Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

E-learning: Sfidohet universiteti tradicional

$
0
0

FOTO KRYESORE fq 16-17Arsimimi online gjen terren edhe në Shqipëri. Projekti UET- Marconi për master online, si mund të diplomohesh në një universitet jashtë vendit, pa qenë nevoja të udhëtosh

Nga auditorët me banka, me profesorin dhe dërrasën e zezë, tek studio televizive, ku profesori dhe studenti kanë përballë ekranin e një kompjuteri. A po ndryshon arsimi i lartë bashkë me teknologjinë?! Përgjigjja është po, dhe kush nuk e ka kuptuar akoma, duhet t’i përshtatet “universitetit të ri” të lindur në këtë shekull, E-learning.  Në botë është një fakt, madje dhe i suksesshëm, në Shqipëri vjen për herë të parë projekti i mësimdhënies online. UET dhe universiteti Gugliemo Marconi në Romë ofrojnë një diplomë online për Master në Shkencat Sociale.

Nga Egon Loli 

Universiteti për çdokënd nuk është vetëm arsimim, por dhe socializim dhe një periudhë e jetës plot kujtime, shoqëri e aktivitete. Por, a mund ta imagjinoni shkollën pa të gjitha këto? Madje dhe pa një kontakt me profesorët? Nuk është nevoja ta imagjinoni, një shkollë e tillë është tashmë një fakt, bëhet fjalë për universitetin online ose e-Learning. Arsimi online po shënon suksese të mëdha në botë, por edhe në vendin tonë ka projekte serioze në këtë drejtim. Në fund të fundit, kush nuk do të donte të bënte një master pa qenë nevoja të udhëtojë, të ndryshojë shtet, shpenzime për jetesën, por vetëm duke ulur para një kompjuteri?! Këtë muaj, studentët e Universitetit Europian të Tiranës u njohën nga afër me një nga universitetet më prestigjioze që praktikon e-Learning, Universitetin “Gugliemo Marconi” me qendër në Romë. Një bashkëpunim mes dy universiteteve për herë të parë sjell risinë e të studiuarit online dhe marrjen e një diplome të dyfishtë në ciklin Master në Shkencat Sociale për studentët shqiptarë. UET dhe Universiteti “Gugliemo Marconi” prezantuan projektin dhe mënyrën sesi do të funksionojë mësimdhënia në distancë.  Përfaqësuesit e Universitetit “Marconi” të Romës, Prof. Alessandro Gennaro dhe Dr. Arturo Lavalle, sollën përballë studentëve të masterit të UET, një qasje të asaj çfarë përfaqëson diploma e përbashkët mes dy universiteteve, dhe rëndësinë e masterit në një treg global. Universiteti “Marconi”, një histori suksesi e filozofisë së universitetit të hapur joshtetëror, i themeluar në Romë në vitin 2004, është institucioni i parë i arsimit të lartë italian, diploma e të cilit është e akredituar në Shtetet e Bashkuara. Jo vetëm kaq. Universiteti “Marconi” me programin e vet akademik, e ka gjithashtu 100% online. Kjo ishte një ndër pikat ku konsistonte marrëveshja mes tij dhe UET-it në bashkimin e diplomave. Epoka e re e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë, përvojë të cilën “Marconi” e ka arritur dhe UET-i është në hapat e parë të suksesshëm, përbërësin themelor të saj ka studimin përmes programeve online. Duke iu bashkangjitur marrëveshjeve që UET-i ka me disa biblioteka dixhitale (Ebrary, Questia, Jstor); anëtarësimit në  rrjetin dixhital bibliografik të Europës Juglindore, Cobiss, marrëveshja e fundit me Universitetin “Marconi” i jep një impakt të jashtëzakonshëm certifikimit të studimeve cilësore në UET nëpërmjet metodës së studimit dhe projekteve online, në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare prestigjioze.  Mësimi nëpërmjet internetit bëhet me studentë nga shumë vende të botë, jo më kot ky universitet ofron studime në disa gjuhë të huaja, anglisht, rusisht, spanjisht etj. E kthyer në një studio gjigante televizive ambientet e tij kanë gjithashtu dhe zyra dhe salla tradicionale universiteti, ndaj çdo student që zgjedh të bëjë studimet online mund të takohet një herë ose dy herë në vit me profesorët në Romë.

Vlen sepse është i hapur, jo është i hapur sepse vlen 

Në Shtetet e Bashkuara, në Europë, në Kinë  por edhe më gjerë, prej jo pak vitesh vlon një debat aspak i shtruar mbi alternativat e studimit universitar. Është e qartë se ndërmarrja e studimeve të larta, implikon shumë përgjegjësie llogari, përpara dhe pas tyre, të cilat, kujtdo i “rëndojnë” në kohën dhe xhepin e vetë. E vërteta është se arsimimi ka kosto. Larg reminishencave mesjetare të kostove të tmerrshme njerëzore të dijes, kostot sot përkthehen në financa. Mirëpo, një gjë është arsimi i kushtueshëm dhe një gjë tjetër është pamundësia për t’u arsimuar aty ku dëshiron, ashtu si dëshiron apo edhe dukuria e margjinalizimit ndaj arsimit në tërësi. Arsyet themelore të pamundësive të mësipërme gjenden tek politikat aspak strategjike të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik që marrin përsipër autoritetet vendimmarrëse. Universiteti i Arizonës ka hedhur online  një grup programesh teknologjike studimi si dhe programet përkatëse të mentorimit për t’i drejtuar studentët gjatë kurseve. Prej vitit 2008, kostoja e Universitetit të Arizonës për çdo të diplomuar është ulur nga 68 000 dollarë, në 56 000 dollarë. Vitin e kaluar, ky universitet lidhi kontratë me gjigantin botëror të kafesë “Starbucks”, e cila i lejoi të gjithë punonjësit e  kompanisë të kryenin studimet dhe të merrnin diplomën falas, online. Ndërkohë që norma e diplomimit në universitet është rritur nga 33% në 49%.

Universiteti kthen më tepër nga sa merr

Gjithsesi, pse themi se universiteti sërish ia vlen? Në SHBA arsimi i lartë konsiderohet një investim i madh i cili, mesatarisht, çdo vit të ndjekjes së tij të aftëson në kthimin e 10%-15% të investimit fillestar që ke bërë(pra tarifës së shkollës bashkë me kostot e tjera gjatë shkollimit). Për një të diplomuar, kjo shifër përkthehet në qindra mijëra Dollarë gjatë jetës së tij/saj2. Megjithatë nuk duhet mohuar që ekzistojnë edhe universitete apo programe studimi të cilat, kanë bilanc negativ në kthimin e investimit ndaj studentit. Për shembull, sërish në SHBA, ndërkohë që vlera mesatare e investimit të kthyer si rrjedhojë e studimeve 4 vjeçare në universitet është 570 000 dollarë për gjithë jetën, 171 nga 853 universitete e kanë këtë bilanc negativ (pra tarifa e shkollimit+shpenzime ka qenë më e lartë sesa shuma e fitimeve që ka marrë si specialist i asaj dege). Për shumë familje mund të jetë një kosto e papërballueshme. Në këto kushte, zgjidhja optimale është studimi online; alternativa më e zgjedhur mbetet MOOC (kurset e hapura masive online). Por kjo nuk  duhet parë vetëm  me lentet e zgjidhjes emergjente ndaj një situate. Universiteti online, një program i plotë studimi online me leksione, seminare, projekte, detyra, testime, është, le ta themi një metaforë e “rrugës së tretë”. Le ta themi, universiteti online natyrisht nuk është më i miri, por është optimali i llojeve të universitetit. Shumë institucione të arsimit të lartë nëpër botë janë duke provuar modelet e reja të mësimdhënies. Teknologjia e informacionit rreket si sinonim i botës moderne. Asgjë nuk krahasohet me shpejtësinë e zerove dhe njëshave në transmetimin e informacionit akademik nga një njëri skaj i globit, në skajin tjetër. Sigurisht, jo të gjitha zonat e banuara në planetin tonë kanë internet dhe investime infrastrukturore- teknologjike, por pikërisht për këtë arsye , këto zona, ka gjasa që të kenë më tepër internet sesa godina universitare dhe rrugë që të çojnë tek to.

 

Statistika 2015 

  • Tregu i “e-Learning” pritet të arrijë një shumë transaksionesh prej 107 miliardë USD deri në fund të vitit.
  • Në periudhën 5-vjeçare 2010-2015, kjo shifër ka përjetuar një normë rritje me 9.2% çdo
  • Aktualisht 8% e kompanive përdorin MOOC, ndërkohë që në krye të dy viteve të ardhshme, pritet që norma e kompanive që përdorin MOOC të shkojë 28%.
  • Më tepër se 350 kompani anekënd botës bashkëpunojnë me Coursera dhe Udacity për të identifikuar studentët më të mirë.
  • Tregu i korporatave online pritet të rritet me normën 13% çdo vit deri në vitin 2017.
  • Sot që flasim, 77% e kompanive amerikane ofrojnë trajnim online për të përmirësuar zhvillimin profesional të të punësuarve.
  • Vetëm në 18 muajt e parë të MOOC në web, në të aplikuan më shumë se 4 milionë studentë amerikanë.
  • Në tre vendet e para me normat më të larta të studimit online autodidakt janë India (55%), Kina (52%) dhe Malajzia (49%); dhjetëshen e vendeve me normat më të larta të studimit online e mbyll Ukraina me 20%.
  • Ulja e ndjeshme e tarifave si rrjedhojë e pakësimit të kostove administrative, e ka bërë këtë institucion virtual akademik kaq të suksesshëm.

Të mirat e studimit online 

  • “E-learning” zhbën dallimet racore, kulturore, fetare, etnike.
  • Universiteti online zhbën dallimet ekonomike. Të studiosh në MOOC, programe të Së Drejtës Ndërkombëtare të Stanford-it, për vetëm 100 Dollarë në vit, ngjan si një anekdotë, por është reale dhe e prekshme nga miliona studentë.
  • Programet e Universitetit Teknologjik të Mançesterit mund t’i aksesojnë nga shtëpia, studentë të interesuar australianë, kinezë, indonezianë.
  • “E-learning” zhbën dallimet gjinore. Hapësira kibernetike kthehet në një medium homogjen.
  • Studimi online të vendos në kontakt me bibliotekat më të mira virtuale dhe me informacionin e pashtershëm.
  • MOOC ndihmon në krijimin e rrjeteve njerëzorë ndërkombëtarë ku motivi i bashkimit është më i qashtër se në asnjë mënyrë tjetër socializimi: dija dhe vetëm dija.
  • Të gjithë e dinë çfarë vlere ka koncepti “netëork” në tregun e sotëm të punës.
  • Nevoja e gjallë për dije ka krijuar universitetin dhe studimet online. 

 

“University of the People”, universiteti i njerëzve, jo i popullit!

Emri i tij sjell surrogate të frikshme nga koha e shpëlarjes së trurit, por fatmirësisht,  kësaj here emri pasqyron karakterin e vërtetë të tij. Zyrat e tij nuk gjenden në Kinën e Mao Ce Dunit, por në Passadena të Kalifornisë. Universiteti i Njerëzve është universiteti i parë jofitimprurës, falas, i akredituar dhe vetëm online në botë i cili, ka hapur dyert e tij virtuale për të gjithë individët me mundësi të kufizuara studimi. Duke ulur kostot e teknologjisë, universiteti sjell programe studimi falas nëpërmjet internetit, në shtëpinë e çdo maturanti, në çdo vend të botës. Universiteti i Njerëzve ofron programe Bachelor në Administrim Biznesi dhe Shkenca Kompjuterike. Programet e tij synojnë në pjesën dërrmuese të rasteve në vendet në zhvillim, ku edhe nevoja për arsimim është më e theksuar dhe ku arsimi vërtetë cilësor nuk është i mundur për këdo.  Institucioni ka rreth 2000 studentë të regjistruar nga 150 vende të botës dhe synon të shndërrohet në një lider global të kësaj filozofie të re të arsimit të lartë. “Universiteti i Njerëzve përpiqet fortë që asnjë nga studentët e regjistruar të mos e braktisë degën e studimit për arsyet parësore financiare”, – thuhet në website. E megjithatë, pavarësisht se jofitimprurës, Universiteti i Njerëzve është institucion privat i financuar nga një bord administratorësh dhe i udhëhequr nga një këshill presidentësh. Ai është i akredituar nga Komisioni i Akreditimit të Edukimit në Distancë dhe i aprovuar nga Zyra për Arsimin e Lartë Privat.

 

STUDENTJA -PROFILEnkeleda Ibrahimi: Si i zgjerova njohuritë e mia me kurset online

Në Shqipëri, pavarësisht se të paktë dhe pa statistika të mirëfillta, ekzistojnë disa studentë të cilët kanë ndjekur kurse dhe studime të mirëfillta online, si një trend i ri i universitetit që të jep certifikim të vlefshëm. Enkeleda Ibrahimi është një ndër ato studente, të cilat kanë zhvilluar studime të tilla në internet. Ajo ka mbaruar studimet Bachelor në vitin 2014, në Informatikë-Ekonomike në Universitetin e Tiranës, dhe ka punuar për 2 vite në Sigurinë e Rrjeteve dhe Hapësirës Kibernetike në kompani dhe banka të ndryshme duke filluar që me projektet në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike. Por, pikërisht këto njohuri të avancuara aq të nevojshme në fushën e informatikës, ajo nuk pati mundësinë t’i merrte në Fakultetin e Ekonomisë. MOOC i erdhi në ndihmë menjëherë, me certifikatë të cilësisë optimale dhe me kosto minimale. “Kam bërë kryesisht kurse për Sigurinë e Informacionit duke qenë se në Shqipëri nuk kisha asnjë mundësi si të mësoja për këtë fushë. Faqja kryesore që kam përdorur ishte Coursera ku kam ndjekur kurse dhe jam certifikuar nga universitet më të mëdha në botë si Stanford, Universiteti i Uashingtonit, Universiteti i Kalifornisë etj., por edhe nga Banka Botërore e institucione të tjera. Ndjesia që merr të dëgjosh leksione dhe të komunikosh drejtpërdrejtë me profesorët më të mirë, në botë në fushën e pasionit tënd, është arsyeja kryesore pse mezi pret të regjistrohesh në kursin e radhës. Numëroj në total, deri tani, më shumë se 20 kurse online dhe niveli i njohurive të marra është i pallogaritshëm. Njohuri që jo vetëm më hapën dyert e punësimit por edhe janë baza ku mbështetem në punën time të përditshme”,- thotë Enkeleda për Mapon. E pyetur nëse ky lloj studimi ka kosto të tjera, pavarësisht publicitetit të mirë që gëzon gjerësisht si pasojë e mungesës së kostove financiare ajo shprehet: “Për të ndjekur kurse online, kostoja e vetme është tarifa e internetit. Por për të ndjekur një program të mirëfilltë universitar (Bachelor, Master ose Doktoraturë) ekzistojnë programe që kanë tarifa të ndryshme në bazë të cilësisë, universitetit, degës, etj. Por gjithsesi kosto që mbetet shumë e ulët në krahasim me tarifat e studimeve në universitete jashtë Shqipërisë. Mund t’i ndekësh leksionet kur të duash dhe ku të duash e t’i rishohësh sa herë ke nevojë. Vendos kontakte me profesorë e studentë nga e gjithë bota, mjafton të jesh proaktiv e të angazhohesh në projekte e në diskutime në forumet e klasave virtuale. E nga ana tjetër, sigurisht që ka edhe të metat e veta si filozofi arsimimi, perfeksioni nuk ekziston”.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180