europiane (si në: Zvicër, Belgjikë, Suedi apo Finlandë); Republika e Kosovës promovoi modelin më të avancuar të zyrtarizimit të gjuhës së pakicave, me serbishten si gjuhën zyrtare, të cilën e flet vetëm 5% e popullatës që ndodhet atje. Si i tillë, libri i Arsim Sinanit është një kontribut i rëndësishëm për analizën jo vetëm të politikës gjuhësore në Republikën e Maqedonisë, por edhe më gjerë. Analiza e ngjeshur dhe e argumentuar komparative e tij në këtë libër përmblidhet me dilemën e vetë titullit të tij. Edhe katërmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes-Kornizë të Ohrit, gjuha shqipe mbetet gjuhë e pazyrtarizuar në Republikën e Maqedonisë.

*Pjesë nga parathënia e librit me autor Arsim Sinanin “(Mos)zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180