Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Erik Tamo, talenti i inovacionit

$
0
0

Eriku foto profilNjë aplikacion i ri në telefon ju sjell info për çdo biznes në Tiranë. Aplikacioni NOX, i krijuar nga tre studentë, fiton vendin e parë në “Startup Weekend Tirana”

Shumë shpejt, kur të lëvizni nëpër rrugët e kryeqytetit, nuk do të habiteni më nga fasadat farfuritëse të club-eve të Bllokut dhe nuk do të bëheni më kureshtarë për menynë ekzotike të ndonjë restoranti me nam. Si vallë? E thjeshtë: dy djem të Universitetit Europian të Tiranës ju kanë mundësuar që në telefonin tuaj android apo apple, të dini gjithçka që një dyqan që ju rrëmben mendjen, ka brenda!

Edicioni i pestë i “Startup Weekend Tirana”, i zhvilluar në datat 20-22 nëntor, me temë “Smart City”, e ka një grup fitues dhe një zgjidhje më tepër për Tiranën. Grupi fitues, N.O.X (Night Out Experience) me tre studentët e tij, Erik Tamo, Renis Kristafi dhe Ervin Kurti, sollën kontributin e tyre qoftë si qytetarë, qoftë si profesionistë të ardhshëm, nëpërmjet krijimit të aplikacionit me të njëjtin emër NOX e që në fund i rrëmbeu zemrën jurisë së Startup- it. Aplikacioni NOX, i shkarkuar në telefonat e qytetarëve, do të sjellë tek ta, produktet e fundit, çmimet, ofertat, promocionet, e çdo bari/restoranti pranë të cilit do të jenë duke kaluar në rrugë por edhe kërkimi nga shtëpia do të jetë një opsion shumë i përshtatshëm për klientët sqimatarë. “ Për më tepër duam të promovojmë kulturën duke dhënë sugjerime për teatro, grupe libri, pikture etj dhe landmark-e të rëndësishme të vendit tonë.” – ngulmojnë ata, si për ta kuptuar drejtë vlerën e pasurisë së informacionit të së gjithë botës në smartphone-in tënd. Eriku dhe Renisi janë shokë grupi në UET, ndërsa djali tjetër Ervini është student në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.

Sot, për të gjithë ata të rinj e studentë që admirojnë kurajën profesionale të fituesve të Startup-it, talentin e tyre të jashtëzakonshëm dhe vendosmërinë e NOX për të dhënë shembull komunitar, kemi sjellë bashkëbisedimin me Erik Tamon, njërin nga tre krijuesit e grupit NOX. Eriku është student i Universitetit Europian të Tiranës, në vitin e tretë Bachelor, në degën Informatikë Ekonomike. Pjesëmarrja nëpër startup-e, por jo vetëm, e bën atë një të ri me potencial të shumanshëm për të ardhmen. Ai angazhohet aktivisht në klubin Economicus të UET, si për të vërtetuar që nuk është asesi “njëdimensional”,  vetëm teknologjik. E për ta përforcuar këtë, Eriku sapo ka mbyllur me sukses një internship disa mujor në bankën “Pro Credit”.

A merr shpesh pjesë në startup-e? Sa herë ke marrë pjesë dhe cilat kanë qenë krijimet (projektet) e tua në to? A ke fituar ndonjë çmim tjetër më përpara?

Po, besoj se mund të thuhet një gjë e tillë. Kam marrë pjesë në katër evente të tilla, ku më i fundit është Startup Weekend Tirana – “Smart City Edition”. Me N.O.X-in mora pjesë tek ky event dhe tek një i mëparshëm. Ndërsa, me një grup tjetër morëm pjesë me një projekt të quajtur Green Turtle, i cili ka në fokus turizmin. Nga katër evente startup-i që kam marrë pjesë, kam fituar në tre prej tyre: dy vende të para dhe një të dytë.

Ke ndonjë projekt apo aplikacion tjetër veç NOX, që pret ta implementosh së shpejti në android/ios?

Për momentin, jo. Po përpiqem të fokusohem te N.O.X-i dhe gjithashtu të studimet. Edhe nëse do kisha kohë të lirë, do të ishte më mirë që të gjitha fuqitë të fokusohen te një projekt i vetëm, për të arritur një rezultat sa më optimal. Sa për të ardhmen, s’i dihet asnjëherë, tek e fundit.

Si je në raportin përfitim profesional (personal) /kontribut shoqëror në fushën e teknologjisë? Nga anon peshorja?  

Do thosha se peshorja është në ekuilibër. Nga njëra anë, aktivizime të tilla më formojnë mua si njeri, si profesionalisht, ashtu edhe në aspektet e tjera. Në anën tjetër, është kontributi që të gjithë përpiqemi të japim për ta shtyrë sa më përpara shoqërinë tonë.

A ka ndikuar UET në pikëpamjen tënde si anëtar produktiv i shoqërisë, pavarësisht se çfarë pune bën në fund të fundit? 

Po, sigurisht, mjedisi ku edukohet një njeri është nga më të rëndësishmit për formimin e tij. Personalisht, UET-i më ka shtyrë të punoj më tepër duke u aktivizuar në klube studentore apo projekte të tjera. Kam mësuar se asnjëherë nuk duhet të jesh i kënaqur me veten dhe të ndalosh, por ta shtysh atë për të arritur potenciale më të larta. Në fund, kështu arrin ta ndihmosh shoqërinë.

Në fund, Eriku shton një impuls shumë personal, të afërt, njerëzor, që na kujton se çdo drejtim profesional që ndërmarrin në jetë duhet t’i shërbejë thelbit tonë human:  “Do doja të falënderoja personalisht familjen time dhe sidomos babanë tim. Është ai që në fund të ditës më mëson të eci përpara dhe të kërkoj nga jeta gjera të mëdha. Për këtë duhet punë, prandaj dua t’i them çdokujt që e lexon këtë intervistë: Mos ndalo!”

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180